Martin dhe Enrik Kamshi: 12 vjet mes familjes, i panjohur

    423
    Sigal

    INTERVISTA/ Flasin ish- emigrantët Martin dhe Enrik Kamshi: Këtu gjithçka është e paorientuar

    Një bisedë interesante, për të cilën mora shkas nga një emision në televizionin prestigjioz grek Mega, për fëmijët shqiptarë të kthyer në atdhe pas ndërprerjes së mësimeve në greqisht për shkak të krizës ekonomike. Enriki është një fëmijë 12- vjeçar, i cili është në klasë të shtatë. Prindërit u kthyen në Tiranë mbasi ngelën pa punë dhe Enriki tashmë është në klasën e 7  të shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto”. Pyetjet e televizionit grek ishin, si jeni në Tiranë, a jeni ambientuar, si janë kushtet në shkolla, a e keni mësuar mirë shqipen, a ju tallin shokët për theksin greqisht të shqipes? Etj… Enriki ishte nxënësi më i mirë në shkollën 9-vjeçare në Megara të Athinës. Ai ishte shoqërues i flamurit në ditën e festës Kombëtare të Greqisë. Tashmë ai ndihet disi i hutuar, pasi s’e di mirë shqipen sepse është lerë e rritur në Greqi.

    Nga jeni me origjinë Martin?

    Nga Puka. Mund të them në vendndarjen e dy rretheve sipas ndarjes së sistemit monist, të rrethit të Pukës me atë të Mirditës

     Kur ke shkuar për herë të parë në Greqi?

    Për herë të parë në Greqi kam shkuar në qershor të vitit 1992. Ishte koha kur të gjithë iknin nga vendi ynë. Edhe unë nuk kisha ç’të bëja në fshatin tim. U detyrova të largohesha. Ika nga mali duke udhëtuar ditë të tëra rrugë e pa rrugë. Por sa nxora  disa lekë dhe u ktheva. Nga viti 1992-1996 punova arsimtar në një fshat. Por me aq sa merrja nuk më dilte ta mbaja familjen. Pra në vitin 1996, kur filluan trazirat, u nisa sërishmi për Greqi. Prapë si më parë. Nuk mund të them se çfarë vuajtjesh se tashmë ato dihen, por vrapin e lashë në Mandra.

     Me sa di, Mandra është një bashki e madhe?

    Mandra është në perëndim të Athinës një ndër bashkitë më të mëdha në botë, duke përjashtuar kryeqytetet. Këtu banojnë shumë arvanitas, të cilët e ruajnë ende gjuhën e vjetër shqipe.

     Çfarë pune ke bërë aty?

    Kam punuar në një fabrikë prerjesh dhe përpunimi të mermerëve. Ishte një ndërmarrje rreth 20 dynym tokë. Një ndër fabrikat më të mëdha të përpunimit të mermerit në Greqi por edhe në Ballkan. Punonim deri në 16 orë në ditë.

    Ju çfarë pune bënit aty?

    Punë në drejtimin e të gjitha presave të mëdha dhe si punë përgjegjësi. Unë e hapja fabrikën në orën 8 dhe e mbyllja në 2 të natës. Kishte punë pafund. Punonim pa e ndjerë orën, pasi kishte shumë punë.

     Sa punëtorë kishte fabrika?

    Kishte 15 punëtorë, prej të cilëve 8 ishim shqiptarë, ku midis tyre dy ishin vëllezërit e mi.

    Paguheshit rregullisht?

    Po. S’kemi pasur kurrë probleme me pagesën, as për dhuratat as për sigurimet shoqërore. Ishim të barabartë me grekët. Të thashë se çelësat e fabrikës i mbaja unë. Ditët e shtuna dhe të diela paguhesha ekstra. Nuk qahem jam paguar mirë.

    Si shkonit me punëtorët grekë?

    Shumë mirë. Ne ishim më të zotë  në punë. Madje, mund të themi se aty trajtoheshim më mirë se grekët pasi punonim sa herë kishte nevojë pronari edhe deri në mëngjes. Tek ne furnizoheshin me mermer nga gjithë Ballkani. Makinat s’kishin të pushuar ditë natë, aq shumë punë kishte pasi shisnim vetëm me shumicë.

    Ju keni dy fëmijë, dy djem, e kanë ndjerë mungesën tuaj?

