Kastriot Bezati/ Sami Frashëri – Emblema e Diturisë Me rastin e 104- vjetorit të vdekjes

    723
    Sigal

    U lind më 1 qershor 1850 në Frashër dhe u nda nga jeta më 18 qershor 1904 në Stamboll

     Shqipërinë e ngriti, e lartësoi dhe i dha emër mbi tokë Gjergj Kastriot Skënderbeu, e mbajtën në këmbë dhe i ndriçuan rrugën e lirisë vëllezërit Abdyl, Naim e Sami Frashëri dhe i vuri mbi krye kurorën e vetëqeverimit Ismail Qemal Vlora.

    Sami Frashëri, si dhe dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Abdyli dhe Naimi, janë pasuri e madhe e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ata janë si hapësira pa fillim dhe pa mbarim dhe tek ata plekset në një trup të vetëm tokësoria dhe qielloria, realia dhe mistikia, shpirtëroria dhe materialia. “Që të tre burra të ndjerë, na nderuan Mëmëdhenë”, – thuhet ndër të tjera në një nga këngët e sazeve, kur drejtoheshin nga  Usta Laver Bariu. U lind më 1 qershor 1850 në Frashër dhe u nda nga jeta më 18 qershor 1904 në Stamboll. I ati, Haliti, nga  Dukollarët apo  Dulellarët, si quheshin në Frashër familja e Vëllezërve Frashëri, ishte një nga pronarët e tokave, – thotë turkologu  Agah Sirri Levend në librin “Semsettin Sami”, botuar  në Ankara më 1969, ndërsa në vitet ‘20 të shekullit XIX hyri në shërbim të Mehmed Reshid Pashës me detyrën e Intedentit, si komandant repartesh në ushtri, – shkruan Sami Frashëri në veprën  Kamus-ul-Alam, vëllimi i 3 – të, botim i vitit 1891 në Stamboll. E ëma, Emineja, lindur e me banim në Korçë, i takonte brezit të 11-të pasardhës të Iljaz bej Mirahorit, nga Panariti i Korçës, i cili në atë kohë bënte pjesë në  Kazanë e Përmetit, dhëndrit të Sulltan Mehmetit II, themeluesit të qytetit të Korçës në vitet 1484 -1486. Emineja dhe Haliti, patën 8 fëmijë: 6 djem dhe 2 vajza, të cilët ishin: Abdyli, më i madhi, martuar me Ballkëze Frashërin në Janinë dhe, pas tij, vinin, Nefiseja, martuar me Halim bej Përmetin, Sherifi, martuar me Hatixhen nga Shkodra në Janinë, Naimi, që në arabisht do të thotë “i fuqishëm”, martuar pas ndarjes nga jeta të Sherifit me Hatixhen apo Hexhen nga Shkodra, Shahnishaja, martuar me mjekun Ibrahim Lutfi Bërzeshtën nga Bërzeshta e Librazhdit, një ndër themeluesit e Universitetit të  Stambollit, i gjashti, ishte Sami Frashëri,  martuar me Emine Veliyen e më pas, pasi u nda nga jeta i vëllai, Abdyli, si dhe e shoqja, Emineja, u martua për së dyti me Ballkëze Frashërin dhe, pas  tij vinte Tahsini dhe pas  Tahsinit vinte Mehmedi, martuar në fillim me vajzën e kryemiftiut të Bejrutit e pastaj me Vesimen, vajzën e Said Shermedin Toptanit, me motrën e Murat Toptanit nga Tirana.

