Gratë vriten, shoqëria civile mbush xhepat

    530
    Sigal

    Forum/flasin për situatën tragjike të vrasjes së grave: Majlinda Keta, Kozara Kati dhe Kozeta Kurti

    Është gati e pamundur që një ditë të kalojë pa dëgjuar, lexuar apo mësuar për një krim të ri brenda familjes shqiptare. Këto ditë ka qenë gruaja, motra, nëna, objekt dhe subjekt i kronikës së zezë. Sipas hetimeve paraprake të Policisë, xhelozia bashkëshortore ka qenë më së shumti shkaku i vrasjeve. Të gjithë jemi dëshmitarë të këtyre krimeve në rritje në familjen shqiptare, të gjithë shokohemi kur i dëgjojmë, por askush nuk e ngre këtë si një problem tepër shqetësues që duhet kuptuar, analizuar dhe adresuar.  Ku është zëri i shoqërisë civile? Pse nuk dëgjohet? Ndërkohë që zëri i tyre u ndie fuqishëm në fushatën elektorale, përsa i përket respektimit të 30 %-it të kuotave për gratë kandidate. Kur bëhet fjala për pushtet, gratë kanë zë, ndoshta dhe më të fortë se të burrave, pavarësisht nëse ia arrijnë qëllimit, ndërsa tani në këtë tablo të përgjakshme, askush nuk nxjerr zë. Vriten gratë në mes të bulevardit dhe të gjithë e trajtojnë thjesht si një kronikë. Denoncojnë gratë dhunën dhe presionet, por Policia nuk e vë ujin në zjarr. Asgjë nuk ndodhi, thjesht një grua e vrarë barbarisht, fëmijë jetimë, për të cilët askush nuk pyet. Kjo është dita që shoqëria civile të protestojë fuqishëm dhe të përmbushë misionin e saj. Paratë që marrin për projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare duhet të shkojnë në destinacionin e duhur. Kjo traumë shoqërore është bërë subjekt i forumit të “Telegraf”, ku flasin  Pedagogia, Majlinda Keta, aktiviste e “Lëvizjes Nano”; Kozara Kati, drejtorja e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut dhe gazetarja e njohur, Kozeta Kurti.

    Majlinda Keta: Është fashitur zëri publik për të protestuar atje, para derës së institucionit policor

    Vrasja e kobshme e 3 grave në këto ditë të fundit,  e veçanta dhe e përbashkëta në figurën e krimit të kryer ndaj tyre është një akuzë e madhe dhe e rëndë për cilësinë e funksionalitetit të shtetit demokratik të pas 23  vjetëve. Ne jemi  në momentin kur menduam se duke ashpërsuar  ekstremisht penalitetin e ligjit për dhunën në familje, do të mund të  mendonim se do frenonim duart dhe armët e ngritura mbi gratë dhe fëmijët. Makabriteti i figurës së krimit mbi  bashkëshorten apo ish-bashkëshorten, mbi  gruan në moshë të re, apo të pjekur, para apo larg syve të fëmijëve, në mjedis publik apo në privatsi familjare, na bën të ripohojmë se ne si shoqëri po kalojmë një KRIZË MORALE po aq sa KRIZË INSTITUCIONALE. Ne vijojmë të ndërtojmë një shtet ku rëndësi ka fundorja dhe qëndrimi i shtetit  ndaj saj dhe jo shteti që ndërton burime të reja, kuron ato ekzistuese dhe largohet nga ato denigruese, shkatërruese apo shkelëse të ligjit. Ne vazhdojmë të “harxhohemi” me pasojën që sjell ANTISHTETI pa u kujdesur të kompozojmë “shkaqe” – politika  institucionale  që do prodhojnë pasoja pozitive, zhvilluese dhe të qëndrueshme, të sigurta për jetët tona në shoqëri.

