Mënyrat se si Ujësjellësi i nxjerr qytetarët me dy kontrata dhe i detyron të paguajnë

    394
    Sigal

    Abuzimet e ujësjellësit, qytetarët ankohen se paguajnë lekë për fatura uji të pakonsumuara

    Edhe për vitin 2013 duket se nuk do të ketë ndonjë zgjidhje për problemet që kanë qytetarët me ujësjellësin. Pasi edhe në ditët e festave të fundvitit ka pasur probleme të theksuara në zona të ndryshme të kryeqytetit, dukë përfshirë këtu edhe vjedhjen e sakatëve të ujit në disa familje. Problemet dhe abuzimet me ujin e pijshëm nuk kanë marrë zgjidhje, përveçse shtohen çdo ditë. Problemi bëhet edhe më i rëndë kur në shtëpitë e qytetarëve mungojnë matësit e ujit dhe ata janë të detyruar që të paguajnë faturat afrove që u vendos ujësjellësi. Kjo problematikë nuk është vetëm në kryeqytet, këtë problem kanë edhe zonat e Fierit, ku janë të përfshirë edhe disa  fshatra si Sheq, Topojë, Apolloni, ish- ferma NB. Me dhjetëra janë ankesat e konsumatorëve që nuk kanë matës për të përcaktuar sasinë e ujit dhe shpenzimet. Sipas ankesave të qytetarëve që vijnë në Shoqatën e Konsumatorit Shqiptar ka vite të tëra që kërkohet nga ujësjellësi  që t’ju pajisen me matës, kjo nuk është bërë.

    Qytetarët: Problemet me ujësjellësin mbeten të pazgjidhura

    Qytetarët shprehen për “Telegraf” se edhe pse bëjnë ankesa të shumta, ata nuk gjejnë zgjidhje në asnjë nga zyrat përkatëse të Ujësjellësit. Ankesat janë të natyrave të ndryshme, duke filluar që nga cilësia, orari dhe deri te faturat afrove. Qytetarët shprehen se, në shumë raste uji është i papërdorshëm dhe se janë të detyruar që të blejnë ujë për të pirë dhe gatuar. Por ajo që e rëndon më shumë situatën është janë dhe faturat e larta afrove që u vijnë për të paguar në fund të muajit. Qytetarët e kryeqytetit shprehen të irrituar me shërbimet që ofron ujësjellësi. Në prononcime për “Telegraf” ata janë shprehur: “Kemi shumë probleme me ujin, ka raste nuk na vjen fare në shtëpi uji. Plus që paguajmë fatura shumë të larta në një kohë kur nuk na vjen uji”.  Sipas Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar, janë rreth 1215  ankesa për 6 muaj që kanë ardhur pranë kësaj shoqate me gjithë përpjekjet informuese që janë bërë në drejtim të UKT dhe të sektorëve të pushtetit lokal asnjë masë përmirësimi të gjendjes nuk është marrë.

    Të paguash edhe për kontrata të paqena

    Mënyrat e abuzimit me qytetarët për t’u marrë paratë nga Ujësjellësi janë të shumta. Një rast tjetër abuziv është me një qytetare nga qyteti i Tiranës, e cila ka dalë me dy kontrata nga Ujësjellësi. Në lidhje me këtë rast është shprehur për “Telegraf”, vetë zonja F Gega, e cila tregon se nga Ujësjellësi është nxjerrë më dy kontrata ndërkohë që, ajo ka vetëm një banesë dhe në dijeninë e saj është një kontratë që ajo e ka paguar rregullisht. Dhe përkrah kësaj padrejtësisë që i është bërë asaj i vijnë edhe fatura të larta të cilat ajo po detyrohet që ti paguajë pasi i ndërpresin edhe kontratën. “Para disa vjetësh ku u nda nga jeta bashkëshorti, i kalova të tëra dokumentet në emrin tim, të njëjtën gjë bëra edhe me kontratën e ujit që kam për shtëpinë e kalova në emrin tim. Por tani para disa ditësh shkoj për të paguar faturat dhe punonjësit e Ujësjellësit më bënë të ditur që në emrin tim janë dy kontrata”, shprehet F.Gega. Por ndërkohë, ajo bën të ditur se ka bërë kërkesë për mbylljen e njërës kontratë, por i është kthyer përgjigja se duhet të shlyejë faturat për kontratën “hije” që nga viti 2007-2012, pastaj do të mbyllet njëra kontratë. Në lidhje me rastin e zonjës po ju paraqesim edhe faturën që i ka dalë dhe përgjigjen që i është dhënë nga Ujësjellësi.