Major Aleksandër Mihali:Rilindja e ushtarakëve, realizohet marrëveshja e bashkëpunimit midis dy shoqatave kryesore

    384
    Sigal

    INTERVISTA/Flet ushtaraku Major Aleksandër Mihali, për problemet e bashkëpunimit midis dy shoqatave kryesore të ushtarakëve

     Rilindja e ushtarakëve, realizohet marrëveshja e bashkëpunimit midis dy shoqatave kryesore

    Dy shoqatat më kryesore të ushtarakëve që janë Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë dhe Shoqata Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, kanë arritur ditën e djeshme në një marrëveshje, me qëllim plotësimin e kërkesave të kësaj kategori. Në takimin e djeshëm morën pjesë Presidenti i SHKUSH-it, zoti Mehdi Pogaçi dhe Presidenti i AKUSH-it zoti Kujtim Çako. Qëllimi i marrëveshjes ishte që të sheshoheshin mosmarrëveshjet dhe të gjenden rrugët e bashkëpunimit midis dy shoqatave dhe shoqatave të tjera të armëve.

     -Zoti Mihali, mund të na thoni diçka më shumë se kush janë dy shoqatat kryesore të ushtarakëve?

    -Ushtarakët janë të organizuara në 20 shoqata sipas specialiteteve të armëve, që ka pasur dikur struktura e Forcave të Armatosura. Por ndërmjet këtyre njëzet shoqatave janë dy shoqata më kryesore, që përfaqësojnë të gjithë ushtarakët aktivë në rezervë, lirim dhe pension të parakohshëm dhe të plotë. SHKURSH, është shoqata e parë e themeluar para 16 vjetëve, e cila është emërtuar si Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë. Por mund t’ju përmend që SHKURSH, është anëtare me të drejta të plota e shoqatës së Ushtarakëve Rezervist të NATO-s, që është CIOR-i. Dhe shoqata e dytë kryesore është shoqata e krijuar para katër viteve e emërtuar Shoqata Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, ose ndryshe AKUSH. Kjo e fundit, është anëtare me të drejta të plota në shoqatën më të madhe për mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve evropianë, me 520000 anëtare që është EUROMIL. Prej rreth katër vitesh të dy shoqatat kanë vepruar të pavarura nga njëra –tjetra, duke pasur të dyja të njëjtin qëllim mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve. Një ndarje e tillë nuk ka sjellë rezultatet e dëshiruara në drejtim të fitimit të të drejtave të ushtarakëve, për të vetmen arsye, sepse veprimet e tyre nuk kanë qenë të bashkërenduara për të njëjtin qëllim. Nga analiza e bërë kohët e fundit si dhe nga dëshira e të dyja anëtarësive, si dhe të shoqatave të tjera, është arritur në përfundimin që ushtarakët pavarësisht nga numri i shoqatave duhet të bashkërendojnë dhe bashkëpunojnë, për rrugët dhe zgjidhjen e problematikës që kanë ushtarakët në të drejtat.

     -Çfarë u vendos në këtë takim dhe ku do të konsistojë marrëveshja e bërë?

    -Në takim u diskutua gjatë rreth moszbatimit të të gjithë drejtave të ushtarakëve gjatë 22 viteve nga të gjitha qeveritë e ardhura në fuqi. Por më shumë u diskutua rreth problematikës së bashkëpunimit midis këtyre dy shoqatave si përfaqësuese edhe të gjithë shoqatave të tjera, se kush janë pikat e bashkëpunimit midis dy shoqatave dhe për planet e ardhshme në luftë për mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve shqiptarë. Gjithashtu, u diskutuan edhe mënyrat dhe rrugët e hartimit dhe marrjes së vendimeve kolegjiale, si synim për të kaluar në një të ardhme jo të largët të daljes si një zë i vetëm në mbrojtje të të gjithë problematikës së ushtarakëve, si brenda institucioneve të vendit ashtu edhe ato ndërkombëtare. Po kështu u diskutua edhe fushata zgjedhore që për disa parti tashmë ka nisur. Se si dhe këtë do të mbështesin ushtarakët shqiptarë në këto zgjedhje.

     -Pak më lart ju përmendët se u diskutua edhe për fushatën zgjedhore, a mund të na thoni se në cilin krah politik do të jenë ushtarakët në zgjedhjet e ardhshme të 2013-s?

