Hyqmet Zane: Për çfarë demokracie bëhet fjalë në Shqipëri?

256
Sigal

E ardhmja si një pikëpyetje e madhe për rininë

Për çfarë demokracie bëhet fjalë në Shqipëri ?

 Hyqmet Zane

Nëse në administratën publike ku është i prekshëm ligji dhe shërbimet ndaj qytetarëve dhe veçanërisht  biznesit, nuk gjen shërbimin e duhur dhe hapur mbetet nënteksti “hidhu të marrësh shërbimin”, hapur kjo të dikton abuzimin me pushtetin, në emër të shtetit.

 

Ngjarjet e ndodhura sëfundmi në Shqipëri sa në jug me katër të vrarë me shuarjen e një familjeje nga aksidenti i një të riu me makinë super të shtrenjtë, me një shpejtësi super të marrë, si dhe në very, vrasja në mes të natës të katër pjesëtarëve nga dy familje nga babëzia e pasurimit me çdo mjet e me çdo kusht, janë një këmbanë alarmi që duhet të shqetësojë gjithkënd. Qytetarët janë të tronditur nga papërgjegjshmëria e një qeverisje që ka një kryeministër që tallet me fatkeqësinë dhe ka një polici që gjithçka bën, por veç detyrën nuk e bën dot.

Është ky realitet që po ndodh sot në familjet shqiptare, sepse ka diçka të rëndësishme që nuk shkon : ose në familjet shqiptare nuk ka edukim për fëmijët e tyre, ose në vendin tonë ka një qeverisje që kërkon ta zëvendësojë popullin e vet me të ardhur nga firifistuni siç thuhet fjala, dhe rinia shqiptare të ikë.

Debatet në mesin e familjeve shqiptare janë kthyer edhe në konflikte brezash mes fëmijëve me prindërit. Jo për fajin e prindërve, por as të fëmijëve, por të një realiteti kundravers që përjetohet në shoqërinë shqiptare dhe që reflektohet edhe brenda familjes. Kontrasti i kërkesave mes fëmijëve dhe prindërve për jetën dhe jetesën, bën që fëmijët të bëhen protagonistë me kërkesat e tyre për ndryshim të jetesës. Por më shumë se ndryshim në mënyrën e jetesës, duket si një ndryshim i thellë mes filozofisë që tërheq njerën, apo tjetrën palë.

Mes shumë ngarkesave që kanë kryefamiljarët në Shqipëri, një mik më tregonte një debat mes tij dhe djalit, që tashmë në një moshë rinie, sapo mbushur të 20-tat. Pa shumë ndroje, as me ndonjë logjikë të pranueshme për familjet tona, por edhe me pak arrogancë, djali i kish kërkuar babait të bënte ndryshime, që nga makina e deri tek mënyra e jetesës.

  • Nga u frymëzove, – i kish thënë i ati
  • Po pse, me makinë të 2010-ës do rrimë ne akoma, më vjen turp të hyp në atë makinë, kur shokët e mi kanë fuoristrada të vitit të fundit dhe bëjnë qejfe ku të duan – iu përgjegj djali pa iu dridhur qerpiku dhe pa shumë përgjegjësi për çka po fliste. – Pse kështu do bëjmë ne, siç keni bërë ju ?

Babai i habitur për këtë mllef të grumbulluar e të shpërthyer në një moment të vetëm, pa asnjë diskutim në të shkuarën, e kishte lënë pa fjalë.

  • Po ti, more bir, nuk e di që ajo makinë na ka mbajtur gjallë, me atë makinë u bë e mundur të kemi pak pasuri, ajo makinë na ka dhënë këtë shtëpi dhe jetojmë më mirë se të tjerët, kam punuar me atë makinë ditë dhe natë dhe jam rropatur për t’ju rritur juve dhe që të shihnit një jetë pa probleme, – ia ktheu i ati, që kishte mbetur i habitur nga një mendësi e tillë e të birit të tij. Ai e dëgjoi dhe më tej, iku si i zemëruar.

Është njëra nga bisedat më “paqësore” se mund të ndodhte edhe ndonjë konflikt me fjalë dhe fizik, që jo rrallë kemi parë në pallatet ku jetojmë, por edhe kemi dëgjuar  në qytetet tona. Duke m’i treguar këto rrethana, u vura në mendime dhe ecja rrugës dhe bluaja bisedën se shumë histori të tilla kam dëgjuar dhe e pashë të udhës të bëja një analizë publike. Pa shumë komente, kjo është sjellja e të rinjve sot në familjet shqiptare, pa përjashtuar këtu as femrat, që janë bërë si me “yll në ballë”, siç thuhet fjala.

Pyetja e parë që bëhet në këto raste është se përse ky realitet, nuk edukon familja, nuk ka vlerësim real në shkolla apo programet shkollore kanë nevojë për rishikim, ndoshta edhe për ndryshim, jo si plagjatura, por si realitete tipike në kushte tipike të një shoqërie tipike ? Për më shumë akoma, cili është roli i shoqërisë në ndikimin për të krijuar të tilla ballafaqime në familje?

Me siguri do të thoja se shoqëria shqiptare po bëhet një indikator i rëndësishëm në drejtimin negativ për një pjesë të rinisë, që më pas kthehet në një problem më vete.