    Kështu, NE, institucione , qytetarë dhe Shoqëri Civile, humbëm Zonjën Çarçani  nga një krim nga më ç’njerëzoret, në mes të Tiranës, sepse askush institucionalisht nuk mbajti përgjegjësinë që ka policia në rastet kur qytetarët kërkojnë mbrojtje nga ajo pasi janë kërcënuar e dhunuar në forma të tjera. Ne e humbëm atë zonjë mes klithmave për ndihmë nga publiku që e ka vrarë shpresën dhe besimin tek qëndrimi i përgjegjshëm qytetar ndaj jetës së një femre që po dhunohej makabrisht, publikisht, por edhe tek bindja për mbrojtje e  siguri nga policia e rendit kur të duhet të kontribuosh publikisht në menaxhim konflikti. Ne e humbëm atë zonjë, ndonëse me dhjetëra projekte të Shoqërisë Civile kanë objektiv të tyre monitorimin e zbatimit të ligjit për vënien nën mbrojtje të grave të dhunuara nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët.

    Ajo ZONJË dhe shumë të tjera si ajo deshën ta përdornin këtë “palo demokraci” duke besuar se institucionet shtetërore/civile funksiononin e shërbenin dhe për to, por që si shpagim, pasojë e PAPËRGJEGJSHMËRISË ndaj detyrës institucionale, parave të donatorëve të huaj dhe nga financa publike HUMBËN të drejtën themelore të jetës private, humbën mundësinë e vijimit të rolit mëmësor për fëmijët e tyre që i sollën në jetë dhe luftuan me këtë jetë të ashpër shqiptare për një femër për të mos i helmuar, as për t’u mos mllefosur me këtë “palo demokraci” ku i fituar del I PAPËRGJEGSHMI INSTITUCIONAL dhe MORAL.

    Jam e indinjuar, si askush në media nuk merr të shkruajë se kush ishte AI, AJO  që kishte përgjegjësinë e ruajtjes së jetës së tyre nga kërcënuesi i denoncuar. Aty është shkaku që duhet penalizuar një herë e përgjithmonë.

    Jam e indinjuar që na është fashitur zëri publik për të protestuar atje, para derës së institucionit policor, OJF-së që merr donacione . NE duhet të formëzojmë  KULTURËN e PROTESTËS  po aq sa duhet ta objektojmë ATJE ku ka vdekur morali dhe institucioni. Shpesh e gjendur mes  moralistëve aktivë  “Pro Jetës” së fëmijëve, grave, ambientit  dhe të së ardhmes së sigurt jam ndjerë ZËPAK-e sepse e di mirë Erjoni, Zamira, Agroni……..se në këtë “palo demokraci”  ne kemi vrarë besimin tek MORALI i qeverisjes dhe i INSTITUCIONIT në shërbim të qytetarit.

    Uroj që edhe kjo mënyrë komunikimi të mund të zgjojë HESHTANAKËT, por jam e bindur se ky zgjim do shumë moral dhe cilësi profesionalizmi në ato që do të na duhet t’i shohim në foltore partish e Parlamenti  qysh në momentin pas këtij komunikimi mediatik…….ndonëse ATO heshtën, me mosveprimin e tyre,  kur duhej të flisnin e ndërtonin politika – burim zhvillimi dhe jo vdekjeje.

    Ne jemi në një pragvdekje morale qytetare brenda kësaj “palo demokracie” 23 vjeçare, që e ka bërë “ushqim” vrasjen dhe dhunën ndaj femrës!

