Lojërat e ERE-s për të kamufluar abuzimet dhe vjedhjet e CEZ-it

    412
    Sigal

    Bordi i komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë ka shtyrë mbledhjen e paralajmëruar për ditën e djeshme, për heqjen e licencës së CEZ Shpërndarje. Kjo bën pjesë në lojërat e ERE-s që të shtyjë pa afat marrjen e  masave ligjore ndaj CEZ-it.

    Këshilli i Ministrave autorizoi pardje KESH-in të marrë kredi 40 milionë euro, për importin e energjisë dhe për të blerë energjinë që prodhojnë hidrocentralet e reja në vend. Një rast i paprecedent, ku qeveria ndërmerr rolin e kujdestarit ndaj mospërmbushjes së detyrimeve ligjore të CEZ-it,  në bazë të kontratës të nënshkruar. Pak ditë më parë, u bë publike, që CEZ-i, në pamundësi që të marrë kredi bankare nga asnjë bankë, kërkoi që qeveria shqiptare të bëhej pjesë e garancisë së kredisë së saj. Dhe qeveria shqiptare, bëhet kështu pre e kërkesave të CEZ-it, duke ngarkuar me borxh-kredi KESH-in me 40 milionë, që të blejë energji elektrike për llogari të CEZ-it. KESH-i do ta blejë miliona kë me çmimet e tregjeve ndërkombëtare dhe do ta shesë të CEZ-i me çmimin e përcaktuar nga qeveria, e cila është 2,2 lekë/kë. Diferenca e çmimeve, ku çmimi i blerjes të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare, do të jetë shumë më i lartë nga çmimi i shitjes, do të shënohet në humbje për llogari të KESH-it. E tha vetë Kryeministri Berisha, pardje, në mbledhjen e qeverisë: “Qëllimi i parë që të bëjë import të energjisë, pasi këtë detyrim ligjor kontraktual kompania CEZ nuk e ka përmbushur”.  Në Komisionin e Ekonomisë, pardje, u përmend edhe një fakt. Që ERE po studion mundësinë e heqjes së licencës CEZ-it, për mosdetyrime. Fakte kontradiktore. Qeveria nga njëra anë, urdhëron KESH të mbingarkohet me kredi(humbjeje) që të importojë për llogari të CEZ-it energji elektrike, meqë- sipas Kryeministrit- CEZ-i këtë detyrim kontraktual nuk e ka përmbushur,si edhe me akt normativ, qeveria bllokon fondet e pushtetit vendor, për të mbledhë detyrimet që i kanë CEZ-it, duke u bërë qeveria edhe rolin e përmbaruesit për të mbledhë lekët e CEZ-it! KESH-i ka paguar 2 miliardë lekë në muajt e parë të 2012-s për të blerë energji elektrike për llogari të CEZ-it, , dhe 4 miliardë lekë kësti i dytë, tani, ndërkohë që CEZ-i i ka 700 milionë kw KESH-it të papaguar. CEZ-i për çdo ditë vonesë u vendos kamatë qytetarëve shqiptarë, deri në 100 % të vlerës, ndërsa shteti nuk i vendos asnjë  % kamatë vonesë CEZ-it për miliona euro që nuk i paguan me vite KESH-it! Me vendim gjykate CEZ-it i janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare, për shkak të mosshlyerjes të detyrimeve financiare të CEZ-it, por askush nuk e di nëse ky vendim i gjykatës është ekzekutuar, duke i lënë fushëveprimi CEZ-it, ( me ndihmesën e qeverisë Berisha)  që të nxjerrë jashtë Shqipërisë të gjitha miliardat lekë që grumbullon. Dhe nga ana tjetër, ERE përhap ( dashakeqësisht) thashetheme se do të…studiojë mundësinë e heqjes së licencës CEZ-it! Taksë-tatimet e kanë gjobitur CEZ-in me 3 miliardë lekë për mosdeklarim të energjisë elektrike të faturuar, por askush nuk mund të pohojë që CEZ-i e ka paguar këtë gjobë.

