Ja aktivitetet e paligjshme të Ministrisë së Mjedisit

    447
    Sigal

    Pyjet, shkatërrimi i institucioneve dhe keqpërdorimi barbar i burimeve njerëzore

    Marrëdhëniet e shoqërisë Shqiptare me natyrën në përgjithësi dhe me pyjet në veçanti janë përkeqësuar shumë në këtë dekadën e fundit. Shkatërrimi i institucioneve, konfuzioni dhe mungesa e legjislacionit pyjor, mungesa e investimeve nga shteti dhe keqpërdorimi i pamatshëm i investimeve të huaja kanë sjellë që rreth 63 % e territorit të vendit tonë të jetë jashtë kontrollit të shtetit. Pyjet që nga viti 2006 fillimisht u “agrarizuan”, pastaj u “republikanizuan” përmes  mosprofesionalizimit dhe keqpërdorimit deri barbar të burimeve njerëzore. Që nga ky vit filloi shkatërrimi i institucioneve (shkatërrimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Pyjor) dhe Ministria e Mjedisit e cila administron pyjet e kullotat e Shqipërisë funksionon në konflikt të hapur interesi.

    Largimet e specialistëve dhe inxhinierëve të pyjeve

    Në strukturat e vitit 2010 nga numri total i punonjësve prej 1121 vetë, 807 punonjës ose 72 % ishin inxhinierë pyjesh, ndërsa 314 vetë ose 28 % ishin personel mbështetës.

    Sot me strukturat e reja, policia pyjore është përfshirë në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, duke u ndarë nga strukturat e menaxhimit. Numri i punonjësve të kësaj strukture është 126 vetë, nga të cilët vetëm 33 punonjës janë inxhinierë pyjesh.

    Në total numri i punonjësve të menaxhimit të pyjeve dhe kullotave dhe atij të Inspektoratit të Pyjeve arrin në 592 vetë, nga të cilët 223 punonjës janë me arsimin përkatës, (rreth 500 punonjës pyjesh kaluan në sektorët e Mjedisit pa shkurtim organike të Ministrisë së Mjedisit). Vetëm këto dy vitet e fundit janë larguar nga puna mbi 500 inxhinierë dhe teknikë pyjesh të cilët janë zëvendësuar si në asnjë sektor tjetër me njerëz pa arsimin pyjor dhe që nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetin në sektorin pyjor. Mjafton të përmendim faktin që 12 drejtorët e Drejtorive Rajonale të emëruar këtë vit nuk kanë asnjë lidhje me profesionin e pylltarit. Ata janë të profesioneve që nga mjek, mësues të kategorive të ndryshme e deri pa arsim të lartë, ose që seksioni i menaxhimit të pyjeve në Pukë (ku sipërfaqja pyjore dhe kullosore është rreth 100 mijë ha) ka një personel prej 8 personash, nga të cilët vetëm 2 janë specialistë pyjesh, numër ky i barabartë me personelin në seksionin e menaxhimit të Peqinit me rreth 380 ha sipërfaqe pyjore dhe kullosore. Inxhinierët dhe teknikët e Pyjeve tanimë të nxjerrë nga sektori pyjor enden rrugëve, ata nuk mund të punësohen as në shtet dhe as privatisht në pyje për arsye të kritereve përjashtuese të hartuara nga Ministria e Mjedisit.

    Lulëzimi i aktiviteteve të paligjshme

    E në terrenin konkret (në fondin pyjor) aktivitetet e paligjshme janë më shumë se ato të ligjshme dhe vetë veprimtaritë e ligjshme janë më të paligjshme se të paligjshmet. Në të gjithë pyjet e Shqipërisë vazhdon të pritet pa asnjë lloj kontrolli, ndërkohë që Ministria e Mjedisit vazhdon të japë leje eksporti të druve të zjarrit dhe të qymyrit të drurit, leje këto të bazuara mbi aktivitetin kriminal në pyje. Vazhdon gjuetia, pavarësisht nga moratoriumi i sajuar, tjetërsimi i fondit pyjor për arsye biznesi, grumbullimi pa asnjë lloj kriteri teknik i prodhimeve të dyta pyjore, dhënia e lejeve për gurore dhe veprimtari të tjera fitimprurëse në fondin pyjor. Banka e të dhënave për fondin pyjor mbështetet mbi një kadastër informale që bazohet në inventarin e viteve 1980-1985, e pa përdorshme teknikisht me të dhëna të sakta të sipërfaqes së fondit pyjor dhe të volumit. Po kështu në 16% të sipërfaqes së fondit pyjor që konsiderohen si “Zona të Mbrojtura”, në fakt nuk ekziston asnjë m2 si e tillë. Në rreth gjysmën e sipërfaqes pyjore dhe kullosore të vendit që kanë kaluar në pronësi të njësive të qeverisjes vendore nuk është marrë parasysh asnjë kriter teknik dhe organizativ, Ministria e Mjedisit (Shërbimi Pyjor) nuk përgjigjet për to dhe në rreth 98 % të njësive të qeverisjes vendore nuk kanë madje as edhe një punonjës që merret me mbrojtjen dhe menaxhimin e kësaj pasurie. Shoqatat e përdoruesve të pyjeve të organizuara në nivel Federate Kombëtare nuk kanë asnjë mundësi reale në mbrojtjen dhe menaxhimin e kësaj pasurie. Në të gjithë pyjet e vendit, prerjet, zjarret, erozioni etj, janë jashtë çdo kontrolli, duke qenë kështu në kufijtë historik ekstreme të tyre.  E më tej një ndërgjegje e “rrënuar” pyjore. Pyjet nga pronë e të gjithëve (Shtet + Komuna), tanimë janë pronë e askujt.

    Konferenca farsë e ministrit të Mjedisit

    Para disa ditësh një interpelancë parlamentare farsë, me ministrin e Mjedisit i parapriu konferencës së djeshme, një Konferencë Shkencore që formalisht e drejton shoqëria civile (Instituti i Studimeve dhe Kërkimeve Pyjore, një institucion privat me emër të madh dhe me aktivitet të papërfillshëm në sektorin pyjor) në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Pyjore (që “prodhon” çdo vit pa asnjë lloj perspektive punësimi as në sektorin privat dhe as në atë shtetëror rreth 60 inxhinierë pyjesh), por që në fakt dirigjohet nga Ministria e Mjedisit, e cila pasi mori OK nga parlamenti nuk ndalet në këtë ANTI REFORMË në pyjet e kullotat e Shqipërisë.

    Të nderuar pedagogë dhe profesorë të Fakultetit të Shkencave Pyjore, anëtarë të komisionit organizativ dhe shkencor të kësaj konference! Do ishte në nderin Tuaj profesional që të ishit në anën e specialistëve të pyjeve që kanë dalë të pa punë në këtë antireformë të ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit, jo vetëm për faktin që ne jemi produkti Juaj, por edhe për faktin tjetër që Ju, këtë punë vazhdoni ta bëni pa reshtur, në vartësi të orekseve të Qeverive që vijnë dhe shkojnë. Para mëse një viti, Ju kini organizuar një konferencë të tillë Ndërkombëtare me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit, kur Dekani aktual z. Vath TABAKU ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë në të cilën si edhe në këtë të sotmen, keni qenë në anën e kundërt të inxhinierëve të pyjeve, ku stafi akademik i Fakultetit të Shkencave Pyjore (por jo shumica) do të jetë palë me administratën jo profesionale që po shkatërron përfundimisht pyjet dhe pylltarinë Shqiptare. Natyrisht, që në këtë periudhë tranzicioni çdo institucion dhe person ka çfarë të ndryshojë në punën e tij, ndërsa Fakulteti ynë vazhdon të jetë shkatërrues i të ardhmes profesionale të pyjeve, duke prishur tregun e punës, duke qenë thjesht një fabrikues diplomash që në fund fare nuk kanë asnjë vlerë. Ju vazhdoni të jeni me sëmundjen më të rëndë që ka sot arsimi i lartë në Shqipëri: “Vazhdoni të jepni tituj dhe grada shkencore për ata që fabrikojnë diploma të fakultetit tonë, duke i marrë ata nga bankat e fakultetit e duke i vënë para bankave të fakultetit”. Asgjë nuk është më shumë tregues i punës Tuaj sesa inflacioni i lartë i gradave dhe i titujve shkencorë pa asnjë lloj kontributi real në fushën e pylltarisë. Asgjë nuk është ndryshuar në kurrikulat e fakultetit dhe, vërtet fakulteti ynë vazhdon të mbetet model i ‘56-s, pavarësisht se është krijuar në ’59-n.

    Sot ata duan të ligjërojnë statusin aktual që ka pylltaria (siç e përmendëm më lart). Në këtë Konferencë “Shkencore” ku flitet për të ardhmen e pylltarisë nuk merr pjesë asnjë aktor i shoqërisë civile dhe mbi të gjitha janë përjashtuar inxhinierët e pyjeve të cilët për vite me radhë kontribuuan në këtë sektor të rëndësishëm të vendit, Federata e Përdoruesve të Pyjeve, kompani e shoqata me veprimtari në pyje, shoqata të gjuetisë, të grumbullimit të bimëve mjekësore, shoqata mjedisore etj.. Në këto kushte i bëjmë thirrje Kryeministrit, Parlamentit, Presidentit të Republikës, gjithë strukturave të tjera për një vlerësim real të situatës aktuale në pyje, një vlerësim profesional dhe moral të specialistëve dhe gjithë aktorëve që veprojnë në sektorin e pyjeve!

     SHOQATA E SPECIALISTËVE TË PYJEVE

    FEDERATA  KOMBËTARE E PYJEVE DHE KULLOTAVE KOMUNALE