    Kozeta Kurti: Mos rrini indiferentë… këtu bëhet fjalë për jetën

    Më shumë se sa krimet e vazhdueshme e të përditshme, më dhemb fakti se të gjithë ne kemi filluar të bashkëjetojmë me një situatë të tillë, duke e trajtuar secilin prej këtyre rasteve, si diçka krejt të zakonshme, duke shoqëruar me një fjali tipike: “Edhe një tjetër! Sa gjynah e shkreta”, duke refuzuar të mendojmë se ne të gjitha jemi po aq vulnerabël nga burrat që kemi në shtëpi, nga fqinjët manjakë, me të cilët mund të jetojmë në një komunitet, kolegët në punë dhe kudo ku shkelim në të përditshmen tonë. Ne pranojmë një media që na ushqen përditë me gjak e tmerr dhe harrojmë se prirja për të krijuar modele nuk është gjithmonë pozitiviste. Ne jetojmë në një vend ku shoqëria civile, nuk është gjë tjetër veçse një shoqëri matrapaze që ashtu si gjithçka tjetër në këtë vend, nuk mund të jetojë e pavarur ndaj nuk lëviz gishtin, nëse nuk paguhet më grante të majme për të mbushur raporte, letra-zhgarravina, duke “kryer” detyrën nga tryezat venge me shkëlqim, duke folur lart e poshtë për mentalitetin periferik, ndërkohë që e gjitha kjo, jo rrallë ndodh mu përpara syve të tyre, në mes të metropolit. Ne jetojmë në një vend ku siguria e jetës së individit është e barabartë me nevojën për të shkulur nga toka një kokërr qepë dhe, edhe kur sheh, bën sikur nuk sheh, sepse, sidomos në kushtet e rotacionit politik ku administrata është mësuar të punësohet me patos militant, kemi një polici të shkrehur krejtësisht që ka marrë pushimet e gjata. Ne jetojmë në një vend ku “ai që të rreh, të do”, ku policia nuk ndërhyn dot kur sherri ndodh brenda banesës, ku një grua që denoncon, trajtohet si putanë nga vetë uniformat blu, sepse burri ka të drejta absolute mbi gruan, dhe është shumë e vështirë t’i shpjegosh që burrëria nuk varet vetëm nga fakti se natyra të ka pajisur me organ gjenital mashkullor (burrat nuk e kuptojnë që tregohen të dobët duke u ndeshur fizikisht me gratë, sepse nuk mund të jenë superiorë ndaj një qenie inferiore fizikisht). Çfarë të them? Kur këtij populli i ngritën në mënyrë sistematike çmimin e bukës, tani mund ta përdhunosh fizikisht, psikologjikisht, sepse kur tregon nivel proteste zero për ushqimin, për të tjerat është e vetëkuptueshme. T’i lëmë historitë me gra intelektuale, me gra të pavarura, po të krijojmë një lëvizje qytetare ku të shpjegojmë me fjalë të thjeshta se duam të jetojmë, në jemi analfabete apo doktore shkencash, punojmë nëpër ara apo zyra prej xhami. Qytetarët nuk kanë nevojë për leje te Bashkia, te policia…Vetëm mos rrini indiferentë! Iniciativa ka, po askush nuk i shkon prapa atyre. Këtu nuk bëhet fjalë për tesera partie, as për një vend pune…këtu bëhet fjalë për jetën!

    Kozara Kati: Është më mirë të parandalosh, se të kurosh

    Është një situatë alarmante për gjithë shoqërinë shqiptare, kemi vrasje të pakuptueshme që kanë traumatizuar gjithë shoqërinë shqiptare. Është një situatë ku për mendimin tim nuk vritet gruaja, nëna, motra, por në radhë të parë ato janë njerëz, dhe njerëz po vriten çdo ditë. Dhe për këtë është përgjegjës shteti në radhë të parë, ata që ne i kemi dhënë votën për të na qeverisur dhe për të mbrojtur jetët tona dhe për më tepër, kur më parë janë bërë denoncime siç ishte një nga gratë e vrara nga bashkëshorti dhe policia nuk mori masa për mbrojtjen e jetës së kësaj gruaje dhe kjo gjë e bën akoma më të rëndë dhe më të errët këtë situatë. Shteti ka përgjegjësinë më të madhe për gjithçka ndodh. Kemi familje të traumatizuara, nëna, motra, gra të vrara, por mos të harrojmë fëmijët të cilët ngelen pa nëna dhe në mëshirë të fatit, pasi e dimë sesi shteti ynë, institucionet tona, funksionojnë. Dhe për më tepër ajo që për mua është shumë shqetësuese janë pikërisht kriminelët, të cilët janë të qetë dhe e kryejnë krimin me një gjakftohtësi që të tremb. Për shoqërinë shqiptare është një traumë e madhe, ajo s’po kupton ç’po ndodh. Është një traumë masive, e vështirë për t’u kuruar, dhe sa më shumë të zgjasë kjo situatë, aq më e vështirë do të jetë që shoqëria shqiptare të rikuperojë besimin te shteti, e për më tepër familjet konfliktuale.

