Mehmeti sherr me Enverin pas takimit me kryeministrin francez

1173
Sigal

Leonard VEIZI

INTERVISTA IV / Flet Doktori i Shkencave Hasan Luçi, ish-oficer i lartë i zbulimit shqiptar

(Vijon nga numri i kaluar)

Mund të shkoje në Francë për t’u kuruar, por kjo nuk do të thoshte që të dilje jashtë kornizave të vendimeve që merreshin në Byronë Politike. Nëse në Shqipëri ishte një kryeministër apo anëtar i Byrosë Politike, në Paris kishe vetëm statusin e një turisti apo dhe të një pacienti që kishte shkuar për t’u kuruar, asgjë më shumë. Manteli i partiakut apo drejtuesit të shtetit lihej në Rinas, për t’u riveshur sërish në momentin e zbritjes nga shkallët e ndonjë avioni portativ.

“Zakonisht kur drejtuesit e Partisë apo të shtetit largoheshin nga Parisi në drejtim të Shqipërisë bënin një mbledhje në ambasadë. Këtë gjë e bënin për të dëgjuar hallet tona, qoftë për jetesën, qoftë për veprimtarinë shtetërore e partiake. Më mbledhje merrnin pjesë personeli i ambasadës, por ishin të ftuar dhe studentët, pasuniversitarët apo shtetasit tanë që kalonin tranzit në Paris”, thotë gjatë rrëfimit të tij ekskluziv për gazetën “Telegraf” Dr Hasan Luçi, ish-diplomat dhe njëkohësisht zbulues pranë Ambasadës Shqiptare në Paris, përgjatë viteve 1961-1968 dhe 1972-1977.

A ngriheshin probleme në mbledhje të nivelit të tillë?

Ne ngrinim shumë probleme ekonomike sepse në fakt atëherë ne nuk kishim rroga, por quheshin “alokacione”, shkurt një trajtim i veçantë, por në fakt shumë i pa mjaftueshëm për të bërë realisht jetë diplomatike, me kolegët tanë. Unë vajta në Paris kur u bë gërshëra e tretë e fundit që na dënoi për të bërë një jetë me shumë kursim, për të përballuar jetesën, sidomos për ne që kishim fëmijë apo lindëm të tjerë atje. U lehtësuam disi kur u mor vendimi që të mos mbanim asnjë fëmijë në moshë shkollore, duke i lënë fëmijët pranë të afërmve tanë apo në konvikt. Ngrinim problemin e njohjes së vjetërsisë për pension të grave dhe vetëm në vitet ’80 mezi u zgjidh për diplomatët dhe oficerët e kufirit. Ngrinim dhe probleme të tjera sidomos për bazën materiale, për të përballuar kërkesat që kishim nga vendas dhe të huaj për materiale njohëse mbi Shqipërinë, dhe për t’u dhënë studiuesve, albanologë apo të tjerë, për të shkruar libra mbi Shqipërinë, sidomos në fushën e arkeologjisë, historisë, kulturës etj., pasi mundësitë qenë për të bërë shumë më tepër. Do të veçoja p.sh rastin e baletit “Cuca e maleve” të cilin një “impresario” francez e kërkoi ta vinte e njëjta trupë që e kishte luajtur këtë film, si dhe të disa botimeve tematike që kërkonin studentë francezë etj., kryesisht miq të shoqatës së miqësisë. Por ata dëgjonin dhe pak ndihmesë na u dha në këto fusha.

Ardhja e drejtuesve të lartë bëhej pa zhurmë, apo shfrytëzohej dhe për takime bilaterale?

Me këta udhëheqës që vinin në Francë bënim vizita turistike, kryesisht në Paris dhe rrethinat e tij. Nuk merrnim kontakte zyrtare me përjashtim të kryeministrit Mehmet Shehu me kryeministrin francez, çështje që u kthye në një problem grindjesh mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, pasi pala franceze gjoja pa dashje ia bëri të njohur shtypit. Kurse në fakt duhet të mbahej një takim protokollar pa bujë. Edhe një incident tjetër patëm mes Enver Hoxhës, Beqir Ballukut dhe gjeneralëve që u kthyen nga vizita në Kinë, ku çuditërisht Enver Hoxha i kërkoi llogari ambasadorit. Por ai me të drejtë, i dha përgjigjen se ai u njoftua kur duhej të dilte t’i priste në aeroport. Ky diskutim i parë qe nisma e goditjes së puçit të ushtarakëve.

