Klosi: Ja si mund të punësohen azilkërkuesit shqiptarë

    374
    Gjermania thjeshton procedurat e punësimit për azilkërkuesit shqiptarë. Një ligj i miratuar në datën 24 tetor të këtij viti, parashikon që të gjithë azilkërkuesit shqiptarë, të cilët kanë tërhequr kërkesat për azil dhe janë kthyer në Shqipëri vullnetarisht përpara datës 25 tetor të këtij viti, do të kenë një shans të dytë, jo për azil, por për të përfituar një vend pune në bazë të 3 kritereve.
    Lajmin e dha ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, gjatë një seance dëgjimore për azilkërkuesit në komisionin parlamentar për politikën e jashtme.
    Për azilkërkuesit e kthyer vullnetarisht sipas parashikimeve që jep ligji, kërkesat për të përfituar një vend pune në Gjermani janë sigurimi i një kontrate pune dhe marrja e një aprovimi nga zyra e punës në shtetin gjerman. “Që nga data 24 tetor 2015, është miratuar ligji i emigrimit të ligjshëm për vendet e Ballkanit në Gjermani.
    Sipas të cilit nga data 1 Janar i vitit 2016, shqiptarët do të kenë shumë më tepër mundësi që të punësohen në Gjermami duke thjeshtuar me disa herë procedurat, por duke pasur vetëm 3 kritere të mundshme për tu realizuar. Ministria e Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me qeverinë gjermane do të ndihmojnë çdo qytetar shqiptarë që të përfitojë një mundësi punësimi në Gjermani.
    Nga janari i vitit të ardhshëm përfitojnë nga ky ligj shtetasit që dëshirojnë të emigrojnë për punësim në Gjermani, që kanë aplikuar për azil në Gjermani, por që janë kthyer vullnetarisht nga ky vend, kanë aplikuar për azil dhe kanë tërhequr aplikimin dhe janë kthyer nga Gjermania përpara datës 25 Tetor 2015.
    Pra, është një ligj që thjeshton shumë procedurat, por kërkon të kesh një kualifikim të nevojshëm minimal për punën që kërkon, të kesh një kontratë pune si dhe të marrësh një aprovim nga zyra e punës në Gjermani”, u shpreh Klosi.
    Sipas këtij ligji, janë hequr problematikat e vështira për tu realizuar dhe kësisoj nga viti i ardhshëm, personat e lartpërmendur, do të kenë një mundësi të mirë për tu punësuar në Gjermani. 
    Sigal