Harallamb Kota: Kongresi Kombëtar i Lushnjës dhe zgjedhjet e para parlamentare-pluraliste

    499
    Situatat politiko-shoqërore dhe Kongresi i Lushnjës
    Vitet 20-të, me vendimet që mori Kongresi Kombëtar i Lushnjës, lidhur me rimëkëmbjen dhe rifitimin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, nisi një kthesë historike, një epokë e re, ku procesi historik kishte përmbajtje e synime të reja. Pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, më 9 nëntor 1921, u forcuan pozitat ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Sadopak u lehtësua barra e madhe që u diktonte shqiptarëve nevojën e mbrojtjes së vendit dhe shtetit. Kjo situatë e re, krijoi kushte të favorshme që gjithë forcat politike të shtetit shqiptar të sapo rimëkëmbur, tu kushtoheshin zgjidhjes së problemeve të brendshme. Në skenën politike shqiptare, dominoi lëvizja për demokraci liberale, që mori tiparet, madje të shprehura fuqishëm në shtypin e atyre viteve si “Lëvizja për oksidentalizim”. Gazeta “Fjalë e Lirë”, që botohej në Vlorë, duke shprehur dhe zbërthyer në mënyrë origjinale konceptin e qarqeve liberalo-reformatore për Oksidentalizimin e Shqipërisë, bënte këtë zbërthim: Operacione (shkurtime) në nëpunës, koncesione për zhvillimin ekonomik, Shkurtime në çdo degë të administratës, Veçim i të ligut dhe të pamoralit, Demokraci me fakte e jo me fjalë, Energji në Legalitet të Drejtësisë, Nacionalizëm me tru e jo me ngjyrë, Taksa të lehta sipas fuqisë, Asamble Kushtetuese në rast të favorshëm, Liri për shtyp, por me frena llastiku, Irredentizëm për moralin kombëtar, Sinqeritet në shpenzime e në urdhra, Miqësi me shtetet që u shkon fjala, Afrim i elementit të duhur të opozitës në bashkëpunim. 
    Situatë problematike parazgjedhore
    Në situatat politiko-shoqërore të krijuara pas Kongresit të Lushnjës, Shqipëria po i drejtohej zgjedhjeve të para për legjislativin. Këshilli i Ministrave hartoi më 5 dhjetor 1920, projektligjin e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar, që u dekretua nga Këshilli Lartë, më 14 dhjetor 1920. Sipas ligjit zgjedhjet do të bëheshin me votim të tërthortë, dyshkallësh. Kandidat për deputet mund të ishte çdo shtetas, i cili dinte shqipen me shkrim e me gojë dhe nuk “ishte shërbëtor i kurrkujt”. Të varfrit përjashtoheshin nga konkurrimi, ndërsa gratë dhe ushtarakët nuk kishin të drejtë vote. Emri i kandidatit duhej të shkruhej me dorë nga votuesi. Duke qenë se 80% e popullsisë ishte analfabete, ligji e lejonte që emrin e kandidatit ta shkruante edhe një person i tretë. Kjo mënyrë votimi do krijonte mundësi për të shkelur vullnetin e lirë të pjesës më të madhe të zgjedhësve. Nën trysninë e forcave të jashtme e të brendshme, qeveria dhe Këshilli Lartë pranuan të drejtën e komuniteteve fetare që të dilnin në zgjedhje me listë të veçantë deputetësh. “Ligji për zgjedhjet, -shënohet në f.178 të volumit Historia e Popullit Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave viti 2007, u kritikua nga rrethet atdhetare e përparimtare, sidomos nenet që në procesin e zgjedhjeve i ndanin shtetasit sipas përkatësisë fetare, çka nuk i shërbente bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Por këto kundërshtime nuk arritën të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve. 
    Zgjedhjet e para pluraliste
    Zgjedhjet e para pluraliste, u organizuan në muajin janar 1921 nga Kryeministri Iliaz Vrioni, sipas listave të miratuara nga prefekturat e Shqipërisë. Kandidatët që u përfshinë në këto lista, në pjesën dërmuese, ishin anëtarë të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar”, e cila përfaqësohej nga intelektualë të shkolluar në perëndim, apo të dalë nga shkolla revolucionare e turqve të rinj, (oficerë e civilë), për të organizuar dhe drejtuar “Lëvizjen Kombëtare” dhe për mbrojtjen e stabilizimin e Shtetit Shqiptar; pjesa tjetër ishin figura atdhetare të arsimuar në europë e Amerikë, si dhe patriotë shqiptar të diasporës që kishin përqafuar mentalitetet perëndimore. Në zgjedhjet e para pluraliste, kjo organizatë politike atdhetare, kishte si synim zgjedhjen për deputetë të personave: “Me parime politike të Kongresit të Lushnjës”, i cili sipas Dr.Prof. Hysen Kordhës shënuar në referimin Studime Historike, solli kthesën historike për fatet e popullit tonë dhe nisën përpjekjet për ndërtimin e forcimin e shtetit të saporiformuar shqiptar, për demokratizimin e jetës socialo-politike, për zgjidhjen e problemit agrar dhe sidomos për afrimin e Shqipërisë me Evropën, ose siç thuhej atëherë për oksidentalizimin e Shqipërisë. Veç të kandiduarve nga “Krahu Kombëtar”, në zgjedhjet e para pluraliste, morën pjesë edhe kandidatë të propozuar nga klasa e pronarëve të mëdhenj të tokave, nga nacionalistët dhe nga elementi kosovar që vinte nga “Komiteti Mbrojtja e Kosovës”. Megjithatë, zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, krijuan edhe situata problematike, sidomos në zonat e Shqipërisë së Mesme, ku ende qarkullonin mjaft elementë turkoman, të cilët nxisnin fshatarësinë e atyre anëve që të mos pranonin të votonin dhe të zgjidhnin deputet për në parlamentin e Shqipërisë. Elementë të ndryshëm me tituj dhe ofiqe perandorake, kërkonin ende që Shqipëria të ishte “Principatë Turke”. Ata frynin urrejtje karshi administratës shqiptare, flamurit shqiptar, gjuhës shqipe dhe elementit të krishterë shqiptar.
