Kryepiskopi Anastas shpallet “Doktor Nderi” i Universitetit Fordham në SHBA

    396
    Sigal

    Universiteti amerikan Fordham i Nju Jorkut, në SHBA, shpalli dje “Doktor Honoris Causa” Kryepiskopin e Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasin. Ceremonia zyrtare e dorëzimit të titullit “Doktor Nderi” u mbajt pasdite, në kampusin universitar “Rose Hill”, afër kopshtit botanik të këtij metropoli. Gjatë ceremonisë së dhënies së titullit Fortlumturia e Tij mbajti edhe fjalën me temë: “Duke përhapur Ungjillin në një vend multifetar. Meditime teologjike për fetë e tjera”. Kryepiskopi Anastas u shoqërua nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani. Ne ceremoni morën pjesë edhe dy episkopët shqiptarë të Amerikës, Hirësia e Tij Nikoni (Liolin) dhe Hirësia e Tij Ilia (Ketri), si dhe mjaft besimtarë ortodoksë shqiptarë me banim në SHBA. Universiteti Fordham, u themelua në vitin 1841 nga Kryepiskopi i Nju Jorkut, Rev. John Hughes, në zonën me po të njëjtin emër të qytetit dhe ka qenë Universiteti i parë romano-katolik në bregun verilindor të SHBA. Universiteti ndoqi traditën arsimore të jezuitëve, që ishte zhvilluar në Evropë në shekullin XVI dhe u kthye në një qendër të rëndësishme të arsimit të lartë, e specializuar në Shkencat Humanitare (Teologji, Filozofi, Histori, Sociologji, Pedagogji). Ky universitet sot tërheq studentë nga mbarë bota dhe vlerësohet lart në mes të universiteteve të tjera amerikane. Përveç këtij titulli, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, është Profesor Emeritus i historisë së feve në Universitetin e Athinës dhe Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës. Deri më sot ka marrë tituj të ngjashëm nderi të Shkencave Humanitare (në Teologji dhe Filozofi) nga 17 universitete në shumë vende të botës: Greqi, SHBA, Rumani, Qipro, Gjeorgji, Shqipëri, Itali.

     

    Protestuesit dhe përfaqësuesit e Kryepeshkopit Janullatos takohen në Nju Jork

    Të hënën në mbrëmje, u bë një takim në zyrën e ansambelistit të shtetit të Nju Jorkut z. Mark Gjonaj me përfaqësuesit e Kryepeshkopit Janullatos, ku u prezantuan disa nga shqetësimet e komunitetit shqiptar dhe protesta e tyre. Bishop Nikoni bëri një ekspoze të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe punët e lavdëruese që ka bërë Kryepeshkopi Janullatos në ngritjen e Kishës ortodokse shqiptare, e cila duhet thënë se ishte e rrënuar. Ai tha se e shihte të pavend protestën që bëjnë shqiptarët e Amerikës dhe kërkoi të dinte arsyet pse po ndodhin. Ai këshilloi që protestuesit të hiqnin dorë sepse protesta po bëhet në kohë të papërshtatshme dhe në vend të gabuar. Presidenti i Shoqatës Rinore “Rrënjët Shqiptare”, Marko Kepi, parashtroi shqetësimet që i kanë detyruar disa nga organizatat që t’i bashkohen kësaj proteste. Ai tha se Fortulumturia e tij erdhi si ekzark për organizimin e Kishës Ortodokse jo për të qëndruar përjetësisht në fronin e kryepeshkopit, ndërkohë që Statuti i kishës Autoqefale të Shqipërisë e kërkon të parin e Kishës me nënshtetësi, gjuhë e Kombësi shqiptare. Po ashtu ai ngriti problemin e ndryshimit të arkitekturës së Kishave të ndërtuara nën drejtimin e Kryepeshkopit, krejtësisht me stilin e kishave greke, kritikoi qëndrimin e Hirësisë për kundërshtimin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, për mospërkrahjen e popullsisë çame dhe refuzimin e Lutjes për viktimat, nuk njeh gjenocidin grek mbi Çamërinë etj.. Nënkryetari i Vatrës, Asllan Bushati, tha se Vatra e mbështet protestën. Pasi vlerësoi kontributin e Kishës Ortodokse, krahas besimeve të tjera, ai shfaqi rezerva për qëndrimin e Fortlumturisë së Tij në krye të Kishës Autoqefale. Kur statuti e kërkon prerazi se në krye duhet të jetë një Kryepeshkop me gjuhë, nënshtetësi e Kombësi shqiptare, ai duhej të kishte kryer misionin që mori përsipër në ringritjen e kishës dhe të shkonte. Edhe mënyra se si e mori e fronin me kundërshtime gjatë ceremonisë, ishte një arsye që ai nuk duhej të bëhej Krypeshkop, përderisa kishte zëra kundërshtues. Hirësia e Tij ka bërë pak për  përgatitjen e kuadrit drejtues të Kishës. Janë 22 vjet dhe Kisha Ortodokse mban sërish në krye një njeri që nuk është me Kombësi shqiptare. Ai erdhi nga Kisha Greke, ku kisha dhe shteti janë bashkë, ndërsa në Shqipëri jo. Përderisa ka mospajtime të Kishës Greke me atë shqiptare dhe e djeshmja e tyre ka qenë një luftë e ashpër, në fronin e Kishës shqiptare duhej të ishte një shqiptar. Nuk pati kohë Hirësia të përgatiste një pasues shqiptar? Ishte ironike e tallëse përgjigja e tij për përkohshmërinë e Misionit: Ne të gjithë jemi të përkohshëm në këtë Botë! Vatra nuk mund të pajtohet me faktin e injorimit të Ikonës së Kishës Autoqefale ortodokse Shqiptare, Imzot Fan S. Noli.

    Nga Dalip GRECA