Martesa dhe divorci, mendoni dy herë para se të hidhni hapin

    2289
    Sigal

    Specialisti i Sigurimeve Shoqërore, Fadil Kepi, sqaron për lexuesit e “Telegraf”: Bashkëjetesa, martesa dhe divorci sipas Kodit të Familjes

    Ato që duhet të dimë më shumë dhe e njohim më pak, janë ligjet”- (Balzak)                                                                                                          

    Bashkëjetesa, për herë të parë në vendin tonë ligjërisht pa u martuar midis femrave dhe meshkujve është vendosur në Kodin e Familjes me ligjin nr. 9062, datë 8.5.2003. Sipas neneve 163 dhe  164: “Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie. Personat bashkëjetues mund të lidhin marrëveshje para noterit, ku përcaktojnë pasojat që rrjedhin nga bashkëjetesa lidhur me fëmijët dhe pasurinë gjatë bashkëjetesës”. Fëmijët e lindur në bashkëjetesë kanë të njëjta të drejta si fëmijët e lindur pas martesës dhe bashkëjetuesit kanë të njëjtat detyrime.

    -MARTESA

    “Në martesë nuk ka zgjidhje ideale”- (Albert Ainshtain)

    Për herë të parë në vendin tonë, Kodi Civil në të cilin përfshihej edhe ai i familjes, është miratuar në Parlamentin Shqiptar dhe ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 1928. Si model është marrë kodi francez, zviceran dhe ai italian. Për hartimin e Kodit Civil në vitin 1926 u ngrit një komision i përbërë nga juristët më të aftë të vendit të arsimuar në universitetet e perëndimit. Sipas nenit 121 mosha e martesës për vajzat ishte 16 vjeçe dhe e djemve 18 vjeç. Në raste të veçanta, për arsye të rëndësishme, vetëm me lejen e mbretit mund të lejoheshin martesa për vajzën ose për djalin nën moshat e mësipërme. Në nenin 131 të këtij ligji përcaktohej se martesa e dy të rinjve nën moshën 20 vjeç nuk mund të realizohej pa marrë pëlqimin e nënës dhe të babait të tyre. E veçanta e këtij kodi ishte se u ndalua poligamia, pra burri nuk mund të martohej më me dy gra njëkohësisht, por ata burra që ishin martuar me dy gra para datës 1.4.1928 kishin të drejtë t’i mbanin të dy gratë, pavarësisht kishin ose jo fëmijë. Për këtë në nenin 123 thuhej: “nuk mund të lidhet një martesë para se të zgjidhet e mëparshmja”, ndërsa në nenin 149 përcaktohej se: “martesa celebrohet në gjendjen civile, ku i merrej mendimi direkt vajzës dhe djalit që do të martoheshin”. Para celebrimit nuk mund të bëhej asnjë ceremoni fetare martese. Kodi i ri civil lejonte martesën dhe vënien e kurorës të një femre me një mashkull të një nëne tjetër, të cilët ishin ushqyer me qumësht nga e njëjta nënë (në raste kur një nënë ndërronte jetë pas lindjes), që deri në atë kohë sipas sheriatit (ligjit fetar) quheshin motër e vëlla mbasi i kishte ushqyer një nënë nuk lejohej martesa me njeri- tjetrin.

    Kodi në fuqi i familjes, është miratuar me ligjin nr.9602, datë 8.5.2003 dhe ka 319 nene nga 117 nene që kishte kodi i mëparshëm i miratuar në vitin 1982. Martesa, mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç, por gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesë edhe para kësaj moshe. Mosha mesatare e martesë së femrave dhe meshkujve ka ardhur duke u rritur, edhe për faktin se të rinjtë para se të martohen preferojnë të arsimohen, kualifikohen me studime pasuniversitare brenda ose jashtë vendit si dhe të sistemohen në punë për të siguruar të ardhurat për përballimin e jetës familjare. Në rritjen e moshave mesatare të martesave ka ndikuar edhe përhapja e bashkëjetesës për ta njohur më mirë njeri- tjetrin. Raste të veçanta ka që janë martuar mbasi kanë dalë në pension, ose në shtëpitë e të moshuarve. Martesa lidhet para nëpunësit të gjendjes civile, me pëlqimin e lirë të dy bashkëshortëve të ardhshëm. Nuk mund të lidhë martesë të re personi që është i martuar, derisa martesa e mëparshme nuk është zgjidhur ligjërisht. Në Kodin e Familjes përcaktohet se prindërit, organet kompetente dhe gjykatat, në vendimet dhe veprimtarinë e tyre, duhet të kenë si konsideratë parësore interesin më të lartë të fëmijëve. Prindërit kanë për detyrë dhe të drejtë të kujdesen për mirërritjen, zhvillimin, mirëqenien, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të lindur nga martesa ose jashtë saj. Fëmijët e lindur jashtë martese dhe ata të birësuar me vendim gjykate kanë të njëjta të drejta dhe detyrime si fëmijët e lindur nga martesa.