Cili ishte niveli i sigurisë në ruajtjen e drejtuesve të lartë që vinin nga Shqipëria?

Shërbimi ynë sekret kishte detyrë për mbrojtjen e këtyre udhëheqësve atje dhe ne shpenzonim forca të shumta dhe me miqtë tanë për ta kryer këtë detyrë dhe nuk pati ndonjë incident edhe për faktin se organet franceze mbuluan hapur sigurimin e kryeministrit tonë dhe në mënyrë jo të bujshme udhëheqësit e tjerë. Në raste të rralla, sidomos kur shtroheshin në spitale, informonim organet franceze. Si kuriozitet kur u operua Mehmet Shehu nga një infermiere e spitalit, Sadik Premtja mësoi për vendndodhjen, por njëkohësisht edhe ne e mësuam shumë shpejt dhe hapëm sytë për të mos ndodhur ndonjë përplasje e rastit. Në atë kohë Sadik Premtja mbante me vete veprën e Enver Hoxhës “Kur lindi Partia” dhe u mburrej shokëve të tij të mërgatës politike dhe internacionales trockiste për çka Enveri fliste për të.

LIBRI / Pjesë nga vëllimi i Hasan Luçit; “Veprimtaria sekrete e mërgatës politike shqiptare”

Plani për përgatitjen e agresionit grek kundër Shqipërisë

Letra e hapur e KQ të PPSH-së drejtuar komunistëve, punonjësve, ushtarëve dhe oficerëve të vendit tonë me 4 mars 1966, i tërboi armiqtë e jashtëm e të brendshëm, të cilët forcuan veprimtarinë antikomuniste kundër RPSH-së. Në këto kushte në kongresin e bujshëm panepiriot të 1967 në Janinë u bënë thirrje për bashkim pa dallim të të arratisurve që “të jenë gati në çastin e dëshiruar për çlirimin e Shqipërisë” (338), në prani të ministrit të Brendshëm grek Patakos etj – dhe kur kryeministri grek i dërgoi përshëndetje këtij kongresi. Nga ana tjetër Marko Lipe, agjent grek, luftonte kishën autoqefale shqiptare në Stamboll, megjithëse autoritetet turke i dhanë lejen ai iu drejtua edhe presidentit Xhonson e sekretarit të Përgjithshëm U. Tanit. Nga ana tjetër spiuni grek në Turqi, Qazim Prodani, punonte për llogari të QIP-it për të mobilizuar shqiptarët atje kundër RPSH-së dhe informonte vazhdimisht padronët e tij. Nga ana e saj UDB-a po aktivizonte diversantët me detyra territori ndaj udhëheqjes së Partisë e të shtetit e veprime të tjera nën diktatin e CIA-s. Udhëheqësit e Kosovës F. Hoxha e V. Deva me E. Koliqin bënin takime në Romë dhe bisedime me komandën e flotës së 6-të amerikane. H. Fulci mori pjesë në festën e Ballit Agrar në Çikago (SHBA) në 28 nëntor 1967. Kongresistja amerikane Sharlote T. Reid anëtare e Komisionit për Punët e Jashtme Amerikane të Kongresit i dorëzoi L. Kosovare një flamur, që kishte valuar 40 orë në majën e Kapitolit në Uashington me rastin e kësaj feste si; “peng miqësie e konsiderimi”. (kjo qe shenjë e hershme e SHBA në Kosovë, që u krye në vitet ’90 – H.L.). Ky plan parashikonte:

Së pari përgatitjen e emigracionit politik për akte terroriste – diversioniste dhe

