Kutia e ndihmës së shpejtë, biznes-pisnes… i shpejtë

    890
    Sigal

    Tregtarët, tellall: “Hajde kuti, trekëndësh, jelek, fikse zjarri… se të kapi policia”. Policët: “Do blesh këto që themi ne…, na kanë urdhëruar shefat”

    Gjithkujt i vijnë shumë ide biznesesh fitimi e përfitimi në mendje, por kur je pa pushtet personal e familjar, ose pa mbështetje politike e zyrtare nga ata që kanë në dorë “çelësat” e pushtetit, nuk i realizon dot këto ide, mbasi ose je me duar në xhepa e nuk të krediton askush, ose atje lartë, në mes e poshtë në pushtet, nuk të hap njeri “rrugën” për t’i konkretizuar. Kur ke pushtet, rruga është plotësisht e hapur, madje edhe duke përdorur forcën e shtetit familjar, fisnor, klanor, shoqëror e mafioz. Kështu ndodhi e po ndodh prej 10 ditësh me biznes-pisnesin e kutive të ndihmës së shpejt. Ky biznes-pisnes, dukshëm si një abuzim për përfitime, nuk mund trë konsiderohet si “aksion ligjor” i kutive të ndihmës së shpejt, por i fitimit të shpejtë. Nga investigimi ynë, konstatuam një seri skandalesh me futjen dhe pajisjen e mjeteve me këto kuti, trekëndësh, jelekë e fikse zjarri.

     Tregtarët, tellallët e rrugës: Hajde kuti, trekëndësh, jelekë, fikse zjarri… se të kapi polici

     Dje, ndërsa dilnim nga Tirana, në hyrje të Laprakës, dëgjonim këtë thirrje, që lëshohej si “sirenë” nga një shitës rruge i pjesëve të këmbimit: “Hajde kuti, trekëndësh, jelek, fikse, zjarri.. se të kapi policia”. Mbase konsiderohet humor, por në fakt është terrori dhe tmerri real policor që ndodh prej afro 15 ditësh nëpër rrugët e Shqipërisë, prej policisë rrugore dhe asaj të rendit. Shteti ka hedhur në rrugë policinë, sikur të jetë aksion ndërkombëtarë për kapje militantësh të “Isis”. Çfarë po ndodh? Një qeveritar ka menduar të bëjë biznes me kutitë e ndihmës së shpejtë, fikset e zjarrit, jelekët e trekëndëshat fosforeshentë, dhe ne emër të biznesit të tij ka angazhuar gjithë shtetin në realizmin sa më shpejt të tij. Dhe nuk është biznes i vogël, por një superfitim gjigand me përmbajtje dhe prapavijë abuzive. Katër pajisjet që duhen blerë prej drejtuesve të mjeteve, kanë dalë në treg me çmim kërkesë-ofertë private, sikur të jenë domate e tranguj. Kutia e ndihmës së shpejtë ditët e para të aksion-biznesit qeveritar kushtonte 1000 lekë të reja, pas presionit policor në rrugë dhe lojës me zhdukjen dhe shfaqjen e tyre në treg, çmimi shkoi 2000-2500 lekë të reja dhe mendohet, se do të rritet ky çmim. Trekëndëshi fosforeshent, aktualisht kushton 1000 lekë të reja, ose 200 lekë të reja më shumë se 10 ditë më parë. Ndërsa jeleku fosforeshent kushton 800 lekë të reja, nga 500 lekë të reja që ishte 10 ditë më parë. Po kështu, 1 fikse zjarri kushton 1200 lekë të reja, nga 800 që kushtonte 10 ditë më parë. Ai që komandon këtë biznes-pisnes të mbështetur nga shteti, po luan lojën e rritjes së çmimeve, duke shfrytëzuar presionin mbi drejtuesit e mjeteve. Dhe situata ka arritur deri aty, sa ata që i shesin në rrugë janë porositur të bëjnë edhe rolin e tellalit në shërbim të këtij biznesi, duke dalë anës rrugëve për të përhapur panikun e tmerrit që ka instaluar shteti: “Hajde kuti, trekëndësh, jelek, fikse zjarri… se të kapi policia”.

