Kolonel Zyhdi Kroj/ Qeveria po mashtron ushtarakët, të mbajë premtimin për Statusin

    456
    Sigal

     Edi Rama, me VKM, t’u rikthej ushtarakëve Spitalin Ushtarak dhe Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë

    Në gazetën “Telegraf” të datës 23 prill 2014 u botua letra e një grupi ushtarakësh, banues në Njësinë Bashkiake nr. 5, drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeparlamentarit Ilir Meta me titull: “Zgjidhni problemet tona, ndalni diferencimin mes shtetasve me uniformë”. Duke u solidarizuar dhe mbështetur kërkesat e tyre, problemet e paraqitura dëshiroj t’i jap nga një tjetër këndvështrim.

    Së pari, ushtarakët (aktivë e të liruar) kanë trashëguar probleme nga tranzicioni i tej zgjatur e indiferentizmi i strukturave shtetërore dhe, sidomos, mungesa e vullnetit politik të atyre që kanë drejtuar e drejtojnë shtetin, i ka përplasur me shumë të panjohura, e më shqetësuesja ka qenë ajo e pensioneve.

    Nëse në vitin 1991 u hartua i pari “status” ushtaraku, ai mbeti në letër, sepse nuk u shoqërua me aktet e nevojshme për zbatim. Edhe Ligji 8087 i marsit 1996 “Për të drejtën e pensioneve të parakohshme dhe suplementar”, nëpërmjet termit “vjetërsi me status” u mohoi të gjithë ushtarakëve të liruar, për nevoja të reformës, të drejtën e pensionit të parakohshëm që u njihte Ligji i Pensioneve i vitit 1976. Këtu filloi kalvari i diskriminimit ekonomik të ushtarakëve. Edhe ligjet e miratuara më vonë si ai 8521 i korrikut 1999, 9210 (statusi i ri) i marsit 2004, 9418 i majit 2005, 9481 i shkurtit 2006, 1014 i muajit maj 2009 dhe kapakun e mbylli i famshmi Akti Normativ i dhjetorit 2010. Në këtë mënyrë u krijua një amulli ligjore, përplasje, njohje e mohim të drejtash etj. Kokëfortësia e qeverisë u shfaq edhe në moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 9 i shkurtit 2007 i paditur e i fituar nga Shoqata Kombëtare e URSH-it.

    Së dyti, në letrën e grupit të ushtarakëve me të drejtë kërkohet që të mos bëhen diferencime mes shtetasve me uniformë, duke e argumentuar këtë me ligjin e ri të pensioneve të policisë, i cili vlerësohet si cilësor e kjo ka ndodhur për faktin se Ministri Tahiri ka afruar si këshilltarë një grup drejtuesish policie, por edhe ka përfshirë në hartimin e tij edhe përfaqësuesit e grupit të interesit. Por unë gjykoj se pas rritjes ë pagave të policisë e ligjit të ri të pensioneve fshihen interesa që lidhen me mbajtjen e pushtetit duke e konsideruar policinë instrument (mjet) për të manipuluar rezultatet e zgjedhjeve, ndërsa ndaj ushtarakëve mungon interesi dhe kujdesi i duhur, sepse nuk mund të përdoren për misione të tilla.

    Së treti, në letrën në fjalë, ushtarakët me të drejtë i kërkojnë Ramës e Metës të reagojnë e mbajnë premtimet e bëra në fushatë për të mos i lënë vend zhgënjimit e bashkimin e zërit të protestave me korin e sharjeve e shpifjeve absurde të opozitës. E përmend edhe unë këtë fakt, sepse nga grupe ushtarakësh të liruar kërkohet dhe insistohet për të ashpërsuar qëndrimet ndaj kastës socialiste dhe lëvizjes socialiste për integrim për neglizhencë, vonesë dhe hezitim për të vazhduar rrugën e reformave. Mendoj se po abuzohet me nevojën e konsensusit që kërkon opozita apo e rekomandojnë ndërkombëtarët në vend që të qeveriset me vota siç ndodh në çdo qeveri.

    Së treti, për problemet që kanë ushtarakët e liruara shoqata kombëtare e URSH në datën 14 mars 2014 i ka dërguar një letër ministres së mbrojtjes zonjës Kodheli, por deri më sot nuk ka asnjë reagim. Si dashamirës dhe mbështetës të zonjës Kodheli me modesti e këshilloj të përzgjedhë me kujdes stafin e ngushtë pasi dyshoj se nuk ia përcollën informacionin që vjen nga poshtë dhe si model të marrë atë të kolegut të vet Sajmir Tahiri. Unë insistoj që urgjentisht të ndërpritet e faktet e aktit normativ, tu kthehen lekët e mbajtura, gjoja si debitorë, të rishikojë grupe të veçanta ushtarakësh që pavarësisht funksioneve, pagave e kontributeve morën pensione minimale. Është e papranueshme që një nënoficer apo oficer i rangut të ulët të marrë pension pleqërie 50 % më shumë se koloneli, komandanti i divizionit, i brigadës etj, vetëm se është liruar disa vite më vonë.

    Së katërti, zvarritja dhe mos zgjidhja e kërkesave të ushtarakëve ka ardhur dhe për fajin e vetë komunitetit të ushtarakëve. Të përçarë e të ndarë në disa shoqata, ata nuk kanë kuptuar se të tillë i ka pasur më lehtë t’i përpunojnë partitë politike e që votat e tyre i kanë përdorur për të ngrohur kolltukët, trashur barkun dhe shumëfishuar të ardhurat.

    Ndoshta është momenti që shoqatat e ushtarakëve të grupohen në një union duke krijuar një këshill apo bord për të evidentuar problemet, të përcaktojnë prioritete e të koordinojnë veprimtaritë e tyre. Le të jetë ky hapi i parë për t’u shoqëruar më vonë edhe me zgjidhje politike. E kam fjalën që ushtarakët ta ndajnë mendjen se për cilën do e hedhin votën e tyre e të familjeve, të kuptojnë qartë se vota është e vetmja “armë” që mund e duhet të përdoret për të normalizuar jetesën e vet. Të përcaktohet subjekti politik që duhet mbështetur por vetëm pasi të nënshkruhet marrëveshja me të.

    Së fundi, në listën e kërkesave të ushtarakëve do të theksoj nevojën e kthimit të menjëhershëm të SHQUP-it dhe të Spitalit ushtarak. Zonja Kodheli dhe gjeneral Jeromim Bazo flasin për standarde e me të drejtë krenohen që janë pjesë e NATO-s. Shkoni te fqinji ynë Maqedonia, në qendër është ndërtesa më e bukur si shtëpi oficerësh. Shkoni në Greqi e Turqi, ku spitalet ushtarake janë të ndarë sipas llojit të Forcave të Armatosura. Urgjentisht me një VKM rimerrni Spitalin Ushtarak, mbani aq objekte sa u duhen për shërbimet kryesore ndaj ushtarakëve përfshi edhe neve të liruarave, sepse këtë të drejtë na e jep ligji për statusin e ushtarakut.

     *President nderi i SHKURSH-it