Ligji i ri i pensioneve, nga 1 janari fillon barazimi i kontributeve fshat-qytet

    434
    Sigal

    Ministri Veliaj – inspektorëve ruralë: “Rrisni kontribuuesit në skemë, nëse doni rinovim kontrate”

    Të vetëpunësuarit në bujqësi do të kenë të njëjtat përfitime, por dhe do derdhin të njëjtat kontribute me të punësuarit në zonat urbane, sa i përket marrjes së pensionit. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të pensioneve në janar të 2015-ës “s’do të ketë më diferencë mes pensionit të fshatit dhe pensionit të qytetit dhe ata duhet të vazhdojnë të derdhin kontribute, sepse kjo do t’ju përkthehet në një pension më të lartë, nuk do të ketë ndryshime rrënjësore në sasinë e të ardhurave të pensioneve mes individëve të punësuar në zonat rurale, me ato në zonat urbane”, u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj në mbledhjen e djeshme me inspektorët e të vetëpunësuarve në bujqësi. Reforma e ndërmarrë për pensionet, sipas ministrit Veliaj, është më e madhja deri më tani.

    Nga data 1 janar 2015, ai deklaron, se do të nisë afrimi i skemës, për të shkuar deri në një barazim kontributesh, deri në vitin 2018. Ai vuri theksin tek rëndësia që ka shpjegimi i reformës së pensioneve për banorët e fshatrave, duke premtuar inspektorëve rajonalë një bonus për çdo të siguruar që do të fusin në skemën kontributive. “Përsa i përket numrit të kontribuuesve në skemën rurale, këtë vit kanë derdhur kontribute vetëm 33 mijë persona. Kjo është një shifër jashtëzakonisht e ulët, po të kemi parasysh se gjysma e popullsisë në Shqipëri jeton në fshat”, u shpreh ministri Veliaj. Ndërsa pranon se qëllimi kryesor është realizimi i të ardhurave dhe shtimi i numrit të atyre që kontribuojnë, ai u premton inspektorëve bonus për çdo kontribuues që do të fusin në skemë. “Por, kemi vetëm 100 ditë kohë deri në 1 janar 2015 për të punuar fort për rritjen e numrit të kontribuesve në skemë. Prandaj, secili prej jush do të ketë si kusht për rinovimin e kontratës, rritjen e numrit të kontribuuesve në skemë”, tha z. Veliaj.

     Të vetëpunësuarit në bujqësi në Ligjin e ri të Pensioneve

     Fondet e pensionit vullnetar

    Neni 6

    Personat e vetëpunësuar në bujqësi paguajnë kontribut për pension dhe barrëlindje të llogaritur mbi pagën minimale në shkallë vendi. Pagesa e kontributit bëhet çdo tremujor.

     Neni 9

    4. Kontributet e të vetëpunësuarve në bujqësi dhe kontributet vullnetare derdhen në llogaritë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Kriteret dhe procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Inspektorët e kontributeve të sigurimeve shoqërore kanë të drejtë të kontrollojnë saktësinë e llogaritjes dhe afatet e pagesës së kontributeve. Çdo diferencë në shumën e kontributeve do të kthehet gjatë 5 vjetëve të pagesës së bashku me kamatëvonesën.

    Neni 31

    Baza e vlerësuar për llogaritjen e përfitimeve

    1. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi.

    Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit.

    Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

    Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994, si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 1.1.1994.

    Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2015 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese, sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 1.1.1994, si edhe mbi pagat individuale, mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 1.1.1994 deri në 31.12.2014, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2014 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës.

    Koeficientët e indeksimit sipas viteve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

     Të drejtat e fituara

    Neni 40

    3. Pensionet e caktuara në bazë të ligjit nr. 4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, me të gjitha ndryshimet e tij të mëvonshme, quhen të mirëqena dhe nuk janë objekt i ndonjë ndryshimi, me përjashtim të indeksimit dhe kompensimit, sipas pikës 1, të këtij neni.

     Neni 41

     2. Kontributi i të vetëpunësuarve në bujqësi do të rritet gradualisht deri në barazimin me kontributet e personave të vetëpunësuar në aktivitete jobujqësore në vitin 2018. Rritja vjetore e masës së kontributit caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

      Minierat, grupet e interesit kërkojnë taksa më të ulëta

     Subjektet që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare, për të nxjerrë minerale, kërkojnë taksa më ulëta në mënyrë që të tërhiqen investitorët e huaj. Gjatë seancës dëgjimore me grupet e interesit, në kuadër të diskutimit të Ligjit për Sektorin Minerar, Përparim Aliaj, Kryetar i Komitetit të Minierave kërkoi rishikim të rentës minerare e cila nga 6% ka shkuar në 15 %. Një tjetër problem që u ngrit nga grupet i interesit ishte edhe problemi me pronësinë si dhe koha e kërkim-zbulimit. Ndërsa nga radhët e deputetëve të PS-së në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, u propozua që renta minerare të mos jetë më një përqindje fikse, por progresive në bazë të fitimeve. Por, për të pasur një pasqyrë të saktë të zonave minerare në Shqipëri, Mehmet Zaçe nga instituti i Gjeoshkencës i kërkoi deputetëve që të bëhen studime për të vlerësuar këtë sektor, pasi studimet aktuale janë shumë të vjetra.

     Ledjana Saliu