Miltiadh Davidhi/ Poezi

    410
    Sigal

    Vdekja vdiq me fytyrë të qeshur

     Kur lindi, si të gjithë,

    Dhe vdekja qau, se dhe vdekja qanë.

    Kur vdiq, çuditërisht

    Kishte fytyrë të qeshur,

    Të lumtur!

    Tamam,

    Sikur po shkonte në festë

    Dhe donte të dukej e bukur!

    Përse?

    Përse qeshi ashtu,

    Kur të tjerët qanin për të,

    E i preknin dorën e ftohtë

    Me qime të zbehta

    Që dukeshin ende të gjalla,

    Megjithëse nëpër damarë

    S’pulsonte më jetë?!

    Ndoshta desh të tallesh

    Me naivitetin e vet,

    E qarjes kur lindi,

    Apo vrau përfundimisht

    Frikën e saj dhe tonën,

    Që dhe ne

    Të mos kishim më frikë…?!

    Se, dhe vdekjet

    Duhet të kenë frikë

    Nga vdekja e vet!

    E shtrirë në arkivolin e heshtur

    Dukej sikur thoshte:

    -Unë po qesh,qeshni dhe ju,

    Se, unë vdekja,vdiqa!

    Thua dhe vdekja

    Të ketë zemër të dhembshur?

    Prej pjesëzave të trupit të saj

    Jemi krijuar

    Si dritëza nga errësira e pafund.

    KLONOMANI SHPIRTIN

    …Në sytë e erës e në buzët e dashurisë,

    Shpirtin,shpirtin thashë,

    Jo trupin,atë kurrë më,

    Se për mua,(ashtu,si dhe për ju),

    Trupi është i vdekshëm,

    Përderisa asnjë prej petaleve të lules,

    Fijeve të barit,trupit të fluturës,

    I vëllaçkos,i babës,nënës,i gjyshërve,

    I shokëve e shoqeve,

    I pikës së dritëz dhe erës së ikur,

    S’më janë shfaqur as si fantazma,

    E jo më të kenë folur me gojë,

    Dhe pse kam vite që qaj e i kërkoj.

    Ndaj klonomani shpirtin,shpirtin,

    E vendosjani sërish emrin

    Që më kanë vënë prindërit,

    Emrin e mbiemrin që mbaj, Miltiadh Davidhi,

    Të vazhdoj akoma ta dua Planetin,

    Njerinë, t’i dua mëngjeset, perëndimet,

    Netët e ditët,

    E ëndrrën e gjethes tretur si ves’

    Dhe të shkruaj sërish

    Për erën e gjithësinë,

    Për ripërtëritjen e jetës,

    Atje,ku e kam lënë,

    Këngën e prerë në mes!

    Klonomani shpirtin, shpirtin, jo trupin,

    Atë kurrë më,

    Le të qajë në dashtë me zë, a pa zë!