           Samiu, mësimet e para i mori në Teqenë e Frashërit

    Më 1865, ose, sipas një mendimi të dytë, më 1861, vendoset në Janinë, ku kreu gjimnazin grek “Zosimea”. Data e diplomës së Samiut është 14 korrik 1868.  Punoi për pak kohë në Sekretarinë e Vilajetit të Janinës dhe, kur ishte 21 vjeç, më 1871, u vendos në Stamboll dhe filloi punë në Zyrën e Shtypit, – shkruan vetë Samiu në “Serveti Funun”, 1896. Më 1874 shkon në ishullin e Rodit si sekretar i prefektit të tokave osmane të Algjerisë. Largohet pas 5 muajsh nga kjo detyrë dhe kthehet në Janinë, ku punoi disa muaj si Kryesekretar i “Komitetit Ushtarak të Shpëtimit Publik”, me kryetar Abedin Pashë Dinon nga Preveza. Më 1877 kthehet në Stamboll dhe, më 18 dhjetor 1877, zgjidhet anëtar i Komitetit Shqiptar të Stambollit, që drejtohej nga i vëllai i tij i madh, Abdyl Frashëri, ndërsa më 12 tetor 1879, zgjidhet kryetar i “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip”, formuar në shtëpinë e Abdyl Frashërit në lagjen “Pera” të Stambollit. Samiu, më 1881, emërohet sekretar dhe më 1893 kryesekretar i Komisionit të Inspektimit Ushtarak, ku punoi deri në fund të jetës, më 1904. Në vitet 1884 – 1885 drejtoi revistat “Drita” e pastaj “Dituria”. Hartoi për nevojat e shkollës shqipe librat: “Alfabetare e gjuhës shqip” (1886), “Shkronjëtore e gjuhës shqip” (Gramatikë, 1886) dhe “Dheshkronjë” (Gjeografi, 1888). Samiu shkroi shqip veprën madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, manifesti politik dhe ideologjik i shqiptarëve, i cili u botua pa emrin e autorit më 1899 në Bukuresht dhe, pas botimit, u përkthye në greqisht nga Fan Noli dhe në turqisht nga Shahin Kolonja, dhëndri i Naim Frashërit.

    Botimet

           Është autori i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke e arabe, përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që ai drejtoi në Turqi. Është autori i fjalorit normativ të gjuhës turke (“Kamusi Turki”, 1901) në dy vëllime, me 1574 faqe, i cili përmban mbi 40000 fjalë e shprehje gjuhësore, autori i disa fjalorëve dygjuhësh: fjalorit Frëngjisht – Turqisht (“Kamusi Fransevi”, 1882), fjalorit Turqisht – Frëngjisht (“Kamusi Fransevi”, 1885), fjalorit “Arabisht – Turqisht” (“Kamusi Arabi”, 1898). Vepra madhore e Samiut në gjuhën turke është Fjalori Universal Enciklopedik i Gjeografisë dhe Historisë (“Kamus-ul-Alam”) në 6 vëllime, për të cilën ai punoi 16 vjet, me gjithsej 4830 faqe, botuar në vitet 1889 – 1898. Shkroi në gjuhën turke drama e romane, nga të cilët vepra më e rëndësishme është “Besa”, dramë me 6 akte, me subjekt nga jeta shqiptare, vënë në skenë për herë të parë më 05.04.1874 në Teatrin Perandorak të Stambollit. Romani “Dashuria e Talatit dhe Fitnetes” i Sami Frashërit, është romani i parë i letërsisë moderne turke, botuar më 1871. Samiu, për përhapjen e dijeve shkencore, shkroi  disa libra dhe broshura të cilat i përmblodhi në kolanën “Biblioteka e Xhepit”, nga të cilat cilësojmë: “Qytetërimi Islam”, “Mitologji”, “Gratë”, “Dielli”, “Toka”, “Njeriu”, “Përsëri mbi njeriun”, “Gjuha”, “Rregullat e pikësimit dhe shtypshkrimet”, “Aforizma”, “Anekdoda” dhe, ndërkohë, ai punoi e drejtoi edhe gazeta e revista. E para gazetë është “Kandili”, më pas punoi e drejtoi gazetat “Kopshti” (“Hadika”), “Vilajeti” apo “Tarabullus” (në Tripoli), “Mëngjesi” (“Sabah”) dhe “Interpreti i Lindjes” (“Terxhuman-i Shark”) dhe revistat “Familja” (“Aile”), “Java” (“Hafta”) dhe “Shkrimtari” (“Muharrier”). Vënd të rëndësishëm në punën e Samiut zënë edhe përkthimet, nga të cilët cilësojmë: përkthimin nga frëngjishtja të librit “Histori e shkurtër e Francës” (1872)  dhe të romanit “Të mjerët” (1879) të Viktor Hygoit.

