“Më shumë maturantë me pikë të plota në Matematikë se në Letërsi”

    542
    Sigal

    Intervistë/ Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit Parauniversitar: Matura, rezultatet e Matematikës publikohen pas provimit të lëndëve me zgjedhje

    2,7 % e maturantëve nuk e kanë marrë provimin e Letërsisë, që përkthehet në një numër prej 1200 maturantësh. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf” Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit Parauniversitar në MASH. Ndërkohë që vetëm 5 maturantë janë vlerësuar me pikët maksimale. Kjo sipas Vejsiut për shkak dhe të subjektivitetit që ka dhe Letërsia. Por tjetër pamje na ofrohet përsa i përket provimit të Matematikës. Janë vetëm tre ditë që ka filluar korrigjimi i tyre dhe deri më tani ka  më shumë maturantë me pikët maksimale se ç’kemi nga provimi i letërsisë i ezauruar tashmë si proces vlerësimi. “Ndërsa për provimin e Letërsisë kishim një objektiv që ai do të dilte para provimit të Matematikës, në këtë provim kemi dhënë porosinë që nuk duhet të dalin para provimeve me zgjedhje, jemi brenda rregullores, sepse nuk kemi arsye të shpejtojmë për të viktimizuar asnjë person, qoftë dhe një pikë të vetme, pikët që i takojnë maturantit ai do t’i marrë domosdoshmërish” shprehet Vejsiu. Ndërsa për provimet e Lirimit, rezultatet do të jepen nga DAR/ZA, ndërkohë që është në përfundim procesi i vlerësimit të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

    Ndërkohë, Matura ka dhënë dy provime deri tani, Letërsinë dhe Matematikën. Vlerësimet e Letërsisë dolën. Krahasimisht me vitin e kaluar si ishte cilësia?

    Ka një tregues, pasi u bë studimi, një tregues sinjifikativ. Këtë vit  “cut off”-i, niveli midis katrës dhe pesës, pra notës kaluese dhe notës pakaluese, është një pikë më lartë se viti i kaluar dhe fatmirësisht ndodh që përqindja e mbetësve, është gati e njëjtë, 2,7 % e maturantëve nuk e kanë marrë provimin e Letërsisë, kundrejt 2,5% që ishin vitin e kaluar. Si shifër është disi e më e madhe, është rreth 1200, kjo, sepse ka pasur një rritje të maturantëve nga 40000 vjet, në 44 500 këtë vit, pra  kjo ka bërë të rritet numri, por të ndikojë shumë edhe te përqindja. Kuptohet që është pjesë e atij grupi maturantësh që nuk janë të motivuar, përgjithësisht vijnë nga shkollat part-time, po pse jo  dhe nga shkolla me kohë të plotë, madje dhe nga shkolla të mira të qytetit të Tiranës ka mbetës. Këtu na bie në sy, krahasimisht me vitin e kaluar, se është pothuajse i barabartë numri i nxënësve që kanë marrë nëntë dhe dhjetë, është 6-7 %. Ajo që më bën më shumë përshtypje është që 40%, rreth 18 000 maturantë nga 45 000, janë vlerësuar me 7 dhe 8. Kjo tregon që testi ka qenë i organizuar mirë, pra s’kemi pasur kontestime nga maturantët dhe nga mësuesit, pra ka qenë i pranueshëm. Një test dihet, që ka pjesët e lehta, të mesme dhe mbi të mesme. Dhe ky nivel mbimesatar  bën diferencën , prandaj nxënësit përshkallëzohen përgjithësisht, ky  20 % është ai që përcakton nivelin e nxënësve. Mund të ndodhë që një nxënës shumë i mirë gjatë viteve të shkollimit nuk merr notën që pretendon,  kemi pasur shumë reklamime për vlerësimin, themi “reklamime”, se nuk është i saktë përdorimi i këtij termi, ata duhet patjetër të shikojnë punën e tyre, pra kopjen e testit dhe më pas të shikojnë nëse vlerësimi është bërë real apo jo, sepse pretenduesit thonë se “vlerësimi është i padrejtë, nuk është kjo demokracia”, fjalë nga më të ndryshmet, “mendje të ndryshme, fjalë të ndryshme” dhe përgjigjja jonë është e tillë, konform dhe me rregulloren e Maturës Shtetërore, “secili duhet, një herë, të marrë fotokopjen e testit dhe më pas të gjykojë nëse vlerësimi është apo jo korrekt.

    Ka nga ata që e kanë marrë fotokopjen e testit?

     Është në proces, nuk është aq e lehtë, sepse kemi të bëjmë me një grumbull me 45 000 fletë shumë masivisht, ato janë të paklasifikuara, pra të paskeduara për momentin, sepse kanë qenë në proces të vlerësimit dhe  gjetja e tyre nuk është aq e thjeshtë, por megjithatë, ata do e marrin fotokopjen e testit para se të marrin diplomën, kështu që do të kenë mundësi që të binden për saktësinë e vlerësimit.

    Matura pastaj ka dhe provimin e lëndëve me zgjedhje.

    Ka dhe datën 29, kur parashikohet të jetë vapë, parashikohet të jetë dita e paszgjedhjeve, dita kur është marrë vesh fituesi, por Ministria e Arsimit nuk ka në plan të parë votimin, Zgjedhjet Parlamentare, por ka Maturën dhe ne kemi marrë masat që provimi i fundit i Maturës të zhvillohet në kushte sa më të mira, ashtu siç u zhvilluan dhe të mëparshmet, madje do rrisim më shumë kërkesat për një administrim sa më korrekt të tij. Do të jetë i ngarkuar, sepse dhe për nxënësit do të jetë i ngarkuar, pasi në atë ditë shumica e tyre ka nga dy provime në një kohë relativisht të shkurtër, 3 orë, pra një orë e gjysmë për secilin test, megjithëse testet janë disi më të shkurtuara, por sido që të jetë është disi ngarkesë. Por këto janë kushtet dhe kështu do të veprojmë.

