Invalidët nën terror, mbushin urgjencat se s’kanë lekë të blejnë ilaçet

    398
    Sigal

    Alarmohen familjarët e invalidëve, hanë një herë në ditë bukë dhe nuk kanë para për të lehtësuar dhimbjet e trupit

    Viktor Hygo ka portretizuar personazhe të frikshëm, me familjen Tenardje, të cilët i linin jetimët pa bukë dhe kotheret e bukëve ua hidhte qenve. Ndërsa realiteti i sotëm shqiptar tani po shfaqet edhe më tragjik, se këtu shteti shqiptar po lë invalidët pa pagesa, pa bukë, por edhe pa ilaçe dhe ata po vdesin urie, ndërkohë që, nuk kanë me se të mjekojnë plagët dhe dhimbjet e tyre të përditshme. Por këtu në Shqipëri, në vend të kothereve që Tenardjetë ua hidhnin qenve, janë miliona euro dhe dollarë që u lihen zyrtarëve të lartë, kontingjenteve të korrupsionit dhe mafias shtetërore. Ndërsa invalidët kanë vetëm dy rrugë: Të vdesin, ose të shkojnë në urgjencë për të shpëtuar nga vdekja. Invalidët e Shqipërisë, pasi zbrazin zyrat e bashkive dhe komunave, ku kërkojnë paratë e invaliditetit, nisen drejt spitaleve duke mbushur plot e përplot urgjencat. Kjo ndodh sepse paratë u vonohen gjithmonë nga 4-5 muaj, ndërkohë që, ata nuk kanë asnjë lekë për ilaçet, madje kanë konsumuar edhe vendet e pakta, ku mund të marrin borxhe. Sepse sot ka arritur një ditë, ku askush nuk guxon t’u japë borxh invalidëve duke e ditur se ata fatkeq nuk kanë se me çfarë t’i shlyejnë. Dhe kjo ka krijuar një situatë të rëndë për familjarët e tyre, por nga ana tjetër, edhe për shërbimet e urgjencës, të cilëve u duhet të përballen përditë me invalidë, të cilëve u ka rënë të fikët, ndërkohë që, disa të tjerë vijnë për të marrë shërbimin e ilaçeve ngaqë nuk kanë mundësi t’i blejnë, ngaqë paratë nuk i kanë marrë prej shumë muajsh.  Ndërkaq, gazeta “Telegraf”, ka marrë shumë njoftime nga invalidët, të cilët kërkojnë ndihmën e publikimit të hallit të tyre para opinionit të gjerë. Deri tani ata kanë shpresuar se qeveria e re do të sjellë një realitet të ri, po momentalisht gjendja e tyre duket e pashpresë.

    NOA

    Urgjencat

    Në një shoqëri të civilizuar vendet, ku mund të gjenden invalidët janë parqet e lulëzuara, ose brigjet e deteve, ku ata mund të shkojnë për të pushuar. Por në Shqipëri, Invalidët, apo shumica dërrmuese e tyre gjendet në dyert e urgjencave për të marrë ilaçet dhe ndihmën e parë, pasi ata nuk kanë marrë akoma pagesat e muajit. Pra, çdo vonesë e pagave për invalidët u heq atyre racionin e bukës, gjatë një vakti apo një dite. Ndërsa zyrtarët e korruptuar trashen dhe majmen çdo ditë me para të dyshimta, nga tenderët me abuzime.  Konkretisht gjatë ditëve të fundit me dhjetëra invalidë kanë mbushur urgjencat. Dhe shkak është bërë përkeqësimi i gjendjes së tyre shëndetësore për arsye se, prej disa muajsh nuk kanë marrë pensionin e invaliditetit, një ngërç i krijuar në gjithë vendin. Të pyetur nga “Telegraf” ata shprehen se, këto dy muajt e fundit nuk kanë blerë ilaçet, sepse nuk kanë marrë lekët nga ana e bashkisë dhe ende nuk dihet se kur do të zgjidhet ky problem. Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e mosmarrjes së pensioneve që prej 2 muajsh. Burime nga Shoqata e Invalidëve bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e invalidëve sa vjen e përkeqësohet, pasi shumë familje nuk kanë mundësi financiare që t’u shërbejnë si me ilaçe apo me ushqime dhe pampers, të sëmurëve që ata kanë në familjen e tyre.

    Rasti i Sadetes

    Sadete Murati shprehet për gazetën se po i nxihet jeta. “Unë kam bashkëshortin të sëmurë, invalid. Ai ka dy muaj që po vuan për arsye se nuk ka blerë ilaçet. Gjendja e tij është përkeqësuar disa herë dhe për këtë arsye e kam dërguar në urgjencë, ku mjekët më kanë ndihmuar disa herë duke i shërbyer. Por nuk e kanë mbajtur gjatë dhe e kam marrë përsëri në shtëpi. Unë nuk kam lekë as për t’i blerë Pampers bashkëshortit dhe jo më ilaçet apo ushqimet. Kam një kohë të gjatë që jam lidhur pranë tij pasi është tepër i sëmurë, por mosmarrja e lekëve ne po na shkatërron moralisht pasi e shikojmë ashtu të sëmurë dhe nuk kemi mundësitë financiare ta ndihmojmë”, tha ajo. Një pjesë e familjeve të invalidëve, u shprehën se janë në një gjendje alarmante. “Jemi para një situate tejet të rënduar, të sëmurët janë pjesë e familjes tonë dhe ne shqetësohemi, por nuk kemi mundësi financiare që të blejmë ilaçet për t’i kuruar. Mirë që na kanë ndihmuar mjekët e spitalit që na kanë shërbyer, pasi sa herë që i kemi çuar i kanë dhënë mjekimet përkatëse. Nuk e kuptojmë pse kjo neglizhencë e qeverisë që nuk i jep një zgjedhje kësaj situate. Ne e kemi bërë prezente gjendjen në bashki, por drejtuesit e bashkisë janë shprehur se nuk u ka ardhur fondi nga ministria”,- tha Sadete Murati. Burime nga Shoqata e Invalidëve, bëjnë të ditur se po rëndohet shumë gjendja shëndetësore e invalidëve, nëse vazhdohet kështu shumë invalidë për mungesë mjekimesh, do të ndërrojnë jetë. Kjo do të jetë me të vërtetë një ngjarje apo masakër që po i bëhet kësaj shtrese.