Ligji 7501 rikthen shkeljet me trojet në fshatrat e Kavajës

    394
    Sigal

    Denoncimet e qytetarëve: Ish-drejtuesit kanë shkelur ligjin, të ndëshkohen fajtorët

    Në shumë fshatra të ndryshme të komunave të Kavajës, këto institucione të pushtetit ndjehen të pafuqishme të riparojnë dhe zbatojnë ligjin 7501, për ndarjet e tokave të bëra prej vitesh nga ish-drejtues të tyre në vite. Kjo ka sjellë që mjaft banorë të komunave të ndryshme në Kavajë të kërkojnë prej krerëve të tyre, zbatimin e ligjit 7501 për ndarjen e tokës, i cili për arsye të ndryshme nuk u zbatua që në momentin që ligji nisi të gjente zbatim në pothuajse gjithë territorin e vendit. Në shumë fshatra të Kavajës, në fillim të vitit 1991, kohë kur u miratua ligji 7501, u pranua që toka bujqësore të ndahej sipas këtij ligji, duke vendosur ngritjen e komisioneve me njerëz pa përvojë që edhe abuzuan me zbatimin e tij. Një nismë e tillë për zbatimin e këtij ligji, solli menjëherë pasojat e veta, sepse toka u nda me probleme, pati probleme me regjistrimin e saj dhe tashmë kur kanë kaluar 23 vjet, fshatarët nuk janë pronarë të ligjshëm të tokës që punojnë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ndarjen e pasurive të tjera, si ullinj, vreshta etj. Situata të tilla problematike gjen kudo të komunat e Kavajës, duke filluar nga komuna e Golemit, e Luzit të Vogël, Lekaj dhe Gosës, Spillesë etj.. Përveç mungesës së përvojës që është shfaqur nga pushteti vendor në ndarjen e tokës sipas ligjit 7501, tani kur kanë kaluar shumë vjet, banorët denoncojnë se toka që duhej të ndahej në rregull për të gjithë banorët, është zaptuar nga një pakicë njerëzish. Në fshatrat Tilaj dhe Seferaj banorët akuzojnë se, janë zaptuar qindra rrënjë ullinj, ndërsa ligji 7501 u zbatua me deformime ose nuk u zbatua fare. Shkaktarë të kësaj situate që nuk gjen zgjidhje banorët bëjnë ish-krerët e komunave dhe administratën e tyre,të cilat duhet të nisin nga e para procedurat për verifikimin e tokës në terren dhe ndarjen e rregullt të saj sipas frymëve, në mënyrë që kjo gjë të pasohet në fund nga regjistrimi i saj në hipotekë. Banorëve të këtyre fshatrave u është thënë se “ndarja e tokës iu është konvertuar”, por ata nuk janë dakord me një gjë të tillë që ka sjellë vetëm dëme për ekonomitë e tyre. Kështu ka ndodhur edhe në komunën Luz i Vogël, kur ish -drejtues të kësaj komune kanë ndarë një sasi të konsiderueshme toke në Beden dhe zona të tjera të komunës, pa njoftuar personat që duhet ta përfitonin atë. Ndarja është bërë fiktive dhe në të njëjtën mënyrë është bërë edhe regjistrimi i saj në hipotekë. Tashmë komuna kërkon që kjo sasi toke të ç’regjistrohet dhe të mbetet pronë e komunës, pasi banorët e zonës nuk e kanë pëlqyer asnjëherë atë dhe nuk kanë dashur ta marrin në pronësi. Probleme të tilla sipas banorëve mund ti zgjidhin vetëm gjykatat, apo vendimet e dala nga KM. ligji 7501, sërish edhe pas 23 vitesh po ri sjell telashe për shumë fshatarë që kanë probleme me trojet dhe tokat e tyre.