LIGJI/ 6 mijë lekë vërtetime, për të marrë 1900 lekë ndihmë ekonomike!

    482
    Sigal

    Skandal dhe turp, edhe kjo lëmoshë që jepet nuk bëhet “bukë”, por përdoret si pagesë për të bërë dokumentet që nevojiten për të përfituar ndihmën ekonomike

    Në redaksinë e gazetës “Telegraf” erdhi një qytetar nga Njësia nr. 8 Tiranë, i cili ngriti një shqetësim skandaloz ligjor, në lidhje me ndihmën ekonomike që në bashkëpunim me pushtetin lokal, qeveria (Ministria e Punës e Çështjeve Sociale) trajton personat dhe familjet e papunë e pa të ardhura ekonomike-financiare për të përballuar jetesën. Dihet se sa dhe si e përballon jetesën e varfanjakëve të kësaj kategorie sociale, ndihma ekonomike mujore jep qeveria në masën 1900 lekë për kryefamiljarin, 1800 lekë për bashkëshorten, 900 lekë për personat mbi 18 vjeç dhe 800 lekë për personat nën moshën 18 vjeç. Nëse pagesa e ndihmës ekonomike prej 65 lekësh të reja në ditë, që jepet për kryefamiljarin, 30 lekë të reja në ditë për personat mbi 18 vjeç dhe 27 lekë të reja në ditë për personat nën 18 vjeç është turp social, shoqëror  e shtetëror, kriteri ligjor dokumentar për ta përfituar atë është një skandal deri në tallje. Çfarë ndodh konkretisht? Edhe kjo pagesë mujore ndihme ekonomike lëmoshë që jepet prej 1900 lekësh, prej 1800 lekësh, prej 900 lekësh e prej 800 lekësh sipas “gradës” familjare, nuk bëhet “bukë”, por përdoret si pagesë për të bërë dokumentet që nevojiten për të përfituar ndihmën ekonomike. Sipas ligjit “Veliaj”, nevojitet një dosje me dokumente për të marrë pagesën mujore. Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale ka parashikuar në ligji, disa dokumente që duhet të plotësohen një çdo 3 muaj prej çdo familjeje apo personi që trajtohet me ndihmë ekonomike në bashki e komuna. Kjo “listë’ dokumentesh që nevojiten është tepër e gjatë dhe po sipas ligjit në fuqi, çdo dokument lëshohet me pagesë nga administratat e institucioneve shtetërore. Sipas ligjit për përfitimin e ndihmës ekonomike, duhet certifikatë familjare për familjen e “vjetër” dhe për familjen e re, vërtetim si banor i rajonit, ku këtë e vërteton certifikata e gjendjes civile. Duhet librezë pune e noterizuar, edhe për ata që nuk kanë qenë asnjëherë në punë, pra edhe për personat e vetmuar nën 18 vjeç! Duhen gjithë deklaratat mujore të noterizuara, të periudhës së trajtimit me ndihmë ekonomike dhe pasuri vjetore tyre e firmosur e vulosur kryeplaku (administratori), kur këto pasqyra janë në zyrat e pushtetit lokal! Duhet vërtetim, që konfirmohet nga Zyra Rajonale e ndihmës ekonomike se sa ka qenë pagesa e ndihmës ekonomike që merr qytetari, kur kjo pagesë dihet, mbasi është e përcaktuar në ligj! Janë afro 31 vërtetime zyrtare, që duhen vulosur, firmosur e paguar në zyrat e shtetit, për t’i paraqitur po në zyrat e shtetit për të dhënë ndihmën ekonomike shteti. Ndaj disa nga këto dokumente janë  brenda bashkisë e komunës dhe zyrave të Ministrisë së Punës që japin ndihmën ekonomike, por duhen tërhequr nga qytetari me pagesë edhe pse, p.sh nga investigimi ynë, konstatuam që 2 dokumente merreshin brenda 1 zyre, por në dy tavolina ngjitur, ose p.sh, 4 dokumente merreshin në dy zyra ngjitur! Është paradoks i madh p.sh., që të marrësh vërtetim në zyrën e ndihmës ekonomike të bashkitë e komunës, që je trajtuar me ndihmë ekonomike, ta paguash vërtetim e ta dorëzosh përsëri vërtetimin po në… atë zyrë! Është një trup i madh që ndodh kështu, por ajo që shqetëson qytetarët është fakti që këto 31 vërtetime zyrtare, duhen plotësuar me pagesë në çdo 3 muaj dhe që t’i plotësosh duhen minimalisht 10 ditë kohë, mbasi duhet të shkosh në disa institucione, ku dihet se sa “shpejt” të shërbejnë e se si të shërbejnë. Qytetari më tregoi listën e gjatë me vërtetime që duhen plotësuar në çdo 3 muaj e që kushtojnë 6 mijë lekë të reja, për të marrë 1900 lekë të reja në muaj, ose 5700 lekë të reja në 3 muaj! Personat mbi 18 vjeç, duhet paguajnë 6 mijë lekë të reja në 4 muaj, për të marrë 900 lekë të reja në muaj, ose 2700 lekë të reja në 3 muaj. Personat nën 18 vjeç, duhet paguajnë 6 mijë lekë të reja në 4 muaj, për të marrë 8 lekë të reja në muaj, ose 2400 lekë të reja në 3 muaj. Ky skandal qeveritar i bërë ligj tashmë meriton të futet në librin e çmimeve “Gines”, mbasi kemi kërkuar në legjislacionin e shumë shteteve të botës dhe nuk e kemi gjetur një ligj të tillë që për të ndihmuar me 1 lekë bukë, duhet të paguash 3 lekë dokumente!

