Halil RAMA/ Pylltaria shqiptare, në lëngatë

    433
    Sigal

    Nga 36 drejtorë të ndërmarrjeve të shërbimit pyjor, vetëm 4 prej tyre janë inxhinierë pyjesh. Të tjerët janë simpatizantë të partive në pushtet, ndërsa nga 592 spe­cialistë mbeten në punë 70 prej tyre, të tjerët janë të profesioneve të ndryshme, veçse specialistë pyjesh jo. Këto statistika të zymta që dr. Selman Mëziu i jep në mënyrë të përsëritur në librin e tij “Revolucioni i gjelbër” janë treguesi më sinjifikativ që nulifikon efektivitetin e reformës së qeverisë aktuale në sektorin e pyjeve. Kjo situatë e trishtë menaxhimi, dëshmon se pylltaria shqiptare, si asnjëherë tjetër është në lëngatë. Qindra inxhinierë e specialistë të pyjeve, nga i gjithë vendi që u mblodhën për të iniciuar dhe organizuar “Revolucionin e gjelbër” (në promovimin e librit me të njëjtin titull) mbështetën kolegun e tyre, Mëziu, nisur nga drejtimi i decentralizuar i pyjeve, nga politika të gabuara organizimi, reformash pronësie, moszbatim ligjesh, kor­rupsioni në vjeljen e prodhimeve pyjore etj.. Këto politika të mbrapshta kanë sjellë pasoja katastrofike. Kanë varrosur një pasuri të tillë materiale, që duhet të paktën 100 vjet të zëvendësohet. Kanë shkaktuar var­fërimin ekonomik të banorëve përreth, duke bërë të pa­mundur vazhdimin e jetesës.

    Kanë çarmatosur moralisht personelin shërbyes pyjor nga baza në qendër. Kanë shkatërruar një ekuilibër biologjik, klimatik, ekonomik e ujor, që kërkohen shekuj të rikthehen, ose kërkohen investime me miliona dollarë, për çdo një mijë metro katrore. Kanë dëbuar me dhunë nga pyjet kafshët e shpendët, banorët e përhershëm të tyre, një kryqëza­të ekologjike e paparë në mbarë globin. Duke u shprehur për këtë kasaphanë në pylltarinë shqiptare, shkencëtari Mëziu, që prej 19 vitesh ka emigruar në Itali, me të drejtë shtron pyetjen: Kush e mban përgjegjësinë për “Hiroshimën shqiptare”?! Dhe përgjigjja është e thjeshtë, po të ndjekim këtë kronologji argumentesh që jep autori i studimit “Revolucioni i gjelbër”.

     

    Statistika të masakrës pyjore

    Sipas agjencisë Green Haus, në vitin 2005 Shqipëria kishte një sipërfaqe të mbuluar me pyje prej 1,5 milion hektarë, tanimë kanë mbetur 400 mijë hektarë ( Ekolëvizja, Mars 2014 fq. 1).

    Nuk është e vështirë të nxjerrim përfundimin me një zbritje të thjeshtë, se janë shfarosur plotësisht një milion e një qind mijë hektarë pyje. Si u zhduk kjo sipërfaqe kaq e madhe?

    Duke vijuar më tej me të dhëna statistikore: Nga rreth 100.000 mijë mst. që nxjerr në ankand Ministria e Mjedisit (nga varen pyjet), në pyje priten faktikisht 2 milion 500.000 mst, pothuajse pjesa e më e madhe e destinuar për eksport. Dhe më tej: Në të gjithë këtë tregti të kriminalizuar, 100 mijë mst. dru zjarri, janë të planifikuar për popullatën.

