Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku arrestohet në spital

403
Sigal

Policia ekzekuton udhër-ndalimin për Agim Kajmakun në një spital privat në Tiranë ku po trajtohet me ndihmë të specializuar mjekësore. Kajmaku akuzohet se nuk deklaroi një procedim penal në Greqi dhe qëndroi në funksion edhe pas shkarkimit.

Policia e Tiranës njoftoi të martën arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku në një spital privat në Tiranë. Kajmaku ishte shpallur në kërkim prej nëntorit 2019, pas akuzave të ngritura për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit si dhe kryerjen e funksionit edhe pas shkarkimit.

Sipas policisë, Kajmaku po trajtohej në një spital privat në Tiranë për problemet shëndetësore, në momentin e ekzekutimit të masës së “arrestit me burg”, të dhënë nga gjykata.

Prokuroria e Tiranës njoftoi më 16 janar se kishte marrë të pandehur ish-kryebashkiakun e Bashkisë së Vorës, i shkarkuar për shkak të ligjit të dekriminalizimit, për dy akuza falsifikimi si dhe një akuzë të tretë për “kryerje të funksionit pas dhënies fund të tij”.

Ndaj Kajmakut ishte në fuqi një masë sigurie “arrest me burg” prej Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kajmaku u zgjodh kryebashkiak i Vorës në zgjedhjet e bojkotuara nga opozita më 30 qershor 2019. Zgjedhja e tij u denoncua nga Partia Demokratike, së bashku me atë të Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe disa kryebashkiakëve të tjerë të Partisë Socialiste, për shkelje të ligjit të dekriminalizimit. Akuzat ndaj Kajmakut rezultuan të vërteta pas verifikimeve të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme.