Klosi: Në Shqipëri kontraste të forta, gra të pavarura dhe të dhunuara

    382
    Është zhvilluar në Tiranë konferenca kombëtare kundër dhunës ndaj grave dhe barazisë gjinore.
    Në këtë konferencë, Ministri i Mirëqënies Sociale e Rinisë, Blendi Klosi ka theksuar domosdoshmërinë e barazisë gjinore si dhe intensifikimit të luftës kundër dhunës ndaj grave, pasi përmes saj është e kërcënuar jo vetëm gruaja, por edhe gjithë shoqëria.
    Ai evidentoi faktin se shoqëria shqiptare ofron kontraste të forta, ku nga njëra anë kemi gra me më shumë liri në vendimmarrje dhe në jetën ekonomike e sociale të vendit, dhe nga ana tjetër kemi më shumë gra të dhunuara dhe viktima të dhunës.
    “Edhe pse ka plot 25 vjet që jetojmë në hapësira shumë më shumë demokratike, në Shqipërinë moderne ka më shumë liri, por njëkohësisht ka dhe më shumë dhimbje. Ka kontraste të forta. Ka shumë më shumë gra të lira, të pavarura, por ka dhe viktima të dhunës në familje apo dhunës në rrugë. Askush nuk guxon publikisht të nëpërkëmbë një grua, por brenda mureve të mbyllura të shtëpive shumëkush është shpesh robinjë e fatit të “lig” të të lindurit grua. Fatkeqësisht, kemi akoma viktima edhe aty ku gjithkush duhet të ishte më i sigurt se kudo tjetër, në shtëpi, në familje. Kanë shkaktuar viktima ata që duhet të ishin mbrojtësit e tyre. Ka qëlluar babai vajzën, burri gruan apo vëllai motrën”, tha ministri Klosi.
    Klosi ka shtuar se lufta ndaj këtij fenomeni nuk do jetë kurrë e suksesshme në rast se do ketë vetëm angazhim të strukturave përkatëse të rendit, pasi sipas tij, kjo është një detyrë e gjithë shoqërisë.
    Klosi nuk la pa përmendur edhe faktin se dikasteri që drejton ka vendosur disa prioritete në këtë drejtim dhe ato kanë të bëjnë me fuqizimin ekonomik dhe social të grave dhe vajzave; mirëqenien sociale, pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë. 
    Sigal