     Shoqëria civile është një komponent i rëndësishëm dhe roli i saj është mjaft i rëndësishëm në amortizimin e problemeve, sidomos atje ku shteti është i pavëmendshëm. Është shumë e drejtë që jo rrallëherë shoqëria civile është e heshtur, sporadike, prandaj dhe shteti rri i qetë, kur zëri nuk ngrihet dhe kur nuk kemi pozicionim të saj me kërkesë llogarie ndaj shtetit. Shoqëria civile është dhe duhet të jetë aktor i gjallë dhe ta vërë shtetin në rolin e përgjegjësit. Janë vrarë nëna, motra, gra dhe vrasjet e kësaj natyre të shkaktojnë një lloj frike, një traumë psikologjike, që zor se kalon edhe me kalimin e kohës. Por më e  rëndësishme për mua, është t’i parandalojmë krimet, e rëndësishme është ta ngremë zërin për respektimin e të drejtave kushtetuese të njeriut, para se të ndodhë krimi dhe jo më pas. Është më mirë të parandalosh, se të kurosh, pasi trauma është shumë e madhe, përveç viktimës lë prapa një dhimbje akoma dhe më të madhe, pasoja psikologjike për mbarë shoqërinë shqiptare.

    Tre vrasje brenda tre ditësh

    Valbona Çarçani dy ditë para vrasjes është ankuar në polici për ish-bashkëshortin

    Vrasja e Valbona Çarçanit mund të evitohej nëse policia do ta vlerësonte ankesën e saj kundër ish-bashkëshortit Genc Çarçani. Dy ditë para se të masakrohet me thikë nga ish-bashkëshorti, 46 vjeçarja nëna e dy vajzave ka denoncuar në Komisariatin nr.1 kërcënimet dhe presionet e ish-burrit. Mësohet se ky denoncim nuk është pritur mire nga i akuzuari për ngjarjen. Kështu përpara se të paraqitej në komisariat për sqarime ai ka kërkuar shpjegime nga ish-bashkëshortja duke e ndalur atë në rrugë. Në debat e sipër i dyshuari ka nxjerr thikën dhe e ka qëlluar disa herë në shpinë, në qafë dhe ne gjoks ish-bashkëshorten duke e lënë në mes të rrugës të shtrirë….

    Valbona Lleshi goditet për vdekje nga bashkëshorti

    Marjan Lleshi 44 vjeç ka goditur për vdekje bashkëshorten e tij Valbona Lleshi 27 vjeç brenda banesës ku ata jetonin. Sipas policisë dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive xhelozie. Ngjarja ka ndodhur në Fushë-Mamurras.

    Alketa Çani është ekzekutuar me automatik nga bashkëshorti

    Ilirjan Çani ka goditur me automatik bashkëshorten e tij, Alketa Çani. Vrasja e cila ndodhi në afërsi të “Pub Venue” mësohet të ketë ndodhur brenda banesës ku jetonte familja ndërsa viktima ka marrë pesë plumba kallashnikovi që i kanë shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, edhe autori i krimit ka marrë disa plumba në tentativë për të vrarë veten. Mësohet se çifti kishte dy fëmijë, 12 dhe 13 vjeç. Nga fqinjët mësohet se viktima e kishte denoncuar disa herë bashkëshortin e saj për ushtrim dhune në familje, ndërsa policia nuk ka arritur të gjejë armën në banesën e çiftit gjatë kontrolleve të ushtruara më parë. Vrasja e ditës së sotme është e dyta e ndodhur në Tiranë brenda 48 orëve ndërsa viktima kanë qenë gratë.

