Ilir Hashorva/Nelson Mandela, njeriu që luftoi për Afrikën

    518
    Sigal

    Vjen për publikun shqiptar libri biografik mbi Mandelën, personi që hodhi bazat e një Afrike të Jugut të lirë

      Shtëpia Botuese Toena ka nxjerrë së fundmi në qarkullim librin më të fundit të autorit Ilir Hashorva “Nelson Mandela”.

    Pjesë e shkëputur nga parathënia

    … Mandela nuk u cilësua i madh sepse bëri burg të gjatë, por u cilësua i madh për idealizmin e tij dhe konsekuencën e atij idealizmi. Ai pati një ideal në jetë dhe atë ideal nuk e lëkundi kurrë. Mandela nuk u bë i madh për veprimtarinë e tij para se të burgosej dhe as për veprimtarinë e tij gjatë burgimit, që të dyja ishin në vetvete shembullore, ndonëse jo të jashtëzakonshme, por të mjaftueshme për t’i dhënë atij nder. Mandela nuk u bë i madh as për ndonjë cilësi intelektuale të jashtëzakonshme e as për ndonjë kulturë të gjerë, ai u bë i madh për veprimtarinë e tij pas burgut, për atë veprimtari që, ndonëse e shkurtër në kohë, ishte e ngjeshur në përmbajtje e në vlera. Ai ishte personi që hodhi bazat e një Afrike të Jugut të lirë, demokratike, jo raciale dhe paqësore. Ai doli nga burgu për të udhëhequr një revolucion paqësor dhe për t’u bërë “Ati i Kombit”, për t’u bërë një nga heronjtë më frymëzues dhe një nga politikanët më me integritet në të gjithë epokën e tij. Ai ishte personi që shmangu një luftë të ashpër civile jo vetëm midis të zinjve dhe të bardhëve, por edhe midis vetë të zinjve. Ai u kthye në këtë periudhë nga një udhëheqës politik, në një udhëheqës moral e shpirtëror, i cili bashkoi popujt e Afrikës së Jugut drejt së mirës, ai u kthye në një udhëheqës botëror, emblemë e kurajës morale, me qëndrime të drejta dhe krejt të pavarura nga personazhet e fuqishme botërore, të cilëve të tjerët u lëpiheshin e u jargaviteshin në mënyrën më të neveritshme.

    Libri për Mandelën mendoj se ka rëndësi jo vetëm për t’u njohur me Mandelën, me këtë njeri të madh të shekullit të njëzetë, që luftoi me shumë ndershmëri, guxim dhe konsekuencë për çlirimin e popullit të tij, por edhe për të krahasuar regjimin racist të Afrikës së Jugut, kundër të cilit u ngrit gjithë bota, duke mos përjashtuar edhe Shqipërinë tonë totalitare komuniste, me regjimin tonë komunist; me të drejtat dhe liritë e njeriut aty dhe këtu; me sistemin e drejtësisë aty dhe këtu; me sistemin e burgjeve aty dhe këtu; me sistemin e ndalimeve aty, me sistemin e internimeve këtu; me luftën raciale që u bëhej të zinjve aty, me luftën politike të klasave që u bëhej “të deklasuarve”, “reaksionarëve” këtu. Dhe, po ta shohim në këtë prizëm, do të kuptojmë se sa poshtë kemi qenë, se çfarë regjimi brutal e tiranik kemi pasur dhe sesa të pavetëdijshëm kemi qenë për këto!

    Mandela është konsideruar si komunist nga regjimet ultra të djathta, sepse ata shihnin racizmin e Afrikës së Jugut, të cilin luftonte Mandela, si një barrierë ndaj komunizmit; është konsideruar si komunist edhe nga regjimet komuniste, pasi ato e donin ta kishin të tyren. Në të vërtetë, Mandela ishte vetëm një demokrat liberal i vërtetë.

