KLSH kallëzon në prokurori ish-drejtorin e urbanistikës, dhe ish-drejtues të bashkisë Sarandë

    418
    Sigal

    Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit me nr. Prot. 941/2, datë 31.08.2012, ka ushtruar auditim në Bashkinë Sarandë nga i cili janë konstatuar për periudhën objekt auditimi 2006-2011 një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore dhe dëm ekonomik si më poshtë:

    – KRRT i Bashkisë Sarandë, brenda vijës kufizuese të qendrës së qytetit ka dhënë 129 leje ndërtimi, veprime këto në kundërshtim me vendimin e KRRTRSH nr. 3, datë 21.08.2002 “Për dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrat e qyteteve”, pika 2, që citon׃ “Sheshet dhe lejet e ndërtimit, për objektet që propozohen brenda zonës së qendrave të qyteteve për Bashkinë e Tiranës dhe bashkitë e kategorisë së parë (sipas nenit 15 të ligjit nr. 8405, datë 17,09,1998 “Për Urbanistikën”), të shqyrtohen vetëm pas miratimit përfundimtar në KRRTRSH të studimeve të reja për këto qendra, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi”.

    – Në 38 raste për periudhën në auditim janë konstatuar një sërë shkeljesh në lidhje me studimet urbanistike të miratuar nga KRRTSH dhe me studimet e tjera urbanistike në fuqi, në kundërshtim me ligjin nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën” i ndryshuar, dhe me VKM nr. 722, datë 19.11.1998.

    – Bazuar në auditimin me zgjedhje të rasteve të mësipërme, për 17 raste të vitit 2011, rezulton të jenë kryer një sërë veprimesh të kundraligjshme me çmimin faktik të pagesës të cilat duhej të arkëtoheshin nga Bashkia Sarandë dhe të kanalizoheshin në llogaritë përkatëse që përdoren për kompensimin e ish pronarëve, veprime këto në kundërshtim me VKM nr. 1620, datë 26.11.2008, të cilat kanë shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 117, 878, 000 lekë.

    – Drejtuesit e Bashkisë Sarandë, gjatë viteve 2006-2011 kanë kryer një sërë shitje trojesh duke u bazuar në vendime të kundërligjshme të Këshillit Bashkiak dhe kanë hartuar në bazë të këtyre kontratave aktvlerësime për çmimin e trojeve të nënshkruara nga Drejtori i Urbanistikës Ligjore dhe Drejtori i Urbanistikës, për 483 persona në shumën e përgjithshme prej 87,970,832 lekë.

    – Në kundërshtim me nenin 1,2, 12 dhe 56 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007, i ndryshuar, nuk janë zbatuar procedurat ligjore në lidhje me prokurimet publike të zhvilluara për 8 tendera, duke shkaktuar dëm ekonomik në buxhetin e bashkisë në vlerën prej 6,407,467 lekë. Për konsumimin e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH ka iniciuar kallëzim penal për:

     – P.G. në cilësinë e ish-Drejtorit të Drejtorisë së Urbanistikës dhe njëkohësisht të ish-Sekretarit të KRT-së;

    – H. Gj. në cilësinë e ish-Kryeinspektorit të Inspektoratit të Ndërtimit Urbanistik Vendor dhe Anëtarit të KRRT-së,

    –  R. P. në cilësinë e ish-Drejtorit të Urbanistikës Ligjore,

    –  O. B. në cilësinë e ish-Drejtorit të Drejtorisë Ekonomike,

    –  F. L. në cilësinë e ish-juristit të Drejtorisë së Urbanistikës; dhe

    – E. K. në cilësinë e ish-juristit të Drejtorisë së Urbanistikës,

    ndërsa për konsumimin e figurës së veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, KLSH ka iniciuar kallëzim penal për:

    – R. M. në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO),

    – A. K. në cilësinë e Anëtarit të KVO-së,

    – Ll. D. në cilësinë e Anëtarit të KVO-së, dhe

    – O. B. në cilësinë e Anëtarit të KVO-së.