Së dyti, organizimin e provokacioneve nga ana e Kosovës me pretekstin e kërkesës për bashkimin me Shqipërinë. Ky plan iu paraqit Titos, i cili e pëlqeu, sepse në këtë kohë po bëhej edhe plani për një aleancë ushtarake midis Jugosllavisë, Rumanisë e Shqipërisë, propozuar nga udhëheqësit kinezë, që ishte një komplot. Ky u quajt plani greko – jugosllav përgatitjen e agresionit grek kundër RPSH me bosht Greqinë e Jugosllavinë. Për këto qëllime CIA po përgatiste kuadrot vepruese në Itali, RFGJ e gjetkë me të arratisurit e etj. Xh. Deva me pasuesit e tij të Lidhjes së Prizrenit u aktivizua tepër në këtë rast nga CIA e UDB-a që të gjente e të çonte në Prishtinë e Maqedoni grupe me pasaporta amerikane. Në gjyqin e zhvilluar në 1968 në Kukës të një grupi prej 5 spiunësh e tradhtarësh (Rexhep Demirin, Faslli Thaçi, Rasim Brahimi etj.,) në shërbim të CIA-s e UDB-ës, ish- bashkëpunëtorë të M. Bajraktarit e Asllan Zenelil gjatë LANÇ- it, të cilët kishin lidhje me diversantët Myftar Maloku, Halil Nerguti, Ramadan Velia e Rexhep Berislia për organizimin e një kryengritjeje të armatosur. Ata kanë bërë vrasje, vjedhje, dëmtim e sabotim të ekonomisë socialiste e kooperativiste, nxitje arratisjesh, organizim të elementit armik etj., për rrëzimin e pushtetit popullor. Që në 1950-ën, CIA e UDB-ja u kishin dhënë grada si F. Thaçit kapiten, Adem Rushitit major, Rexhep Demirit kolonel e komandant i qarkut të Kukësit. Për të mbuluar veprimtarinë e tyre vranë edhe qytetarin Kamber Sherifin.

GJYQI

Po në gjyqin e bërë në Korçë kundër një grupi spiunësh e tradhtarësh prej 7-vetësh në shërbim të CIA-s e UDB-ës e QIP-it, që mbanin lidhje me diversantët u dhanë prova se këtyre iu kapën automatikë, pushkë, rroba e monedha të huaja, që do t’i përdornin për t’i aktivizuar armiqtë për organizimin e kryengritjes të armatosur. Autoritetet jugosllave kishin vënë në dispozicion të spiunazhit Italian territorin jugosllav dhe bashkëpunonin me ta. Këtë e vërtetoi edhe gazeta “Domenica del corriere” e qershorit 1966, e cila botoi një artikull shpifës nga Vitorio Lajakono, i cili për të mbledhur informata mbi Shqipërinë shkoi në Jugosllavi, në Beograd, e Titograd, ku e pret një mik, të cilit vizita i ishte njoftuar”. Ai pohon vetë se “kam ardhur në Jugosllavi për të mbledhur lajme mbi Shqipërinë”. Kështu klika titiste duke zgjeruar aleancat e veta, duke hapur territorin jugosllav ekspertëve të ndryshëm antishqiptarë e pohon bashkëpunimin e saj me zbulimet armike të Shqipërisë kundër saj. Krerët e Legalitetit u lidhën ngushtë e klikën titiste nëpërmjet kriminelit Nik Sokoli, Nderim Kupi etj. Gjithashtu u aktivizuan qendrat subversive të spiunazhit, radioloja (me 12 maj 1965 në Nju Jork filloi edhe radio “Zëri i shqiptareve të lirë” e BK) etj., në Selanik, Romë, Vjenë. Munih, Londër, Madrid, Nju Jork e gjetkë. UDB-a dërgonte emisarët e saj diversantët T. Vuta, M. Spahiu, S. Zyberi etj., për zgjerimin e rezidencave të spiunazhit, kurse QIP-i diversantët N. Lahollin. F. Meron etj., që nxisnin arratisje etj, për të pasur “gjak të ri”. Ndërkohë në verën e vitit 1967 edhe sovjetikët e satelitët e tyre bënë një fushatë kundër RPSH, se fashistët grekë do të sulmonin Shqipërinë, se kjo ishte vendosur nga grekët e amerikanët që kjo të bëhej pas sulmit të Izraelit kundër Egjiptit, se edhe Titoja kishte përqendruar trupa në kufirin maqedono – grek, pse grekët do të sulmonin Jugosllavinë. Në këtë kohë edhe përfaqësuesi çekosllovak me paturpësi “konfirmoi” këtë në MPJ, shtypi lindor, titist e italian e mbështeti këtë fushatë që përmbante të dhëna mashtrimi e presioni ndaj RPSH-së.