    Kur ndërkohë, ERE para disa muajsh propozoi që CEZ-i të rritë çmimin e kë që u shet konsumatorëve shqiptarë, duke e bërë energjinë elektrike  në Shqipëri, më të shtrenjtën në rajon, dhe njëkohësisht, ERE propozon qeverisë që të ulë çmimin e energjisë elektrike që CEZ-i i blen KESH-it. CEZ-i blen energjinë elektrike me 2,2 lekë/kë, më lirë se në çdo vend të rajonit, dhe ERE e lejon CEZ-in që kë ta shesë me 9 lekë dhe 12,7 lekë/kë,  duke i siguruar CEZ-it normë fitimi mbi 600 %! ERE si një organizëm që emërohet nga Kuvendi, ku e gjen këtë të drejtë që të lejojë që CEZ-i të ketë normë fitimi 600 % në dëm të konsumatorëve shqiptarë? Mos vallë ERE është pronë e Kryetarit Soklo Ramadani e drejtorit ligjor të ERE-s, Eduard Elezi, që të bëjnë politikën e CEZ-it në ERE? Në një intervistë  për “Telegraf”, para disa kohësh drejtori ligjor i ERE-s, Eduard Elezi pohoi që CEZ-i ka tre vjet që nuk ka bërë asnjë investim dhe ERE nuk i ka vendosur deri tani asnjë gjobë! Me mijëra janë përditë akuzat e qytetarëve për vjedhjet sistematike e abuzimet e CEZ-it ndaj qytetarëve shqiptarë, por ERE nuk pranon që të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve shqiptarë, sepse është bërë palë me CEZ-in. Me qindra janë ankesat e qytetarëve ndaj CEZ-it, i cili po regjistron matësit e energjisë elektrike që të vjedhë sa më shumë kw nga konsumatorët e energjisë, ndërsa ERE nuk ka ndërmarrë asnjë kontroll verifikimi, sepse luan rolin e kamufluesit të vjedhjeve e abuzimeve të CEZ-it në dëm të shqiptarëve. ERE, duke qenë një organizëm që emërohet nga Kuvendi, nuk luan aspak rolin e tij të ushtrimit të kontrollin ndaj ERE-s, sepse, siç dëftojnë praktikisht, Kryetari i ERE-s, Sokol Ramadani e drejtori ligjor i saj Eduard Elezi, meqë janë emëruar në Kuvend me votat e maxhorancës, duhet të ishin shprehës të mbrojtjes  të interesave të konsumatorëve të energjisë elektrike, por, me qëndrimin e tyre favorizues ndaj CEZ-it, janë bërë palë e interesave të qeveritarëve me CEZ-in. Nuk mund të pranohet tjetër logjikë. ERE me kohë duhet të sillte në Kuvend propozimin për heqjen e licencës për CEZ-in, e jo të sillte rekomandimet për uljen e çmimit të energjisë që CEZ-i blen nga KESH-i e rritjen e energjisë që CEZ-i u shet shqiptarëve. Dhe thashethemet e ditëve të fundit, ku ERE do të propozojë heqjen e licencës të CEZ-it, kanë vetëm një qëllim. Që të fashitin reagimet e protestat masive të qytetarëve kundër vjedhjeve e abuzimeve të CEZ-it. Nuk gjejmë në asnjë botim në faqen elektronike të ERE-s ndonjë masë disiplinore ndaj  CEZ-it.  Një organizëm rregullues i energjisë, sikurse ERE nuk mund të lejojë që normat e fitimit për CEZ-in të jenë 600 %! Në kë vend të botës, një shtet normal mund të lejojë këdo kompani, i kujtdo qëllimi të jetë, të ketë normë fitimi 600 %? Në kë vend tjetër të Europës, CEZ-it i lejohen këto norma fitimi, sikurse lejon ERE në Shqipëri? Nga ana tjetër, ERE po mban monopol të drejtën e CEZ-it në shpërndarjen e energjisë elektrike në Shqipëri. Qeveria shqiptare, në mënyrë absurde i ka dhënë në përdorim CEZ-it edhe kabinat elektrike, duke përjashtuar përdorimin e tyre nga kompani që mund të kenë të drejtën e shpërndarjes të energjisë elektrike, në rast liberalizimi të këtij tregu, duke favorizuar njëanshmërisht CEZ-in në një konkurencë tregu. Të gjitha këto lehtësime lidhen padyshim me interesa koruptive midis palëve të interesuara, ndryshe, num kund të besojmë se qeveria jonë nuk i  njeh mirë lojrat e tregut e të konkurencës, që të jetë kapur e paditur dhe idiote nga CEZ-i.