    Unë s’i kam parë fare fëmijët. Mund t’i shihja vetëm të dielave dy orë pasi dhe të dielat punoja. Ato dy orë vetëm sa i përkëdhelja. Besoj e kanë ndjerë, por që ata të edukoheshin, që ata të njihnin jetën me vështirësitë e babait. Ndaj gruan nuk e futa në punë që të merrej me edukimin e fëmijëve, që atyre të mos u mungonte asgjë. Këtu fillon dhe mendon fëmija kur shikon se s’i mungon asgjë, por në saj të punës rraskapitëse të babait. Si do të ndiheshin ata n.q.s s’do të kishin kushtet e fëmijëve grekë? Të nënvleftësuar.

    Po gruaja ishte dakord me këtë mënyrë jetese?

    Plotësisht dakord. Unë i pata thënë dëgjomë mirë, sot kam punë dhe shëndet, nesër mbase nuk i kam, ndaj do punoj pa orar. Dua vetëm të kujdesesh për fëmijët, që ata të edukohen. Ajo i rriti, i çonte në shkollë, i mësoi, i çonte në spitale, unë nuk dija asgjë. Por as gruaja, as fëmijët nuk më sollën asnjë shqetësim. Përkundrazi gruaja më lehtësonte çdo gjë në shtëpi. Kurrë nuk u ankua, kurrë nuk më tha pse ashtu apo kështu. Më sillte vetëm ngrohtësi dhe pse unë s’kisha mundësi t’i jepja buzëqeshje apo fjalë të mira, nga lodhja apo koha tepër e kufizuar.

    Ke bërë çudi me këtë mënyrë jetese?

    Po. Kisha harruar dhe njerëzit për hir të fëmijëve, për hir të asaj që atyre të mos u mungonte asgjë. Kur ata ishin me mua më falnin vetëm  mirësi, qetësi, dashuri, asnjë shqetësim. Në mësime ishin të parët. Një natë pashë në krevatin tim djalin e madh. Kur e pashë ashtu të rritur lotova. S’e kisha parë me syrin e të madhit. Ishte rritur pa u ndjerë. Ishte bërë zot i shtëpisë dhe pse vetëm 12 vjeç.

    Kur u ktheve nga Greqia?

    Në korrik 2013. Kisha plot një vit pa punë. Shpenzimet e mia mujore në Greqi ishin 800 euro. S’mund t’i përballoja. Në fabrikë ra puna. Ç’do ditë aty rralloheshin klientët. Për çdo tre muaj pronari pushonte nga një punëtor. I fundit ika unë. Pronari me lot në sy më tha Martin, s’kam ç’të bëj, s’dua të të mbaj peng, shiko për një punë tjetër. Pas 17 vjetësh punë të pandërprerë ngela pa punë. Por shyqyr që kisha blerë një shtëpi në Tiranë.

    Si të flisnin në Greqi dhe a e ke ndjerë racizmin?

    Të gjithë me emrin tim, Martin, por pa “n” në fund, pra Marti. Edhe fëmijët edhe bashkëshortja kishin emrat e tyre shqiptar. Nuk e ndjemë kurrë racizmin. Dua ta theksoj këtë. Vitet e fundit askush në Greqi nuk shfaqte shenja racizmi. Po të punoje, po të kishe sjellje të mirë, aty jetoje njëlloj si një grek.

     A merrnit pjesë në aktivitete e Shoqatës Shqipëria ?

    Kohët e fundit që isha më i lirë shkoja në të gjitha aktivitetet që zhvillonte kjo shoqatë me Kryetar Ilirjan Dhimën. Ishte një ndër shoqatat që kishte më shumë aktivitete dhe më patriotja.

    Si ndiheni tani në Shqipëri?

    Eh… si ndihem. I paorientuar, i papërkrahur. Mërzitur. Emigrantë në atdheun tim. Këtu më duket çdo gjë e errët. Aty kishte më shumë hapësira, por dhe ligjet. Nuk e di, s’jam mësuar me këtë jetë. I thonë 17 vjet në Greqi. Në atë punë ku kam punuar unë, as që bëhet fjalë të ketë këtu. Di që për 4 vjet nga Greqia kanë ikur 200 mijë emigrantë shqiptarë, që s’e dinë ku e kanë të ardhmen.