    -Në takim u fol edhe për mangësinë e derisotme të ushtarakëve nëpër fushata zgjedhore dhe në ditët e zgjedhjeve. Nga diskutimet doli  që ushtarakët deri më sot kanë qenë të shpërndarë dhe kanë vepruar gabim dhe si rezultat ushtarakët kanë hedhur votën e tyre jo sipas një plani që t’u shërbejë interesave të tyre dhe zgjidhjes së çështjes së të drejtave të tyre. Por ato i kanë shpërndarë votat e tyre nëpër parti të ndryshme për interesa të partive dhe jo për interesa të tyre. Kjo gjë u vu shumë në dukje, si një gabim që duhet korrigjuar në këto zgjedhje. Për këtë arsye u vendos që të ngrihet një grup pune që të hartojë pikat e marrëveshjes me subjektet politike për tija paraqitur atyre se kush nga këto subjekte do të marri përsipër në bazë të një marrëveshje zgjidhjen plotësisht të të drejtave të ushtarakëve sipas statusit ta marsit 2004 dhe gjithë ligjeve që kanë dalë për këtë qëllim dhe janë ende në fuqi edhe sot. Pra akoma nuk është vendosur se cilën forcë politike do të bashkëpunojnë ushtarakët, pasi një gjë e tillë do të vendoset pas dorëzimit të platformë-marrëveshjes  me grupet politike që do të kenë në programin e tyre mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve, qofshin të majta apo të djathta. Ushtarakët në këto zgjidhje do të votojnë vetëm për veten e tyre dhe për asnjë tjetër. Në këtë kuadër janë diskutuar edhe mjaft rrugë të tjera të mundshme që ushtarakët të përfaqësojnë vetëm veten e tyre. Në ditët dhe muajt e ardhshëm masa e ushtarakëve do të njihet me ta gjitha vendimet që do të merren për këto qëllime.

     -Është diskutuar në media kryesisht për krijimin e një partie nga ana e ushtarakëve. A do të vihet në jetë kjo parti dhe nëse po, në cilin moment do të dali?

    -Edhe ky problem u diskutua në takim nga fakti sepse ushtarakët janë braktisur si nga forcat politike, ashtu edhe nga qeveritë që kanë ardhur në pushtet.  Ata janë plotësisht pa të drejta që ua njeh statusi i ushtarakut dhe në një nivel social-ekonomik, shumë larg kolegëve të tyre në NATO, anëtarë të të cilit ato janë sot. U fol që një qëndrim i tillë i qeverive shqiptare ku ushtarakët i ka katandisur me 70 euro pension në muaj, , ju ka ndërprerë trajtimin shëndetësor falas dhe rimbursimin e ilaçeve.  Si dhe ka abandonuar ndërprerë totalisht zbatimin e statusit të ushtarakut, duke i mos i trajtuar si asnjë shtet tjetër në Evropën e Bashkuar në NATO, Evropën Lindore, por as edhe në Ballkan. Ata morën në analizë tërë punën në këtë drejtim, të gjithë kërkesat dhe ankesat të bëra në këto njëzet e dy vite, si brenda vendit dhe jashtë. Ku për arsye të kthimit të kurrizit ushtarakëve nga ana e qeverive, ata kanë dalë në protesta dhe nga indiferenca e vazhdueshme e qeverive dhe qeveritarëve ata kanë hapur gjyqe me Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe po për këtë qëllim kanë hapur gjyq deri në gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Nga tërë kjo situatë negative ata kanë arritur në konkluzionin se, ne pamundësi marrëveshjeje me njërin nga subjektet kryesore politike, te studiohet edhe mundësia e krijimit te  një subjekti politik, i cili ti përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e tyre të në shoqërinë shqiptare të nëpërkëmbura. Në përfundim të takimit të dyja palët ranë dakord për të gjitha, për çfarë u diskutua atje dhe u morë përsipër detyra, për ti analizuar ekipet drejtuese të të dyja shoqatave sa më parë. Ne shumë shpejt do t’u informojmë edhe për shumë hapa të tjerë që këto dy shoqata të ushtarakëve do të ndërmarrin në drejtim të interesave të tyre.

    Marrëveshja e rëndësishme midis dy presidentëve të shoqatave kryesore të ushtarakëve

    Në datën 31 janar, u takuan përfaqësuesit e dy shoqatave kryesore të ushtarakëve, si Presidenti i SHKUSH-it zotit Mehdi Pogaçi dhe Presidenti i AKUSH-it zotit Kujtim Çako. Në takim u ra dakord që të forcohet më tej dhe më shumë se deri më sot bashkëpunimi i dy shoqatave të ushtarakëve dhe bashkërendimi i tërë aktivitetit të tyre në interes të grupimit të ushtarakëve në rezervë në pension, por edhe të atyre aktivë. Ky bashkëpunim do të përshijë deri në marrëveshjet që mund dhe do të bëjnë shoqatat e ushtarakëve në spektrin politik shqiptar, në kuadrin e fushatës e zgjedhjeve të ardhshme politike. Duke ruajtur karakteristikat dhe anëtarësinë e vetë, dy presidentët e shoqatave ranë dakord që në të ardhmen të dalin si një zë i vetëm në mbrojtje të interesave ekonomike, sociale për të gjithë ushtarakët shqiptarë. Në takim Presidenti i SHKUSH-it, zoti Mehdi Pogaçi, shoqërohej nga sekretari për marrëdhëniet me jashtë zoti Enver Hajdari. Ndërsa Presidenti i AKUSH-it zotit Kujtim Çako, shoqërohej nga sekretari për marrëdhëniet me publikun dhe institucionet shtetërore zoti Aleksandër Mihali.