    Me dhënien e provimit të Matematikës, nxënësit e klasave të nënta mbyllin dhe ciklin e arsimit të detyruar. Meqë ju tani jeni në fazën e vlerësimit të testeve të letërsisë për ta, çfarë mund të thoni për nivelin e këtyre nxënësve?

    Po të flasim me një fjalë të vetme do të themi fjalën “mesatar”, por fakti që notat janë nga katra deri te dhjeta, ose pikët janë nga dhjeta te pesëdhjeta, tregon që kemi nivele të ndryshme, pra kemi të bëjmë me nxënës që vërtetë kanë arritje dhe kanë marrë pikët maksimale, por shumica është pjesë e mesatares, pra shumica e nxënësve, rreth 40 % hyjnë tek nota 7 apo 8. Ky është një tregues i përciptë që tregon nivelin e nxënësve. Pra siç thashë, niveli është i shkallëzuar, kemi nxënës të dobët, shumë të dobët janë pak, të mirë dhe shumë të mirë.

    Çfarë ndodh me mbetësit në këto provime?

    Mbetësit kanë një shans të dytë në sezonin e vjeshtës dhe japin një a dy lëndë sipas rastit, atje ku dhe kanë ngelë.

    Po rezultatet e Provimeve të Lirimit kur do dalin?

    Sa për rezultatet e Provimeve të Lirimit mund të them që janë në përfundim korrigjimi i provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Dihet që vlerësimi nuk është i centralizuar si ai i Maturës, por çdo Drejtori Arsimore, çdo Zyrë Arsimore ka grupin e vet të vlerësuesve, çka e bën jo shumë operative, pra, rrit shpejtësinë, por jo operativitetin dhe fakti që në Tiranë është numri më i madh, është gati një e gjashta e nxënësve, na vonohen më shumë vlerësimet dhe ne nuk mund t’i nxjerrim notat pjesërisht, duhet t’i nxjerrim notat në mënyrë të menjëhershme dhe nuk dalin nga Ministria, por dalin nga Drejtoritë dhe Zyrat Arsimore përkatëse. Ata i dërgojnë nëpër shkolla dhe nxënësit njihen me rezultatet e tyre.

    VLERËSIMI PËR PROVIMIN E MATEMATIKËS

    Për Matematikën është dita e tretë e korrigjimit, dihet që bëhet në 6 qendra: 2 në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Fier. Kryesisht janë të përqendruar në Tiranë, ku është dhe numri më i madh, më shumë se gjysma, sepse në Tiranë është më i madh numri i mësuesve që ne mund të angazhojmë, marrim nga qyteti i Tiranës, i Durrësit nga Tirana Qark dhe Kamza, ka më shumë forca dhe po rendim pas cilësisë së vlerësimit dhe jo pas sasisë së vlerësimit. Ndërsa për provimin e Letërsisë kishim një objektiv që ai do të dilte para provimit të Matematikës, në këtë provim kemi dhënë porosinë që nuk duhet të dalin para provimeve me zgjedhje, jemi brenda rregullores, sepse nuk kemi arsye të shpejtojmë për të viktimizuar asnjë person, qoftë dhe një pikë të vetme, pikët që i takojnë maturantit ai do t’i marrë domosdoshmërisht. Atëherë nuk kemi shkurtuar kohën e punës së vlerësuesve, koha e punës është e njëjtë, por kemi ulur numrin e testeve që duhet të korrigjojnë. Pra një çift mësuesish vlerësojnë 20, 40 apo 50  teste në ditë, pra është një numër i konsiderueshëm, nuk mund të pretendosh më shumë, sepse kërkohet cilësi. Unë që kam qenë në qendrën e Tiranës, vërej, duke qenë dhe vetë i profilit të matematikës, vërtetë që ka momente ku mësuesit duhet të konsultohen me njëri-tjetrin për të mos penalizuar kot, por dhe për të mos dhënë pikë kot. Pikët do jepen kur çdo gjë është konform programeve orientuese, konform asaj që përmban testi dhe jo të asaj që mendon apo pretendon nxënësi, qoftë edhe mësuesi. Pra në këto dy ditë, numri i vlerësimeve ka qenë relativisht i ulët, por kemi nxjerrë dhe problemet. Dhe këtu vihen re nxënësit që punojnë shumë mirë. Në qoftë se në Letërsi ishin vetëm 5 nxënës me pikë të plota, deri tani është shumë herë më i madh numri i nxënësve me pikë të plota, sepse matematika ka një gjë, nuk është subjektive, në matematikë nxënësi i mirë sistematik që ka punuar me mësues të mirë dhe të tillë ka plot, ata nuk gabojnë, përveç rasteve nga shpejtësia, stresi, nga vapa, nga rrethanat dhe mund të ngjasë që të humbasin një apo më shumë pikë, por përgjithësisht deri tani rezultatet janë të pranueshme, pa dashur të them se cili është trendi, mesatarja, nuk mund të them gjëra të kësaj natyre, por fakti që evidentohen nxënës me rezultate maksimale, tregon që kemi një rritje të cilësisë dhe impenjimit të tyre për provimet e Maturës.