Ja kushtet për t’u futur në skemën e pensioneve me Italinë

244
Sigal

Ulja në tryezë e përfaqësuesve italo-shqiptarë për negocimin teknik të marrëveshjes për njohjen e pensioneve është një lajm i shumëpritur, por veçse guri i parë i themelit që mundëson njohjen e mundit të shqiptarëve që kontribuojnë prej vitesh në shtetin fqinj. Trazirat politike në Itali mund të bëjnë që procesi të bëjë hapa mbrapa ose të mos shkojë deri në fund, pasi varet nga vullneti i qeverisë që do të vijë. Nëse finalizohet, përfituesit nuk janë 500 mijë, sa deklaron qeveria, pro disa fish më pak, pasi vetëm një përqindje e tyre kanë mbushur ose janë në prag të moshës për pension pleqërie.

PROCESI

Për drejtuesen e patronatit INAS Albania, njëherësh specialiste e pensioneve, Beskida Aliaj, puna sapo ka nisur. Është një hap i madh, por jo finali.“Marrëveshja teknike është një hap pozitiv, pasi ishte i nevojshëm, por sërish nuk quhet i mbaruar, sepse duhet të firmosin qeveritë shqiptaro-italiane dhe marrëveshja duhet të ratifikohet në Parlament, i cili është i shpërbërë. Do të ishte mirë që ajo të përmbyllet brenda muajit shtator, me qeverinë aktuale që është dashamirëse e kësaj nisme. Qeveria që do të vijë pas saj nuk i dihet se çfarë politikash mund të ketë. Mund të jenë edhe kundër emigrantëve dhe nuk e firmosin marrëveshjen. Për pasojë, procedura zvarritet pafundësisht”.Sidoqoftë, nëse marrim skenarin më pozitiv dhe procesi ecën me ritme të shpejta, janë jo qindra-mijëra përfitues, por diku te 25 mijë shqiptarë që iu jepet mundësia të trajtohen me pension të dyfishtë nëse kanë punuar në të dyja shtetet.

“Marrëveshja këtë bën, bashkon vitet e punës në Itali me ato të Shqipëri. Më konkretisht, ata që kanë dalë 65 vjeç në pension në Shqipëri, bëjnë një verifikim të periudhave kontributive, me firmën e drejtorit noterizohet dhe vuloset në Ministrinë e Jashtme. Pra, mblidhen vitet shqiptare me ato italiane në mënyrë figurative, vetëm për t’u njohur si përvojë pune. Pastaj, secili shtet jep pjesën e vet”, sqaron Aliaj.Kjo vlen për atë kategori qytetarësh që nuk kanë 20 vite punë minimumi, siç e ka Italia dhe 15 sa e ka Shqipëria si kusht për t’u futur në skemën e pensioneve. Ata që kanë vite pune si në Shqipëri, ashtu edhe në shtetin fqinj, pas ratifikimit të marrëveshjes, trajtohen me dy pensione, varësisht nga vlera e kontributeve. Më konkretisht, nëse një 65- vjeçar shqiptar ka 14 vite punë në Shqipëri dhe 19 në Itali, me marrëveshjen e re, që pritet të ratifikohet, puna “njihet” respektivisht nga të dyja shtetet, por secili paguan pjesën që i takon.

Kështu, shteti shqiptar jep pension për vitet që shtetasi ka punuar në vend. Ndërsa në moshën 67-vjeçare (pragu minimal i moshës për pension në Itali) i njëjti mund të drejtohet gjithashtu në Itali për pensionin tjetër, referuar viteve për të cilat ka punuar atje.

Zyra e Patronatit INAS në Shqipëri ka dhënë një kontribut të madh në këtë çështje, pas përplasjes në dyert e tyre të rasteve të shumta të shtetasve shqiptarë që kanë emigruar në vitet ‘90 që 30- 35 vjeç në Itali e sot janë mbi 60 vjeç.