    Çdo gjë e bënë për lirinë e Shqipërisë

           Samiu, si dhe vëllezërit e tij më të mëdhenj, Abdyli e Naimi, edhe kur jetuan e punuan më pak në Janinë dhe më shumë në Stamboll, çdo gjë e bënë për lirinë e Shqipërisë. “Në Stamboll ne kemi pasur tri armata, tri ushtri/ Një armatë ish Abdyli dhe një tjetër ish Samiu/ Dhe e treta – gjenerali, gjeneral poet Naimi/ Që lëshonte nga Stambolli divizione vjershërimi”, – shkruan poeti Dritëro Agolli. Shtëpia e tyre në Frashër u ringrit dhe u kthye në muze më 16.06.1974 dhe, para shtëpisë, ngrihen bustet e të tre vëllezërve, punime mjeshtërore të Odise Paskalit, të cilët, si kërkoi Odise Paskali,  qëndrojnë pranë njëri-tjetrit si kanë qëndruar në jetë, me shpatulla nga mali i Kokojkës që ngrihet pranë shtëpisë dhe ku qëndronte shpesh Naimi, por edhe Samiu e Abdyli dhe me vështrim  nga fshati, nga Frashëri, që i lindi dhe u dha dashurinë për Shqipërinë.

    Dijetar i madh

           Samiu është dijetar i madh enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar, publicist e përkthyes, është truri rilindës në Shqipëri. “Një njeri – një akademi”, -shkruan studiuesi turk Shexhattin Tural. Ai mori pjesë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Më 18.12.1877 u bë anëtar i Komitetit të Stambollit.“Qëllimi i Lidhjes Shqiptare, – ka shkruar Sami Frashëri, – është të sigurohet e sotmja dhe e ardhmja e Shqipërisë”. Gazeta “Interpreti i Lindjes”, nëpërmjet letrash, protestash, njoftimesh, që ajo botonte, u bë organi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe, ndoshta është kjo arsyeja, që kjo gazetë e drejtuar nga Sami Frashëri, brenda 5 muajve u dënua 3  herë nga censura e Sulltan Abdyl Hamitit II. Rol me rëndësi në përhapjen e arsimit dhe të diturisë në gjuhën shqipe me anë të librit, gazetës dhe shkollës luajti “Shoqëria e të Shtypuri Shkronja Shqip”, kryetar i së cilës ishte Sami Frashëri. “Lidhja e Prizrenit ka nevojë të bashkojë Shqipërinë e të bëjnë një me autonomi, a mbase me shkëputje fare, pas punës”, – i shkruante Samiu  më 20 shkurt 1881 De Radës. Hidhet kështu nga Sami Frashëri  ideja e Pavarësisë, e cila do kërkohej apo jo nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit po ta kërkonin interesat e Shqipërisë, ide, e cila, nisur nga interesat e Shqipërisë,  u vu në jetë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemal Vlora. Samiu u martua më 4 maj 1884 me Emine Veliye, vajzën e Kazasker Sadedin Efendiut, një familje që ishte nga paria e Stambollit. Vëllai i saj, Ali Beu, ishte funksionar i lartë në Sekretariatin e Pallatit të Sulltanit. Pas martesës, Samiu, vendoset me familje në vilën verore të vjehrrit, në Kandili të Stambollit.  