    Nga të trembëdhjetë parqet kombëtare, vetëm Bredhi i Hotovës, Përmet, nuk ka pësuar dëmtime, të tjerët kush më shumë e kush më pak, disa të zhdukura plotësisht me anë të prerjeve abuzive, djegie etj.. Korrupsioni ka zhdukur, pa lënë asnjë gjurmë në pyjet e shkatërruara shqiptare, 40 milionë dollarë, dhënë nga Banka Botërore e investues të tjerë. Gjatë këtyre dekadave, 3000 hektarë pyllëzime në ekonomi të ndryshme në gjithë vendin, nuk gjendet as edhe një fidan drurësh pyjor. Çdo vit, nga brezi bregdetar zhduken 15 deri 20 hektarë pyje, ndërsa deti Adriatik e Jon ‘ushqehen’ çdo vit me 20 milionë ton materiale inerte, tregues i erozionit më të lartë në botë. Vetëm gjatë dhjetë vjetëve të fundit, çdo vit shka­tërrohen nga zjarret 45 mijë hektarë pyje. Përgjatë brigjeve të lumit Shkumbin, nga Elbasani në Peqin, janë zhdukur plotësisht 800 hektarë plepishte, me prerje, djegie, vërshime ujërash etj.. Parku Kombëtar i Lurës në rrethin e Dibrës, është zhdukur e liqenet e saj janë kthyer në moçale. Po kështu, Bredhi i Drenovës në rrethin e Korçës, me sipërfaqe 1380 hektarë, është prerë rrafsh me tokën. Të dy këto, shpallur parqe Kombëtare në vitin 1966. Fatkeqësisht, tani të mbetur vetëm në letra.

    Zhdukja e disa lloje kafshësh

    Pothuajse janë duke u zhdukur disa lloje kafshësh e shpendësh, ndër të cilat po shënojmë vetëm disa prej tyre: Shqiponja e malit(A. Chrysetos); Kaprolli(C. Capreolus); Lundërza (L. Lutra) etj. E gjithë kjo masakër kriminale i hoqi tokës shajakun e saj. Mbulesën biologjike e ushqyese, që e ndihmonte të rregullonte rrjedhjen e ujërave, që toka të mos gërryhej, e që ripërtëritja të sigurohesh nën ‘kujdesin’ e vetë drurëve mëmë, por… “Kur sheh këto pamje që janë të kudo ndodhu­ra në Shqipëri… ku fytyra e katastrofës erodive ka nxjerrë brinjët e të sëmurës “TOKË”, që lëngon e zhveshur lakuriq nga mbulesa që quhet PYLL!”

    Kështu shkatërrohet toka (në Shqipëri) në rreth 20 deri në 70 hektarë sipërfaqe në vit, më e larta kjo shkallë shkatërrimi në Europë e në botë…

    Largimi nga puna e profesionistëve dhe shkrirja e ndërmarrjeve të pyjeve

    Dhe shkallëzimi i sulmit barbar për shkatërrimin e natyrës shqiptare kaloi në Qeverinë Rama (Reforma insti­tucioale me Urdhër n.49 dt.30.01.2014), me largimin nga puna të inxhinierëve dhe teknikëve të pyjeve. Nga përllogaritjet e përafërta, punësimi i teknikëve e inxhinierëve të pyjeve nga totali 592 punonjës, mund të punësohen 70 ose 80. Dhe më i qartë del veprimi diskriminues i inxhinierëve të pyjeve kur: “… Nga 36 DShP (Drejtoria e Shërbimit Pyjor), në vetëm në 4 prej tyre drejtojnë inxhinierë”. Në të njëjtën linjë me z. Mëziu edhe Ing. Admir Seci shprehet se “Ata që kanë firmosur për të gjitha këto, janë aty në Ministrinë e “Mjedisit” dhe se vazhdojnë të bëjnë më të keqen, që mund të bëhet. Kjo për faktin se politika e sotme e Qeverisë shqip­tare, ka urdhëruar shkrirjen e ndërmar­rjeve të pyjeve. Sapo ka hedhur në rrugë të madhe mijëra pylltarë shqiptarë, specialistë të mesëm e të lartë. Kjo e revolton autorin e këtij studimi dinjitoz, i cili me keqardhje konstaton se “Për herë të parë në historinë botërore, pylltarët e mbulesa vegjetale, vihet në tehun e shpatës për zhdukjen e specialistëve e mbulesës së dobishme të tokës shqiptare. Një krim monstruoz dhe me pasoja shkatërrimtare për ekonominë dhe popullin e vuajtur shqiptar, të malësive, kodrinave etj.”.

