Ma thuaj nesër

    458
    Sigal

    Ndërsa Picaso nuk kërkonte, por gjente, poeti Sinan Kërpaçi, përkundrazi, kërkon dhe gjen dhe jo vetëm gjen, por më e suksesshmja te ky poet është se atë që gjen di ta vlerësojë sa karsatshe është dhe fut në arkivin e tij poetik. Poezitë e ti janë lingota njëzet e katër karatshe, në mos të gjitha, pjesa më e madhe e tyre. Kjo s’është pak. Kjo  tregon për inteligjencën poetike spontane, instinktive dhe racionale njëkohësisht të këtij poeti tepër të talentuar, prolifik, polivalent. Vargjet e tij janë të gjallë, plot jetë e mençuri e humor të gëzueshëm, herë – herë qortues e shpotitës ndaj vetes; tipar ky i talenteve të vërteta, të padyshimta të cilët shfaqen dhe mbeten përherë simpatikë para lexuesve. 

    Faslli HALITI

    Poezi nga Sinan Kërpaçi

    KUR BËJNË DY KËMBË TRAK – TRAK

    Shkel mbi atë e bukura e radhës e unë them: e imja;

    kuptohet, ” e imja” i them rrugës e jo asaj.

    Po të zgjatem pak që këtu me dorë mund ta zë,

    natyrisht, rrugën, dhe jo atë.

    Ngrihet mbi sandale trak – trak,

    ngrihet mbi dy këmbë brenda një fustani transparent

    që ia bën fërfër, fërfër.

    E shikoni gremisjen e bukur të flokëve:

    jam unë që lëviz gishtat dhe po i kreh

    me krahët e qëndisur të zogjve.

    E ndjej indiferencën e madhe,  nuk jam as skaj

    për syrin e bukur të rrugës që nuk më shikon.

    E mirë ma bën,

    kur zgjodha ta pi kafen në ballkon

    dhe jo në rrugë, ku bëjnë dy këmbë trak – trak,

    se janë vonë.

     

    NË TOKË E GJER NË YJE

    Në një pistë aeroporti u ndamë

    kur more fluturimin për në yje,

    kur u puthëm dhe nuk më the që s`do vije.

    Të bien boritë! Të bien fort, fort!

    Pema u ngarkua me lule sa s`mbahet në këmbë

    dhe vjen me buqeta në ditëlindjen tënde.

    Merre timonin, më ço ku s`kam qenë,

    si dje në mëngjes, në mbasdite, në mbrëmje.

    Më ço si përherë në të tjera vende.

    Te avioni kur u ndamë nuk më the që s`do vije.

    Unë të kërkoj në tokë e gjer në yje.

    Dielli të vjen herët në mëngjes,

    kalon ditën me ty

    dhe ikën vonë në mbasdite,

    pastaj të dërgon hënën që ta kesh mbi krye.

    Kur u puthëm te pista nuk më the që s`do vije,

    unë të gjej, të gjej në tokë e gjer në yje.

    Merre timonin,

    bjeri borisë,

    më shëtit nëpër botë;

    sot jemi bashkë për ditëlindje dhe jo për mort.

    Kur u puthëm në qiell nuk më the që s`do vije.

    Të takoj, të takoj në tokë e gjer në yje.

    KOLOMBI

    Rrugën e gjatë për tek ai unë s`e bëj me makinë,

    rrugën që më çon te Tori e bëj me pilotin që s`e kam:

    kaloj nëpër rrugën “Njëri-tjetri”

    Rrugës që nuk arrij ta sos i prek trungjet e pemëve,

    i hipi të folurës time me vete dhe e gjej duke më pritur.

    Limfa nuk lëviz degëve: rrjedh në trupin e dy njerëzve –

    gjak që i mban në jetë.

    Sikur vërtet të ndodhte kështu, Artor Kërpaçi!

    Sikur kështu! Sikur vërtet!

    Sa larg do iknim ne të dy,

    më duarlidhur nuk do rrinim këtu.

    Sikur vërtet, sikur kështu!

    Ti i pari do thoshe: ngrehu, xhaxha, se jemi vonë!

    Duart shtrihen nga pista ku vonohet një avion:

    pret ne të ngjitemi në bord.

    O Kolomb, ah, sikur, o Kolomb!

    I hipi të folurës time me vete dhe të kërkoj.

    DASHURIA RROFTE!

    I hipa mushkës dhe ngjita malet e vendlindjes,

    kur në qiellin tim nuk fluturonin avionë.

    Këmbët s`më arrinin:

    i kacavaresha nga bishti,

    i kacavaresha nga koka të mbërrija te samari.

    Mbaj mend që fshati më quajti

    “Bani Kokëbardhi”

    Mushka hidhte vicka, por nuk më rrëzonte dot.

    Kuptova duke u rritur:

    “Bani Kokëbardhi” ishte nofkë,

    më pëlqeu kur flitej asaj ane

    dhe më dallonte nga të tjerët.

    Besova: si të ngava ty xanxarja ime,

    mund të ngisja dhe vargje.

    Më more për veshi,

    më çove në shkollë,

    o vickëmadhe.

    Me shqelma më mësove si u hipet lartësive,

    me patentën tënde e ngava makinën,

    hipa në avion –

    jo thjesht pasagjer,

    po në timon.

    ” Bani Kokëbardhi” –

    më pëlqeu ky emër,

    kur u fol me bindje.

    Dhe tani le ta thonë! Le ta thonë në vendlindje!