Lamtumira e fundit për Vaçen

    467
    Sigal

    Amaneti i saj u vu në vend, Vaçe Zela prehet në Atdhe. Në mënyrë madhështore ashtu siç e meritonte ajo u përcoll me muzikë e karafila të bardhë, e mbuluar nga flamuri kuq e zi. Nën ritmet e këngës se Whitney Houston,“I will always love you”, trupi i saj mori rrugën drejt banesës së fundit. Personalitete të artit dhe të kulturës, deputetë dhe politikanë nderuan më fjalën e tyre këngëtaren që bëri epokë më këngën e saj në Shqipëri. Gjithçka është shoqëruar më këngën e Vaçe Zelës, me ato këngë me të cilat u rritën breza shqiptarësh sikundër do të vazhdojnë të dëgjohen ende. I gjithi ishte një homazh dhimbjeje, malli, dëshirë për ta patur gjithnjë me vete, gurgullimën e zërit të saj, një fenomen muzikor që vjen rrallë mbi tokë. Trupi i Vaçe Zelës pasi kaloi në tokën e Kosovës, mbërriti në Shqipëri, vendi, ku ajo donte të prehej përgjithmonë. Homazhet në nderim të Artistes së Madhe nisën në orën 10:00 në Teatrin e Operës dhe Baletit. Disa qindra qytetarët morën pjesë në homazhe, që nisën paraditen e së shtunës, ku buqetat me lule dhe fotografia e këngëtares së madhe kishte mbuluar ballinën e hollit të institucionit më të madh të muzikës në vend, aty ku ajo interpretoi këngët epokë të saj. Kryeministri Edi Rama me bashkëshorten e tij, Linda, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, deputete të Kuvendit të Shqipërisë, personalitete të botës së artit dhe të kulturës vendosën kurora me lule pranë fotos së mitit të këngës shqipe. Vaçe Zela ndërroi jetë dy ditë më parë pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Pranë këngëtares në çastet e fundme kanë qenë i shoqi, Pjetri dhe e bija, Irma. Prej vitesh ajo jetonte në Bazel të Zvicrës, ku prej pasionit që pati për lulet, fqinjët e thërrisnin, “zonja me gishtat jeshile”.

    Partizan Myftari/ Meditim i së dielës

    Përgjithësisht vdekjet njerëzore i përcjell me heshtje e pa komente. Patëm këto ditë shumë ikje njerëzore. Vdekje aksidentale dhe natyrale. Shndërrime jetësh në përgjakjet e rrugëve dhe tretje jetësh në shtratin e një dhome. Iku artistja Vaçe Zela, gjer tek krijesa katër muajshe në barkun e të resë Linditë, që nuk e pati fatin të sillte në jetë krijesën e saj. Ndoshta Lindita ia kishte zgjedhur dhe emrin për t’ia vendosur, kur ta sillte në jetë, por ai iku shumë, shumë shpejt… në një rrugë të Kukësit. E ndërkohë që ne jetojmë me trishtimin e vdekjes politikanët, të llojit Meta e Rama, mbushin gazetat “Telegraf” e “Tema” me nekrologjitë e tyre për ikjen e Vaçe Zelës.
    Janë imoralë e cinikë!
    Mund të gjesh me qindra arsye të interpretosh vdekjen, por ka mijëra arsye të tjera t’i japësh kuptim Jetës. Ka rrethana të padiskutueshme për glorifikimin e një vdekjeje, por ka me mijëra rrugë për t’i hapur shtigje Jetës Njerëzore. Edhe këtë radhë politika, me një lajthitje të prishur morali u mundua të shfaqej e virgjër në brekët e qelbura të mendimit të saj…
    Kërkuan t’i bënin homazh Vaçes, por i bënë homazh Vdekjes… Pse u kujtuan tani për Artisten?!
    Ata i bënë homazh moralit të tyre me një ceremoni egoiste të llojit të vet. Moralit të vdekur!
    Tashmë këta lloj politikanësh, vet politika në Shqipëri, vdekjen nuk e ka as sinonim, as metaforë, as hiperbolë. Vdekja jeton brenda tyre dhe voton për ata. Fatkeqësisht vdekja nuk mban shënime të rregullta në bllokun e saj. Folëm shumë për Atë. Ishte tragjikisht pranë nesh këto ditë dhe hipokritët e ndjen më tepër pranë Vaçe Zelës edhe pse në jetë njerëzish Ajo i ra dje Shqipërisë thuajse cep më cep. Por, ne kemi Jetën! Ata që nguten të shfaqen të mëdhenj në ceremonitë mortore janë njerëzit më të vegjël. Ne kemi jetën, ata kalbëzimin e tyre për së gjalli…. me një kufomë shpirti që lëviz në emër të Moralit tonë. Mëshirojini në ceremoninë e përditshme!
    Ceremoni jo vetëm e tyre!

    ….