Përpara se të martohej Samiu ka qëndruar në një dhomë mbi dyqanin e vogël ku ndodhej edhe zyra e gazetës “Sabah”, – shkruan Hikmet Turhan Daghoglu, “Semsettin Sami”, Stamboll, 1934.  Me Eminenë pati 4 fëmijë: Samijen, Ali Samiun, Sadijen dhe Sadiun. Me vdekjen e Eminesë, pas një viti, më 1895, martohet me Ballkëze Frashërin, me vajzën e Ibrahim Pashës nga Lahçenjtë e Frashërit, që në atë kohë jetonte në Stamboll, më parë ish gruaja e vëllait të madh, Abdylit, i cili i kishte lënë si amanet djalin e tij Mit’hatin dhe të bijën Eminenë,  me të cilën pati një djalë, që i vunë emrin Skënder Sami. E vërteta është se Naim Frashëri ka marrë si grua gruan e të vëllait, Sherifit, kur Sherifi ishte ndarë nga jeta dhe, Sami Frashëri, ka marrë si grua të dytë gruan e të vëllait, Abdylit, kur Abdyli, gjithashtu, ishte ndarë nga jeta. Këto martesa nuk kanë lidhje gjaku dhe ato mendoj se kanë të bëjnë me mos prishjen por ruajtjen e miqësisë, me edukimin, arsimimin dhe rritjen sa më të mirë të fëmijëve të vëllait të ndarë nga jeta si dhe me mos copëtimin, por ruajtjen brenda familjes të pronës e pasurisë. Këto martesa nuk janë brenda fisit, kur dihet se ka shumë personalitete në botë, që janë martuar  me kushërinj apo kushërira, si kanë ndodhur për shembull me gjeniun e fizikës e matematikës Albert Ajshtajnin, me poetin Edgar Allan Poe, me politikanët Franklin D Roosvelt dhe Thomas Jefferson, me shkencëtarin e madh të teorisë së seleksionimit natyror, Charls Darvini, me kompozitorin e madh Johann Sebastian Bach. Vajza e madhe e Samiut, Samija, u martua me Rashid Mansur Ererin, i cili ishte për një periudhë  Ministër i Arsimit,  Punëve Botore, i Sigurimit të Ushqimit dhe i  Vakëfeve të Turqisë. Samija dhe Rashit Ereri patën dy djem, Mehmetin dhe Eminin, nga të cilët, ky i dyti, Emin Ereri, ka ardhur disa herë në Shqipëri. Me të unë jam takuar dhe kam biseduar në Frashër tri herë: më 09.09.1973, kur punohej për ngritjen e Shtëpisë së Samiut, Abdylit e Naimit, më 16.06.1974, kur u përurua Muzeu Memorial “Vëllezërit Frashëri” dhe, më 9.06.1978, kur arkivoli me eshtrat e Abdyl Frashërit u nis nga Frashëri për në Tiranë. Sadija u martua me mjekun radiolog Suphi Neshet Beken. Lindi një vajzë. Sadi Frashëri, djali i vogël i Samiut dhe Eminesë, u nda nga jeta më 1911, në moshën 18 vjeçare, kur ishte nxënës në Liceun e Gallatasarajt. Ali Samiu u martua me Fahrijen, por nuk patën fëmijë. Skënderi, djali i Samiut dhe Ballkëzit, i cili ka punuar si inxhinier në Karabyk, u martua me një vajzë që e kishte emrin Sabiha. U nda nga jeta më 1937 dhe la një vajzë të quajtur Ballkëz, – thotë turkologu Agah Levend.

