Lançohet platforma e parë në Shqipëri për mbledhje fondesh  nga publiku: Smile.al

238
Sigal

 

Smile .al është një nismë pioniere për promovimin e banking-ut social dhe zhvillimor në shoqërinë shqiptare. Për herë të parë në Shqipëri, kjo platformë novatore do të mundësojë mbledhjen e fondeve nga të gjithë personat e interesuar, kudo ku ndodhen në botë për projekte me kontribut social.

 

Platforma Smile.al është një iniciativë e Fondacionit Credins zotëruar 100% nga banka Credins. Platforma vjen si një nismë e drejtuesve dhe aksionerëve të bankës për të krijuar një platformë e cila shërben për të rritur vetëdijen në radhët e publikut dhe për të motivuar njerëzit të kontribuojnë sa më shumë që të jetë e mundur, në zbatimin e projekteve që janë të nevojshme për zhvillimin dhe mirëqënien e shoqërisë shqiptare.

 

Fondacioni Credins vjen në partneritet strategjik me disa prej institucioneve më të njohura në fushën e përgjegjësisë sociale në vend si: Partners Albania, Fondacioni Vodafone dhe Grant Thorton. Secili partner do të kontribuojë në promovimin dhe funksionimim sa më të mirë të platformës, duke garantuar një përzgjedhje të sukseshme të projekteve që do të implementohen me kontribut nga publiku. Mbledhja online e fondeve nga publiku është një koncept dhe praktikë e thjeshtë, e njohur për mbledhjen e fondeve, me anë të të cilit një subjekt, qoftë individ, biznes apo ndonjë organ tjetër, mund të kontribuojë, në bazë të mundësive të tyre, në natyrë ose me para, për nisma të ndryshme siç është mirëqënia sociale, solidariteti etj., që shpesh përqëndrohen në komunitet e në mjedis. Praktika e kërkimit të fondeve nga një numër i madh njerëzish, nga i cili ka dalë edhe termi “mbledhja e fondeve nga publiku”, është bërë më e lehtë për t’u realizuar falë përhapjes së internetit. Krahas shpejtësisë e karakterit të drejtpërdrejtë që ofron ky model i mbledhjes së fondeve për prezantimin e një ideje dhe bashkëveprimit me agjencinë që e zbaton atë, një nga avantazhet kryesore të mbledhjes së fondeve në këtë mënyrë janë mbulimi dhe promovimi në një shkalle të gjerë i projekteve që do të financohen.

Mbledhja e fondeve e motivon publikun të kontribuojë në arritjen e qëllimeve specifike, inkurajon njerëzit që të mbështesin në bazë kolektive e në një mënyrë me të vërtetë praktike çdo sipërmarrje shoqërore që ata mendojnë se meriton mbështetjen e tyre.

Platforma Smile.al përfshin një gamë të gjerë fushash, nga mirëqënia sociale dhe solidariteti, promovimi i trashëgimisë kulturore, mjedisi, sipërmarrja sociale, edukimi dhe trajnimet, veprimtaritë sportive, dhe sipërmarrja inovative.

Çdo organizatë jo-fitimprurëse (OJF) tashmë ka mundësinë të prezantojë në platformë projekte në fushat e përcaktuara dhe pas përzgjedhjes nga ekspertët përkatës sipas kritereve të vendosura, projektet fituese do të lançohen zyrtarisht në platformë duke i bërë thirrje publikut për të kontribuar me fonde ose të bëhen pjesë si vullnetarë.

E veçanta e platformës Smile.al është se ajo ofron një siguri maksimale për çdo kontribues pasi siguron transparencë të plotë për çdo dhurim që bëhet, informim në kohë reale për ecurinë e kontributit për çdo projekt të mbështetur, si dhe informim mbi implementimin e projektit deri në finalizim.

 

Vitet e fundit, mbledhja e fondeve online është kthyer në një mjet të vlefshëm për të mbështetur OJF-të në përpjekjet e tyre për të siguruar fondet e nevojshme për zbatimin e objektivave dhe veprimtarive që mbështesin mirëqënien e solidaritetin shoqëror, të cilat sikurse sot kanë qenë të limituara për shkak të kufizimeve në kontribuim.

Tashmë çdo individ, organizatë, apo kompani private, nga kudo në botë, ka një mundësi më shumë të informohet mbi projekte që adresojnë kauza sociale dhe të kontribuojë direkt, online, nga kudo e në çdo vend për të realizuar te tilla nisma për një mirëqënie më të mirë të të gjithë shoqërisë shqiptare. Është koha të tregojmë se mund të kemi sukses, nëse të gjithë jemi të gatshëm të dhurojmë diçka. Programi Smile.al ofron potencial të madh për bashkimin e burimeve, qoftë në para apo në natyrë, përmes modelit të mbledhjes së fondeve online, pavarësisht nëse kontribuesit janë në Shqipëri apo jashtë saj.