     Policia: “Do blini ato kuti që themi ne… na kanë urdhëruar shefat”

    Edhe pse shumë marka automjetesh janë të pajisura që prej fabrikës me kuti të ndihmës së shpejtë mjekësore, policia e urdhëruar detyron drejtuesit e mjeteve të blejnë kuti të ndihmës së shpejtë mjekësore. Refuzimi i drejtuesve të mjeteve që janë të pajisur me këtë kuti, nuk po “pi ujë” përballë policisë që po zbaton verbërisht urdhrin e dhënë nga shefat lartë në qeveri, ose më saktë nga “shefi” i këtij biznes-pisnesi, që duket se paska aq fuqi sa detyron edhe shtetin e pushtetin të zvarritet përballë urdhrit të tij, duke e përdorur atë deri anti-ligjërisht për të menaxhuar me dajak gjobash biznes-pisensin e kutive që ka futur në treg. Policia edhe pse e di dhe ka konstatuar, se afro 40% e mjeteve janë të pajisura që në fabrikë me kuti të ndihmës së shpejtë, fiksës zjarri, trekëndësh e jelek fosforeshent, diktojnë blerjen e atyre kutive, fikseve, jelekëve e trekëndëshve që u është urdhëruar me ato modele e çmime që janë hedhur në treg. Ata që nuk tregojnë kuti, trekëndësh, jelek e fikse zjarri të blera në pazarin e pushtet-familjes dhe sipas atij modeli që ka futur me dhunë në treg pushtet-familja, gjobitet, i hiqet patenta, i bllokohet makina, madje edhe kërcënohet e ndalohet nga policia. Policia thotë: “Do blesh atë kuti, trekëndësh, jelek e fikse zjarri që themi ne…”. Policë të frikësuar e të vënë në siklet, deklarojnë kështu: “Na kanë urdhëruar shefat, që të detyrojmë të blihet kuti, trekëndësh, jelek e fikse zjarri edhe pse shumica e makinave i kanë këto pajisje që nga fabrika! Madje, po policët, deklarojnë nën zë, se janë urdhëruar të detyrojnë drejtuesit e automjeteve, që të blejnë atë “tip” kutie, trekëndëshi, jeleku e fikse zjarri, që u kanë thënë shefat, duke ua treguar si “modele” në instruktimin e bërë përpara daljes në shërbim dhe që ua i kanë dhënë si “model” me vete për t’i verifikuar tek makinat”. Një tjetër polic, na deklaroi: “Na kanë urdhëruar, që aksioni i blerjes së kutive të ndihmës së shpejtë, të realizohet brenda datës 5 nëntor”.

     Kuti e ndihmës së shpejtë, apo biznes-pisnes me fitim të shpejtë?

