Gëzim TUSHI/ Raport interaktiv me të varfrit dhe të margjinalizuarit…

    469
    Sigal

    Ne jemi një vend që akoma kemi shumë probleme ekonomike e sociale që vijnë nga niveli ende i dukshëm i varfërisë, papunësisë, mungesës së aftësive profesionale për orientim social të dobishëm, të cilat na detyrojnë që të tregojmë kujdes të veçantë social, shtetëror dhe individual për njerëzit që janë në këtë situatë të vështirë margjinalizimi social. Në këto kushte, është e natyrshme që sa herë që vjen fjala për qëndrimin që duhet mbajtur pikërisht ndaj njerëzve në nevojë ekonomike, apo që për arsye të natyrave të ndryshme jetojnë në vështirësi, gjithnjë evidentohen gjykime të cekëta individuale, të shoqëruara shpesh herë nga paragjykime të forta për “përgjegjësinë sociale” të shtetit dhe detyrimet humane të shoqërisë.

    Megjithëse kanë kaluar dy dekada që kur jemi larguar përfundimisht nga i ashtuquajturi shtet paternalist, akoma për fat të keq diskutimi për varfërinë, çështjet sociale dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre nga njerëzit e paorientuar si duhet me “kohën” dhe sidomos me “veten” e tyre, reduktohet ngushtësisht në konceptin reduktues të debatit të vjetër mbi të ashtuquajturin raport i përgjegjësisë së individit dhe nevojës së madhësisë së dorës sociale të shtetit.

    Ky debat që teorikisht është i vjetër dhe doktrinarisht klasik, me substrat të thellë tradicional është i njohur dhe gjithnjë ka shërbyer si “vijë demarkacioni” që ndante shtetin dhe shoqërinë sociale nga shteti liberal dhe shoqëria individualiste. Ky debat mbase jo me tone doktrinare dhe dikotomi të thellë politike, i ardhur nga të “tjerët” tashmë është bërë problem jo aq politik se sa social, i cili është i ravijëzuar plotësisht si realitet edhe tek ne.

    Në këto kushte unë mendoj se ka ardhur koha për ta parë problemin e lidhjeve dhe marrëdhënieve të komponentit social të shtetit edhe rolin e përgjegjësinë individuale të njeriut në nevojë në një aspekt tjetër të rëndësishëm dhe real, si kusht për të kuptuar më mirë funksionimin modern të “ekuacionit të përgjegjësive” edhe vlerësuar më mirë kontekstin e zhvillimeve tona ekonomike e shoqërore. Natyrisht duke parë anën tjetër të përgjegjësisë sociale të individit. Për këtë duhet të gjejmë përgjigjen e duhur për pyetjen që është fare normale të bëhet: Çfarë na duhet të bëjmë tani ndryshe në shoqërinë tonë, për të ndihmuar së pari individin në nevojë që të orientohet drejt, të gjejë zgjidhjen e duhur nga njëra anë, por dhe shtetin në detyrimin e tij social për të përballuar barrën e madhe të politikave të veta sociale? Cili duhet të jetë faktori komplementar me të cilin duhet të mbështetim njerëzit në nevojë? A mund të bëhet kjo vetëm dhe tërësisht me fonde buxhetore të ndihmës permanente shtetërore?

    Po sigurisht ne vijmë nga një shoqëri totalitare në të cilën shteti ishte paternalisti i vetëm i sigurimit të mirëqenies sociale (sigurisht aq sa e siguronte) sepse atëherë problemi shtrohej në kushtet e atij niveli mirëqenieje kur problem bazë ishte të jetosh apo të mbijetosh, kjo është çështja. Mirëpo në kohën e sotme duket se i pafuqishëm për të realizuar politika sociale efektive, është jo vetëm i ashtuquajturi shtet social integral por dhe shteti liberal që është me përgjegjësi më të kufizuar sociale.