    Krijimi prej Mandelës dhe vënia në punë e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit ishte, ndofta, kryevepra e tij. Ai Komision bëri që kriminelët, pas rënies së regjimit të aparteidit, edhe pse nuk u dënuan sipas drejtësisë retributive, sipas drejtësisë që të jep dënimin sipas shkallës së fajit, sipas drejtësisë hebraike, nuk u trajtuan as sipas mëshirës së krishterë. Kriminelët u bënë të ulnin kokën dhe të shpallnin të gjitha të vërtetat e krimeve të tyre. Ai Komision bëri që në Afrikën e Jugut të hidheshin bazat e pajtimit kombëtar për të ardhmen. Mënyra se si i zgjidhi Mandela ndarjet nga e shkuara kriminale, ishte me rëndësi shumë të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe shumë vende të tjera e adoptuan atë metodë. Mandela pati meritën që, ndryshe nga disa udhëheqës afrikanë të shteteve të tjera, kuptoi rëndësinë që kishin të bardhët për mbarëvajtjen e vendit të tij dhe i siguroi ata se në Afrikën e Jugut nuk do të shiheshin si armiq. Ai u bëri thirrje atyre që të qëndronin dhe të kontribuonin për Afrikën e Jugut. Mandela pati meritën që të zbuste luftën e ashpër brenda racës, ai bëri thirrje për uljen e armëve dhe për pajtim brenda racës së zezë dhe midis racës së zezë dhe racës së bardhë. Një shprehje e kësaj e klime mirëkuptimi midis racave dhe popujve është vetë Himni i Afrikës së Jugut, i cili bashkon në interpretimin e tij katër gjuhë kryesore që fliten në Afrikën e Jugut, si dhe dy vija melodike: të himnit të mëparshëm të zi dhe të himnit të mëparshëm të bardhë. Po ashtu, shprehje e klimës së mirëkuptimit është edhe flamuri i ri i Afrikës së Jugut, i cili bashkon ngjyrat e flamurit holandez, anglez me ato të popullit afrikan të Afrikës së Jugut. Mandela vetë ka mbajtur qëndrime krejtësisht të paanshme dhe të ndershme për ngjarje të ndryshme ndërkombëtare, duke u nisur nga parime morale e parimore dhe aspak oportuniste a pragmatiste.

    Politikën paqësore brenda vendit të tij Mandela e shtriu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, në pajtimin e popujve dhe regjimeve të ndryshme që kishin probleme ndërmjet tyre. Ndryshe nga shumë drejtues të rinj afrikanë që u zhytën në korrupsion për t’u pasuruar, Mandela mbeti krejt i pastër. Ndryshe nga shumë drejtues të rinj afrikanë që, pasi u çliruan nga kolonizatorët europianë, deshën të hidhnin në det të gjithë të bardhët, Mandela ua njohu atyre vlerat dhe kontributin në kthimin e Afrikës së Jugut në vendin më të zhvilluar afrikan. Ndryshe nga shumë udhëheqës të botës që e mbajnë me dhëmbë pushtetin deri sa vdesin, Mandela, me gjithë autoritetin që gëzonte, me të cilin mund të rinte sa të donte në pushtet, pas pesë vjetësh të qeverisjes së vendit, ia la të tjerëve atë detyrë. Dhe Afrika e Jugut sot, megjithëse nuk është një vend ideal, prapë nuk është, për shembull, si Zimbabve (ish-Rodezia) e Robert Mugabes, që dikur konsiderohej si hambari i Afrikës dhe sot, nga nxitja prej shtetit të turmave të zeza për të plaçkitur pasuritë e fermerëve të bardhë, është kthyer në një vend të urisë e të mjerimit.

