Hyqmet Zane: Çamëria, dëshmi autentike, emër e flamur shqiptar

432
Sigal

Besimi fetar, pjesë shpirtërore e njeriut dhe jo pretkst për genocid ultranacionalistësh

Nuk dua të bëhem pjesë e një debati në lidhje me një vendim të qeverisë dhe shtetit të Turqisë për shndërrimin në xhami të Aja Sofia në Stamboll. I drejtë apo i padrejtë ai debat për atë vendim është edhe çështje interpretimi që i përket qeverisë turke, por marr shkas për një refleksion të detyruar për qëndrimet me dy standarte që bëhen nga e quajtura botë e qytetëruar, kur vjen fjala për fenë islame. Është një e drejtë e atyre, por duhet thënë se besimin e një njeriu nuk e përcakton institucioni, por vetë mendja dhe shpirti i çdo individi, se çfarë feje do, dhe kujt besimi i përket.

Sa herë që flitet për fenë Islame, për xhamitë dhe teqetë si vende kulti, për besimtarët muslimanë dhe bektashianë, ka një reagim acarues për opinionin, për shkak të ndikimit që ka ushtruar krishtërimi me dhunë, me inkuizicion dhe forma genocidiste ndaj besimtarëve të fesë islame. Është një periudhë e gjatë shantazhesh dhe padrejtësish që janë bërë ndër shekuj.

Lexoj dhe marr informacione të ndryshme në lidhje me këtë qëndrim të Presidentit të Turqisë Erdogan për vendimin tanimë të parikthyeshëm në xhami të Aja Sofia. Duke rikthyer në kujtesë të vërtetat historike, më vijnë në mendje histori të treguara, fakte të jetuara që thuhen e thuhen siç është rasti edhe për  xhamitë e Çamërisë, krahinës shqiptare që iu dha Greqisë padrejtësisht nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913. Sa e sa vepra të padrejta me dhunë e genocid iu bë popullatës çame, pas asaj Konference që besoj se nuk ishin në protokollin e vendimeve të marrura, po aq sa edhe padrejtësi europiane për ato krime për të cilat heshti Europa e çdo kohe. Sa e sa xhami në këtë krahinë, pronë e popullatës së Çamërisë, u shkatërruan, u tjetërsuan, u lanë në mëshirë të fatit si një urrejtje shoviniste e shtetit të Greqisë që përzuri edhe banorët e kësaj krahine me genocid vetëm e vetëm pse ishin të besimit islam.

Kush protestoi, kush u shqetësua në atë kohë, kush duhet të mbronte të drejtat njerëzore dhe fetare të një popullate të kosiderueshme që humbi jo vetëm ndërtesat e religjonit të tij, por edhe shtëpitë dhe pasuritë e tyre stërgjyshore. Përse ndodhi kjo?

Kanë kaluar jo pak, por 76- vjet dhe nuk ka pasur një reagim të kryepeshkopit të kishës autoqefale shqiptare, Anastas Janullatos për Çamërinë dhe genocidin ndaj popullatës dhe pasurisë së tyre fetare dhe ndërtimore, ku rrinë ngrehur si dëshmi autentike e banimit të popullsisë çame. Ndërkohë që për Turqinë, për vendimin e shtetit për Aja Sofian, Janullatos reagon me shpejtësi. Përse? Nuk e kemi dëgjuar një herë të vetme këtë klerik grek që sot ka pashaportë shqiptare, që të flasë për padrejtësitë e shtetit të tij Greqisë ndaj Çamërisë, veçanërisht për prishjen e xhamive në këtë krahinë. Një mik shqiptar i besimit islam jo me origjinë nga Çamëria, shkruan se “sa shumë analistë të keqardhur për Aja Sofian, nuk i kemi dëgjuar të shprehin keqardhje, apo notë proteste për këto xhami të keqtrajtuara e të mbyllura nga greku, (një pjesë të e cilave janë kthyer në kisha) Përse vallë bëheni njerëz që lozni dhe silleni me dy standarte?”.

Ku është respektimi i të drejtave dhe lirive fetare? Me çfarë të drejte legjitime mund të flasë një shtetas shqiptar si Janullaltosi për një problem, kur ai nuk ka folur për xhamitë që shkatërroi dhe tjetërsoi shteti grek ? E kam të qartë sjelljen e këtij njeriu që edhe për kishat autoktone shqiptare në qendër të Shqipërisë, siç janë kishat e Shelcanit dhe Valshit, ku ka pikturuar afresket e veta dora e mjeshtrit të madh të Rilindjes europiane Onufri, nuk ka vënë dorë restaurimi ky kryepeshkop. Kam bindjen e plotë se këtë e bën se do rrënimin e tyre, që të mos ketë shenja autoktonie që mbajnë vulën shqitptare në kishat e këtij vendi.

Kjo është drejtësia e një kryepeshkopi shqiptar që na u shqetësonka për kishën Aja Sofian duke përdorur teori nacionalizmi të dëmshme, që Greqia e tij i ka modele tipike ultranacionaliste të sjelljes me besime të tjera? Ndoshta Janullatosi e di mirë që çfarë letre i ka dërguar Papës së Vatikanit Preng Doçi, Abati i Mirditës, më 20 tetor 1886 për shkatërrimin e kishave katolike në Çamëri.

Ja një pasazh nga ajo letër e sinqertë e një kleriku: “Si ortodoksët dhe muslimanët, në shekullin e 15-të ishin të gjithë katolikë, por në kohën e Perandorisë Bizantine, u gjendën nën vartësinë e Patriarkut të Kostandinopolit, por këto sollën midis tyre shizmën (fenë ortodokse) që, për shkak të urrejtjes ndaj papëve dhe ndaj popujve të Europës Perëndimore, qeveria Osmane kishte filluar ta tolerojë në perandorinë e vet.

Me kohë filluan të vijnë në Epir edhe grekë, edhe vllehë. Por popullsia shqiptare epirotase është shumë më e madhe përderisa gjithë ortodoksit e Epirit arrijnë në 600 mijë banorë. Katolikë nuk ka në këto anë, veç disa qindra, të shumtët tregtarë e punëtorë të përhapur në qytetet kryesore”.

Për këto hesht Janullatosi, sepse ai nuk e njeh drejtësinë e të vërtetave historike, ndaj dhe të shqetësohesh nga Shqipëria për një Aja Sofaja në Stamboll, kurse për xhamitë e Çamërisë dhe genocidin ndaj banorëve të saj që u vranë me zjarr e me hekur, nuk flet, se është mëkatari që padrejtësinë e ka model të shtetit të tij amë.

Para Zotit të gjithë besimtarët janë të barabartë dhe po ashtu edhe popujt, por për fatin e keq padrejtësia i ka kapëluar deri në fobi ata që nuk e duan fenë islame. Nuk e di se ku është e shkruar, por di që kjo urrejtje ka ushqyer edhe urrejtjen kombëtare ndaj popujve të lirë në vendin e tyre dhe grekët e serbët, fqinjët tanë historikë vetëm e vetëm pse kanë besim të ndryshëm nga feja ortodokse. Çamëria është si dëshmi autentike me gjak, emër e flamur shqiptar. Besimi si fetar që kanë pasur dhe kanë banorët e kësaj treve, është pjesë shpirtëroree njeirut dhe jo pretkst për genocid ultranacionalistësh si grekët e serbët ndaj shqitparëve.