    Nuk mund të lidhin martesë midis tyre vjehrri me nusen e djalit dhe vjehrra me dhëndrin, personi që vuan nga një sëmundje e rëndë psikike, ose ka zhvillim mendor të metë,që e bën të pa aftë të kuptoj qëllimin e martesës. Ndalohet martesa midis kujdestarit dhe personit që ndodhet në kujdesin e tij si dhe martesa midis birësuesit dhe të birësuarit. Martesa bëhet publikisht përpara nëpunësit të gjendjes civile. Akti i martesës firmoset nga bashkëshortët, dëshmitarët dhe nëpunësi i gjendjes civile. Në martesë burri dhe gruaja përfitojnë të njëjta të drejta dhe marrin përsipër të njëjta detyrime. Bashkëshortët që lidhin martesë, kanë të drejtë të zgjedhin për të mbajtur si mbiemër të përbashkët njërin nga mbiemrat e tyre ose të mbajnë secili mbiemrin e vet. Fëmija merr mbiemrin e përbashkët të prindërve. Kur prindërit kanë mbiemra të ndryshëm, të gjithë fëmijët mbajnë një mbiemër, atë, që do të vendosin prindërit në marrëveshje. Nëse marrëveshja nuk arrihet, fëmijët mbajnë mbiemrin e babait. Sipas nenit 62 të Kodit të Familjes, bashkëshorti ndaj të cilit ushtrohet dhunë, ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për vendosjen si masë urgjente largimin nga banesa e bashkëshortit që ushtron dhunë. Pasuria vetjake e bashkëshortit është: pasuria e fituar gjatë martesës, me anë të dhurimit dhe trashëgimisë, pasuria  e përdorimit ngushtësisht vetjak, të secilit bashkëshort dhe mjetet e nevojshme të punës për ushtrimin e profesionit. Detyrimet që bashkëshortët kanë para lidhjes së martesës, mbeten detyrime vetjake të secilit. Sipas nenit 107 të Kodit të Familjes pjesëtimi i pasurisë së bashkëshortëve bëhet sipas Kodit Civil dhe atij të Procedurës Civile. Martesa mbaron me vdekjen e njërit nga bashkëshortët, ose me zgjidhjen e martesës së tyre vetëm me vendim gjykate. Kur bashkëshorti që është shpallur i vdekur, del se është gjallë, martesa bëhet përsëri e vlefshme, përveç rasteve kur bashkëshorti tjetër ka lidhur martesë të re.

    -DISA TË DHËNA PËR MARTESAT

    Në vendin tonë çdo vit martohem mesatarisht rreth 27 mijë çifte, pra bëhen 54 mijë dasma në vit, ose 1040 dasma në javë zakonisht ditët e shtuna tek nusja dhe të dielave tek dhëndri, por disa çifte preferojnë që dasmat e tyre t’i bëjnë edhe ditë të enjte, shpesh të shoqëruara me shpenzime të tepruara. Kohët e fundit disa çifte bëjnë një dasmë të përbashkët. Me gjithë ndryshimet që ka sjellë koha përfshi dhe rastet që vajza e djem shqiptarë martohen me djem e vajza të shteteve të tjera. Atyre u kushtohet një vëmendje e përkujdesje e veçantë nga modeli i ftesave, zgjedhjes së lokaleve, menysë, orkestrës apo dj-it, programit të dasmës dhe kalimit të muajit të mjaltit të çiftit. Dasmat shqiptare vazhdojnë të ruajnë edhe traditat më të mira të kultivuara në shekuj, si veshja e nuseve me fustanin e bardhë dhe e djemve me kostumin e dhëndërisë dhe shpesh herë edhe me kostume popullore duke ia shtuar bukurinë dasmave. Nga kali i bardhë dhe pajtoni me të cilën merrej nusja, sot përdoren autovetura luksoze, si limuzina, etj., pa harruar hedhjen e luleve nga nusja, orizit, karameleve, lekëve nga babai i nuses e dhëndrit lyerjen e gishtave të nuses me mjaltë për mbarsi e ëmbëlsi në jetë të çiftit. Sipas besimeve fetare disa çifte bëjnë edhe ceremoni në kisha e xhami. Zakonisht dasmat shqiptare në të gjithë vendet ku ato bëhen, hapen me kryevallen popullore NAPOLONIN, deri tek muzika moderne. Këto rite, kanë lënë mbresa të veçanta tek të huajt që kanë qenë pjesëtarë në dasmat tona. Shumica e çifteve që martohen brenda vitit të parë të martesës bëhen prindër. Më shumë fëmijë në vendin tonë lindin në pranverë. Në vitin 1990 në Shqipëri kanë lindur 82.500 fëmijë e barabartë me rreth 230 fëmijë në ditë, ndërsa në vitin 2011 kanë lindur një e treta e tyre. Në botë lindin mesatarisht 9000 fëmijë në orë. Raporti i lindjeve sipas gjinisë është i barabartë, një mrekulli e zotit prej miliona vjetësh. Në raste të rralla lindin binjake, trenjakë dhe më shumë fëmijë në një lindje. Lindja e binjakëve trashëgohet 6 herë më shumë në linjën e nënës se sa të babait. Në vitin 2008 një nënë në Egjipt lindi 7 fëmijë në një lindje, ndërsa në vitin 2011 amerikania Nadya Suleman, lindi 8 fëmijë njëherësh. Më 17.3.2004, Thëllënxa Kupo nga Kalaja e Dodës e Qarkut Dibër lindi 5 djem dhe fatmirësisht të gjithë Asllani, Sabedini, Beqiri, Shkëlzeni e Resuli gëzojnë shëndet të mirë dhe janë nxënës të dalluar në shkollën e Laprakës në Tiranë. Lindjet bëhen në institucionet shëndetësore. Për lindjet me probleme vihen në dispozicion dhe avionët. Ka shumë raste që nënat shkojnë dhe lindin jashtë vendit deri në Amerikë edhe për faktin se fëmija merr nënshtetësi amerikane. Çfarë ndryshimi, kur kujton se Bajram Curri në vitin 1862 ka lindur në Gjakovë në një qerre që udhëtonte! Nënat që lindin trinjakë në vendin tonë marrin 9.000 lekë në muaj, ata që lindin nga 4 fëmijë 16.000 lekë dhe ato që lindin pesënjakë nga 25.000 lekë çdo muaj deri sa fëmijët të bëhen 18 vjeç, nëse nuk punësohen. Nënat që lindin 6 fëmijë përfshi dhe ato me nga një fëmijë në çdo lindje edhe me më shumë se një kurorë dhe i kanë rritur deri 8 vjeç, dalin në pension të plotë 50 vjeçe,  kur ka 30 vjet punë të siguruara pavarësisht ku kanë punuar. Kujtim Sinani nga fshati Rrapisht i Elbasanit me 3 gra ka 31 fëmijë, 13 vajza e 18 djem. Një nënë nga Rusia  për 40 vjet 1725-1765 ka lindur 69 fëmijë, 16 herë binjakë, 7 herë trenjakë dhe 4 herë nga 4 fëmijë. Në vitin 2005 një grua në Rumani ka lindur në moshën 67 vjeçe, etj. Vitet e fundit në vendin tonë ka rënë numri i lindjeve dhe mesatarisht një çift ka 1-2 fëmijë nga 5 fëmijë që ka pasur në regjistrimet e popullsisë në vitin 1960. Megjithë urimet e shumta që u jepen çifteve kur martohen, një pjese e vogël e tyre divorcohen. Më shumë divorcohen 5 vitet e para të martesës, por raste të rralla ndahen edhe pensionistët. Një çift i martuar në Amerikë është ndarë mbas 4 orë martese dhe shkak u bë një grindje për dhuratat që kishin marrë. Divorce ka në çiftet e pasura dhe të varfra. Në 1000 çifte më shumë ndahen në qytet se sa në fshat. Divorce më të shumta për numër të barabartë të popullsisë ka në SHBA dhe Rusi dhe më pak në Kinë. Në Amerikë ka 50 ligje për divorcet aq sa është numri i shteteve. Aktorja e famshme Elizabet Teilor është martuar ligjërisht 8 herë.