    Në të vërtetë për fat të keq në opinionin tonë publik për shkak të reminishencave të vjetra të rolit dhe përgjegjësisë së shtetit ndaj individit, vazhdon të jetë i hipetrofizuar besimi social për rolin dhe forcën e shtetit social, megjithëse kudo në botë që nga mesin e shekullit të kaluar ka rënë në mënyrë progresive optimizmi klasik për fuqinë, përgjegjësinë dhe rolin e shtetit social. Tani problemi nuk është të kërkojmë të ringjallim modelet e kapërcyera të shtetit të mirëqenies sociale, por të shikojmë realitetin e ri që tregon se tani kanë filluar të shfaqen dobësitë evidente të shtetit liberal me përgjegjësi të kufizuar sociale.

    Në këto kushte duke parë shbalancimin e fortë midis problemeve sociale në rritje dhe pamundësisë së shtetit për t’i përballuar ato deri në fund, studiuesit e shtetit social dhe sociologët e shtetit të mirëqenies kanë dhënë alarmin, se “se mirë shteti social që iku se u “sëmurë rëndë” por me sa duket dhe modeli i modelit të shtetit liberal po bëhet i vjetër”. Praktikisht ndodhemi në momentin historik kur edhe teza e neoliberalëve, e hedhur me shumë optimizëm në shoqërinë shqiptare në fillimin e tranzicionit në fillimin e viteve ‘90-të, se me ndërrimin e sistemit mund të ecej drejt një shoqërie kur të gjithë mund të pasurohen, duket se tani pas 24 vjetësh nuk rezulton se është shumë bindëse. Por jo vetëm tek ne, shqetësimi për situatat sociale që kalojnë shoqëritë në kohën tonë janë në nivel global dhe të shfaqura dukshëm në shumë aspekte të zhvillimit të treguesve të mirëqenies sociale.

    Praktikisht shqetësimi është në rritje nga që shoqëria globalisht është përballë zgjerimit të dimensionit të “shoqërisë së përjashtimit”. Kjo sepse në një farë mënyre problemi i “sigurisë sociale” është i vështirë të sigurohet deri në fund dhe përfundimisht, vetëm me mjete dhe subvencione shtetërore. Është e pamundur që shteti të ketë mundësi të investojë pafundësisht për individin në nevojë deri në kufirin e fundëm të sigurimit material të “dinjitetit social” dhe garantimit të “sigurisë personale”.

    Shoqëria shqiptare ka përballë një problem, të cilin nuk mund ta zgjidhë duke ecur në rrugën e vjetër të trumbetimit të kotë të ideve të vjetra mbi rolin social apo përgjegjësisë shoqërore të shtetit. Pa mohuar nevojën e ekzistencës së një niveli të caktuar të këtij roli të padiskutueshëm, duhet të përpiqemi t’i mësojmë njerëzit të orientohen ndryshe, në se duan të kenë sukses personal në betejën individuale kundër situatave të varfërisë dhe rreziqeve të margjinalizimit. Kjo është konditë sine qua non, është padiskutim instrumenti që duhet të zotërojmë të gjithë në se duam të gjemë rrugën që na çon në sukses personal dhe integrim social.

    Drama e madhe e njerëzve të varfër, të përjashtuar është një realitet me të cilin nuk mund të luftohet dhe fitohet me idenë utopike të shtetit social. Roli social i shtetit është tjetër gjë dhe përgjegjësia sociale individit për të dalë nga “gropa e varfërisë” dhe situatat e margjinalizimit është gjë tjetër. Kjo është arsyeja që në praktikat sociale kundër varfërisë dhe margjinalizimit, në mendimin e sotëm sociologjik, megjithëse në thelb kanë dominancë idetë liberale dhe favorizohen zgjidhjet individualiste, nuk mohohet nevoja e ekzistencës së një niveli të caktuar të kujdesit dhe përgjegjësisë sociale. Sepse “Në kapitalizmin e shtetit të mirëqenies, synohet që askush të mos bjerë poshtë një minimum të denjë të standardit të jetës, i cili plotëson nevojat elementare, ndërsa të gjithë duhet të jenë të siguruar për aksidente e fatkeqësi, si për shembull nëpërmjet kompensimit për papunësi apo nëpërmjet asistencës shëndetësore”, thotë një nga prekursorët e liberalizmit të kohës postmoderne John Rawls. (J. Rawls, Drejtësia si panashmëri”, f 237-238)

