Meri Lalaj/ Mos u bëfsh për skaner!

    458
    Sigal

    Për shkak të disa shqetësimeve dhe me këshillën e mjekut vendosa që edhe unë të bëj një skaner tek Qendra Spitalore “Nënë Tereza”. Nuk ishte punë e lehtë, përkundrazi një mundim i pafund. Së pari, duhej bërë vizita. Kur paraqita librezën tek infermierja, e cila qëndronte përballë një kompjuteri dhe nuk po më jepte përgjigje (ishim vetëm ne të dyja) dhe kur i thashë: Të lutem, pak shpejt! Ajo m’u përgjigj: Nuk mjafton që po e bën pa lekë, por e dashke edhe shpejt! (Sikur po paguante nga xhepi i saj! Pastaj a nuk e di ajo se unë kam punuar, jam pensioniste dhe i kam paguar të gjitha sigurimet!). Më tej duhej parashikuar data e bërjes së skanerit. U shtyva midis një turme njerëzish, të cilët qenë grumbulluar para një dere duke mbajtur fletë nëpër duar sikurse unë. Aty i pata zili ata, që kanë pare sepse dring paret dhe mbetesh njeri e bën skanerin tek privati. Hyra brenda, aty pashë disa mjekë të përkulur përmbi regjistra e fletë që shkruanin, shkruanin dhe vetëm shkruanin, nuk kishin nge t’i hidhnin një sy të sëmurit që ndodhej përballë tyre. Një skenë e mrekullueshme çehoviane.

     Kur erdhi data për të bërë skanerin, me një tufë letrash, sërish u ndodha në atë derë, por kisha harruar për të fotokopjuar librezën shëndetësore dhe fletën e rekomandimit nga mjeku përkatës. Aty tek muri shkruhej “Fotokopja nuk punon”. Dola nga spitali diku në rrugë për të gjetur një fotokopje që të punonte. E mbarova dhe këtë punë. Më dërguan tek skaneri, për fat atje takova një mjek mikun tim dhe një kirurg, djalin e shoqes sime. Mendova sa me fat jam që njoh mjekë dhe që di shkrim e këndim, sepse si ia bëjnë ata të sëmurë të gjorë që vijnë nga rrethet nuk kanë të njohur dhe u duhet të lexojnë gjithato shkresa! Nuk duhej të gëzohesha sepse nga ajo dhomë mjekësh më dërguan sërish jashtë spitalit për të blerë një shishe uji një litër e gjysmë, që duhej pirë kur të bashkohej me kontrastin. Spital sa një qytet dhe nuk gjen shishe uji, shishet ndodhen jashtë spitalit nëpër shitoret. Ndodhesha në katin nëntokë dhe një mjek m’u drejtua “Nane…”  (Një fuqi e mbinatyrshme më bëri që ta mbata veten e që të mos i ktheja përgjigjen: “Nënë e satëme!” I thashë vetëm. “Mos më thuaj Nane…” (ai fliste me dialektin e veriut, emrin nuk po ia përmend). Paskëtaj më dërguan sërish lart që të merrja një faturë atje ku shkruhej RECEPSIONI, që nuk është fjalë shqipe. Prapë zbrita poshtë dhe kur më thanë që të ngjitesha edhe njëherë lart që të vija vigonin (d.m.th gjilpërën në venën e krahut për intravenozin nuk pranova. Boll u lodha.)

                Skaneri zgjati vetëm dy minuta. Sa çudi! Gjithë ai mundim!

                Unë i detyrohem shumë pikërisht këtij spitali sepse aty shumë vite më parë një kirurg i mrekullueshëm, Profesor Petro Cani, dritë i pastë shpirti, më ka dhënë jetë pa më marrë asnjë lek dhe duke më kënduar këngën: “O Lady Mary…”

                                                                                        11.11.2014