Klodiana Manaj, një doktore shkencash me temën e Çamërisë

    522
    Sigal

    Çamëria si interes i studimeve për doktoraturat në Europë

     Të shkruash për çështjen kombëtare dhe veçanërisht për atë çame, tashmë është kthyer në një interesim studimesh universitare dhe diplomimesh në doktoraturat që bëjnë studentët shqiptarë në universitetet euroipiane. Aq e vërtetë është kjo sa nga bashkëpunimi që kam pasur me dhjetëra prej tyre, më kanë pohuar se kjo temë që është e paeksploruar në këndvështrimin e interesave europiane, ka fituar një vëmendje të madhe dhe ka fituar terren si në universitetet italiane, po aq sa edhe në ato franceze, gjermane, angleze, rumune, çeke, polake e deri amerikane.

    Për shkak të këtij interesimi, jam gjendur përherë në kushtet e një angazhimi maksimal për t’i ndihmuar dhe ushqyer me materiale të shumta arkivore dhe historike që ata të përfaqësohen sa më denjësisht në studimet e tyre. Thellësia e studimeve të tyre ka gjetur edhe shtrat në arshivat e vendeve, ku këta studentë shqiptarë janë në universitetet e tyre, sa tashmë Çështja Çame është kthyer në një mesazh edhe për vetë Europën dhe si një kambanë ndërgjegjësimi që do t’i trokasë dita-ditës Greqisë në portat e Athinës zyrtare. Më herët një gjë të tillë me një temë studimi këtu e 74 vjet më parë e ka bërë studiuesi elbasanas Besim Qorri, që diplomimin e tij e bëri në universitetin “Dante Aligeri” në Firence të Italisë, për nder të shkrimtarit të madh të “Komedisë Hyjnore” dhe që si të tillë studiuesi shqiptar cilësonte temën për Shqipërinë e Vërtetë që e botoi në një libër të plotë dhe faktmbledhës.

    Ndërsa studentja Klodiana Manaj risjell në diplomimin e saj të doktoraturës, studimin për Çamërinë duke i dhënë një vend të veçantë jo vetëm ndërgjegjësimit të opinionit italian, por edhe atij europian për të lëvizur në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut që janë edhe themeli i demokracisë europiane.

    Sipas kësaj vajze nga Elbasani, e thjeshtë dhe me vizion të qartë, Historia është pjesa më e rëndësishme e një populli, sepse i jep sens dhe karakter shumë aspiratave të jetës sonë. Për këtë do doja t’i dedikoja një rëndësi të veçantë një faqeje të rëndësishme të popullit tonë, krahinës së Çamërisë dhe konsekuencave mbi shtetin shqiptar dhe ngjarjet e dhimbshme që ndoshta jo të gjithë e njohin”.

    Interesimit tim se çfarë periudhe rrokin materialet për temën e saj, ajo të përgjigjet thjeshtë se, “Dokumentet mbi historinë e Çamërisë përfshijnë një periudhë që shkon nga vitet 1912-1939, por, sigurisht, nuk mund të citohen të gjitha për t’i dhënë hapësirë ngjarjeve më të rëndësishme të kësaj pjese të rëndësishme të historisë që ende sot se ka një zgjidhje. Do doja të citoja vitin 1912 që shënon fundin e pushtimit osman dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar, i cili doli nga luftërat i dërmuar dhe i lodhur nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Kjo e fundit la jashtë krahina të rëndësishme me popullsi shqiptare si Kosova dhe Çamëria. Dokumentacionet vazhdojnë deri ne vitin 1939 në prag të Luftës së Dytë Botërore kur Shqipëria u pushtua nga Italia dhe ishte kërcënuar të pushtohej nga Greqia në të cilën bënte pjesë dhe popullsia e kësaj krahine”.