    Krahas elementit turkoman….
    Krahas elementit turkoman, në Shqipërinë Juglindore vepronte energjikisht elementi grekoman. Më 3 shkurt 1921, sipas Kastriot Dervishit shkruar në librin e tij “Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005” botim i v.2006, nënprefekti i Gjirokastrës Kolë Tromara, i telegrafonte MPB, se shtypi grek shkruante se: “ishin bërë përpjekje deri në Konferencën e Paqes për të mos zhvilluar zgjedhje në jug të Shqipërisë dhe se ky lajm kishte bërë përshtypje të thellë në Shqipëri”. Përfaqësuesi i prefektit, Hasan Dosti, telegrafonte po ato ditë se klubet “vorioepirote” kishin protestuar për shkak të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Lufta politike, citohet në librin “Historia e Popullit Shqiptar” faqe 179, botim i Akademisë së Shkencave, gjatë fushatës zgjedhore qe tepër e ashpër. Madje në dy prefektura, në atë të Korçës e të Shkodrës, u spekulua edhe me ndarjen fetare të popullsisë. Kështu disa kandidatë për deputetë të “grupit popullor” të Korçës të kryesuar nga Koço Kota me të kaluar të mirë atdhetare, por të pakënaqur me listën e kandidatëve të propozuar nga partia e tyre, u bënë thirrje të krishterëve që të bojkotonin zgjedhjet. Nga ana tjetër vlonte propaganda e organizimit të zgjedhjeve sipas përkatësisë krahinore e fetare, e cila binte ndesh me vlerat e mendimtarëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Sipas teorisë së këtyre propagandistëve, shprehet Sejfi Vllamasi; “Çdo gegë që bashkëpunon me toskët nuk është gegë. Gegë i vërtetë është ai që është kundër toskëve”. Më tej Sejfiu deklaron: Mustafa Kruja ka mendimin dhe shfaq bindjen se; “gegët duhet të sundojnë toskët”. Për këtë qëllim, qysh në kohën e shpalljes së independencës kombëtare, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi dhe Ahmet Dakli, krijuan “Kuadrumviratin”.
    Komisioneve zgjedhore i diktohen listat Qeveritare
    Bazuar në librin “Mbi Lëvizjen Kombëtare dhe Demokratike Shqiptare në vitet 1918-1924”, botim i Institutit të Historisë e Gjuhësisë të USHT, në Korçë “lufta elektorale mori një karakter të ashpër”. Në Korçë, ndryshe nga krahinat e tjera, kishte një nivel më të lartë politik dhe përgatitjet për zgjedhjet u ndien më shumë se kudo. Lufta politike që u zhvillua në Korçë me rastin e zgjedhjeve parlamentare ishte më tepër një luftë midis personave të të njëjtit grup politik, por që kishin qëndrim të ndryshëm për sa i përket asamblesë kushtetuese, si dhe për listën e personave që do të zgjidheshin. Grupi që kryesohej nga Koço Kota nguli këmbë që zgjedhjet të bëheshin për asamble kushtetuese, kurse grupi Cale-Frashëri ishin për zgjedhje parlamentare. Prefekti i Korçës dr.Koço Kota dhe Kryetari i Bashkisë Sotir Kotta, ngritën Komisionin Zgjedhor dhe morën të gjitha masat e duhura që kandidatët për deputet, pjesëmarrës në këto zgjedhje të paraqiteshin para popullit në zonat e ndryshme të prefekturës, në fshatra, katunde dhe qytete. Për të shmangur keqkuptimet midis kandidatëve për tu zgjedhur deputet, Koço Kota i kërkoi Ministrit të Punëve të Brëndëshme z. Fuad Dibra, dorëheqjen nga detyra e Prefektit të Korçës, me arsyetimin e kandidimit si deputet, kërkesë, e cila u pranua. Në vendin e tij, prefekt i prefekturës së Korçës u caktua provizorisht Nikolla Zoi, që ishte përkrahës i Pandeli Cales. Lidhur me emrat që u përfshinë në listën e kandidatëve për deputet në Prefekturën e Korçës, referuar sa shënon Sejfi Vllamasi, ato u organizuan qysh në Tiranë nga Eshref Frashëri dhe Pandeli Cale. Qëllimi i tyre, shprehet Vllamasi, ishte për të formuar një grup deputetësh solidarë në mendime, mentalitete dhe