Mashtrimi me 150 milion euro në vit për pagesën e aftësisë së kufizuar

    543
    Sigal

    Skandali / Rruga e shtruar e korrupsionit, për pagesën e PAK, që nga komuna/bashkia deri te Ministria e Punës

    Gazeta “Telegraf” vijon në denoncimin e skandaleve korruptive që bëhen në përfitimin e statusit të “të paaftëve” me qëllim përfitimi në mënyrë të padrejtë pagesën mujore. Ndërsa në përfitimin e pensioneve të invaliditetit të punës shteti kishte një humbje prej 100 milion eurosh në vit, një tjetër shifër alarmante vjen në dëm të shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për trajtimin financiar nga komunat dhe bashkitë, nga fondet e administratës shtetërore, të personave me aftësi të kufizuara (PAK). Shërbimi Social Shtetëror, në varësi të Ministrisë së Punës, është institucioni që merret me këtë kategori njerëzish. Shpeshherë, ky institucion, gjatë kontrolleve të ushtruara, ka vërejtur një numër të konsiderueshëm  të personave që marrin pagesën e PAK padrejtësisht. Numri i përfituesve të pagesës së PAK, sipas Shërbimit Social Shtetëror kap shifrën rreth 150.000 individë, gjithsecili prej tyre mesatarisht merr 100 mijë lekë në muaj, ose rreth 100 dollarë, që do të thotë që nga buxheti i shtetit dalin rreth 15 milion dollarë në muaj për të kryer pagesat e PAK-ut dhe në vit dalin rreth 180 milion dollarë. Lista e personave me aftësi të kufizuar përpilohet nga komunat ose bashkitë, të cilët ia dërgojnë mjekut të Shërbimeve Sociale dhe pasi personat që kërkojnë të trajtohen financiarisht komisionohen në KMCAP-të e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Më pas listat e personave që janë përcaktuar të trajtohen financiarisht, me dhe pa kujdestar, dërgohen pranë drejtorisë së Shërbimit Social dhe vendimin zyrtar e merr mjeku pranë kësaj drejtorie. Kjo është rruga që duhet të kalojë një qytetar që pretendon të përfitojë pagesën PAK, por gjithashtu kjo është dhe rruga në të cilën kalon korrupsioni deri në marrjen e pagesës nga një person që është më shumë se i aftë. Kështu, pushtetarët vendorë të lidhur me mjekët e KMCAP-ve pranë Drejtorive rajonale pranë ISSH-së, ku tashmë bën pjesë edhe mjeku i Shërbimit Social, i kanë siguruar një rrogë mujore familjarëve, apo të njohurve për arsye përfitimi. Por, gjithsesi maja e piramidës ngelet mjeku pranë drejtorisë së Shërbimit Social. I gjithë ky informalitet korruptiv me pagesat e PAK apo të invaliditetit kërkon të merren masa emergjente nga ministri i ri i Punës. Të fillojë menjëherë hetimi në Ministrinë e Punës, i komisioneve që japin paaftësinë, si dhe të kalojnë një nga një të gjitha dosjet e personave që marrin pagesat PAK.

     Ecuria e skemës për pagesën e PAK-ut

     Administratori shoqëror i komunës ose bashkisë, çdo muaj, dërgon me procesverbal pranë mjekut, të shërbimit social shtetëror, listën e personave,që do të paraqiten ose riparaqiten në komisionet mjekësore të KMCAP, së bashku me dokumentacionin përkatës dhe i njofton personat përkatës për datën e paraqitjes në komisione. Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, mbasi i komisionojnë të gjithë personat e paraqitur në KMCAP, i dërgon Drejtorisë së Shërbimit Social Shtetëror listat e personave që janë përcaktuar të trajtohen financiarisht, me dhe pa kujdestar. Mjeku i Shërbimit Social, pasi merr vendimin zyrtar nga KMCAP-të e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, i dërgon çdo komune dhe bashkie, listën e personave me aftësi të kufizuara që do trajtohen financiarisht nga komunat dhe bashkitë, nga fondet e administratës shtetërore.

    Në vendimin nr 618 dt.7.09.2006  për  “Përcaktimin e kritereve, të dokumentacionit dhe masës së përfitimit të pagesës për persona me aftësi të kufizuara” janë vendosur:

    I. Kriteret dhe grupet që përfitojnë pagesën e aftësisë së kufizuar:

    1.Personat, të cilëve u është  kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimeve  fizike, shqisore, të intelektit, psikike/mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës, nga aksidente, sëmundje, të përkohshme apo të përhershme, që nuk vijnë nga shkaqe, që lidhen me punësimin, e vërtetuar, nga Komisioni Mjekësor i Caktimit, të Aftësisë për Punë (KMCAP), përfitojnë pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar.

    2.Personat me aftësi të kufizuar, të cilët me vendim të Komisioneve të mësipërme, përcaktohen se kanë nevojë për përkujdesje, përfitojnë edhe një kujdestar me pagesë. Për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të personave me aftësi të kufizuar, i cili është ngritur pranë ISSH,(Insituti i Sigurimeve Shoqërore), merr pjesë si anëtar me të drejtë vote, edhe mjeku i Shërbimit Social Shëndetësor. Personat me aftësi të kufizuar dhe ata paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pajisen me dëshmi zyrtare identifikimi, nga administrata e Shërbimit Social Shtetëror.

