Kol Nikollaj: Kompanisë ACR i ka mbaruar afati, do fillojnë grevat masive në shtator

    441
    Sigal

    INTERVISTA/Presidenti i Sindikatave Shqiptare Kol Nikollaj, flet për zhvillimin e grevave.

     

    Presidenti i Sindikatave Shqiptare, Kol Nikollaj, në një intervistë për “Telegraf”, ka zbuluar se afati i kompanisë ACR ka mbaruar që në fillim të muajit qershor. Sipas tij, investimi që ka bërë ajo nuk ka vlerë pasi është jashtë afatit ligjor. Zoti Nikollaj ka bërë të ditur se, situata është mjaft e rëndë në minierat e Bulqizës dhe se së shpejti do të fillojnë protestat.

    -Zoti Nikollaj, kompania ACR ka investuar 15 milionë dollarë në minierat e Bulqizës. Si e cilësoni këtë investim a do besoni se do të ndikojë pozitivisht?

    Normalisht ne nuk jemi të informuar shumë në lidhje me këtë investim, me përjashtim të medias. Por e vërteta është se ACR-së i kanë kaluar të gjitha afatet me përjashtim të këtij investimi. Afatet e vendosura nga parlamenti kanë tre vjet që kanë kaluar, ndërsa afatet e vendosura nga qeveria Berisha, i kanë kaluar po bëjnë që në qershor. Në qershor ACR-ja i ka humbur të gjitha të drejtat ligjore për të ushtruar aktivitet.

    -Ju thoni që afatet kësaj kompanie i kanë mbaruar që në qershor, mund të na thoni më saktësisht se në çfarë date kanë mbaruar afatet?

    Po afatet kanë ligjore të kontraktuara me shtetin shqiptar i kanë mbaruar që në fillim të qershorit, me saktësi nuk mund të them datën, por i kanë mbaruar në datë 1 ose 3 qershor. Afati është i përfunduar, por siç duket qeveria e ka mbështetur për interesa të tijat, nuk e di.

    -Ju keni deklaruar se do të vazhdojnë protestat masive në shtator, a do të ndikojë investimi i ACR-së për mosfillimin e protestave?

    Po, besoj që po, por ne së pari ne kemi problemin e zonës D. Ne po presim, kemi disa kërkesa që ja kemi dërguar qeverisë dhe po presim që të marrim përgjigje dhe pastaj do të vendosim për fillimin e protestave. Problemi thelbësor është që asaj kompanie i ka mbaruar marrëveshja.

    -Mund të na thoni më konkretisht se cilat janë disa që ju keni kërkuar ngritjen e Task-Forcës?

    Gjithçka duhet të fillojë nga fillimi dhe duhet të fillojë në binarë të plotë ligjore. Kjo do të thotë që të rregullohet gjithë vendburimi me koordinata të plota dhe me harta ekzakte. Duke filluar nga koordinata e origjinës. Pasi të bëhet ky studim duhet Task-Forcë, për rivlerësim licencash dhe marrëveshjesh  koncensionare  në  minierat e Bulqizës. Ne i kërkojmë dhe njëherë Qeverisë dhe Parlamentit Shqiptar ngritjen në mënyrë urgjente të një Task-Force për të riparë të gjitha licencat dhe kontratat koncensionare dhe për t’i sistemuar ato në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar. Më mirë të kemi një fund, qoftë dhe i tmerrshëm sesa një tmerr pa fund, ku çdo ditë jo vetëm gllabëron ekonominë kombëtare por po merr dhe me dhjetëra jetë njerëzish të pafajshëm. Vetëm rishikimi tërësor nga kjo Task-Forcë i projekteve të kërkimit dhe të shfrytëzimit sipas standardeve teknike, ekonomike dhe ligjore si dhe rishikimi dhe rivendosja në standarde ligjore dhe në afate kohore të mjaftueshme i marrëveshjeve koncensionare do të ishte e vetmja rrugë si fillim i mbarë për të zgjidhur problemet e Bulqizës. Në këto miniera fatkeqësisht çdo ditë, jo vetëm që po krijohet një dëm i madh ekonomiko-financiar për ekonominë kombëtare por po humben në mënyrë të vazhduar jetë njerëzish.

    -A keni bërë kërkesa për marrjen e masave në këto miniera dhe çfarë ju kanë thënë?

    -Me gjithë kërkesat tona të herëpashershme situata jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por është agravuar më tej duke dalë jashtë kontrollit. Në këto objekte punohet në kundërshtim të plotë me të gjitha rregullat dhe standardet e Sigurisë dhe të Shëndetit në Punë. Të gjitha strukturat shtetërore si  Ministria Ekonomisë dhe Energjetikës dhe agjencitë ligj-zbatuese në varësi të saj tregojnë qartë që janë të korruptuara në mënyrë të skajshme dhe kanë konflikte të pastra interesi duke kryer një “organizim të organizuar” të industrisë Minerale sidomos në sektorin koncensionar. Në objektet e Bulqizës në vite me radhë Ministria e Ekonomisë, RISHM-i, AKPN-ja dhe kompania koncensionare ACR në bashkëpunim me subjekte private, të cilat kanë suporte dhe influenca politike kanë falsifikuar të gjithë dokumentacionin dhe projektet e origjinës së vendburimit duke deformuar koordinatat, duke falsifikuar rezervat minerale dhe duke prishur në mënyrë të pariparueshme të gjithë sistemin e  shfrytëzimit të vendburimit.

    -A janë zbatuar rregullat në punë dhe ku janë shkeljet sipas jush?

    -Me letra ndodhen 3 galeri me nr 48 në zonën D. Në këto miniera punohet në kundërshtim me çdo rregullore dhe standarde  të përdorimit të lëndëve eksplozive. Dinamiti, pajisjet donatore dhe eksplozivet e tjera trajtohen në mënyrë krejt anti- ligjore dhe janë prezent kudo nëpër frontet e punës, nëpër gardëroba punonjësish, nëpër bagazhe makinash etj.. Në të gjithë rajonin mungon sistemi i kontrollit dhe i raportimit për sigurinë dhe shëndetin në punë. Nuk funksionon asnjë ambient shërbimi për punëtorët qoftë social, për trajtim ushqimor dhe higjenik qoftë dhe shëndetësor për urgjenca, ndihmë të shpejtë leje pastaj për vizita periodike apo mjekun e ndërmarrjes, të cilat pavarësisht detyrimit ligjor askush nuk i plotëson. Punëtorët kanë vetëm një të drejtë: Për të punuar si skllevër. Ata askush si dëgjon pavarësisht se çdo ditë bëjnë greva dhe protesta. Askush si ndihmon, pavarësisht se çdo ditë humbin jetë në minierë të drejta të tjera kanë kaluar të drejta ekskluzive për politikanët dhe qeveritarët e çdo rangu, ku të gjithë kanë kapur nga një galeri dhe po e shkatërrojnë përfundimisht dhe në mënyrë të pariparueshme dhe të pakthyeshme këtë vendburim kolos kromi, që vendi ynë e pati fat nga zoti.