    ______________________________________________________________________________________

    ERE, MBROJTËSE E INTERESAVE EKONOMIKE TË CEZ-it

    Rreth 99 % e energjisë elektrike, përfshirë këtu edhe prodhimin e vitit 2011, prodhohet nga hidrocentralet, por sot vetëm 35 % e potencialit hidroenergjitik shfrytëzohet. 98 % e prodhimit të energjisë elektrike, prodhohet nga vepra hidrike të ndërtuara përpara viteve 90, dhe i gjithë potenciali i jashtëzakonshëm hidrik vazhdon të mbetet i pashfrytëzuar. Janë dhënë nga qeveria më shumë se 300 leje për hidrocentrale të vegjël, të cilët së bashku, kanë një fuqi të instaluar në rast se vihen në shfrytëzim në rreth 25 % të potencialit hidrike. Aktualisht, janë në eficencë prodhimi vetëm 58 hidrocentrale të vegjël privat, që japin në total vetëm 2 % të prodhimit të energjisë elektrike. Është shpërdoruar ky potencial nga ana e qeverisë, për arsye se : Licencat për këta hidrocentrale janë shpërndarë nëpërmjet kanaleve korruptiv të qeverisë, jashtë transparencës publike, jashtë përgjegjësisë profesionale, jashtë përgjegjësisë për zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori mjaft të rëndësishëm të ekonomisë.Në materialin e Entit Rregullator të Energjisë, nuk bëhet asnjë analizë për eficencën e përpunimit aktual dhe asaj të pritshme të rezervës hidroenergjitike. Përsa i përket bilancit të import – eksportit të energjisë elektrike, materiali i ERE anashkalon këtë analizë shumë të rëndësishme të sektorit. Sot sektori energjetik është në krizë, burimet gjeneruese të pashfrytëzuara dhe të pambështetura, sektori i transmetim shpërndarjes me mungesë të investimeve infrastrukturës dhe të komunikimit rajonal, kriza e  CEZ-it është shtrirë tani tërësisht në KESH, në importojmë energji elektrike me 60 euro dhe eksportojmë energji elektrike me 40 euro.  Qindra miliona euro, dalin çdo vit jashtë Shqipërisë për shkak të keqmenaxhimit të sektorit të energjisë, ndërkohw që për ERE nuk është e rëndësishme kryerja e analizave të tilla. Eficenca e përdorimit të energjisë elektrike në vendin tonë, është mjaft e ulët qoftë kjo krahasuar edhe me vendet e rajonit. ERE në materialin e saj pothuajse nuk i kushton fare vëmendje, eficencës së përdorimit të energjisë. Sot energjia elektrike është 65% më e shtrenjtë se në vitin 2005. Nisur nga sa më lartë, materiali i ERE, nuk jep një tablo të vërtetë të gjendjes së sektorit të energjisë elektrike dhe gazit natyror, nuk pasqyron drejt problematikat e këtij sektori, nuk përmbush detyrimet që ERE ka për të liberalizuar tregun e këtij sektori.