Ilir Beqja u heq kompetencat drejtorëve të Elbasanit

    400
    Një urdhër gojor dhe shkresor, i dhënë personalisht nga kreu i Ministrisë Shëndetësisë Ilir Beqja u ka hequr pothuajse të gjitha kompetencat drejtorëve të tij vartës në Elbasan. Një skandal i padëgjuar, që ka lënë realisht hije dyshimi për korrupsion të pastër, pasi kjo gjë nuk ka ndodhur edhe në kohën e komunizmit, kur asokohe vendoste për gjithçka “I madhi dhe partia”. Prej afro 2 muajsh , drejtorët që Ministri Shëndetësisë Beqja ka nën vartësi, nuk kanë të drejtën të punësojnë as edhe pastrueset e institucionit, pa firmën dhe vulën e “të madhit”. Është Ilir Beqja ai që vendos, seleksionon, emëron, largon dhe qarkullon duke nisur nga shoferi, pastruesja, infermierja, mjekja dhe natyrisht shefi pavijonit dhe drejtori. Drejtorët e institucioneve të shëndetësisë në Elbasan janë kthyer në kukulla që kanë në dorë vetëm çelësat e kashtës. Ministri vendos për tenderat, emrat e firmave dhe kompanive fituese, emrat e infermiereve dhe mjekëve të rinj që do të punësohen, duke nxjerrë jashtë loje drejtorët e rretheve. Këta të fundit shprehen se “jemi kthyer në robotë, nuk kemi të drejtën të firmosim dhe vulosim për asgjë, nuk kemi guximin të flasim për asgjë, nuk kemi të drejtën të kundërshtojmë asgjë, të kërkojmë asgjë, thjesht jemi kthyer në roje zyrash”. Kjo situatë i ka kthyer institucionet e shëndetësisë në Elbasan në godina ineficiente, me personel që ka frikë të punojë, të flasë, të sugjerojë, të kritikojë, pasi “hafijet” njoftojnë ministrin dhe qysh nesër je i ikur nga detyra dhe vendi punës. Drejtorët e institucioneve të shëndetësisë në Elbasan kanë mbushur raftet e tyre me shkresat e firmosura dhe vulosura nga Ilir Beqja, për punësimet e reja, largimet dhe qarkullimet, apo edhe me urdhëratë për tu lidhur me firma dhe kompani të cilësuara nga ai, duke mos qenë të aftë dhe duke mos pasur të drejtë të vendosin apo kundërshtojnë asgjë. Drejtuesit thonë se “shpesh shkresat na vijnë dorazi ose me postë, edhe me firmën apo vulën e ndonjë vartësi të Beqjas, por që pastaj telefonohemi dhe na thuhet se “zbato urdhrin që ke marrë nga Ministria, edhe ai është në dijeni”. Një katrahurë institucionale, një mish-mash që ka futur në qorrsokak institucionet e shtetit dhe drejtuesit, që janë në pragun e dorëheqjeve të detyruara. Ka prej tyre që nuk kanë pranuar diktatin e ministrit dhe që aktualisht janë lënë si gurë shahu në krye të institucioneve në pritje të zëvendësimit me ndonjë servil që pranon ti bindet verbërisht atij. Në mbi 90 për qind e punësimeve në institucionet e shëndetësisë në Elbasan, kanë pasur OK vetëm nga Beqja, ndërkohë që drejtuesit nuk janë pyetur fare. Kjo natyrisht ka krijuar deficite potenciale në drejtimin e sektorëve kaq delikatë siç janë shërbimet mjekësore ndaj popullatës. Prej afro 2 muajsh, edhe infermieret e fshatrave dhe qytetit, punësohen vetëm me letrën e firmosur nga Beqja dhe askush tjetër. Heqja e kompetencave drejtorëve vartës, qartazi ka kompromentuar rolin dhe figurën e zotit Beqja, i cili ndoshta veç mungesës së “besimit” ndaj vartësve të tij, tregon se ka një tjetër “merak” që ka lidhje ngushta me afera të pista për të cilat janë përfolur kohët e fundit edhe mjaft bashkëpunëtorë të tij. Heqja e kompetencave drejtorëve vartës, është shkelje ligjore e pastër që ka futur me shpejtësi në rrugën e shkatërrimit institucionet e shëndetësisë në Elbasan, dhe që nesër do ti faturohet si përgjegjësi personale vetëm zotit Beqja.
    Sigal