Grabitja e emigrantëve nga Konsullata e Milanos

    454
    Sigal

     Zbulohet abuzimi me linjën 0900. Ministri Panariti largon sekretarin e konsullatës dhe paralajmëron “fshesën” në  diplomaci

    Shqipëria është i vetmi vend në botë dhe unikal për nga lloji i vetë, që në shërbimin diplomatik vazhdon të mbajë nëpunës dhe titullarë të përfaqësive diplomatike të emëruar jashtë të gjitha kritereve dhe kohës ligjore. Është qesharake që me firmën e ish -ministrit Mustafaj, që para 7  vjetësh e gjysmë vazhdojnë të jenë në të njëjtin post të njëjtët persona, që të vetmen lidhje me vendin e punës kanë babëzinë, keqtrajtimin e emigrantëve shqiptarë dhe nepotizmin që i mbanë me shpenzime të majme në kurriz të taksapaguesve tanë. Edhe në kohën e diktaturës, ku emërimet kishin si kriter  apo slogan “besnikërinë  ndaj partisë dhe popullit”, mandati i nëpunësve të përfaqësive tona diplomatike dhe drejtuesve të tyre nuk i kalonte 4 vite. Po si ka mundësi që tek ne këta njerëz nuk shkulen dot nga vendi? Si ka mundësi që vazhdojnë të mbahen në poste njerëz, të cilët  nuk  kanë lidhje me misionin, por e përdorin atë vend për punët private të tyre dhe farefisit,  i cili ka investuar për t’i punësuar në këto vende? Në përfaqësinë tonë në Milano,100 -vjetori i Pavarësisë kombëtare është përcjellë në mënyrën më të turpshme, pasi me përgjumjen e tyre drejtuesit e kësaj konsullate treguan një nënvleftësim total për ngjarjen më të rëndësishme të jetës së shqiptarëve. Është e patolerueshme dhe fyese kur mëson që në konsullatat dhe në ambasadat  janë punësuar nëpunës që kanë shtetësi jo shqiptare dhe të martuara me shtetas të huaj prej vitesh,por që koha e solli që një ditë të punësohen në këto institucione dhe të paguhen më paga të majme  si dhe u paguhet qiraja e shtëpisë së burrit. E pra, kjo ndodh vetëm në Shqipëri  me përfaqësitë  dhe konsullatat shqiptare. Ministri i Jashtëm Edmond Panariti ka filluar një reformë të gjithanshme megjithë bllokadën që po i bëhet nga struktura të caktuara. Vetëm para pak ditës me urdhër të ministrit Panariti është larguar një nga drejtuesit e konsullatës shqiptare në Milano, duke shënuar vendosmërinë  e Ministrisë së Jashtme se asnjë njeri kushdoqoftë ai i përlyer apo sekserë nuk do të ketë vend në ambasadat dhe konsullatat tona kudo në botë. Por ajo që është më skandaloze ka të bëjë me një rast unikal të abuzimit dhe diskreditimit që u bëhet shqiptarëve të Milanos. Bëhet fjalë për vendosjen e numrit Call Center (0900) për të gjithë emigrantët dhe shtetasit shqiptarë që ambasada ka vënë në dispozicion. Vendosja e këtij numri,  i cili në vetvete përbënë një kosto shumë të lartë dhe çmime tepër të papërballueshme për emigrantët dhe hallexhinjtë që i drejtohen përfaqësisë sonë. Specialistët  saktësojnë se nëse do telefonosh nga ky numër të paktën duhen 20 minuta të mbarosh punë. Por po të llogaritësh çmimet e kripura të këtij shërbimi i takon që më mirë të vish në Tiranë me avion se sa të telefonosh disa herë deri në përfundim apo zgjidhje të problemit që ke.  Kohët e fundit ka pasur shumë reagime dhe telefonata në drejtim të Ministrisë sonë të Jashtme për këtë  lloj shërbimi dhe ishte ndërhyrja e ministrit Panariti, ajo që detyroi konsullatën të vendosë edhe shërbimin e ri alternativ nëpërmjet  e-mail-it. Por dihet që ky shërbim është një shërbim elitë dhe jo të gjithë kanë mundësi dhe kushte për internet ndaj dhe preferojnë telefonin. Ministri Panariti pritet të dërgojë auditin për të verifikuar që lidhja me linjën e Call-Center kalon nëpërmjet një kompanie nga Shkodra sikurse flitet në ambientet  e konsullatës. Shteti ka një administratë konsullore që e paguan dhe emigrantët shprehin shqetësimin se përse duhet të kemi një numër të tillë ndërkohë që, fare mirë mund të kishim një numër të zakonshëm me shërbim personeli. Në fund të fundit ky është edhe detyrimi që ne kemi hapur konsullatë dhe jo të  përdoren mënyra torturuese dhe shfrytëzuese për xhepat e shqiptarëve të varfër.  Mbase do ishte më mirë që për shërbimet në konsullatë të vendosej një pullë më shumë dhe këto të ardhura t’i kalonin shtetit për të zbutur shpenzimet për personelin dhe jo si deri më tani që i fiton 10-fishin një kompani  me shërbime të shtrenjta.