Së pari, realiteti me një ngarkesë të madhe informaliteti, pasurimi të shpejtë nga rrugë të paligjshme, edhe pse me risk, bëhen një shembull jo i mirë, por që pëlqehet nga të rinjtë që, para se ta vrasin mendjen për të studiuar në shkollat e larta, për të nisur rrugën eficente të jetës, kërkojnë të imitojnë bashkëmoshatarët e tyre, që kanë siguruar të ardhura pa djersë, dhe pa patur një biznes, por që kanë të ardhura  të majme nga tregtia e paligjshme e çfarëdollojshme, edhe pse mund të rrezikojnë jetën apo sigurinë e jetës me burgim, apo probleme të tjera të panjohura.

Një makinë e shtrenjtë dhe shumë syresh që qarkullojnë si xhiro nëpër qytetet shqiptare, i bëjnë karshillëk bashkëtërinjve të tyre dhe duke i bërë ata robër të drejtimit, për të qene pjesë e grupit të shpërndarjes së drogave të shtrenjta tanimë, ose duke menduar rrugët e prostitucionit, apo mendimin për të bërë grabitje të ndonjë bankë, siç edhe ka ndodhur, apo të një biznesi, apo edhe të ndonjë pasurie individësh të pasur. Kemi dëgjuar në lajme aq sa jepen, po aq sa edhe dëgjojmë nga njerëz me të cilët kontaktojmë.

Nuk mund të lemë në hije faktin që kryeministri i vendit qeveris me arrogancë dhe prepotencë administrative në bashkëpunim me ministrant, apo siç ka bërë edhe me ish-ministrat, pa folur për drejtues drejtorish, e deri në nivele lokale. Mjaft të dëgjosh se si po sillet vetë kryeministri me kryebashkiakun e sojit të tij në Vlorë, Dritan Leli, nga i cili mbeti i pakënaqur për qëndrimin e këtij kryetari bashkie që preferoi bashkinë dhe jo dorëheqjen për t’u bërë deputet, si dhe mënyra se si sillet një ish- ministër si Damjan Gjiknuri, i shumë akuzuar për dosjen e Dibrës, apo edhe për bashkëpunim me abuzues në kohën që ishte ministër, të lë të kuptosh se ligji nuk është drejtësia e re, por mendësia e vjetër e kryeministrit që di të bëjë shumë mirë sjelljen arrogante, se sa sjelljen institucionale. Nëse në administratën publike ku është i prekshëm ligji dhe shërbimet ndaj qytetarëve dhe veçanërisht biznesit, nuk gjen shërbimin e duhur dhe hapur mbetet nënteksti “hidhu të marrësh shërbimin”, hapur kjo të dikton abuzimin me pushtetin, në emër të shtetit.

Mjaft të shikosh me vëmendje sjelljen e policisë rrugore që i ve gjoba një shoferi që në një moment gjendet pa rrypin e sigurisë dhe nga ana tjetër, lejon që makina të shtrenjta me xhama të zinj apo tip sportive, udhëtojnë në rrugët e qytetit me shpejtësi dhe zhurmë të frikshme dhe askush nuk i ndalon, ky është shembulli më negativ që jep vetë policia duke u bërë palë më “të fortët” e qytetit.

Pikërisht në këtë realitet jeton edhe djali i atij babai që jetën e tij e ka ngritur me punë të ndershme dhe djersën e ballit edhe pse me një makinë të vjetër dhe ai ka ankesa për babain e tij që nuk po e kupton të renë ?! Por që në fakt djali po mendon ndryshe nga të jetuarit mbi bazën e ligjit dhe është joshur nga jeta e shtrenjtë dhe me përfitime të shpejta të paligjshme, ndaj i bën antagonizëm babait ë tij.

Shpesh thuhet për show se do bëhet kontroll i këtyre lloj makinash të shtrenjta dhe për deklarimin e pasurisë së atyre që bëjnë investime pa ditur se nga  cilët burime i kanë paratë dhe ato nuk zbatohen, pikërisht këto janë “modelet” që kanë joshur djalin e një familjeje, si shumë të tjera në këtë vend. Një jetë e mbushur me abuzime në çdo gjë, tendencat  për të fshehur ardhurat e individëve me pasuri marramendëse, që investojnë në ndërtime pafund, janë modeli i një shoqërie në Shqipëri, për të cilën nuk flet kryeministri i vendit, por bën gallatë e batuta në televizione edhe në ato të huajat, sepse është ky realitet që i pëlqen atij dhe që tanimë i pëlqen edhe një të riu, që do të jetë modeli edhe për shokët e tij.

Do të pyesë dikush që, kjo është demokracia në Shqipëri ? E beson se ka ardhur ? Për çfarë demokracie bëhet fjalë në Shqipëri ? Kur tanimë në këta 10 vjetët e fundit është rikthyer një sistem që veç demokraci nuk mund t’ia vesh emrin. Në fakt kanë ndryshuar vetëm taktikat ndaj një populli që pa luftë vritet ngadalë, duke i zhdukur arsimimin e përfundojmë  në zyrtarë militantë apo patronazhistë.

A mos ndoshta e ardhmja është bërë si një pikëpyetje e madhe për rininë tone, apo edhe slloganet e kryeministrit dhe sejmenëve të tij, do të mbeten “punësimi” për të rinjtë që mendojnë veçse të ikin, që një qeverisje të mos ketë probleme ?

Një baba, një intelektual, një burrë shteti mendon për të ardhmen me shqetësim, sepse ka harruar të shohë të tashmen, dhe as që po e kuptojnë këtë të tashmen dhe as e marrin me mend se çfarë e ardhme po vjen, duke humbur gjithçka,  sepse mungon një mendje e shëndoshë drejtuese e një vendi që u mendua se, kaloi nga diktatura në demokraci ,dhe tani po e rikthen në një neodiktaturë.