            Ali Samiu, studioi në shkollën e Gallatasarajt në Stamboll. Lindi në Kandili të Stambollit më 20 mars 1886 dhe u nda nga jeta më 20 korrik 1951. Më 1905 krijoi klubin e futbollit, që u regjistrua zyrtarisht më 1912. Ali Samiu, apo si quhet nga viti 1934, Ali Sami Yen, ishte themeluesi dhe Presidenti i parë i klubit Sportiv të Gallatasarajt, prandaj edhe stadiumi i futbollit të Gallatasarajt, ndërtuar më 1964 me 25500 vende në qendër të Stambollit, më2007-ën iu dha emri “Ali Sami Yen”. Emrin e tij e mban edhe një nga rrugët kryesore të Stambollit, Gazeta “Telegraf”, 15.06.2011. Kontribute  madhore, si sportist i madh, nga trungu i familjes së Vëllezërve Frashëri,  ka dhënë edhe  nipi i Naim Frashërit, djali i Naimesë,  e cila ishte  martuar me Xhelal Rusin dhe  ishte vajza e vajzës së Naimit, Nevrezit, martuar kjo me Shahin Kolonjën,  supervolejbollisti Asllan Rusi, “një nga viganët e volejbollit shqiptarë”, – si e vlerëson trajneri Kreshnik Tartari, emrin e të cilit  e mban qysh nga viti 1997 Pallati i Sportit të Lojërave me Dorë në Tiranë. Sami Frashëri largohet nga vila verore e Kandilit, ku u sëmur nga nervi shiatik dhe, me para të marrë hua, ndërtoi një vilë në Erenkoj-Xhadebostan të Stambollit. Më 1896 ai banonte në këtë banesë, – shkruan pronari i revistës “Thesari i dijeve” të Stambollit, Ahmet Ihsan. Samiu … ka pasur shtatin e gjatë dhe  … me bel të hollë, me ballë të gjanë dhe pak të dalun përjashta. Ngjyrën e syve e ka pasë të zezë dhe shumë të shkëlqyeshme … Si në shtëpi ashtu edhe në shoqëri gjithmonë serioz dhe në të folun i ëmbël dhe buzagaz … me secilin person ka ngjallë respekt e dashuni të thellë”, – shkruan kosovari Niazi Sulçe, Nasho Jorgaqi, “Vëllezërit Frashëri”, Tiranë, 2008, ndërsa Agah Sirri Levendi shkruan: ”Sami Frashëri … ka qenë një burrë shtatgjatë, me një trup elegant, me një ballë të dalë dhe sy të zinj të shkëlqyeshëm. Mjekra e bardhë e gjatë i mbulonte edhe faqet, ndërsa flokët që i derdheshin mbrapa e tregonin akoma më të vjetër. Ishte fytyrqeshur, serioz dhe i pjekur … i ngjallte bashkëbiseduesve respekt dhe dashuri”, “Shemsettin Sami”, Ankara, 1969.

    Samiu ishte shumë i dhemshur ndaj familjes dhe njerkëve të shtëpisë.

    Fliste gjithmonë me zë të ulët e të ngadaltë dhe nuk donte zhurmë në shtëpi.  Kishte një kaligrafi shumë të bukur dhe e hartoi vetë projektplanin e vilës së tij në Erenkoj të Stambolllit. Çohej pa zbardhur, ndizte sobën, ndreqte krevatin dhe ulej e punonte derisa të lindte dielli. Pas mëngjesit pushonte një orë dhe sërish fillonte të shkruante deri në mesditë. Në drekë, pas buke, pushonte dy orë dhe fillonte të punonte përsëri. Kur punonte ulej në një minder të kuq, i madh aq sa mund të zinte vetëm një njeri. Letrën e mbështeste mbi gjunjë, përkulej dhe shkruante me një pendë bambuje. Pranë kishte një skrivani mbi të cilën qëndronin të hapura librat që i duheshin. Rroga që merrte nga nëpunësia ishte 50 lira dhe, burimi i vetëm, përveç rrogës, ishin veprat. Samiu në dhjetëvjeçarin e fundit të jetës, u dënua me “arrest shtëpie”: në fillim lejohej që herë pas here të dilte në rrugë dhe të priste në shtëpi miq e shokë, ndërsa në vitin 1899 iu ndaluan edhe këto liri nga sulltan Abdyl Hamiti II. “Samiu ka patur letërkëmbim shumë të gjerë, të dendur, të cilin e zhvillonte në shtatë gjuhë që zotëronte: në turqisht, italisht, gjermanisht, arabisht, persisht, greqisht, shqip. Ai dërgonte 10 – 15 e deri në 20 letra në ditë”, – thotë vajza e madhe e Samiut, Samija,- shkruan Gazmend Shpuza në “Gjurmime në epokën e Rilindjes Kombëtare”, Tiranë, 1980. Samiu jetoi thjesht, shpesh në varfëri, që nuk iu ndanë edhe borxhet. “Samiu, tue dhënë shpirt, prej buzëve të veta vetëm këto dy fjalë paska pëshpëritë: “Shqipëri” dhe “Allah”, – thotë Niazi Sulçeglliu, “Gazeta Shqiptare”, 05.10.2008. Sapo u nda nga jeta, shtëpia  dhe biblioteka e tij prej 20000 vëllimesh, u shitën që familja e tij të vazhdonte të jetonte. Në një certifikatë që, Këshilli i Lagjes Eren Qoj, i lëshoi pas vdekjes së Samiut gruas së tij, Ballkëzit, ndër të tjera thuhet se ajo ka të drejtë të tërheqë 796 grosh – kjo ishte e gjithë pasuria e lënë nga kolosi Sami Frashëri. Porta e Lartë e ndoqi, e persekutoi, e internoi, e izoloi, aq sa në vitet e fundit e ndaloi të dilte edhe nga shtëpia. Samiu, u nda nga jeta ditën e shtunë, ora 21:00,  më 18 qershor 1904. U varros në varrezat e Erenkojt, ku ishte varrosur gruaja e parë e Samiut, Emineja, ndërsa më 1968 eshtrat e Samiut u vendosën  në varrezat  Ferikoy Islam Nezarligj, ku ndodhet edhe varroshi i Ali Sami Yenit dhe i pjesëtarëve të tjerë të familjes së Sami Frashërit. Samiu dhe dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Abdyli dhe Naimi, janë simbole të atdhedashurisë dhe emblema të kulturës e diturisë në Shqipëri. Guri Kr. Sevonë kujtimet e veta, të botuara më 1936, shkruan: Një ditë e pyeta mësuesin tim, Petro Luarasin, “se cili është më i zoti, Naimi apo Samiu?”. Petro Luarasi iu përgjigj: “Nga cili sy sheh ti më mirë, nga i djathti apo i majti?”. Shqipërinë e ngriti, e lartësoi dhe i dha emër mbi tokë Gjergj Kastriot Skënderbeu, e mbajtën në këmbë dhe i ndriçuan rrugën e lirisë vëllezërit Abdyl, Naim e Sami Frashëri dhe i vuri mbi krye kurorën e vetëqeverimit Ismail Qemal Vlora. Koha për Sami Frashërin kërkon të paktën tri gjera: së pari, të sillen eshtrat e tija në Shqipëri, ku u sollën edhe eshtrat e vëllezërve të tij, të Naimit më 2 qershor 1937 dhe të Abdylit më 19 mars 1978, së dyti, të sigurohet dokumentacioni i gjerë nga arkivat e Stambollit mbi jetën e veprën e Samiut dhe të bëhen studime shkencore të shumta,  për të dalë gjithnjë e më mirë madhështia e këtij filozofi me përmasa të mëdha siç është  Sami Frashëri,  dhe, së treti, ai dhe dy vëllezërit e tij, Abdyli e Naimi, duhet të jenë së bashku në një Skulpturë Monumentale në hyrje të qytetit të Përmetit dhe në një nga sheshet kryesore të Tiranës, sepse ata  janë tre kolosë  drita e të cilëve shpëtoi nga errësira Shqipërinë. Nga një vend mund të dalin tre kolosë, por nga një familje deri më sot brenda apo jashtë Shqipërisë nuk kanë lindur tre gjeni siç është rasti unikal i Vëllezërve Frashëri.

    Abdyli, Naimi dhe Sami Frashëri kanë bërë dhe bëjnë Shqipëri

    Përmet, më 01.06.2014