     Statistika nga Shoqata e të Verbërve

     Sipas të dhënave të Shoqatës së të Verbërve, në vendin tonë, ka rreth 12.000 persona te verbër, nga të cilët 4000 janë të grupit të parë, që përfitojnë edhe kujdestar, ndërsa 8000 janë të grupit të dytë, ku trajtohet vetëm i sëmuri me ndihmë financiare, pa kujdestar. Periudha që kujdestari i shërben personit të verbër, nuk quhet vjetërsi pune, për efekt të pensionit.

    Fëmijëve të verbër, kur vazhdojnë shkollën, librat shkollore, u jepen falas. Personat me aftësi të kufizuara, të cilët ndjekin shkollën e mesme, ose të larte me dhe pa shkëputje nga puna, përfitojnë shtesë, me përjashtim të pushimeve verore.

    Pagesat për personat e mësipërm si dhe e kujdestarëve, bëhet një herë në muaj.

     Korrupsioni i mjekëve të KMCAP-ve

     Pagesa e personave “gjoja” me aftësi të kufizuar është një faturë e lartë  për shtetin shqiptar dhe taksapaguesit shqiptar. Këta “persona me aftësi të kufizuar” janë fabrikim i mjekëve të korruptuar, të cilët me abuzimet në detyrë i kanë krijuar këtyre njerëzve mundësinë për të përfituar një rrogë mujore, paguar nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Puna e papërgjegjshme në vendimmarrjet e KMCAP-ve, kompromentimi i punonjësve të shëndetësisë, që për efekt përfitimi nuk kanë zbatuar procedurat e drejtimit të të sëmurëve në KMCAP, kanë pasqyruar jo saktë gjendjen shëndetësore të të sëmurit apo edhe ekzaminimet e bëra, duke krijuar mundësi për përfitime të pamerituara me efekte financiare, efekte që shkojnë në 150 milion euro dëme buxhetit të shtetit. Gjithashtu, nuk  përjashtohen nga përgjegjësia edhe mjekët e sektorit të ekspertizës pranë Drejtorisë së Shërbimit Social Shtetëror që është edhe maja e këtij ajsbergu abuzimesh në dëm të taksapaguesve shqiptarë, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre në kryerjen e detyrave funksionale të tyre, sipas përcaktimit të rregullores përkatëse, janë pjesë e vendimmarrjeve që mund të bien ndesh me ligjin duke dhënë përfitime të pamerituara, me efekte financiare. Është bërë problematike edhe nga vetë Shërbimi Social, nga kontrollet e ushtruara rritja vit pas viti e numrit të përfituesve të pagesës së paaftësisë së kufizuar. Në lidhje me të gjitha këto abuzime me detyrën në dëm të buxhetit të qeverisë por edhe të taksapaguesve shqiptarë kërkohet menjëherë hetimi i komisioneve të mjekëve të cilët japin statusin e paaftësisë si dhe kontrollin një nga një të gjithë dosjeve të personave që përfitojnë pagesën e PAK. Të bëhet e mundur, ashtu sikurse edhe është shprehur ministri i ri i Punës Erion Veliaj, që gjithçka të kalojë në sitë dhe që pensionin e invalidit apo pagesën e PAK ta përfitojnë vetëm ata që vërtetë i plotësojnë kushtet.

    Sa është numri i përfituesve të PAK

     Numri i përfituesve të pagesës së PAK kap shifrën  149.392 individë, prej të cilëve:

    Të verbër 11.843

    Paraplegjik dhe tetraplegjik  6.022

    PAK mendor e fizik  51.010

    Nr.  i kujdestarëve është  18.303

    Nr.  i invalidëve të punës   62.214

    Ndërsa shpërndarja e përfituesve të pagesës së paaftësisë sipas ndarjes Bashki-Komuna është si më poshtë :

    Numri i  përfituesve gjithsej   149.392  persona

    Në Bashki    (55,8 %)   83.502       “

    Në Komuna  (44,2%) 65.890       “

    Masa e Përfitimit

    -Sipas udhëzimit nr.5, datë 07.08.2013 të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

    1)masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe teraplegjikë bëhet 9.750 lekë në muaj.

    2) masa e përfitimit për kujdestarin për invalidin paraplegjikë dhe tetraplegjikë bëhet 10.250  lekë në muaj.

    Efektet financiare të mësipërme fillojnë nga data 1.9.2013

    -Konform udhëzimit nr. 6 dt. 07.08.2013  të ministrit të Punës,Çështjeve sociale dhe Shanseve të Barabarta, masa e përfitimit të personave me aftësi të kufizuar nga data 01.09.2013 bëhet 9.750 lekë në muaj. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i personit me aftësi të kufizuar.

    -Në bazë të udhëzimit nr.7 dt.07.08.2013 të ministrit të Punës,Çështjeve sociale dhe Shanseve të Barabarta

    1) Masa e përfitimit për shkak të verbërisë bëhet 11.100 lekë në muaj dhe të njëjtën masë përfiton dhe kujdestari i të verbërit.

    Pagesa e mësipërme hyn në fuqi me botimin e fletores zyrtare dhe i shtrin efektet e veta nga 1.09.2013.