    -DASMA TË VECANTA , NGA NJËRA TEK TJETRA.

    1-Më 26 janar 1445, është martuar motra e vogël e Skënderbeut Mamica me Muzak Topinë nga Petrela. Nusja nga kalaja e Krujës, dhëndri nga kalaja e Petrelës dhe dasma u bë në Kalanë e bukur të Prezës, përkarshi kalasë së Krujës. Edhe sot në Petrelë është një çezmë që mban emrin e saj.

    2-Në vitin 1937, para 75 vjetëve zonjusha  Cezarina Daragjati nga Shkodra e bija e Angje e Gasper Daragjatit  me profesion piktore dhe nxënëse e Kolë Hiodromenos u martua me Gjergj Cancon, drejtorin e gjimnazit të Shkodrës, i cili kishte mbaruar studimet për matematikë, me bursë të shtetit me rezultate të shkëlqyera në Paris. Rast i rrallë për atë kohë që të martohej nusja katolike nga Shkodra me dhëndrin ortodoks nga Korça. Çifti për të udhëtuar nga Shkodra në Tiranë, mori me qera një avion “taksi”. Prindërit e nuses ia kishin dhënë në pajë, 500 franga që mjaftonin për pagesën e avionit dhe kalimin e muajit të mjaltit në Francë ku çifti vizitoi dhe muzeun e Luvrit, kur rroga mujore e dhëndrit drejtor gjimnazi ishte 10 franga. Ceremoninë e kësaj dasme e organizoi Gjergj Bubani, ish- drejtori i parë i Radio Tiranës. “Mësuesi i Popullit”,Gjergj Canco më vonë për shumë vite deri sa doli në pension  punoi drejtor i suksesshëm i Politeknikumit “7 Nëntori”, sot shkolla e mesme “Harry Fultz”. Shkolla e mesme elektrike në Tiranë mban emrin e tij.

    3- Më 31 janar 1938, Parlamenti Shqiptar, në bazë të nenit 89 të Statutit Themelor të Mbretërisë, votoi martesën e  mbretit Ahmet Zogu me konteshën hungareze Geraldina Appony. Martesa u bë më 27 prill 1938 në godinën ku sot është Akademia e Shkencave  në të cilën Mbreti jetonte me qera. Dhoma e gjumit të mbretit ruhet e pa cenuar dhe aktualisht është një ndër zyrat e institucionit. Dreka e dasmës filloi në orën 13 dhe pas dite me “Benz-in” e dhuruar nga Kancelari i Gjermanisë Adolf Hitler, çifti mbretëror u nis për Durrës dhe u sistemua në vilën e tij tek Currilat, buzë detit Adriatik.

    4-Më 10 korrik të 2012, u martua futbollisti i Kombëtares spanjolle dhe më i miri i kampionatit 14 europian të futbollit Andres Iniesta me Anna Ortiz. Mes 1.000 të ftuarve morën pjesë elita e futbollit spanjoll. Ceremonia u bë në kështjellën Tamarit e cila ishte rrethuar nga shumë njerëz që donin të shikonin nga afër yjet e futbollit. Iniesta dhe Anna kishin se bashku një vajzë para se tw martoheshin.

    5-Në ceremoninë e martesës së vajzës të ish presidentit amerikan Bill Klinton dhe Hillari Klinton, u ndaluan fluturimet e aeroplanëve në hapësirën  e lokalit ku u bë dasma.