    Flet 69-vjeçari Hajrulla Dani: Kur dola nga burgu më thanë: Do qëndrosh 500 metra larg saj, po u afrove i mjeri ti

     Pesë vjet burg për një pëllëmbë që i dhashë gruas në kohën e Enverit

     Në kohën e Enverit më dënuan me 5 vjet burg, për një pëllëmbë që i dhashë gruas”. Kështu e nis rrëfimin e tij, 69 -vjeçari Hajrulla Dani, i cili në 30 vjet më parë është përballur me drejtësinë shqiptare, për shkak të një grindjeje që kish pasur me bashkëshorten e tij. “Ne kishim një javë që ziheshim për shkaqe thjesht, ekonomike, por një ditë unë e godita me pëllëmbë dhe ajo shkoi në polici. Por pa kaluar as pesë minuta, aty erdhi një polic me biçikletë dhe më vuri përpara drejt rajonit të policisë, ku pasi më mbajtën 6 orë me kokë poshtë më mësuan se si duhet të respektoja gruan time”, shton ai, duke nënvizuar se e keqja nuk mbaroi me kaq, po ai u përball edhe me seancën gjyqësore, ku u dënua me pesë vjet burg.

     Si ka ndodhur në të vërtetë historia juaj, me bashkëshorten?

    Historia jonë ishte e thjeshtë. Para 30 vjetësh dhe pikërisht në vitin 1983, unë pata një grindje me gruan për shkaqe ekonomike.

    Për çfarë konkretisht?

    Në atë kohë, në fund të 15- ditëshit ne nuk na dilnin lekët për ushqim. Dhe unë e akuzoja atë, se lekët po na mbaronin ngaqë ajo ndihmonte edhe motrën e vogël që e kishte në konvikt për shkollë të mesme.

    Dhe çfarë ndodhi midis jush?

    Ne kishim rreth 3-4 ditë rresht brenda shtëpisë sonë që kishim filluar ta ngrinim zërin. Por fqinjët na kishin dëgjuar. Dhe pasdite tek ne, erdhi kryetarja e lagjes së bashku me këshilltarin e bllokut. Ata folën shkurt dhe më paralajmëruan, që nëse do të grindesha më, me gruan, do të kisha pasoja. Me kaq biseda mbaroi. Por të nesërmen unë u grinda përsëri me gruan. Në fakt, atë ditë për herë të parë kisha pirë edhe nja dy gota raki. Dhe krejt, pa dashur në grindje e sipër e qëllova me pëllëmbë. Por ne i kishim tonet të ngritura dhe thuajse të gjithë fqinjët e dëgjuan. Ndërkaq, gruaja doli nga shtëpia dhe shkoi në polici. Atje u ankua dhe bëri denoncimin për rrahje.

    Çfarë ndodhi më vonë?

    Për 10 minuta pasi ajo shkoi në polici, aty erdhi një polic i thjeshtë me biçikletë dhe më tha mua: “Hajde në polici”.

    Po ti si reagove?

    Unë iu binda menjëherë se e dija që policët i kishin fjalët të pakta.

    Po gruaja ku ishte ndërkohë?

    Pasi kishte bërë denoncimin ajo kishte shkuar në punë se ishte turni i dytë. Sapo shkova atje, më thirri shefi i policisë dhe më uli në tavolinën e tij.

    Çfarë të tha?

    Në fillim më pyeti thjesht: A është e vërtetë se ti ke rrahur gruan tënde?

    Po – i thashë unë me sinqeritet.

    Si veproi më tej kryepolici?

    Ai u ngrit në këmbë dhe m’i kapi të dyja duart, duke më thënë: Me kë dorë e qëllove. Unë i tregova të djathtën.

    Po ai si veproi?

    Ai më tha me inat, se ishte gati që qysh në atë çast të ma priste dorën me sëpatë, që të mos më shkonte mendja në botë, për të rrahur më gruan, apo gratë. Dhe më tha: Ne kemi ligje të lehta, por ti për këtë krim që ke bërë meriton një dënim shumë të rëndë. Pastaj më çuan në kaushin e Tiranës. Dhe brenda dy javësh më bënë gjyqin. Aty në gjyq ishte si gjykatëse një grua.

    Çfarë të tha ajo?