    Nju-Jork, 2012

    Deklarata e Mandelës në Gjyqin e Rivonisë dhe dhënia e dënimit

    Më 20 prill, nën masa të forta sigurie, të pandehurit u çuan në Pallatin e Drejtësisë për të paraqitur mbrojtjen. Atë ditë, në gjyq kishin shkuar edhe Uini me nënën e Mandelës. Mandela u ngrit dhe filloi të lexonte ngadalë: “Unë jam i akuzuari i parë. Kam shkallën e Baçelorit në Arte dhe kam punuar si avokat në Johanesburg për disa vite së bashku me z. Oliver Tambo. Jam një i burgosur i dënuar që po kryej pesë vjet burg për largim ilegalisht nga vendi dhe për nxitjen e popullit për grevë në maj të vitit 1961. “Pranoj të kem qenë një prej atyre që ndihmuan në krijimin e MK-së dhe të kem luajtur një rol të shkallës së parë në punët e saj, deri sa u arrestova në gusht të vitit 1962.

    “Që në fillim dua të hedh poshtë pretendimin e shtetit se lufta në Afrikën e Jugut ka ndikimin e të huajve dhe të Partisë Komuniste. Unë kam bërë ç’kam mundur, qoftë si individ e qoftë si udhëheqës i popullit tim, i prirë nga përvoja në Afrikën e Jugut dhe nga prejardhja ime afrikane dhe jo nga ato që mund të kenë thënë të huajit. “E kam mohuar të qenit komunist. E kam konsideruar veten gjithnjë si një patriot afrikan. Më pëlqen ideja e një shoqërie pa klasa, gjë që ka lindur pjesërisht nga leximi i Marksit dhe pjesërisht nga admirimi që kam për organizimin e shoqërive të hershme afrikane në këtë vend.

    “Pas kësaj, po kaloj në çështjen e dhunës. Disa nga ato që u thanë në këtë gjyq janë të vërteta e disa jo. Nuk mohoj se kam planifikuar sabotime. Nuk i kam planifikuar ato me shpirt papërgjegjësie, apo sepse më pëlqente dhuna. I planifikova ato si pasojë e një vlerësimi të qetë e të kthjellët të gjendjes politike që u krijua pas shumë vitesh tiranie, shfrytëzimi dhe shtypje të popullit tim nga të bardhët.

    “Ne të KKA-së kemi qenë gjithnjë për një demokraci joraciale dhe kemi shmangur veprime që do t’i çonin racat edhe më larg njëra-tjetrës. Por, e vërteta është se pesëdhjetë vjet të mospërdorimit të dhunës nuk i sollën asgjë popullit afrikan, përveçse ligje më represive dhe gjithnjë e më pak të drejta. Mund të mos jetë e lehtë për këtë gjyq të kuptojë, por është fakt se, qysh prej një kohe të gjatë, populli flet për dhunë, për ditën kur ai do të mund të luftojë me të bardhin dhe të rifitojë atdheun dhe ne, udhëheqësit e KKA-së, kemi mundur ta mbajmë nën kontroll këtë popull, të shmangim dhunën dhe të përdorim metoda paqësore…

    “Ne besonim se Afrika e Jugut ishte atdheu i të gjithë popujve që jetonin në të, dhe jo vetëm i një grupi: i të zinjve apo i të bardhëve. Ne nuk donim një luftë midis racave dhe ngulmuam ta shmangnim atë deri në minutën e fundit. Dhe plani ishte që MK-ja të kryente sabotime, dhe anëtarëve të saj u ishin dhënë udhëzime të prera që nga fillimi, që të shmangnin në çdo rast plagosjen apo vrasjen e njerëzve. Kundërpërgjigjja e pushtetarëve të bardhë qe e shpejtë dhe brutale: sabotimi u deklarua krim, që dënohej me vdekje. “Përvoja na kishte bindur se rebelimi i padhunshëm do t’i jepte qeverisë mundësi të pakufishme për masakrimin pa dallim të popullit tonë. Por, meqenëse trualli i Afrikës së Jugut ishte larë edhe më parë me gjakun e afrikanëve të pafajshëm, e ndjemë si detyrë të përgatiteshim për një ndërmarrje afatgjatë, për të përdorur forcën që të mbronim veten kundër forcës. Në qoftë se lufta do të bëhej e pashmangshme, ne donim që ajo të zhvillohej në terma të favorshme për popullin tonë. Pas sabotimeve, lufta që do të na interesonte më shumë dhe që do të kishte më pak humbje jetësh në të dy anët, do të ishte lufta guerilase. Kështu, vendosëm për të ardhmen të përgatiteshim për mundësinë e zhvillimit të një lufte guerilase.

