Ilaçet e spitaleve, po shiten në farmacitë private të mjekëve dhe sekserëve të tyre

    457
    Ilaçet e spitaleve të Elbasanit shpesh po shiten në farmacitë e mjekëve dhe sekserëve, duke sjellë fitime marramendëse për xhepat e tyre dhe një torture të paparë për pacientët dhe të afërmit e tyre. Skandali me barnat e pacientëve në spitale, mbetet një proces i gjatë që ka nisur prej vitesh, pavarësisht denoncimeve nga qytetarët. Akuzat e këtyre të fundit, shpesh kanë marrë edhe konfirmim zyrtar. Zyrtarët e shëndetësisë lokalë dhe qendrore, shprehen se “jemi në dijeni se ilaçet përfundojnë në farmacitë përreth spitaleve në mënyrë të paligjshme, ku tregtohen me çmime tejet të kripura, po merren masa për të ndalur manipulimet e bluzave të bardha në kurriz të të sëmurëve”. Por, pacientët ankohen edhe për cilësinë e dobët të barnave me rimbursim, që u ofrohen falas nga shteti. Ata detyrohen të paguajnë lekë nga xhepi për t’i këmbyer ilaçet e rimbursimit me medikamente më cilësore. Sfida e qindra pacientëve që po përballen me sistemin shëndetësor “falas”, duket se po kulmon së fundmi me çështjen e barnave, mungesën e tyre, cilësinë e debatueshme dhe rastet korruptive. Pranë spitaleve në Elbasan, prania e sekserëve të barnave është lehtësisht e indetifikueshme për qytetarët. Mjafton të shkosh për të gjetur ilaçet e rekomanduara nga mjeku dhe kupton se shumë persona jetojnë duke shitur në mënyrë pirate barnat që mungojnë në farmacinë e spitaleve. Duke pyetur qytetarët dhe familjarët e pacientëve, mësuam se në spitale mungojnë medikamente bazë si Lasix, Adrenalinë, Atropinë, Papaverinë, Analginë, Voltaren, Glukozë, Valium, Ultrakorten dhe shumë të tjera. Çdo ditë ka raste që barnat e spitalit shiten në farmacitë e mjekëve, fakt të cilin e pohojnë edhe vetë farmacistët e punësuar. Qindra qytetarë të tjerë elbasanas, në qendra shëndetësore dhe farmaci, përballen me problemin e barnave që mungojnë. Në spitalet e Elbasanit, radhët e gjata të pritjes për vizita, shoqërohen me mungesën e barnave për trajtim. Ndërkohë që shumë farmacistë pohojnë si pacientët, për sa i takon cilësisë së dobët të ilaçeve të rimbursuara. Nga ana e farmacistëve pranohet hapur se “këto lloj ilaçesh, janë cilësisht të dobëta, ndaj qytetarët detyrohen t’i ndërrojnë kundrejt pagesës me ilaçe më cilësore, të cilat na vijnë ne nga sekserët”. Farmacitë në Elbasan, janë përgjegjëse për shpërndarjen e barnave të rimbursueshme, të regjistruara në librezat shëndetësore të pacientëve. Në qindra raste, qytetarët janë të detyruar të paguajnë për barnat e rimbursueshme, si shkak i mungesës së barnave dhe cilësisë së dobët të tyre. Pavarësisht se KLSH-ja ka bërë kontrolle dhe ka deklaruar se “shumë medikamente mjekësore të destinuara për qytetarët në treg, janë të skaduara”, duket se asgjë nuk ka ndryshuar për mirë. Llogariten të jenë mbi 100 lloje barnash të skaduara, që janë gjendur në farmaci dhe depot e spitaleve, duke ngritur dyshimin për mundësinë e efekteve anësore mbi shëndetin e pacientëve. Qytetarët elbasanas dhe veçanërisht pensionistët, janë klientët kryesorë të farmacive që punojnë me dy standarde, për të varfrit dhe për ata që mund të përballojnë çmimet e kripura. Një pensionist ish-ushtarak, u shpreh për “Telegraf” se “jam vizituar tek mjeku dhe kam marrë një recetë me ilaçin Droptimol, i cili kuron tensionin e lartë të syrit, e kërkova në 5-6 farmaci dhe farmacistët më sugjeronin ilaçe alternative, por edhe ato që marr me rimbursim, janë pa asnjë efekt”. Shumë pacientë flasin për barna të domosdoshme që mjekojnë sëmundjet e veçanta, të cilat janë të përjashtuara nga lista e barnave. Pensionistët me lloj-lloj sëmundje e ndjejnë veten të pamundur në kurimin e tyre, pasi ilaçet e përfshira në listën e rimbursimit, shpesh nuk përfitohen. Ilaçet e tilla si Atenalol, Enalapril, Corvitol apo Berlipril, që mjekojnë disa sëmundje të zemrës, diabetit, pensionistët detyrohen t’i paguajnë ose të mos i blejnë. Shqetësim tjetër mbetet fakti i pranisë së ilaçeve të dyshimta nga firma inovative, që janë prezente në listën e rimbursimit dhe spitale. Por, pavarësisht abuzimeve me cilësinë e ilaçeve të rimbursueshme, mungesën e tyre në farmaci dhe veçanërisht spitale, shtimi i denoncimeve të qytetarëve, duket se reflektimi zyrtar për të përmirësuar situatën është minimal. Korrupsioni në mjekësi, duket qartë se mbrojtjen më të madhe e ka nga lart-poshtë, atje ku zë fill edhe guximi dhe kurajoja e tyre, për të grabitur ilaçet e spitaleve dhe për t’i shitur ditën me diell në farmacitë dhe laboratorët e tyre private.
    Sigal