    Enriki Kamshi, djali 12-vjeçar: Këtu s’ka kënde lojërash dhe fusha sportive

     Në çfarë klase je ti Enriki?

    Unë jam në klasën e 7 në shkollën “Vasil Shanto”. Pra është viti i parë që unë bëj shkollën këtu, pasi 6 klasat e tjera i kam bërë në Greqi.

     A ka ndryshim shkolla aty me këtu në Tiranë?

    Po kishte ca ndryshime. Por jo shumë të ndjeshme. Edhe këtu mirë janë shkollat, por aty kishin më shumë komoditet. Por dua të them se bankat, dërrasat, stolat ishin shumë më të mira.

     Pra ju lindët në Greqi dhe keni mësuar më mirë gjuhën greke?

    Po. Atë gjuhë e di më mirë, por tashmë po mundohem që ta mësoj edhe gjuhën shqipe njësoj dhe besoj se do ta mësoj.

     Si ishin mësuesit aty në Greqi?

    Ishin të përpiktë, silleshin mirë me nxënësit, mundoheshin të na shpjegonin sa më mirë.

     A kishte shenja racizmi tek mësuesit apo nga nxënësit grekë?

    Unë për veten time s’e kam ndjerë kurrë racizmin. S’e di, por më është dukur vetja njëlloj si nxënësit grekë

    Si ke dalë me mësime?

    Kam dalë shumë mirë. Me dhjeta. Madje, shumë herë unë isha bashkëshoqërues në mbajtjen e flamurit në ditën e festës kombëtare. Pra më kanë vlerësuar.

     Ju keni dhënë një emision në televizionin grek Mega ndër më të mëdhenjtë? Përse ju pyetën?

    Më pyetën, si ndihem në Shqipëri, a më mungon Greqia, si janë kushtet këtu, a ke ato rezultate, a ke mall për Greqinë, si sillen shokët etj.?

    Me ju në fakt  si janë sjellë shokët e rinj në Tiranë?

    Mirë mund të them, por unë kam disi problem me gjuhën në fillim. Pasi disa fjalë s’i dija. Ata më kuptonin që unë vija nga Greqia, edhe nga theksi që flisja. Por nuk më thoshin ndonjë fjalë fyese. Tani pak e pak po bëhem i barabartë.

     Kush ta mësoi gjuhën se ju pak muaj keni këtu?

    E kam mësuar me mamin , por aty ishte hapur dhe një kurs për gjuhën shqipe nën kujdesin e Shoqatës Shqipëria me kryetar z. Ilirjan Dhima. Aty mora njohuritë e para të gjuhës së shkruar, kryesisht për shkronjat e dorës. Pa ato mësime sot do të isha shumë mbrapa.

     Ku ndiheni më mirë këtu apo në Greqi?

    Unë jam shqiptar nuk e mohoj, e dua shumë atdheun tim, por me thënë të drejtën aty kishte kushte më të mira për fëmijët. Kishte shumë  fusha argëtimi dhe kënde lojërash. Këtu sa del nga shtëpia shkon direkt në rrugë. Nuk ka ato kushte. Pastaj unë aty jam rritur, kam shokët e mi me të cilët shkonim kudo.

    Të ka qortuar ndonjëherë babi?

    Asnjëherë. Unë nuk e shihja kurrë atë. Ndonjëherë që ai vinte dhe kishte kohë unë vetëm i mbështillesha në trup, nuk bënim zhurmë apo rrëmujë, pasi e dinim që punonte për të mirën tonë.

     A mësonin nxënësit shqiptarë në Greqi?

    Ishin nxënësit më të mirë. Mësonin rregullisht dhe ne kishim shumë shoqëri.

     I ke thyer ndonjëherë fjalën prindërve?

    Kurrë, as e mendoj. Fjala e tyre është ligj. Ata për të mirën tonë mendojnë të na krijojnë çdo kusht.

    Po gjuhën angleze në shkollë e mësonit aty?

    Po, por unë shkoja dhe në kurse të ndryshme, pasi doja ta zotëroja mirë.

    Këtu si sillen nxënësit me mësuesit dhe anasjelltas në raport me Greqinë?

    Por aty kishte sjellje më të butë. Nuk kishte sjellje të vrazhda. Mësonim për miqësi të mirë dhe rrallë kishte grindje.