interesa, për ta përfaqësuar Korçën në emër të “bejlerëve, turqve e kaurëve të lidhur me ta”. Prandaj, thotë Vllamasi; “Ata më zëvendësuan mua me Xhafer Ypin”. Po kështu vepruan edhe me Koço Kotën, i cili përfshihej në listat për kandidat për deputet. Ai ishte anëtar i vjetër i “Krahut Kombëtar”, shok i pandarë i Sotir Pecit dhe i imi, por ishte kundra Eshrefit dhe Pandeli Cales me shokë. Kundërshtia e tij me ta, nuk ishte nga mospajtim idesh e mentalitetesh, por rridhte sepse Koço Kota figuronte në listën e kandidatëve që përbëhej prej 4 të krishterëve dhe 4 myslimanëve. Koço nguli këmbë që të hynte në listë vetë i tretë, bashkë me Kol Rrodhen dhe Llambi Bimblin, që të tre patriotë të vjetër. Atëherë Pandeli Cale edhe ai veteran patriot, mbetej automatikisht përjashta listës. Pasi përfunduan zgjedhjet e para, të zhvilluara nëpër fshatra, katunde dhe qytete, komisioni zgjedhor shpalli zgjedhjet e dyta. Sipas ligjit zgjedhor, zgjedhësit e dytë u thirrën në godinën e prefekturës dhe në prani të titullarëve përkatës të prefekturës, të këshillave administrative dhe të katunarive e të gjykatës vendore, u ftuan të hedhin votën e tyre në kutinë e votimit me emrat e aq deputetëve sa kishte prefektura. 
    Grupi i Koço Kotës tërhiqet nga kandidimi
    Në kulmin e kësaj situate, për të ruajtur qetësinë dhe unitetin kombëtar shqiptar të popullit Korçar, i cili sapo ishte mëvetësuar nga francezët e grekët dhe sapo i ishte bashkuar shtetit shqiptar, Koço Kota me cilësitë patriotike që karakterizonin pinjollët e familjeve Kota, me moton “Shqipëria mbi gjithçka”, e tërhoqi listën e grupit që përfaqësonte. Komisioni Zgjedhor, mori në shqyrtim vetëm Listën e paraqitur nga Pandeli Cale, e cila përbëhej nga: Tefik Mborja, Loni Kristo, Pandeli Cale, Pandeli Evangjeli, Sejfi Vllamasi, Sotir Peci, Banush Hamdi, Eshref Frashëri, Tefik Panariti e Kristo Kirka. Sipas kësaj liste, grupi i përfaqësuar nga Koço Kota, kaloi në minorancë.
    Për votuesit korçarë kishin mbetur vetëm dy mundësi: -Ose të votonin kandidatët sipas listës qeveritare ( lista e paraqitur nga Pandeli Cale), – Ose nuk duhej të merrnin pjesë në votim ( pasi Koço Kota e tërhoqi listën me kandidatët e grupit të tij). Në këto kushte, kur u panë haptazi edhe favorizimet e qeverisë për kandidatët e sajë të përfshirë në listën e Pandeli Cales, grupi i përfaqësuar nga dr.Koço Kota, më 10 shkurt 1921 dha orientimin që të krishterët shqiptar të mos merrnin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Sipas kësaj deklarate botuar në shtypin ditor “Gazetë e Korçës”, datë 16 shkurt 1921, thuhet: “Si lajmërohemi, Shqiptarët e Krishterë të Qarkut tonë, duke parë se Qeverimi i Shtetit Shqiptar, që kur se u njojt Shqipëria si shtet më vehte, nuk u largua kursesi nga mënyra e qeverimit të Turqisë, gjë që shkaktoj gjer më sot shum’herë rrëzike të jetës politike e kombëtare të Shtetit t’onë, dhe duke qënë të sigurtë se vazhdimi në këtë mënyrë qeverimi, ka për ti sjellë vdekjen Shtetit e Kombit t’onë, për të shpëtuar Atdheun e dashur nga rrëziqe të sigurta, vendosnë për mosmarje pjesë në votimet e pa-ligjshme, q’u krijuan prej Qeverisë, dhe ti shfaqim kësaj me anë të një permendoreje kërkimet e tyre të bazuara mbi themele të provuarë e të sigurtë për shpëtimin e vetëm shpëtimin t’Atdheut, përndryshe, duke u a lënë përgjegjësinë Qeverisë dhe elementit Muhamedan, Shqipëtarët e Krishterë do të heqin dorë fare dhe do mos marrin pjesë në organizimin e Shtetit. Si po lajmërohemi, përmendorja po i paraqitet Prefekturës në këto dy a tri ditë”.

    shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 21.01.2016
    Sigal