    -DIVORCET

    “Jeta është e shkurtër, kurse shpresa e gjatë”

    Para  vitit 1928, të drejtën për zgjidhjen e martesës e kishte vetëm burri dhe në asnjë rast nga gruaja. Me hyrjen në fuqi të Kodit Civil të drejtën e divorcit e kishte edhe gruaja dhe martesa mund të zgjidhej vetëm me vendim gjykate. Secili nga bashkëshortët mund të kërkoj zgjidhjen e martesës për shkak të grindjeve të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, sëmundjeve mendore të pashërueshme, dënimit penal të rëndë të bashkëshortit ose për çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve që rrjedhin nga martesa dhe ajo ka humbur qëllimin e saj për bashkëshortin paditës ose për të dy bashkëshortët. Në shqyrtimin e padisë për zgjidhjen e martesës, gjykata cakton fillimisht një seancë pajtimi, në të cilën duhet të paraqiten personalisht bashkëshortët. Vendimi i gjykatës për zgjidhjen e martesës i fillon efektet nga data që merr formë të prerë. Në rastet se ish bashkëshortët që kanë zgjidhur martesën, dëshirojnë ta rilidhin atë, duhet të zbatojnë të gjitha procedurat njëlloj si për martesën e parë. Bashkëshorti që me lidhjen e martesës ka ndryshuar mbiemrin, pas zgjidhjes së martesës merr mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës, por gjykata  me kërkesën e bashkëshortit mund të lejojë të mbajë mbiemrin që ka marrë me lidhjen e martesës. Zgjidhja e martesës nuk prek të drejtat dhe detyrimet që kanë prindërit ndaj fëmijëve të tyre. Prindi që nuk i është lënë fëmija për rritje dhe edukim, ruan të drejtën të mbikëqyrë mbajtjen dhe edukimin e fëmijës e për pasojë të informohet dhe konsultohet për zgjedhjet e rëndësishme që lidhen me jetën e fëmijës. Në vendimin e gjykatës për zgjidhjen e martesës caktohet edhe kontributi për detyrimin ushqimor për fëmijën dhe ish bashkëshorten e cila i ndalohet rregullisht çdo muaj nga rroga, pensioni ose të ardhurat tjera dhe zbatohet nga organet e drejtësisë përfshi dhe zyrën e përmbarimit. Sipas ligjit mosdhënia e mjeteve të nevojshme financiare për jetesën e fëmijëve e nënës së tyre dhe braktisja e fëmijës nën moshën 16 vjeç nga prindi ose personi që është caktuar të kujdeset dënohet me gjobë ose heqje të lirisë. Amësia dhe atësia e fëmijës të lindur nga martesa provohen nga akti i lindjes, i regjistruar në gjendjen civile. Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur jashtë martese mund të vendosen me anë të njohjes vullnetare ose nëpërmjet  një vendimi gjyqësor. Fëmija i lindur jashtë martese merr mbiemrin e prindërit, amësia ose atësia e të cilit është vendosur më përpara. Në rast mosmarrëveshje, fëmijës i vendoset mbiemri i të atit. Kur fëmija është regjistruar në aktin e lindjes me prindër të panjohur, nëna mund ta njohë fëmijën. E drejta e padisë për vërtetimin e amësisë nuk parashkruhet gjatë gjithë kohës që fëmija jeton. Babai që ka mbushur moshën 18 vjeç mund të njohë në çdo kohë fëmijën e tij të lindur jashtë martese para nëpunësit të gjendjes civile. Padia për vërtetimin e atësisë së një foshnje të lindur jashtë martese mund të ngrihet nga nëna e fëmijës dhe nga vetë fëmija.

    -DISA VECORI

    Në France, gjykata mund të vendosë për zgjidhjen e martesës, pa treguar shkaqet e saj. Në Greqi gjykata vendos divorcin pa treguar shkaqet deri një vit pas martesës dhe në Bullgari deri 2 vjet pas martesës. Në Belgjikë, gjykata pranon divorcin kur burrë e grua kanë kaluar 2 vjet ndarje faktike dhe janë mbi 23 vjeç secili. Në Irlandë divorci nuk njihet zyrtarisht, etj. Mbas divorcit të dy këngëtarëve të njohur italianë Albano dhe Romina Pawer, Albano deklaroi: “Për 30 vjet patëm një marrëdhënie të jashtëzakonshme, por një uragan shkatërroi gjithçka. Në të gjithë këtë histori ime shoqe është sjellë si mbretëreshë”.