Mafia e bluzave të bardha i merr jetën 11-vjeçarit

    470
    Sigal

    Fenomeni i mjekëve të huaj,  në spitalet shtetërore është mashtrim për të thithur “klientët”

    11-vjeçari vdes në spital. Familjarët: Ishte ndërhyrje estetike, na dhanë garanci

    Një i mitur ka humbur jetën në duart e mjekëve, gjatë kohës që po i kryhej një operacion në sy.  11-vjeçari, Denis Almadhi, nga fshati Fravesh i komunës Bërzhitë, ka gjetur vdekjen gjatë një operacioni kirurgjikal që po kryente në sy në spitalin francez pranë Qendrës Spitalore Universitare  ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.  Ndërhyrja kirurgjikale u krye për shkak të sëmundjes ‘Ptosis palpebral’ (rënie e qepallës) nga mjekë të huaj (Irlandezë) që asistojnë në këtë spital. Familjarët kryen denoncim ndaj mjekëve në komisariatin numër 4, ndërsa grupi hetimor sekuestroi kartelën e pacientit të vogël nga spitali. Policia bën të ditur se fëmijës i është kryer dhe një autopsi e plotë dhe priten përfundimet që do të përcjellin mjekët e autopsisë. Ndërkaq mjekët nga ana e tyre kanë shpjeguar se shkak i vdekjes së fëmijës ka qenë anestezia e kryer. Sipas bluzave të bardha fëmija nuk ka përballuar dot anestezinë dhe ka humbur jetën gjatë operacionit. Por burime konfidenciale bëjnë me dije se, ekipi mjekësor   që garantoi kryerjen e operacionit, nuk kishte marrë masat e domosdoshme, që në rast të efekteve anësore të kësaj lloj anestezie të veçantë  që po aplikonin, detyrimisht duhej të kishin edhe medikamentet përkatëse për ta nxjerrë nga vdekja klinike apo bllokimi i sistemit nervor qendror. Këto lloj medikamentesh duhet të ishin jo vetëm në Shqipëri, por në mënyrë të padiskutueshme brenda sallës, ku po kryhej operacioni i 11-vjeçarit. Mungesa e tyre nuk duhej të lejonte ekipin e mjekëve ta mendonin operacionin pale ta bënin fakt të kryer  fillimin e tij. Sa për krahasim thonë ekspertët është një lloj sikur dikujt ti bëje një injeksion (gjilpërë) me antibiotik dhe  të mos kishe një ultrakorten, adrenalinë apo kalçi klorat  etj..

    Familjarët: Organet e drejtësisë të zbardhin të vërtetën!

    Familjarët e vogëlushit që humbi jetën në sallën e operacionit, teksa po i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale në sy, kërkojnë zbardhjen e vdekjes së djalit të tyre. Sipas familjarëve, ndërhyrja ishte thjesht estetike dhe mjekët u kishin dhënë garanci për suksesin e këtij operacioni.  “Organet e drejtësisë të zbardhin të vërtetën. Djali hyri me këmbët e veta  në spital, vdiq pa pritur dhe ne po e marrim me arkivol”, – u shprehën familjarët mes dhimbjes dhe lotëve për këtë fatkeqësi tepër të rëndë.

    Prof.Dr Pëllumb Pipero: ” Mjekët e huaj që operojnë në spitalet në Shqipëri, duhet të jenë të regjistruar”