    Në atë gjyq e kam ndjerë vetën më të turpëruar se kurrë. Aty kishte ardhur i gjithë kolektivi i punës time dhe të gruas time. Dhe gjykatësja më tha: Çfarë burri je ti more maskara, që tregon forcën me gruan tënde, e cila shkon në punë me tre turne dhe vjen në shtëpi dhe përgatit bukën tënde e të kalamajve. Ne kishim dy vajza të vogla, të cilat qanin aty në gjyq.

    Po gruaja jote çfarë thoshte në gjyq?

    Edhe ajo qante. Në fakt ajo nuk donte që mua të më dënonin. Por gjykatësja ishte shumë e rreptë. Dhe më pyeti mbarë e prapë duke më fyer para të gjithë kolektivit tonë. Midis të tjerave ajo tha se kush rreh gruan me pëllëmbë duhet të rrihet nga i gjithë kolektivi me kamxhik në dorë, në mënyrë që askujt më në botë të mos i shkojë mendja për rrahjen e femrës.

    Po shokët e tjerë të kolektivit çfarë thoshin?

    Të gjithë u ngritën dhe dëshmuan kundër meje, duke më kritikuar rëndë.

    Sa të dënuan në atë gjyq?

    Më dënuan me pesë vjet burg, se unë gabimisht gjatë replikës me gjyqtaren e fyeva pa dashur atë. Dhe kjo më futi edhe në një nen tjetër të fyerjes.

    Çfarë tha gruaja kur mori vesh masën e dënimit?

    Ajo qante, por unë i thashë ashtu midis hekurave që të mos qante se asaj nuk do ia falja kurrë. As mos prit më të martohesh prapë me mua kur të dal nga burgu i thashë. Qysh tani quaje se jemi divorcuar. Dhe kërkova divorcin, por të gjitha të drejtat e shtëpisë i shkuan asaj.

    Po pastaj çfarë ndodhi?

    Pastaj një nga policët kur e pa se unë po i kërcënohesha gruas, më goditi te dhëmbët duke më thënë: Po i fole prapë gruas tënde me këtë gjuhë, do ti shkul dhëmbët fare”. Dhe pastaj edhe polici tjetër m’u vërsul.

    Ku ju çuan pas gjyqit?

    Pas gjyqit kreva dënimin në burgun e Ballshit.

    A ju ulën ndonjë vit dënimi nga burgu më vonë?

    Jo vetëm që nuk më ulën, por donin të më ridënonin prapë. Se unë deklarova që nuk do martohesha më me gruan time pas burgut.

    Çfarë bëre kur dole nga burgu?

    Kur dola nga burgu vajta të takoja gruan time dhe i thashë që ajo ishte shkaktare e vuajtjeve të mia. Po kështu, edhe dy ditë më vonë i dola prapë në rrugë dhe e fyeva.

    Por ajo më denoncoi prapë në polici.

    Dhe çfarë ndodhi më vonë?

    Më vonë më morën në polici dhe më varën me kokë poshtë, gjersa më dukej se po më binte gjaku të tru. Por sikur të mos mjaftonte kjo, ata më godisnin duke më thënë: A të dhemb? Dhe pastaj vazhdonin, ja kështu i dhemb edhe gruas tënde kur e godet ti. Pastaj erdhi prapë shefi i policisë dhe urdhëroi të më fusnin në zyrën e tij.

    Çfarë ju tha në zyrë?

    Ai foli shkurt fare dhe më tha vetëm këto fjalë: Dëgjo këtu, por më dëgjo mirë se unë njëherë flas. Sot e tutje ti do t’i qëndrosh gruas tënde 500 metra larg. Nëse e shkel këtë distancë do të kalbesh në burg përgjithmonë”. Dhe që atëherë nuk u afrova më në atë lagje. Sepse kisha frikë.

    Një miku im që kishte pasur një rast të ngjashëm, e kishte shkelur distancën, pa dashje. Dhe në polici ia kishin zbutur kurrizin. Kështu që nga shembulli im, të gjithë mësuan se kush guxon prek femrën, me dorë, atij do t’i shkatërrohet jeta.

    Ku është tani ish-gruaja juaj?

    Nuk jeton më. Dhe unë jam i penduar.