 

Pavarësisht gjithçkaje, Smile.al ofron një mënyrë të re që njerëzit të mendojnë e të veprojnë. Qoftë në rastet kur ka objektiva e projekte shumë specifike, qoftë kur ka garanci të qëndrueshme për transparencë e përgjegjshmëri absolute, kontributi i secilit prej nesh si person, sado i vogël, është shumë i çmuar.

Partnerët e Smile.al

 Fondacioni Credins është zotëruesi i platformës Smile.al dhe është themeluar në Mars 2021. Fondacioni Credins zotërohet 100% nga banka Credins, e cila operon prej më shumë se 18 vitesh në tregun bankar shqiptar. Sot është një nga 2 bankat kryesore në treg përsa i takon totalit te portofolit të kredisë dhe totalit të depozitave dhe aseteve. E krijuar në 2003 si banka e parë me kapital shqiptar, Credins vazhdon ti qëndrojë besnike misionit të saj për të qënë zgjedhja numër një për shqiptarët dhe hapësirën shqipfolëse. Me shume se 360,000 klientë kanë ndërtuar një marrëdhënie të konsoliduar me bankën Credins për shumë shërbime e produkte bankare të cilat mbulojnë 3600 nevojat e tyre. Banka Credins numëron 57 degë me shtrirje në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë dhe mbi 950 punonjës profesionistë.

Prej vitesh, banka Credins ndjek një politikë aktive të përgjegjësisë sociale, duke mbështetur mjaft nisma në fushën e arsimit, shëndetësisë, mjedisit, inovacionit, luftës ndaj varfërisë etj. me një kontribut thelbësor në zhvillimin e komunitetit.

Partnerët Shqipëri është një fondacion shqiptar i pavarur, i themeluar në vitin 2001, që mbështet zhvillimin e shoqërisë civile në vend dhe lehtëson bashkëpunimin ndërsektorial me qëllim forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e zhvillimit ekonomik.

Puna e Partnerëve Shqipëri është e fokusuar në katër fusha programatike që kanë të bëjnë me zhvillimin e një mjedisi mundësues dhe të qëndrueshëm për shoqërinë civile, qeverisjen me pjesëmarrje, transparente dhe të përgjegjshme, sipërmarrjen dhe inovacionin social si dhe aktivitetin filantropik dhe infrastrukturën mbështetëse.

Partnerët Shqipëri është anëtare e Partners Network, një partneritet i 19 organizatave të pavarura në Europë, Amerikën Veriore dhe Jugore, Afrikë e Lindjen e Mesme, të cilat punojnë për një ndryshim paqësor e demokratik.

Partnerët Shqipëri është anëtare edhe në disa rrjete të tjera europiane dhe globale si BCSDNECASDIESIS, WINGS.

Fondacioni Vodafone Albania është një organizatë jo-fitimprurëse e themeluar nga Vodafone Albania Sh.A. sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës Nr. 2577, datë 17 korrik 2007. Fondacioni Vodafone Albania financohet në baza vjetore nga kontributet e Vodafone Albania Sh.A dhe Fondacionit të Vodafone Group në Mbretërinë e Bashkuar. Donacionet e palëve të treta mirëpriten nëse përputhen me qëllimin e bamirësisë.

Qellimi i Fondacionit është të përshpejtojë idetë dhe përpjekjet inovative që përdorin teknologjinë dhe burimet më të mira për të maksimizuar ndikimin social në dobi të shoqërisë. Ai harton programe dhe mbështet financiarisht zbatimin e projekteve dhe iniciativave që japin ndikime të matshme dhe të qëndrueshme në jetën e shqiptarëve.
Programi “Connected for Good” i Fondacionit është kombinimi i bamirësisë dhe teknologjisë së Vodafone për të maksimizuar ndryshimin që i bën botës.
Fondacioni në Shqipëri synon të bëhet partneri kryesor në edukimin e TIK në vend në 10 vitet e ardhshme duke investuar në edukimin e të rinjve dhe grupeve të disavantazhuara dhe duke transformuar jetën e tyre, duke i pajisur me aftësitë dhe kapacitetet për të ardhmen.

Grant Thornton është një nga organizatat kryesore në botë që i ofron shërbimet e saj përmes shoqërive të pavarura të sigurimit, tatimore dhe këshillimore. Këto kompani ndihmojnë organizatat dinamike të nxjerrin në pah potencialin e tyre për zhvillim duke ofruar këshilla kuptimplote dhe praktike. Ekipet proaktive, të drejtuara nga partnerë të arritshëm në këto kompani, përdorin mprehtësinë, përvojën dhe instinktin e tyre për të kuptuar çështjet e ndërlikuara për klientët që operojnë në sektorin privat dhe publik. Ato gjithashtu i ndihmojnë këta të fundit për të gjetur zgjidhjet e duhura. Fokusi i më tepër se 42,000 punonjësve të “Grant Thornton”, në më shumë se 130 shtete, është të bëjnë një ndryshim për klientët, kolegët dhe komunitetet në të cilët ne jetojmë dhe punojmë.