    Vlera e studimit “Revolucioni i gjelbër”

     Pikërisht, nisur nga këto statistika të frikshme, për domosdoshmërinë e revolucionit të gjelbër shprehen me kurajo: Prof. Kristo Qendro, Prof. Lllambi Stefanllari, Dr. Ylli Kortoci, Dr. Gazmend Zeneli, Dr. Hajri Mandri; Gjenerali 95-vjeçar Rrahman Parllaku (Hero i Popullit dhe Nderi i kombit), inxhinerët: Kleanthi Mandi, Gjon Fierza, Kole Malaj, Janaq Malaj, Ahmet Mehmetaj, Ilmi Gjana, Selim Dini, Abdulla Diku, Rexhep Ndreu, Ferdin Liçaj e Preng Bardhi, por dhe gazetarët e mirënjohur të RTSH Dëfrim Methasani e Jaho Margjekaj. Të përfshirë në një komunikim bashkëkohor ata evidentojnë tek libri “Revolucioni i gjelbër” vlerën e bashkëkohësisë, të përqendruara në një problem: Ruajtjen e pasurisë së gjelbër, veçanërisht të pyjeve të shqiptarëve. Libri ka material bisedimore. Aty ndjen dhimbjen e prerjes së një druri, si qenie e gjallë. Aty ndjen dhimbjen e ‘reformave’ ndër pylltarët, tashmë si njerëz që kanë shërbyer në këto pyje e që ‘reforma’ përzgjedhëse i nxori në rrugë. Dhimbje njerëzore ndjen për cilindo nga këta.Vetë autori vihet në qendër të diskutimeve, pra merr një rol të ‘heroit kryesor’, ashtu siç jemi mësuar të analizojmë librat e zakonshëm. Fund e krye, me pak përjashtime ‘heroin’ me emër Selman Mëziu, e ‘lexojmë’ të brengosur. Një brengosje që nuk e mban përbrenda, por e shfaq të dialoguesit. Herë i zemëruar e here i revoltuar, arrin deri te ‘Revolucioni i gjelbër’. Një revolucion që zien përbrenda, duke u shfaqur me platformë në publik. Gjithsesi, autori kërkon rrugët demokratike të përm­irësimit të administratës së pyjeve, të mënyrës së menaxhimit të kësaj pasurie, që Zoti u ka dhënë shqiptarëve, e që, në re­alitet, po e sakaton politika e politikanët.

    Duke konkluduar se një vullkan i madh shkatërrues kërkon të mbulojë me llavën e saj punën gati njëqindvjeçare në pylltarinë shqiptare; kërkon të shkatërrojë shkencën pyjore, gjithë bioeko­sistemin pyjor e bimor të natyrës shqiptare; të varrosë të sotmen e të mbyt shpresën për të jetuar në të ardhmen inxhinierët dhe specialistët e pyjeve, të vënë në rolin e “gjeneralëve” që do të drejtojnë këtë revolucion të gjelbër, i bëjnë thirrje opinionit publik të ngrihet për t’i thënë “Ndal” këtij revanshi fashist kundër pyjeve, kësaj pasurie të madhe mbarëkombëtare. Ata janë të vendosur që këtë revansh të pashoq në gjithë historinë e natyrës botërore të pyjeve, t’ua bëjnë të ditur nëpërmjet protestave, peticioneve etj, institucioneve, si FAO, OKB, Bashkimit Europian e të gjithë shoqërive të natyrës e pylltarëve në mbarë botën.