    Mandela e ndërpreu leximin e deklaratës që kishte përgatitur. E la atë dhe iu drejtua trupit gjykues me këto fjalë, që do të bëheshin fjalët më të famshme të tij: “Gjatë jetës sime i jam dedikuar luftës së popullit afrikan. Kam luftuar kundër dominimit të bardhë dhe kam luftuar kundër dominimit të zi. Kam mbështetur idealin e një shoqërie demokratike dhe të lirë, në të cilën të gjithë të jetojnë së bashku në harmoni dhe me të njëjtat mundësi. Është një ideal për të cilin shpresoj të jetoj dhe ta arrij. Por, po qe nevoja, është një ideal për të cilin jam gati të vdes.”

     Thënie nga Mandela

    – Asnjë nuk lind me urrejtje për një tjetër për shkak të ngjyrës së lëkurës, për të shkuarën e tij, apo për fenë e tij. Njerëzit mësohen të urrejnë dhe, në qoftë se mësohen të urrejnë, mësohen edhe të dashurojnë, madje dashuria vjen në mënyrë më të natyrshme në zemrën e njeriut, sasa urrejtja.

    – Kam mësuar se kuraja nuk është mungesa e frikës, por triumfi mbi të. Trim nuk është ai që nuk tregon frikë, por ai që e mund frikën.

    – Çfarëdo dënimi që do ta shihni të përshtatshëm të më jepni për krimin që akuzohem, të jeni të sigurt se kur të mbaroj dënimin, do të drejtohem nga vetëdija ime. Do të drejtohem nga urrejtja për diskriminimin racial ndaj popullit tim dhe, kur të kem mbaruar dënimin, do të rinis, sa të mundem, luftën për heqjen e padrejtësive gjersa ato të eliminohen.

    – Gjatë jetës sime i jam dedikuar luftës së popullit afrikan. Kam luftuar kundër dominimit të bardhë dhe kam luftuar kundër dominimit të zi. Kam mbështetur idealin e një shoqërie demokratike dhe të lirë, në të cilën të gjithë të jetojnë së bashku në harmoni dhe me të njëjtat mundësi. Është një ideal për të cilin shpresoj të jetoj dhe ta arrij. Por, po qe nevoja, është një ideal për të cilin jam gati të vdes.

    – Ishte gjatë këtyre viteve, gjatë të cilave ndodhesha i vetmuar, që etja për liri për popullin tim u shndërrua në etje për liri për të gjithë popullin, të bardhë e të zi. E dija fare mirë se shtypësi duhej çliruar njëlloj si dhe i shtypuri, sepse edhe atyre u ishte grabitur liria. Kur dola nga burgu, misioni im ishte të çliroja njëkohësisht të shtypurin dhe shtypësin.

    – Po të doja, mund t’i kisha shkatërruar me lehtësi kundërshtarët e mi politikë, por nuk u kundërpërgjigja, sepse kisha përgjegjësi ta mbaja kombin të bashkuar. Më duhej të mbytja ndjenjat e mia dhe të mendoja përmes zemrës dhe jo përmes gjakut.

    – Presidenti i ri ka përgjegjësi të mëdha, aq më tepër që u zgjodh pa kundërshtim. Ai mund ta përdorë pozitën e tij të fuqishme për të larë hesapet me kundërshtarë të tij, t’i mënjanojë, apo t’i heqë qafe ata dhe ta rrethojë veten me burra e gra lepe-peqe.