Luan Rama: Me profesor Myzafer Xhaxhiun rrugës për në Delf

    502
    Janë të habitshme mbresat që lenë njerëzit e mençur dhe artistët e vërtetë në jetën e njerëzve.
    Myzafer Xhaxhiu ishte profesori ynë i letërsisë së vjetër. Ai jetonte gjithnjë me poetët antikë dhe tragjedianët e mëdhenj të antikitetit, ndërsa ne ato vite sapo kishim zbuluar Bitëllsat, Luçio Batistin apo Aba-t. Mbanim flokë të gjata, pantallona bluxhins të hapura poshtë, bridhnim «Brodueit» të Tiranës tek « rruga e Dibrës » por çuditërisht edhe neve na kapi delli i poezisë : nga Eluard tek Ricos, Lorca, Prevert e deri në poetin e brigjeve të largëta të Atlantikut, Whitman. Xhaxhiu ngulmonte të lexonim Homerin, Sofokliun, Plutarkun, Ovidin e Virgjilin, por ne e kishim mendjen në shëtitjet në « Broduei » dhe sfilatat e vajzave me gjinjtë e njomë e të ngritur lart. Nje ditë në auditor, duke folur për Tuqididhin, Xhaxhiu vazhdoi të fliste për Euripidin dhe unë, një shejtan i vogël që u gjenda në universitet, e pyeta profesorin se përse ai nuk e shqiptonte emrin e Euripidit si dhe Tuqididhin, d.m.th. me « dh ». Profesori ngriti sytê i habitur, qeshi ëmbëlsisht dhe e ndreqi « gabimin » e tij…Gjithnjë në tryezë, i pushtuar nga pasioni i tij, Xhaxhiu na lexonte pasazhe e vargje dashurie te antikëve. Ai jetonte gjithnjë me botën antike, shkruante dhe vetë poezi, përkthente e na lutej të lexonim letrarët e mëdhenj. Por aventurier siç isha, kisha dëshirë të lexoja vetëm Odiseun, ndërsa të tjerët, dramat e Orestit, Persët, Lisistratën, bukoliket e Virgjilit apo Plutarkun, i lexova vetëm ditët e provimeve në fund të vitit, me një detyrim të madh. Kushedi si i dukeshim ne Xhaxhiut në raport me banorët e Antikitetit. Ç’kontrast i madh ku edhe pse në jetën shqiptare dramat e mëdha nuk mungonin, «teatrot» ishin gjithnjë të zbrazura. Në « agora » ku mblidhej « demosi » kishte veçse parulla e flamuj.

    Me mikun tim Isan Kone
    Pra, atë ditë që u nisa me mikun tim Isan Kone për në Delf, ne morëm rrugën drejt Thivas, Aliatros, ndaluam në Livadhja të banuar prej disa shekujsh nga arvanitët, ku ai kishte qef të merrnim nga një « uzaqe » siç e thoshte ai, me miqtë e tij grekë e arvanitas… iu ngjitëm rrugës së Arakhovës për të mbërritur më pas në Delf, diku mes maleve. Bashkë me ne kishim dhe Xhaxhiun, që edhe pse i vdekur vite më parë, ishte me ne, pasi profesori im i dashur më ishte atë ditë udhërrëfyesi im drejt qendrës së dikurshme të botës dhe atdheut të orakujve të mëdhenj. C’fat i madh që e dëgjoja tashmë Xhaxhiun : «Delfi është krijuar nga Zeusi… Kështu thonë tekstet e vjetra. » Legjenda thoshte se në epokën e Mikenës, biri i Zeusit, Apolloni erdhi në Delf. E dërgoi Zeusi i madh bashkë me dy shqiponja të mëdha, sepse donte të njihte se ku ishte kërthiza e botës. Dhe ato erdhën rrotull Parnasit dhe pikasën atë vend në një brinjë mali që do quhej « omfalos » apo « kërthiza e botës ». Pikërisht aty Apolloni vrau me shigjetë gjarprin Pithon, për çka Homeri do të shkruante : « Tashmë ti do të kalbesh në tokën që ushqen njerëzit / dhe këtej e tutje s’do të sjellësh më zi… »