    Mjekët e huaj që vijnë të punojnë në spitalet tona, qofshin këto edhe private, kanë të drejtën të ushtrojnë profesionin e tyre, por vetëm mbi bazën e marrëveshjeve bilaterale të institucioneve përkatëse dhe këto janë të njohura edhe nga legjislacioni ynë, por edhe nga “Urdhri i Mjekut”. Në qoftë se mjekët e huaj, do të vijnë të ushtrojnë profesionin e tyre, për një kohë të gjatë, patjetër duhet që të konvertojnë edhe diplomat e tyre në Shqipëri. Vetëm kështu, mjekët kanë të drejtën edhe të kryejnë operacione. I pyetur për gazetën “Telegraf”, zoti Pëllumb Piperaj, drejtor  i përgjithshëm i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, tha: “Çdo ekip mjekësor që hyn në operacion kirurgjikal, duhet doemos të nënshkruajë një deklaratë konsensusi me të interesuarit, ose familjarët e pacientit, ku t’u shpjegojë çfarë mund të ndodhë gjatë operacionit ,të mirat dhe rreziqet e operacionit. Dhe vetëm kur familjarët apo të afërmit e autorizuar  bien dakord, atëherë kryhet operacioni. E dyta, çdo ekip mjekësor duhet të jetë përgatitur për çdo situatë që mund të ndodhë në operacion, për të bërë të mundur përballimin e tyre. Nuk duhet të ndodhë, si në rastin konkret, që të kërkohet medikamenti në momentin që pacienti është gjatë operacionit, apo edhe më keq akoma, kur anestezia (apo sikurse thuhet në gjuhën popullore narkoza) ka dhënë reaksionin. Ministria e Shëndetësisë do të jetë në mbështetje të zbardhjes së të vërtetës për  humbjen e jetës së fëmijës 11- vjeçar.  Nga informacionet që kam, për rastin konkret,  kanë filluar hetimet e organeve të prokurorisë e drejtësisë dhe është e natyrshme që të presim rezultatet e tyre përfundon deklaratën Drejtori i Përgjithshëm i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë Prof. Dr. Pëllumb Pipero.

    Shkelja administrative

    Ekspertët dhe specialistët e mjekësisë, duke marrë shkak edhe nga ngjarja tepër e rëndë e vdekjes së 11-vjeçarit, shtrojnë si problem kryesor, llojin e  klinikave ku duhen trajtuar sëmundje të caktuara. Në rastin konkret, ndërhyrja kirurgjikale nuk duhej bërë në Klinikën e okulistikës pasi kjo lloj ndërhyrjeje nuk kishte lidhje me syrin. Ashtu sikurse është bërë publike nga mjekët e okulistikës dhe familjarët e fëmijës, kjo lloj ndërhyrje ka qenë për qëllime plastike dhe klinika e specializuar për këtë lloj ndërhyrje është ajo e djegie -plastikës. Por fakti, që të gjithë duan të kryejnë operacione të natyrave që nuk janë të specializuar, ndoshta edhe për hir të fitimeve të çastit, e rëndojnë më shumë situatën dhe hedhin hije dyshimi se përse ky operacion është bërë pranë okulistikës. Gjithsesi, janë organet e  drejtuese të QSUT-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe atyre të hetimit që do të thonë fjalën e fundit.

    Fenomeni i mjekëve të huaj, mashtrim për të thithur “klientët”

    Një dukuri e rrallë po ndodh kohët e fundit në spitalin më të madh në vend, por edhe në disa spitale rajonale. Mjekë të ndryshëm, për të përballuar konkurrencën e brendshme, u thonë qytetarëve  për raste të caktuara se gjendja e tyre shëndetësore do të përmirësohet, nëse kryhen ndërhyrje kirurgjikale dhe se këto mundësi ne i kemi duke planifikuar një datë ku do jenë mjekë të huaj, të cilët garantojnë operacionin. Në këmbim të tyre qytetarët e shkretë zhyten në borxhe e kredi për të përfituar nga “oferta” e batakçinjve dhe kasapëve që kanë mbirë dhe po pasurohen në spitalet shtetërore. Vetëm para pak kohësh një tjetër mjek i huaj shkaktoi vdekjen e një pacienti dhe se në prokurori janë me dhjetëra raste të tilla që kanë paditur mjekët dhe spitalet shtetërore e private. Enua, një mik i gazetës “Telegraf”, gjatë kohës që po përgatisnim shkrimin, tregoi se: Po të mos e kisha çuar babanë në Itali do më kishte vdekur, pasi operacioni që i bëri një spital privat, gjoja me emër në Tiranë ishte jashtë standardeve. Madje, mjekët italianë më thanë se ne ju japim epikrizën për ta denoncuar këtë operacion, ku mjekët e spitalit në Tiranë, gjatë ndërhyrjes në arterien e qafës, i kishin vendosur një material që ia bllokon qarkullimin.  Unë pagova 20 mijë euro përfundon Eno dhe megjithë ankesën pranë spitalit këta të fundit nuk m’i kthyen paratë, por më thanë se po pate probleme të tjera nga njerëzit e familjes do t’i bëjmë pa lekë, në këmbim të vlerës që paguat herën e parë. Kjo është më shumë se kriminale pasi nuk di si ta quaj ndryshe.