Inxhinieri Vasil Bozo:Na hoqën 20 specialistë dhe vunë 20 “gardistë” në Inspektorat të Hidrokarbureve

    535
    Sigal

    INTERVISTA/  Flet inxhinieri i kimisë industriale, Vasil Bozo: N.q.s një gjobë vihet e pa saktë nesër duhet ta paguajë ai që e vendos atë

    Militantizmi në politikë lë gjurmë dhe në cilësinë e jetës së shoqërisë. Në shumë vende pune, ku kërkohen specialistë të mirëfilltë inxhinieri kimist Inspektorët janë zëvendësuar me policë  militantë të LSI. Hidrokarburet janë lëndë djegëse, të cilat mund të analizohen vetëm nga inxhinierë kimist dhe nga askush tjetër.  Sipas Bozos, nafta e importuar kalon në tre postblloqe dhe nëse do shteti nuk ndodh kurrë falsifikim, por as kontrabandë.

     Cilët janë punët që keni kryer në të dy sistemet?

    Në kohën e diktaturës kam arritur të jem deri Kryeinxhinier i fabrikës së tullave fabrikës më moderne të Ballkanit, kam punuar në ndërmarrjen ushqimore si drejtor i fabrikës ushqimore, pastaj kam qenë 10 vjet Inspektor i Qarkut të Fierit për hidrokarburet. Tani kam 4 vjet pa punë.

     Një specialist i tillë, përse jeni i papunë?

     Jam i papunë për vetë faktin e një zëvendësimi politik që më është bërë para 4 vjetësh nga detyra e Inspektorit të Hidrokarbureve në Qarkun e Fierit. Pikërisht në këtë detyrë sollën një ish- polic, i cili nuk e kishte dhe nuk e ka idenë se çfarë përbërjesh kimike kanë hidrokarburet. Ky person është një militant i LSI-së, i cili vetëm dega e kimisë nuk di se çfarë është.

     Juve ju hoqën vetëm nga puna pas zgjedhjeve të vitit  2009?

    Po! I pari isha unë si Inspektor dhe pas meje vinin 19 të tjerë. Pra lista e pushimeve nga puna, ishte me 20 persona të gjithë që mendoheshin se ishim të majtë, pra me PS-në.

     Cili ishte motivacioni?

    Motivacioni ishte për mosrealizim detyrash, kur  në fakt ne kishim realizuar mbi mesataren e detyrave të atij ekipi.  Sot unë “festoj” katër vjetorin e papunësisë një dhuratë e bukur e Kryetarit Meta që gjatë zgjedhjeve të atij viti, në fushatë shante dhe shante vetëm Berishën. Me Berishën u përqafua neve na e nguli. Se si ka punuar LSI u pa qartë gjatë dhënies nga televizionet të kasetës së famshme për hidrocentralet.

      Pra, ju mendoni se ai që ju zëvendësoi nuk e meriton këtë vend pune?

    Po ja të flasim drejtë. Shkollimi i tij si polic nuk ka lidhje askund me kiminë. Inspektor i Hidrokarbureve, patjetër që duhet të kesh mbaruar për inxhinier kimist.

     Çfarë pune bënit konkretisht?

    Ne bënim analizat në laboratorin e Inspektoratit. N.q.s këto analiza të karburanteve ishin jashtë standardit  ne u vinim gjobë subjekteve sipas rregullave në fuqi. Mirëpo një inxhinier kimist di ta lexojë një fletë analizë karburanti, kurse një polic se ka idenë  dhe s’di ta argumentojë gjobën që do të vejë.  Një gjobë duhet argumentuar dhe mbështetur si nga ana teknike dhe nga ana ligjore. Si mund ta vejë një gjobë një polic kur nuk di ta interpretojë, ta lexojë një fletë analize?

     N.q.s një gjobë vihet e pa saktë nesër duhet ta paguajë ai që e vendos atë.

     Kush janë përbërësit kryesorë që shihen në këto kontrolle karburantesh?

    E para është përqindja e squfurit. Pika e flakërimit. Mendoj se kjo e dyta as është në idenë e Inspektorit polic dhe jo më ta analizojë fletë analizën.  Gjithashtu, është dhe viskoziteti por edhe përbërës të tjerë.  Pra na hoqën 20 specialistë dhe vunë 20 “gardistë” në Inspektorat të Hidrokarbureve.

      Prodhimi i naftës shqiptare në raport me naftën e importuar, a kanë cilësi të njëjtë?

    Nevojat e vendit nuk plotësohen me prodhimin e naftës së vendit, për këtë arsye ka hyrë nafta e importit.  Që të arrijë deri në shpërndarje nafta e importuar kalon në tre postblloqe. Postblloku i parë është dogana, ku dhe bëhen analizat dhe postblloku i dytë është  marrja në dorëzim nga biznesmeni shqiptar që i bën analizat në laboratorin shtetëror.  Dhe postblloku i tretë është Inspektorati. Të tria këto postblloqe ka rëndësinë e vetë.

