Kandidatja e LSI në Vlorë Grisejda Myslimi thirrje rinisë: Bashkohuni me ne t’i hedhim në det “pushtuesit” e Rilindjes si më 1920

591
Sigal

Kandidatja për deputete e LSI-së në listën e qarkut Vlorë, Grisejda Myslimi edhe këtë të enjte ka vijuar takimet me qytetarët. Këtë herë ajo i bën thirrje rinisë që të bashkohen me LSI-në që ti hedhin në det ”pushtuesit” e Rilindjes si më 1920.

”Pronat e vlonjatëve në bregdet i kanë grabitur dhe po i shfrytëzojnë oligarkët e Qeverisë, të cilëve s’na ka mbetur gjë tjetër veçse t’u marrim edhe leje kur të lahemi në det. Vlora nuk e duron dot këtë poshtërsi dhe përgjigjen e saj do ta japë qartë më 25 prill! Të dashur bashkëmoshatarët e mi, KOHA NUK PRET”,- shkruan Myslimi në një mesazh të sajin të shpërndarë në rrjetet sociale.

Mesazhi i saj i plotë: 

Shpopullimi dhe varfëria ekstreme janë dy nga dramat më të mëdha, që Rilindja i ka shkaktuar Vlorës sonë të dashur. Në qytetin tonë, vetëm në 4 vitet e fundit janë larguar 40 mijë të rinj, ndërkohë që mbi 60% e bashkëmoshatarëve të mi janë të papunë ose në kërkim të një pune. Rreth 41.5% e vlonjatëve jetojnë me 5.5 USD/dita dhe me mijëra familje të ndershme vlonjate gdhihen çdo ditë në varfëri ekstreme.

Pronat e vlonjatëve në bregdet i kanë grabitur dhe po i shfrytëzojnë oligarkët e Qeverisë, të cilëve s’na ka mbetur gjë tjetër veçse t’u marrim edhe leje kur të lahemi në det. Vlora nuk e duron dot këtë poshtërsi dhe përgjigjen e saj do ta japë qartë më 25 prill! Të dashur bashkëmoshatarët e mi, KOHA NUK PRET!

Me përulesi i drejtohem secilit prej jush, t’i japim dorën njëri-tjetrit, të bashkohemi dhe ashtu si në vitin 1920, t’i hedhim në det “pushtuesit” mavi të Rilindjes, që pasi vranë shpresat e na zhvatën, tani duan edhe ta zhbëjnë Vlorën tonë të dashur.

LSI e ka një plan të qartë me 5 pika për ta shpëtuar Vlorën, për t’i rikthyer shkëlqimin e merituar dhe për ta bërë atë Shtëpinë tonë të dashur, ku duam të jetojmë të gjithë. Bashkëmoshatari im, mos qëndro indiferent! LSI është sot forcë e parë në Vlorë! Eja dhe ti, me ekipin tonë të mijëra të rinjve dhe të rejave të mrekullueshme, që po shtohen çdo ditë! Bashkohu dhe ti me ne dhe jep kontributin tënd në misionin historik dhe patriotik për t’ja u kthyer Vlorën, vlonjatëve! Bëhu dhe ti pjesë e ndryshimit të madh, që vjen më 25 prill!