Konflikti i interesit në tenderë, APP: Institucionet kanë shkelur rregullat, ja si duhet të veprojnë

365

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) u ka bërë thirrje autoriteteve kontraktore që të respektojnë rregullat që lidhen me tenderët dhe rastet e konfliktit të interesit. Në një dokument të bërë publik nga ky institucion, autoriteteve u tërhiqet vëmendja për shkak se janë vërejtur raste kur nuk janë respektuar rregullat si dhe kujton situatat që duhet të mbahen në konsideratë për të shmangur këtë problem. Ajo sjell në vëmendje ligjin për prokurimin publik dhe në udhëzim “Mbi Deklarimin e Konfliktit të Interesit nga Zyrtarët e Prokurimit” të cilat duhet të mbahen parasysh në çdo rast.“Ne zbatim  të këtij  Udhëzimi,  me  qëllim  shmangien  e konfliktit  të  interesave  në procesin   e prokurimit,   autoritetet   kontraktore  janë  udhëzuar   të  mbajnë  parasysh   kërkesat   ligjore  për parandalimin   e konfliktit  të  interesit,   kërkesa  këto  që parashikon  neni  21  i Ligjit  Nr.  9367. datë  07.04.2005   ‘Për  parandalimin  e  konfliktit  të  interesave  në  ushtrimin  e  funksioneve publike”,    i  ndryshuar,   por  edhe  neni  56  dhe  64  i VKM  Nr.  914,  datë  29.12.2014 “Për miratimin  e rregullave  të prokurimit  publik”  i ndryshuar. Gjatë  ushtrimit  të  detyrave  të  saj, APP  ka  konstatuar   problematika  në  zbatimin  e  këtij Udhëzimi  nga  autoritetet   kontraktore.” Vlerëson Agjencia. Lidhur me këtë ajo u ka kërkuar institucioneve që të marrin në konsideratë dy situata gjatë zhvillimit të një procedure prokurimi konkretisht përpara emërtimit të zyrtarëve të prokurimit dhe më pas nga komisioni i vlerësimit të ofertave në momentin e hapjes së ofertave. Kështu parandalimi  i  konfliktit  të  interesit  duhet të mbahet në konsideratë në 2 (dy)  situata  gjatë zhvillimit  të një procedure  prokurimi  konkretisht,  përpara  emërimit  të zyrtareve  të prokurimit dhe më pas, nga komisioni  i vlerësimit  të ofertave,  në momentin  e hapjes së ofertave.

Së pari përpara emërimit të zyrtarëve të prokurimit në cilësinë: person përgjegjës për prokurimin anëtar në njësinë e prokurimit, anëtar në grupin e punës për përllogaritjen e fondit limit/hartimin e specifikimeve teknike anëtar në komisionin e prokurimit  këto  të fundit  duhet  të nënshkruajnë një  deklaratë,  përmes së cilës  ato duhet të vetë-deklarojnë  nëse  ndodhen ose jo  në  kushtet e konfliktit  të interesit,  sipas  parashikimeve të  nenit  21   te  Ligjit   Nr.9367,   datë   07.04.2005    “Për  parandalimin e konfliktit  të  interesave në ushtrimin e funksioneve publike”,  i  ndryshuar.

Së dyti zyrtarët e përfshirë në procesin e vlerësimit të ofertave pra anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave në momentin e hapjes së ofertave janë të detyruar të bëjnë një vetë-deklarim nëpërmjet nënshkrimit të një deklarata ku ata duhet të deklarojnë se nuk ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit me ofertuesit pjesëmarrës. Në rastet kur konstatohet konflikt interesi në një procedurë APP sqaron se duhet të ndiqen hapat e përshkruar në udhëzim me qëllim që titullari i autoritetit kontraktor ose zyrtari i autorizuar prej tij ta marrë në konsideratë këtë fakt gjatë emërimit të zyrtarit të prokurimit ose anëtarit të komisionit të vlerësimit të ofertave të merren masa për zëvendësimin e tij dhe më pas të vijohet me procesin e prokurimit.