     D.m.th nafta e importuar është brenda standardeve, nuk beson se ka hile?

    Besoj se jo. Për shumë arsye, por më kryesoret janë këto të tria. Pastaj jashtë, bota punon me standarde dhe nis një uzinë prodhon jashtë standardeve ajo mund të falimentojë. Ana tjetër është se, kur vijnë në port apo rrugës bëhen përzierje nafte. Këto përzierje  bëhem me naftë bruto, të papërpunuar, me qëllim që të rritet fitimi. Mund të bëhet edhe me ujë.

     Po ku bëhet loja më e madhe e karburanteve?

    Bëhet me naftën prodhim vendi ose kur ajo kalon nga dogana. Këtu luhen të gjitha hiletë. Këtu shumë herë Inspektorët mbyllin sytë ose duke marrë ryshfet ose duke marrë urdhra nga “lart” që të mos bllokohet x apo y autobot.  Detyra e Inspektoratit kjo është të mos lejojë falsifikimin në tregun e karburanteve. Detyra tjetër e Inspektoratit është që të ndërtohen karburantet në bazë të kushteve teknike. Pra, pas kontrolleve të cilësisë së karburanteve del në pah kjo detyrë e Inspektoratit. Çdo pikë shitje karburanti, apo pikë shitje gazi duhet të përmbushë disa parametra të domosdoshëm, ndryshe nuk lejohet të ndërtohet.  Një nga kushtet teknike është distanca nga zonat e banuara, masat kundër zjarrit, kushtet higjieno-sanitare etj.. Këto të dhëna i lexon dhe interpreton një inxhinier kimist dhe jo një gardist. Nuk mund të ndërtohet një pikë karburanti se të deshi ti qejfi dhe hajde.

     Po si janë lejuar shumë pika karburanti në mes të qytetit?

    Çdo ligj nuk ka fuqi mbrapavepruese, por paravepruese. Pra të mos lejohen, ndërsa ato që janë lejuar në kohë të caktuara, ndoshta koha do ti eliminojë. Në atë gjullurdi që erdhi demokracia shqiptare do të kishte dhe fenomene të tilla. Por kryesisht ndalohen ndërtimet e këtyre pikave, afër stacioneve të autobusëve, afër shkollave, kopshteve çerdheve, etj..  Këto  janë detyrat themelore të Inspektoratit, të mos lejoj ndërtimin e pikave të tilla jashtë këtyre kushteve dhe që ato që janë  ndërtuar dhe nuk kanë rrezik për jetën e njeriut të punojnë deri në eliminimin. Kryesorja është mbrojtja nga zjarri.

     Ka punuar me përgjegjësi inspektorati me këto rregulla?

    Të jemi të sinqertë jo sa duhet. Ka ndërhyrje nga lart, por ka dhe një pushtet vendor që ka përgjegjësitë dhe ndikimin e tij. Sepse dihet që nis këto pika janë brenda vijës së verdhë të qytetit, atëherë janë kompetencë e pushtetit vendor. Bashkia që jep lejen e ndërtimit mban dhe përgjegjësinë për çdo anomali. Kur jepen lejet e ndërtimit presupozohen edhe këto kushte teknike.  Inspektorati nuk dublon punën e Bashkisë, por vepron për rritjen e cilësisë dhe bën një dualitet me Bashkinë për të mos dhënë leje ndërtimi të pikave të karburantit dhe pikat e shitjes së gazit vend dhe pa vend dhe jashtë kushteve teknike. Dhënia pa kriter është shumë e dëmshme.

     Cili është problemi kryesor i prodhimit të naftës shqiptare?

     Është sepse nuk plotëson nevojat e vendit.  Në disa raste prodhimi, ku procesi më defektoz është filtrimi. Ballshi ruan shumë parametra, por defektet janë gjetiu. Ka përmirësime, por sërish nuk jemi në normat e Komunitetit Evropian. Nafta jonë nuk mund të eksportohet direkt për shitje-konsum jashtë. Problemi kryesor është përqindja e squfurit. Por lufta mes biznesit dhe Inspektoratit do të jetë, pasi ekziston lufta për fitim të shpejtë dhe fiktiv. Pra inspektorati duhet të jetë në luftë me falsifikimet e tregut bazuar në inspektorë profesionistë dhe jo militantistë. Sa më shumë squfur të ketë nafta aq më shpejt bllokohet motori i makinave.

     Si ka qenë nafta në periudhën e komunizmit?

    Nuk ka qenë më cilësore nga kjo që prodhojmë sot. Atëherë kishim një lloj nafte që me ato parametra nuk mund të falsifikohej dhe nuk mund të bëhej tregti e pandershme pasi çdo gjë ishte e centralizuar.

     Në sistemin monist përballoheshin nevojat e vendit me atë që prodhohej në Ballsh?

      Me aq punë sa bëhej po. Por duhet të dimë që nëntoka jonë ka naftë për nevojat e vendit, por ne s’kemi uzina përpunuese, të cilat kushtojnë shumë.