    Për këtë Zeusit iu desh ta mërgojë Apollonin gjatë 8 vjetëve në luginën Tempe dhe në kthim, krijoi atje Zotin Python. Që nga ajo kohë filluan festat lirike, kulti për nder të Python dhe vendi u quajt Delf. Kështu, vendi mistik u kthye në një « sanktuer » i Apollonit ku vinin pelegrinët nga e gjithë bota, përmes « Rrugës së Shenjtë » për të marrë përgjigjet e orakullit dhe të Apollonit përmes priftëreshës së tij Pythie. Ishte ajo që e shpalli Aleksandrin e Madh « të pathyeshëm »…
    Kur shkon në Delf, vendet e tempujve të ndryshëm dhe shkallët e teatrit antik janë të përmbytur nga turistët. Atje në stadiumin e vjetër bëheshin festat dhe lojërat olimpike. Aty është një pjesë e botës antike greke bashkë me tragjeditë e saj. Në një nga kolonat, një portret i Homerit apo mbishkrime si «Njih vetveten» apo «Duro dhe tërhiqu», këshilla të orakujve gdhendur në gur. Vetëm kur erdhi në fuqi Theodhosi i Madh i Bizancit, atëherë u ndaluan kultet dhe udhëtimet e pelegrinëve për këtu. Por pas vdekjes së tij ato do të vazhdonin sërish. Ritualet vazhdonin dhe po kështu dhe mërmërimat e orakujve që shuheshin bashkë me erën që frynte nëpër rrënoja. Dhe fisnikët, të gjallët, vazhdonin të sillnin dhurata të mëdha, « ex-voto »-n e tyre, ku jo rrallë ishin përmendore fitimtarësh e hyjnish. Ishin orakujt që u thonin njerëzve që në rast murtaje, të thernin e blatonin një cjap në agun e mëngjesit dhe në dritën e parë të diellit.
    Nëse Xhaxhiu….
    Nuk di nëse Xhaxhiu kishte ardhur në rininë e tij në Delf dhe për këtë më duhet të pyes birin e tij, por duke njohur gjithë tragjedianët grekë ai e dinte më mirë se askush tjetër në Shqipëri se ç’ishte Delfi, ç’thonin orakujt dhe ç’pjesë ishin luajtur në teatrin e tij.
    Delfi ka pemët e veta të shenjta dhe po kështu ullinjtë e moçëm. Ritualët dhe festat në Delf vazhdonin, festohej fitorja e Apollonit mbi gjarprin e madh, gratë që nuk lindin vinin nga anë e anës për të blatuar diçka, linin amfora, mbishkrime, fisnikët linin gjëra të çmuara në ar e argjend për të larë mëkatet e tyre, princat dhe mbretërit tempuj të mëdhenj e altare për të larë krimet e tyre në luftërat e mëdha. Sot aty është ngritur një muze i thjeshtë e megjithatë, Xhaxhiu sikur më thoshte : «Mos e lër pa e parë. Aty ke dhe Eneun, Hektorin, Ajaksin… » Dhe vërtet, aty ishin portretet e heronjve të Greqisë së lashtë. Aty ishin statuja muzikantësh, këngëtarësh, atletësh apo «Tri balerinat» si dhe fitimtari i Lojërave Olimpike me karrocë, një nga skulpturat më të bukura. Më tutje, duke ecur nëpër Delf, sheh tempujt gjysmë të rrënuar apo të rrënuar plotësisht, siç është dhe Thollos apo «Athena Pronaia» me statujën e hyjnisë. Tutje, lart faqes shkëmbore vazhdonin gjurmët e qytetit të vjetër. Nuk u ngjitëm deri aty, por miku im më thoshte se rrënojat vazhdonin dhe atje. Vallë ishte zbuluar gjithçka nga ajo që kishte ekzistuar në Delf ? Ngjisim shkallë guri, mure, vende kulti… imagjinoj skena ritualesh, korre njerëzish që këndojnë, fjalë orakujsh… kurora, dafina, shelgje, degë ullinjsh që hidhen në porta guri… dhe më tutje teatri ku janë luajtur dramat e tragjeditë e mëdha kushtuar Apollonit, «Prometeu i lidhur», «Oresti», «Edipi» apo «Persët» e Eskilit, siç i kishte interpretuar aty dhe Jacques Lacarriere me trupën e tij të Sorbonne-s.

    Plini shkruante atëherë se Delfi kishte patur 3000 skulptura ku 500 prej tyre, në bronx ishin plaçkitur nga Neroni dhe ishin dërguar në Romë. Në fakt, Delfi ishte plaçkitur nga shumë ushtri që kishin kaluar andej duke filluar me ushtrinë e Kserkes, apo maqedonasit e më tej nga ushtritë romake e gjer në hordhitë otomane. Ja Thollos me tre shtylla që i kanë mbetur dhe sipër një shapitel shumë të bukur. Kolona dorike të ngritura në atë peizazh malor në kujtim të hyjnisë Tokë, «Gea», e cila thuhej se banonte në një nga shpellat e malit të Parnasit. Kur lë Delfin, dy të papritura kemi përpara : e para, për ne shqiptarët – qyteza e vogël e Kastros, anash rrugës që zbret pjerrtas drejt Delfit. Kastri i banuar nga arvanitët siç përshkruajnë në udhëtimet e tyre udhëtarët francezë, anglezë e gjermanë të shekullit XIX, ku në guvat shkëmbore ata kishin ndërtuar shtëpitë e tyre prej druri. E papritura e dytë është vendi ku pikëtakohen dy rrugë : njëra që shkon në Delf dhe tjetra drejt Parnasit. Pikërisht aty kishin nisur fatkeqësitë e Edipit, i cili u zu me udhëtarin që ndeshi dhe e vrau pa e ditur se ishte Laios, babai i tij e që më pas do të vriste dhe nënën e tij Jokaste. Duke lenë Delfin dhe duke hyrë në tokat e Tebës së lashtë, (apo Thivës së sotme) ne pikëtakojmë histori e heronj të tjerë, mite e legjenda, të përshkruara nga tragjedianët e mëdhenj, Sofokliu, Euripidhi, Eskili… Dhe përsëri zëri i profesorit tim të ëmbël, Xhaxhiu, që më thoshte : « Sofokliu dhe Eskili janë më të mëdhenjtë, pas Homerit… » Mos harro t’i lexosh sërrish ! »

    Kishim lënë pas Livadhjanë dhe kishim hyrë tashmë në portat e Tebës së lashtë duke kujtuar legjendën e Kadmit dhe të vajzës Europa që për studentët e sotëm shqiptarë pak janë të njohura, si kjo legjendë ashtu dhe mitet e shumta antike. Sa dinë ata për mitet e legjendat e asaj që quhet Europa ? A mund të jenë qytetarë të vërtetë të një Europe të bashkuar pa njohur historinë e kësaj toke të Ballkanit ku burojnë kulturat e mëdha të kontinentit tonë ? Ja pse misioni i Xhaxhiut dhe ngulmi i tij për të njohur letrarët antikë është një referencë e përhershme…
    Sigal