    Qëllimin që ajo i ka vënë vetes është sa atdhetar, aq edhe fisnik, sa i vërtetë, aq dhe trumbetues për Europën kur shprehet se: “Me këtë projekt kërkimi jam munduar të hedh dritë mbi temat e identitetit kombëtar të krahinës së Çamërisë, mbi të gjitha midis dy luftërave botërore dhe pasojat mbi shtetin shqiptar. Kërkimi është bazuar në pjesën më të madhe mbi dokumentet e Arkivit Qendror të Shtetit (AQSH), dhe pjesa më e madhe e dokumenteve janë në gjuhën shqipe. Krahas tyre zënë vend dokumentet në gjuhë të huaj, e cila ka ndihmuar të evidencojë kërkesat, raportet, që janë paraqitur në dokumente të ndryshme në Këshillin e Lidhjes së Kombeve, midis viteve 1912-1939 ose midis dy luftërave, dhe fitorja e viteve 1912-1913, për rishikimin e kufijve politikë shqiptarë të copëtuar në vitin 1913.

    Mu duk e rëndësishme të vazhdoja kërkimin dhe ta shtrija në vitet pasardhëse (1922-1923), ku Qeveria e dale nga Kongresi i Lushnjës, si dhe qeveritë e tjera në vijim, kanë parë të rriten pretendimet e popullsisë shqiptare në Greqi”.

    Në mendësitë e saj që e kanë orientuar këtë vajzë, janë të drejta vlerësimet që ajo bën kur pohon se “Do kërkohet gjithashtu si zgjidhja ligjore e problemit të çamëve ka qenë e penguar nga rrethanat e Luftës së Ftohtë dhe zgjidhja e këtij problemi do të ndihmonte në përmirësimin e raporteve shqiptaro-greke, dhe krijimin e një modeli pozitiv në rajon, ku një shtet anëtar i Komunitetit Europian, do të jepte një shembull pozitiv për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të  minoriteteve.

    Më tej janë analizuar dhe është furnizuar një përshkrim që shteti shqiptar bëri në konfront të minoriteteve dhe si shteti grek, ka përfituar në mënyrën më mizore rreth shtetit shqiptar, në periudha  të ndryshme historike, duke filluar nga 1912-1913, ku shteti shqiptar u copëtua nga Konferenca e Londrës e 1913, për të përfunduar deri në vitet ’30, ku Greqia, pasi i shkeli të gjitha traktatet, vijoi me spastrimin etnik të minoritetit shqiptar”.

    E saktë në atë që i ka vënë vetes qëllim, por edhe e saktë në atë çfarë kërkon t’i japë opinionit, Klodiana Manaj thotë se: “Kështu baza e kërkimit arkivor përsa i përket periudhës 1912-1939, janë disa dokumente të publikuara nga studiues shqiptarë dhe të huaj, të cilat ndodhen në Arkivin Qëndror të Shtetit. Kjo periudhë është e varfër në dokumente, pasi në këtë periudhë shteti shqiptar, nuk ishte stabilizuar, edhe për arsyen e fillimit të Luftës së Parë Botërore, kur tokat u pushtuan plotësisht. Përsa i përket viteve 1912-1939, janë konsultuar lista e fondeve nga AQSH; Fondi Kristo Dako, Fondi Mit’hat Frashëri, Fondi i Qeverisë së përkohshme të Vlorës, vetëm për të cituar disa. Duke iu referuar publikimeve diplomatike, në to janë të dhënat për numër, vend dhe datë të dokumentit; gjithashtu një përkufizim i shkurtër i çështjes në fjalë që trajton dokumentin, duke dhënë etiketën në qoftë se është raport, memorandum, telegram, etj.”.

    Kur e pyes se përse bëri një zgjedhje të tillë në lidhje me këtë çështje, ajo të përgjigjet se: “Doja të tregoja këtë çështje përmes një studimi sado të vogël në Doktoratën në Historinë e Europës historinë mbresëlënëse e këtij populli të vuajtur, këtij populli që ka paguar me gjak çdo pëllëmbë të kësaj pjese të atdheut; kësaj tragjedie që ishte vetëm akti final i një politike të programuar të spastrimit etnik, e cila siç dihet ishte shfaqur me forma të ndryshme qysh nga koha e themelimit të shtetit grek që nga 1821.