 

PROBLEMET

 Hysni Kapo, njeriu që interesohej për diplomatët

I pyetur se cili nga drejtuesit që kishte bërë mbledhje me personelin e ambasadës, i kishte marrë më me seriozitet ankesat e diplomatëve për të zgjidhur diçka, Dr Hasan Luçi përgjigjet:Udhëheqësi më i vëmendshëm në këtë fushë ishte Hysni Kapo, i cili trajtonte me hollësi aksionet në fushën e kulturës e të tregtisë, veç botimeve të veprave të Enver Hoxhës, etj.. Në një rast më porositi që t’i jepja me shkrim problemet e pazgjidhura që i kishin diskutuar në bisedat e lira gjatë shëtitjeve. Unë i vajta për vizitën e lamtumirës në mbrëmje dhe ai pasi u përshëndetëm hapi xhepin e xhaketës dhe ma bëri me shenjë që t’i jepja materialin, Unë i kërkova falje duke i thënë se Ministria e Jashtme dhe institucionet e tjera i kishin kërkesat me shkrim. Por ai m’u përgjigj se si çështje shkurt duhet t’i kem unë që t’i kërkoj, sepse thesi ka shumë. Të nesërmen në mëngjes, kur e shoqëruam në aeroport, unë ia dhashë rreth tre faqe të shkruara me makinë që i përgatita atë natë pa gjumë. Mund të shtoj se aksionet e javës së filmave, apo ekspozitës së artit shqiptar në shekuj edhe botimet qenë falë kërkesave pranë Hysni Kapos, Mehmet Shehut, Nesti Nases dhe deri tek Enver Hoxha në mënyrë të veçantë nga takimet e Javer Malos me ta dhe raportet e argumentuara deri në hollësi të diplomatëve tanë me miqtë francezë”.

PATRIARKANA

Në vitet ’60 -të Patriarkana bëri një fushatë të gjerë kundër kishës autoqefale shqiptare në Turqi. KEVA me në krye P. Kotokon shtoi thirrjet për “çlirimin” e Shqipërisë e autonominë e Vorio – Epirit, se “në këtë drejtim Greqia do të ketë edhe ndihmën e Jugosllavisë”. Në 1962 u bënë mbledhje të sillogjeve, ku flitej për financim nga CIA për mobilizimin e përgatitjen e 500 – 600 të rinjve të arratisur nga Shqipëri dhe të 300 të arratisur e dërguar në Ellasona për stërvitje 50-ditore. Disa krerë të BK u bënë jehonë pretendimeve greke e mbështetnin “ligjin e luftës” për mosvendosjen e marrëdhënieve diplomatike me RPSH. Komiteti Ballist i Parisit bënte thirrje “të jenë gati në luftën për pavarësinë e vërtetë të Shqipërisë”. K. B. Mirakaj i vinte kapak kësaj pune kur thoshte: “Në çdo situatë ne duhet të jemi të gatshëm të përfitojmë mbasi Shqipëria është një hallkë e zinxhirit ndërkombëtar që nuk mund të zgjidhet veçmas” dhe çështja e monarkisë u zgjidh kur në 1961 vdiq Ahmet Zogu në Paris, CIA dhe SIS-i miratuan vazhdimësinë vetëquajtjen mbret të birit të tij Leka Zogut, duke caktuar pranë tij edhe këshilltarët e tij përkatësisht gjeneralin Blomberg dhe Peter Kempin, të dy zbulues me përvojë antikomuniste e antishqiptare.

(vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

– Si organizohej jeta e diplomatëve shqiptarë në ambasadën e Parisit

– Mungesa e fondeve dhe kërkesat që i drejtoheshin ministrit të Jashtëm Behar Shtylla

– Si ndaloheshin në doganë pajisjet e tepërta që nëpunësit blinin jashtë shtetit