    1. Pagesë 50 lekë, certifikatë personale.

    2. Pagesë 50 lekë, certifikatë familja

    3. Pagesë 100 lekë, vërtetim banor i lagjes

    4. Pagesë 100 lekë, vërtetim si i pa punë

    5. Pagesë 100 lekë, vërtetim shkolle fëmijët

    6. Pagesë 200 lekë, vërtetim prone hipoteke

    7. Pagesë 200 lekë, vërtetim pagese taksash

    8. Pagesë 100 lekë, vërtetim pagese në CEZ

    9. Pagesë 200 lekë, vërtetim pagese në “Albtelecom”

    10. Pagesë 200 lekë, vërtetim që nuk ke prona

    11. Pagesë 200 lekë, vërtetim biznesi bashkie

    12. Pagesë 100 lekë, vërtetim tatimesh biznes

    13. Pagesë 100 lekë, vërtetim për makinë

    14. Pagesë 100 lekë, vërtetim pune b/shortja

    15. Pagesë 100 lekë, vërtetim papunësie fëmijët

    16. Pagesë 100 lekë, vërtetim që s’je i punësuar ilegal

    17. Pagesë 100 lekë, vërtetim pensioni pleqërie

    18. Pagesë 100 lekë, vërtetim pensioni familjar

    19. Pagesë 100 lekë, vërtetim nga tregu i lire, bashki

    20. Pagesë 1700 lekë, librezë pune e noterizuar

    21. Pagesë 200 lekë, vërtetim që nuk merr ndihmë tjetër sociale

    22. Pagesë 500 lekë, vërtetim teknik për gjendjen e banesës

    23. Pagesë 100 lekë, vërtetim për pension jetimësh

    24. Pagesë 100 lekë, vërtetim që s’ke pension të posaçëm.

    25. Pagesë 100 lekë, vërtetim që s’ke shpërblim si veteran ose invalidë lufte.

    26. Pagesë 100 lekë, vërtetim që s’përfiton karburant, energji, libra, ilaçe e ujë nga shteti, si familje me anëtarë invalidë pune, para dhe tetraplegjike.

    27. Pagesë 100 lekë, vërtetim që s’përfiton pension suplementar si ish-funksionar shteti.

    28. Pagesë 200 lekë, vërtetim që nuk merr pension suplementar apo të parakohshëm si ushtarak.

    29. Pagesë 200 lekë, vërtetim që nuk trajtohesh me pagesë të veçantë si minator.

    30. Pagesë 200 lekë, vërtetim që nuk përfiton shpërblim si familje dëshmori.

    31. Pagesë 200 lekë, vërtetim që nuk përfiton pension suplementar për tituj shkencorë.

    Përparim Halili

    Organizata Botërore e Ushqimit

     65% e shqiptarëve ushqehen 1.3 herë në ditë, me 25% të kalorive për mbijetesë

     Në një tabelë të publikuar 7 muaj më parë, Organizata Botërore e Ushqimit deklaroi studimin bërë në vendet në zhvillim e me nivel të ulët jetese. Në këtë studim të Organizatës Botërore të Ushqimit, krahas vendeve “simbol” mjerimi ekonomiko-social është marrë edhe Shqipëria si “mostër” me popullsi të varfër që ushqehet keq, jo në sasinë dhe kaloritë e duhura të ushqimit. Sipas këtij studimi, shqiptarët janë populli që ushqehet nën nivelin e standardit të lejueshëm botëror për vendet në tranzicion shpresëdhënës për integrim në BE. Sipas tabelës klasifikuese, në Somali afro 80% e popullatës arrin të sigurojë 75% të ushqimit të domosdoshëm jetik ditor. Në Ugandë, 73% e popullsisë arrin të sigurojnë 78% të ushqimit jetik ditor. Ndërsa, në mes të Europës, në një vend anëtar të NATO dhe vend kandidat për në BE, rezulton ky mjerim:

      Afro 65% e shqiptarëve sigurojnë vetëm 40% të ushqimit jetik ditor me 25% të kalorive të domosdoshme, ose ushqehen vetëm 1.3 herë në ditë.

    1.  Ndihma ekonomike, sa 10% e kuotës ushqimore jetike e të varfërve ekstrem në Somali
    2.   Afro 65% e shqiptarëve, sigurojnë vetëm 40% të ushqimit të domosdoshëm jetik ditor.
    3.  Afro 20% e shqiptarëve sigurojnë vetëm 35% të ushqimit të domosdoshëm minimal ditor.
    4.  Afro 15 % e shqiptarëve jetojnë me lypje dhe sigurojnë vetëm 30% të ushqimit të domosdoshëm ditor.
    5.  Afro 10% e familjeve shqiptare, sigurojnë 70% të ushqimit minimal jetik ditor, duke përdorur fëmijët 1-13 vjeç për lypje e punë rruge.
    6.  Afro 75% e shqiptarëve konsumojnë ushqime, të cilat kanë vetëm 25% të kalorive të domosdoshme ushqimore ditore për mbijetesë.