Memush Habili: Përdorimi i LHL-ve nervoparalizuese është një akt barbar

    542
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Inxhinieri- kimist Memush Habili: LHL-t janë pjesë përbërëse e Armëve të Dëmtimit në Masë

    Kohët e fundit flitet shumë për luftën në Siri, ku diktatori Asad, ka përdorur kundër popullit të tij lëndë helmuese luftarake. Për këto lëndë flitet shumë, pasi janë tepër të dëmshme për jetën e njeriut dhe sjellin marrje jetë njerëzish në mënyrë masive. Madje, gjithë opinioni botëror është shumë i shqetësuar për luftën në Siri kundër regjimit të Asadit, pas përdorimit nga ana e tij të LHL, apo Armëve të Dënimit në Masë. Shqipëria ka pasur 35 ton LHL, kryesisht të veprimit në lëkurë (iprit, luizit) dhe shqetësuese të cilat janë asgjësuar në vitin 2007. Pjesa dërrmuese e armatimeve kimike përbëhet nga LHL – nervo-paralizuese për të cilat flitet sot në Siri.

     Çfarë janë lëndët helmuese luftarake (LHL)

    LHL-të janë përbërje kimike, me veti të caktuara fiziko-kimike dhe toksike, të cilat duke u përdorur në fushën e luftimit janë të afta të helmojnë dhe asgjësojnë njerëzit (si dhe qeniet e tjera të gjalla) dhe të shkaktojnë ndotje dhe katastrofa mjedisore. LHL-t janë pjesë përbërëse e Armëve të Dëmtimit në Mase (ADM) së bashku me Armët Bërthamore dhe Biologjike. LHL-t së bashku me mjetet e përdorimit të tyre përbëjnë Armën e Kimisë. LHL-t janë përdorur nga njerëzit qysh në periudhën e antikitetit dhe përdormi i tyre ka ardhur vazhdimisht duke u përsosur duke ecur paralel me zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë. Përdorimi masiv, në shkallë të gjerë LHL-t e kanë patur në Luftën I-r Botërore ku Gjermania ishte iniciatorja dhe përdoruesja kryesore e LHL-ve në këtë konflikt falë nivelit të lartë të zhvillimit të industrisë kimike. Përdorimi i LHL-ve pati si pasojë rreth 1 milion viktima nga të gjitha palët ndërluftuese gjatë 4 vjetëve lufte. Duke parë pasojat çnjerëzore të përdorimit të LHL-ve u bënë marrëveshja e konventa për ndalimin e tyre. Më e rëndësishmja prej tyre është Protokolli i Gjenevës 17 qershor 1925 e cila ndalon përdorimin e LHL-ve gjatë konflikteve midis palëve ndërluftuese, Protokoll i cili është ratifikuar nga të gjithë shtetet anëtar të OKB-së. Pavarësisht marrëveshjeve për ndalimin e LHL-ve në konfliktet e armatosura shumë shtete firmëtare nuk i kanë respektuar ato. Disa shembuj të përdorimit të LHL-ve në konfliktet luftarake e vërtetojnë këtë: Në vitin 1935 Italia përdori LHL-në pushtimin e Etiopisë, SHBA në luftën e Koresë 1953, Japonia në Mançuri 1937-42, Franca në Afrikën Veriore 1950, SHBA- në luftën e Vietnamit 1961-1975, Vietnami në Laos 1975-81, Afrika e Jugut më Angolë – 1978, Kina kundër Vietnamit 1979, Rusia në Afganistan – Iraku kundër Iranit 1981-1986, Jugosllavia në Kosovë 1981, 1989, 1999 etj. Pra LHL-të janë përdorur në çdo konflikt të armatosur pavarësisht konventave për ndalimin e tyre. Përgjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dy superfuqitë dhe aleatët e tyre dispononin pjesën dërrmuese të sasive të LHL-ve, prej të cilave furnizoheshin pastaj shtetet e tjera nëpërmjet rrugëve të ndryshme tregtisë dhe trafiqeve të LHL-ve dhe teknologjive të prodhimit të tyre.

    Kush i disponon LHL-t?

    Deri në fillim të viteve 1990, pothuaj të gjithë shtetet dispononin rezerva të LHL-ve. Rekordet mbaheshin nga dy superfuqitë. Sipas botimeve zyrtare ish-Bashkimi Sovjetik dispononte 350.000 ton LHL, ndërsa SHBA – 100.000 ton. Me mbylljen e periudhës së luftës së ftohtë një pjesë e këtyre stoqeve është asgjësuar, por përsëri ekzistojnë sasi marramendëse LHL-që mjaftojnë për ta asgjësuar gjithë njerëzimin dhe gjallesat e tjera në mbarë planetin. Shqipëria ka pasur 35 ton LHL, kryesisht të veprimit në lëkurë (iprit, luizit) dhe shqetësuese të cilat janë asgjësuar në vitin 2007. Pjesa dërrmuese e armatimeve kimike përbëhet nga LHL – nervoparalizuese për të cilat flitet sot në Siri.

     Ç’janë këto LHL-nervoparalizuese?