     Ata që kanë pushtet, përveçse dinë ta “mjelin” pushtetin me paga të larta, luks shërbimesh qeveritare, tendera e ryshfete vulash e firmash që hedhin, shpikin edhe mënyra babëzie fitimi e përfitimi financiar, duke përdorur fuqinë e pushtetit që kanë. Pas kasave fiskale, që rezultoi një skandal i rëndë korruptiv qeveritarësh të të dy krahëve majtas e djathtas, së fundi u shpik biznes-pisnesi me kutitë e ndihmës së shpejtë, fiset e zjarrit, trekëndëshat e jelekët fosforeshentë nëpër makina. Nuk themi se nuk duhen, por jo me blerje me diktat modelesh tregu, që janë thjeshtë biznes fitimprurës i familjarëve të agallarëve të pushtetit. Nga bisedat e bëra këto ditë, drejtuesit e automjeteve e konsiderojnë skandal diktatin e shitje-blerjes së këtyre pajisjeve. Gjithkush që nuk e ka kuti, psh mund ta përgatisë personalisht atë e jo të blejë me dhunë atë që i dikton policia, dmth ata që urdhërojnë policinë të imponojë me dhunë gjobash, bllokim patentash e mjetesh. Gjoba e paracaktuar për mos respektimin e këtij biznesi familjaro-qeveritar është 5000 deri në 10.000 lekë të reja, ose aq sa kushtojnë aktualisht 3-5 deri kuti të ndihmës së shpejtë. Por ka edhe diçka tjetër. Përse duhet ta blej pajisjen psh., kutinë tek “dyqani” qeveritarëve, kur secili e përgatit vetë. Psh, një mjek, ose infermier, që di të mjekoj e kurojë, nuk ka pse të blej atë kuti që imponon policia, por përgatit vetë një të tillë. Problemi nuk ka lidhje me zbatimin e ligjit, por me një biznes të sajuar prej klanit të babëzitur qeveritar, për t’u pasuruar me çdo mjet, mënyrë, rrugë e metodë që u shkrep në mendje. Konkretisht, kështu po ndodh me kutitë e ndihmës së shpejtë, fikset dhe trekëndëshat e jelekët, shtija e të cilëve realisht është një fitim i shpejt. Fakti që aksioni nisi sikur nëpër rrugë, shoferë e makina kishte rënë “kolera”, tregon se ishte një aksion biznesi për të fituar sa më shpejt, pra për të shitur sa më shpejtë mallin e futur në treg, duke finalizuar një biznes me fitim të madh financiar. Sipas policëve që kanë dalë në rrugë me modele kutie, trekëndëshi, jeleku e fikse zjarri dhe blloqe gjobash në dorë, ky aksion është urdhëruar të përfundoj brenda 3 javëve, dmth brenda datës 5 nëntor 2014. Pra, brenda kësaj date, të 713 mijë mjetet motorike që ka vendi, nga veturat e deri tek traktorët, fadromat e dum-dumët, pse jo edhe karrocat me kuaj e biçikletat, duhet të blejnë këto pajisje. Bëni llogarinë se sa fitohet…

     Ja 10 skandalet me kutitë e ndihmës së shpejtë

    1.  Kutitë ndihmës së shpejtë janë futur nga importi, duke mos u kontrolluar në dogana për standardin e prodhimit dhe cilësisë së tyre.
    2.  Pajisjet e kutisë së ndihmës së shpejtë, përveç gërshërëve, janë me afat skadence përdorimi deri në qershor vitin 2003.
    3.  Këto kuti nuk kanë marrë certifikimin e sigurisë së përdorimit dhe higjienës, prej Ministrisë së Shëndetësisë.
    4.  Kutitë, sipas ligjit të pajisjeve dhe medikamenteve farmaceutike, nuk janë depozituar më parë në depot farmaceutike dhe nuk i janë nënshtruar asnjë kontrolli farmaceutik e nuk kanë asnjë leje, për t’u hedhur në përdorim.
    5.  Kutitë, sipas ligjit shëndetësor të vendeve të BE dhe Shqipërisë, duhen shpërndarë vetëm prej “Kryqit të Kuq”, shoqëruar me një instruktim për drejtuesit e mjeteve.

    6. Këto kuti janë future në Shqipëri, pa taksë zhdoganimi, duke u trajtuar si “pajisje shëndetësore”, me klasifikimin “Emergjenca shëndetësore në kujdesin shtetëror”.

    1.  Sipas ligjit, pajisjet që kanë destinacion shërbimesh publik dhe që urdhërohen prej shtetit, nuk duhen tregtuar ne pak shitje tregu e rrugë si “mallra”, por si pajisje me çmim të fiksuar si psh., çmimi pasaportës, kartës së identitetit, patentës, siguracionit, kolaudimit…
    2.  Firma që ka ofruar kutitë e ndihmës së shpejtë, nuk është e specializuar dhe e licencuar për pajisje të tilla, nëse po, cila është kjo firmë?

    9. Kutitë janë hedhur në tregun shqiptar pa patur vitin e prodhimit dhe markën prodhuese e vendin e origjinës.

    1.  Kutitë e ndihmës së shpejtë, prej 10 vitesh kanë dalë nga përdorimi në vendet e BE me standard të BE.

     Përparim HALILI