    Kjo bëhet akoma më e rëndësishme tani kur edhe në shoqërinë shqiptare ka filluar të “përthahet” dashuria dhe përgjegjësia sociale, duke e lënë shpesh individin në nevojë në vetmi, të çoroditur përballë sfidave të jetës dhe vështirësive të orientimit në tregun e punës. Në këto kushte është e arsyeshme të besojmë se sa më shumë të dobësohen bashkësitë tradicionale dhe organizimet themelore të jetës sociale si familja, komuniteti, shoqatat, aq më të izoluar do ta ndjejnë njerëzit veten, aq më shumë nevojë do të kenë ata për ndjenjën dhe realitetin personal të sigurisë.

    Prania pa kujdes e shumë njerëzve që jetojnë të vetmuar, në kushtet kur familja po bëhet e vogël, edhe pse progresive në evolucionin e vet të natyrshëm e të pakthyeshëm, në shoqërinë shqiptare në pikëpamje ekonomike e sociale është bërë materialisht fatkeqësi dhe moralisht një situatë e pakëndshme për individët në nevojë. Askush nuk mund të mohojë tezën universale se shoqëria nuk mund të jetë modern, pa një pa një trajtë të kristalizuar jo të shtetit social paternalist që nxit parazitarizëm, por të shtetit efektiv që përdor si mjet nxitës ndihmën e përkohshme sociale. Politika moderne e qeverisë së koalicionit të majtë në Shqipëri, e ardhur pas një periudhe të gjatë mbivlerësimi i aksit liberal të politikave sociale dhe rrjedhimisht të largimit dukshëm të shtetit nga shtrati social, tani po përpiqet të rikristalizojë një tjetër pamje dinamike e aktive të rolit nxitës të dimensionit social të shtetit.

    Sepse shteti dhe shoqëria nuk mund të jemi të qetë, që akoma kemi një nivel të lartë varfërie, një sasi të madhe qytetarësh që për shkaqe sociale apo personale jetojnë në varfëri apo janë të margjinalizuar. Para se të mendojmë në mënyrë liberale për fatin e tyre, apo të japim recetën sempliste se situata ekonomike dhe niveli i përfshirjes sociale janë vetëm përgjegjësi e individit, duhet t’i bëjmë pyetjen vetes: Po mirë pavarësisht situatës së tyre, a janë qytetarë njerëzit e margjinalizuar ?

    Padyshim ata janë qytetarë të lire, kanë shanset e tyre për të gjetur zgjidhje të problemeve që kanë me statusin e tyre të përkohshëm ekonomik e social, sepse në shoqërinë tonë liria është dhe punon për të gjithë qytetarët. Por kjo nuk mjafton që të mos jemi të ndërgjegjshëm për qytetarin që jeton akoma është në situatën e “nënshtresës sociale” nga pikëpamja ekonomike, apo që gjendet i margjinalizuar në nivelin e “nënklasës shoqërore”. Këto shtresa janë vërtetë të lira dhe nuk kanë kufizime qytetare për të braktisur statusin e tyre të përkohshëm. Por liria e tyre është, në se do përdorim një term të filozofit personalisht Emanuel Mounnier “liri e dëshpëruar”. Dalja e tyre nga kjo situatë dëshpërimi social është detyrë e tyre në radhë të parë, por dhe e jona, domethënë e shtetit dhe shoqërisë…