Hekurudhat/ Specialistët e HSH: Duhen mbi një miliardë dollarë ta lthesh siç ishte

    324
    E ndërsa dy ditë më parë është zhvilluar në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës analiza vjetore e Drejtorisë së Hekurudhave Shqiptare, duket se edhe ky takim zyrtar ka vijuar me seriozitetin e shtirur dhe është mbyllur me batuta humori. Në analizën për vitin 2015, raportin e ka mbajtur në praninë e ministrit, disa drejtorëve dhe vartësve të tij, kreu i Hekurudhave Shqiptare, Z. Genci Alizoti. Përgjatë gjithë leximit të raportit, ky i fundit ka treguar dhe ka detajuar problematikat, ato pak arritje, dhe ka kërkuar nga Ministria e Transporteve jo vetëm vëmendjen maksimale ndaj një transporti që po mbaron së ekzistuari, por edhe zbatimin e projekteve që janë bërë prezente prej kohësh.

     Faktet në raportin e kreut të HSH flisnin qartë për degradimin e thellë të të gjithë sistemit të transportit me shina, siç e quajnë specialistët e vjetër të asaj ndërmarrje (të madhe dikur) nacionale. Fliste qartë për shkatërrimin e sistemit elektrik, mekanik; shkatërrimin e rrjetit në afro 70% të tij në shkallë vendi, tkurrjen e strukturave dhe fuqisë punëtore; defiçitet e vjetra dhe të reja financiare. Ashtu siç ishte premtuar dhe menduar, Hekurudha Shqiptare nuk i ka arritur ato objektiva, jo vetëm për realizimin e të ardhurave, por edhe në zëra të tjerë ekonomikë, duke krijuar situata të rënda financiare, madje duke rrezikuar çdo muaj deri edhe ndarjen e rrogave. Shkurtimi i fuqisë punëtore, rritja dhe shtimi i kapaciteteve në zyrat e administratës në qendër dhe rrethe, nuk ka krijuar shanse për përmirësimin e shërbimeve hekurudhore. Duket se gjithçka është munduar të mbahet e fshehtë, dhe është publikuar dukshëm vetëm premtimi i Z. Haxhinasto, sipas të cilit “pavarësisht problematikës së trashëguar, transporti hekurudhor ka potencial të madh zhvillimi” dhe se “ndër objektivat kryesore për vitin 2016, është rivitalizimi i segmentit të rëndësishëm Durrës-Elbasan-Përrenjas dhe Lin- Pogradec”.

     Por si mendojnë specialistët e Hekurudhave Shqiptare, ata që nuk ishin prezentë tek analiza e ministrit dhe që prej 40 vitesh kanë kontribuar dhe jetuar gjatë me transportin me shina? Edmond Musta, një inxhinier me shumë eksperiencë, ish-drejtues në qendër dhe rrethe, dhe ndër zërat e fuqishëm të HSH në vite, mendon se “premtimi i zotit Haxhinasto i ngjan shumë premtimit të ish-ministrave që prej 20 vitesh pasi e shkatërruan, kanë dëshirë dhe ndërtojnë ta ribëjnë, dhe rikthejnë transportin me shina duke mbushur sirtarët me dosje, projekte, foto satelitore nga hekurudhat gjermane, franceze, serbe, apo dhe ruse e kineze, por harrojnë se kosto e kësaj pune sot arrin në mbi 1 miliardë dollarë, dhe pse? Sepse sot nga 457 km gjatësi linjë hekurudhore të cilën Enver Hoxha e ndërtoi me krahët e shqiptarëve dhe kreditë kineze, kanë mbetur aktive vetëm 30-35% e tyre, nga qindra vagonë dhe lokomotiva të cilat ishin në gjendje të mirë mekanike dhe elektrike, shumica e tyre kineze. Sot as 5% e tyre nuk janë aktive, pasi u vodhën dhe shitën. Nga 457 km gjatësi kabllosh dhe linjash të tjera elektrike, dhe atyre që shërbenin për sistemin e telefonisë dhe më vonë radiove, sot nuk gjendet qoftë edhe metër, pasi janë vjedhur! Janë shkatërruar shinat dhe trasetë, janë vjedhur pajisjet dhe magazinat, që ishin plot me metale të çmuara, duke u shitur dhe duke mbushur xhepat e batakçinjve. Kjo është vetëm një llogari e thjeshtë, pa hyrë në të thella, ndaj Z. Ministër, mos premtoni sa herë bëhen analiza, sepse është premtim i dalë boje, dhe duket sikur talleni me ata qindra punëtorë që larguat nga puna, dhe me ata që sot marrin një rrogë qesharake, pavarësisht se ngrysën jetën e tyre mbi shina”. Duke u ndalur paksa tek linja e premtuar e Z. Haxhinasto, specialisti i HSH, u shpreh se “nuk besoj se ministri të ketë hipur në tren këto 25 vite dhe as nuk do të ketë shansin (ashtu siç udhëtojnë kolegët e tij europianë), por i them se në rast se do të provosh dhe të udhëtosh, qoftë edhe një herë si pasagjer në aksin hekurudhor Durrës-Elbasan-Librazhd (pasi deri aty shkojnë shinat), do të bindesh se premtimi që bëre në analizën vjetore dhe ëndrrat, nuk bëhen kurrë realitet edhe për shumë vite të tjera”.
    Alma Jonuzi
    Sigal