    Gëzim Alpion/Mesazh Postmortem nga Vaçja për Edin

    Edi,
    Që kur ndërrova jetë kam vënë re disa herë keni aluduar se ndoshta do të kisha qenë më me fat të kisha lindur diku tjetër. Nuk e di se si e keni hallin ju liderët e mëdhenj të Shqipërisë së ‘parëndësishme’, po unë jam krenare që linda shqiptare. Jemi një komb i vjetër sa lashtësia, me një botë shpirtërore sa gjithësia, por të mallkuar të ç’qeverisemi akoma nga makutëria. Do të jetë mirë që shteti të përkujdesej për artistë si unë kur jemi gjallë. Edhe diçka tjetër. Nuk më erdhi mirë kur thatë sot se, ke pyetur veten se si do ta këndoja, sikur të isha më me fat, këngën “I will alwys love you”. Unë isha me fat që këndova në gjuhën time, Edi dhe qielli i Shqipërisë më mjafton. Më bëj një favor, të kam rixha dhe në seancën e parë të Kuvendit, kur të lodheni duke sharrë njëri-tjetrin, dëgjoni origjinalin shqip të Whitney Houston, “Malli për Mëmëdhenë”. Arti bën çudira…

     ….

    Ja çfarë na tregoi ish zv. drejtori i Sigurimit të Shtetit Shqiptar, Dervishi, në vitin 1967

     Baki Gjoligu/Si u ngrit në këmbë Rumania për Vaçe Zelën

      Në Janar 1967, në Rumani, u mbajt Festivali Ballkanik. Me rreth 40 vetë mori pjesë edhe Ansambli i RPSH-së. Meqenëse, rumunët, kishin pretendime se gjoja Vaçe Zela, ishte familje ‘Çobane’ nga Lushnja, ishte e tyre. Më thirri ministri, me porosi të shokut Enver Hoxha, do të shoqëroja Ansamblin në Rumani dhe do ta bija të saktë Vaçen në Atdhe. Mbërritëm në Bukuresht herët në mëngjes e në darkë direkt në shfaqje. Bënte ftohtë e bora po zbardhte vendin. Në shfaqjen tonë mori pjesë Presidenti Caushesku e shumë udhëheqës të tjerë.

    Duartrokitje pas çdo valleje e kënge të artistëve tanë. Kulmi ishte, kur në skenë doli Vaçe Zela, “Ylli i Rumanisë”, e quanin spikerët e sallës. E gjithë salla në këmbë, madje edhe vetë Caushesku. Dridhesha nga frika, mos ma merrnin!!!. Gjithë personeli i Ambasadës tonë në shërbim, ruanim nga do dilte Vaçja. E ku e linte publiku të dilte! E gjithë shfaqja e jonë ishte rreth 40 minuta dhe nga këto Vaçja mbi 30 minuta në skenë. Sukses i jashtëzakonshëm. Më në fund mbaroi e morëm direkt autobusin, i cili na priste i ndezur
    jashtë dere. Binte dëborë, mbuluar autobusi, po mijëra njerëz kishin bllokuar rrugët, madje edhe vetë policët, të cilët kërkonin që Vaçja të këndonte. Ç’të bënim!! Vaçja më thotë: “Ma lërë mua shoku Isa”. Populli, kishte prurë shkallë e megafon përmbi autobus. Ktheu nja tre-katër gota konjaku Korçe dhe u ngjit lartë e filloi të
    këndonte këngë rumune, ruse, spanjolle, italiane e shqiptare. Rreth dy orë e gjysmë këngë përmbi autobus. U mbush sheshi me mijëra njerëz. Me mirëkuptim, na lanë të iknim. Po ku do hanim bukë!!! Punonjësit e ambasadës na ndanë në dy pjesë e na çuan nëpër lokale të ndryshme. Unë pas Vaçes, futemi në një lokal me 200-250 vende, me orkestër. U deklaruam
    kush ishim, e bëmë porosi. Në fillim birra. Orkestra filloi duke kënduar këngë spanjolle. Mbas një gjysmë ore, më thotë Vaçja, do shkoj në tualet. E shoqëroi
    një punonjëse e ambasadës. U kthye, po nuk erdhi në tavolinë, por shkoi të orkestra
    e i mori kitarën një djali dhe filloi të këndonte këngën “Granata”. Dreq o punë. Salla u mbush plotë e filloi koncerti i tretë. Edhe të donim të dilnim, nuk kishim nga dilnim. I madhi Krajka rrëmbeu fizarmonikën e u bë nami. Çfarë mrekullie, çfarë ambienti, çfarë dashurie e popullit rumun për artistët tanë. Ishte njoftuar policia, po nuk qe nevoja. Afër mëngjesit, gjithçka shkoi në vend të vetë. E çova në ambasadë dhe pasi u shua nga gjumi i fola pak ashpër në prezencë edhe të ambasadorit. Qeshi, na puthi në faqe të dyve, e na tha: “Nuk kam unë faj, kam lindur për t’i kënduar popullit tim e të gjithë popujve të tjerë në botë”. Kjo është “Artistja e Popullit” Vaçe Zela, e përfundoi historinë shoku Isa Dervishi. E paharruar qoftë jeta dhe vepra e “Bilbilit të Adriatikut”, Vaçe Zela!