    Janë LHL-që veprojnë në sistemin nervor qëndrojnë duke e paralizuar atë dhe duke shkaktuar vdekje të rrufeshme. Janë përbërje që në molekulën e tyre kanë fosfor, prandaj quhen edhe fosfor-organike (F.O.). Janë kompozimit më të rrezikshme që ekzistojnë sot. Për ilustrim po japim një të dhënë: Zarima (e cila dyshohet se mund të jetë përdorur në Siri) në rast se merret nga goja mund të shkaktojë vdekjen momentale në sasinë prej 5 mg/njeri ose 1 gram mjafton për të asgjësuar 200 njerëz. Këto LHL-janë sintetizuar në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë u prodhuan nga shumë vende të botës. Këto LHL- janë baza e armës moderne kimike. Në nomeklaturën e SHBA-ve njihen me siglën G, p.sh. GB- Zarina, në ish-BS me siglën R, Zarima – R-35. Municionet kanë siglat përkatëse dhe kodet e tyre që i i bëjnë të dallueshme nga çdo lloj municioni tjetër. Dyshohet se janë përdorur në konflikte të ndryshme si në luftën Iran Irak 1980-1986, nga rusët në Afganistan etj., por pa konfirmim zyrtar të përdorimit të tyre. Në përgjithësi në konfliktet e ndryshme si në luftën e Koresë, Indokinë, Afganistan, Iran-Irak etj., nga palët ndërluftuese janë përdorur LHL,  që kanë sjellë shumë viktima dhe probleme mjedisore dhe përveç sensibilizimit të opinionit publik nuk është mbajtur ndonjë qëndrimi i veçantë ndaj agresorëve. Në Shqipëri nuk ka patur LHL nervoparalizuese në rezervat e ushtrisë. Ato janë prodhuar vetëm në shkallë laboratorike për qëllime studimore në tërësinë e masave mbrojtëse në shkallë vendi. Mund të prodhohen në mënyrë artizanale nëpër laboratorë nga njerëz të specializuar të kësaj fushe, gjë që mund të shfrytëzohen nga terroristët për akte subversive. Si shembull shërben përdorimi i zarinës në metronë e Tokios 1995 e cila ishte prodhuar nga organizata terroriste “Jakuza” në mënyra artizanale dhe që shkaktoi mbi 5000 të helmuar.

    Mbi përdorimin e LHL-ve në Siri, ç’mund të na thoni?

    Republika Arabe e Sirisë në vitin 1968 ka ratifikuar Protokollin e Gjenevës të 17 Qershorit 1925 që ndalon përdorimin në luftë të LHL-ve. Por kjo nuk e ka ndaluar Sirisë të krijojë arsenalin e vet me armë kimike. Dihet që Siria disponon sasi nga ish-B.S. dhe Kina dhe ka patur impiante të prodhimit të pesticideve fosfororganike me teknologji europiano- perëndimore, të cilat në çdo kohë mund të prodhojnë LHL-nervoparalizuese. Njoftimet e kohëve të fundit mbi përdorimin e LHL-ve nervoparalizuese të tipit “Zarinë” në luftimet midis palëve ndërluftuese mbetet për t’u vërtetuar shkencërisht. Të dhënat e medias nuk janë të plota për të pohuar përdorimin e tyre në konflikt. Në rast se janë përdorur municione kimike ato mund të dallohen relativisht lehtë nga municionet e zakonshme, për shkak të formës, mbishkrimeve, copave të mëdha që ato lënë në vendin e shpërthimit dhe simptomave që kanë viktimat e helmuara. Temperaturat relativisht të larta në muajin gusht në Siri do të bënin të mundur një avullim të shpejtë të LHL-ve pas daljes nga municioni dhe përhapjen e resë me avuj helmues në drejtim të lëvizjes së erës në distanca të mëdha nga vendi i përdorimit, distancë e cila mund të arrijë deri disa km nga vendi i rënies së municionit. Si pasojë do të kishte një rreze të madhe të dëmtimit të njerëzve pa dallim moshe e seksi si dhe të gjallesave të tjera, sepse LHL-së nuk bëjnë dallim në veprimin e tyre asgjësues. Vdekjet e shumë fëmijëve vërtetojnë përdorimin e zerinës. Viktimat do të kishin simptomat karakteristike të helmimit, si ngushtimi i bebes së syrit miozë, konvulsioni dhe dridhje të forta dhe vdekje të shpejtë në masë, midis të helmuarve, ndërkohë kur nuk vërehen dëmtime të tjera si plagosje nga copat e municioneve ose dëmtime të objekteve sepse municionet kimike nuk shkaktojnë të tilla. Informacione të tilla mund të merren në rajonet e luftimeve nga njerëzit që i kanë përjetuar këto situata. Vërtetimi objektiv në se janë përdorur LHL nervoparalizuese bëhet nga dërgimi në vendngjarje i ekspertëve kimistë dhe mjekëve që bëjnë vlerësimin e situatës, marrjen e kampioneve të municioneve (në se kanë mbetur) dhe kontrollin analitik të tyre, si dhe analizat mjekësore të viktimave. Për kontrollin e ajrit ose tokës as që bëhet fjalë, sepse këto mund të japin informacione brenda një kohe të shkurtër nga momenti i përdorimit të armëve kimike. Në rast se zarina është përdorur në formën e armëve binare, mund të gjenden gjurmët e komponentëve përbërës në vendin e përdorimit p.sh. në tokën ku ka rënë municioni. Për të nxjerrë një konkluzion paraprak, një grupi ekspertësh do t’i mjaftonin disa orë pune, maksimumi 24 orë pune, ndërsa një përfundi8m i saktë dhe i padiskutueshëm do të kërkonte 2-3 ditë pune të një laboratori të kompletuar dhe të specializuar në fushën e LHL-ve. Përdorimi i LHL-ve nervoparalizuese është një akt barbar nga kushdo që të jetë kryer, pasojat janë me përfundime fatale prandaj edhe reagimet ndaj këtij veprimi çnjerëzor po përfshijnë mbarë opinionin botëror. Në pritje të konfirmimit shkencor të përdorimit të lëndëve nervoparalizuese në Siri opinioni ndërkombëtar mbetet i revoltuar nga informacionet e publikuara rreth përdorimit të tyre nga regjimi i Asadit.