Gëzim TUSHI/ Pse po zbehet humanizmi dhe solidariteti me të moshuarit ?

    432
    Sigal

    Njeriu “ekonomik” dhe disa probleme bazë për pleqërinë që duhen zgjidhur

    Të moshuarit dhe “amerikanizimi” i familjes shqiptare…

    Të gjithë sociologët globalisht janë të shqetësuar ngaqë po përballen me një varg problemesh të thella sociale me moshimin dhe pleqërinë. Nuk ka asnjë dyshim, që situata e të moshuarve në shoqërinë modern, është produkt i krijuar nga moderniteti, i cili në të njëjtën kohë është faktori që i shkëput të moshuarit nga jeta dhe për pasojë edhe tenton t’ i përjashtojë nga dinamikat e saj. Zakonisht kur duan të gjejnë shkakun e justifikimit të kësaj situate sociale për të moshuarit, sociologët e moshës së tretë e kanë në majë të gjuhës argumentin, se kjo situatë e të moshuarve kudo në Europë është e lidhur me procesin e “amerikanizimit të familjes” apo me bërjen dominante të idealit të familjes amerikane me katër anëtarë dhe pa të moshuar. Padyshim statusi social i të moshuarve në kohën e sotme ka pësuar ndryshime të thella radikale në se atë e krahasojmë me statusin e tyre të dikurshëm, që gëzonin në shoqërinë dhe familjen tradicionale. Më shumë se të tjerët, këtë situatë e kuptojmë ne shqiptarët, e ndjejnë të moshuarit tanë, sepse sapo kemi kaluar “kufirin” e shoqërisë dhe familjes tradicionale dhe kemi hyrë vendosmërisht në territorin e vështirë të shoqërisë dhe familjes moderne. Besoj, se është e domosdoshme të themi ca të vërteta të statusit të të moshuarve tanë, dje në familjen dhe shoqërinë tradicionale dhe sot familjen dhe shoqërinë moderne. Sepse është e sigurt që në shoqërinë tradicionale shqiptare, i moshuari nuk ishte dhe nuk e ndiente veten si njeri me status “jashtë shoqëror”. Përkundrazi, të gjithë që kanë jetuar në atë kohë, e dinë se i moshuari edhe në gjirin e familjes tradicionale ka qenë gjithnjë i vlerësuar si “shtylla e saj”. Sepse struktura dhe funksionimi i saj kishin në bazë filozofinë bazë të familjes tradicionale, në të cilën i moshuari kishte “vend të veçantë”, që nuk ndryshonte nga pjesëtarët e tjerë të saj nga pozita që mbante, por mbi të gjitha nga koha që ka jetuar dhe mosha që ka kaluar.

    Plak apo pensionist ?

    Në kohën tonë në literaturën sociale e sociologjike, por dhe në komunikime interpersonale me të moshuar, gjithnjë e më pak përdoret termi me kanotacion pezhorativ “plak”. Në vend të tyre përdoren terma më të “buta moshore”, si i “moshuar” apo “pensionist”. Ky nuk është thjesht problem nominal apo terminologjik. Problemi është më i thellë, ai është konceptual. Largimi i termit “plak”, është një reagim social adekuat i shoqërisë dhe familjes moderne për t’ i mbrojtur të moshuarit nga paragjykimi moshor.  Kjo ndodh për disa arsye që kanë substancë të fortë sociale e morale. Largimi nga fjalori publik dhe komunikimi privat i konceptit “plak”, bëhet  për disa arsye thelbësore. Së pari dhe mbi të gjitha askush në moshën e tretë nuk ka qejf të quhet “plak” edhe në se është disi i moshuar. Kjo, ngaqë pleqëria edhe pse është realitet moshor është një nga gjërat e papëlqyeshme për njeriun. Përdorimi i termit pensionist e zbut konotacionin e fjalës plak, e bën të moshuarin të ndihet më dinjitoz në raport me familjen dhe shoqërinë. Kur themi për një të moshuar që është pensionist, ky është një vlerësim për moshën, njohje e kontributit social për të cilën është pensionuar. Por, mbi të gjitha ajo është tregues i qartë se kemi të bëjmë me një grup social njerëzish të moshuar, që duke qenë pensionistë kanë një liri ekonomike relative, mundësi të jetojnë duke konsumuar të ardhurat e veta dhe duke garantuar kështu statusin e tij social.

    Të moshuarit dhe shërbimi social në shtëpi

    Ka një shqetësim social, që lidhet me kërkesat në rritje të moshuarve dhe familjarëve të tyre, për t’ u larguar nga shtëpia drejt institucioneve të shërbimit social rezidencial. Ky koncept i deformuar është negativ, që po ndikon të jetë fare e paktë përpjekja për të përdoruar gjerësisht shërbimin në familje dhe komunitet për të moshuarit. Kjo është jetike dhe rrugë e së ardhmes, sepse mjaft njerëz të moshuar janë me nevoja të vogla sociale dhe nga mania rezidencialiste humbasin mundësinë për të ndërtuar ndërhyrjet e vogla të shërbimit social në shtëpi, të cilat nga ana tjetër mund të parandalojnë dhe të shtyjnë në kohë shtimin e nevojave të tyre për shërbime rezidenciale. Sidoqoftë, ne duhet të mendojmë strategjikisht për problemet e sotme dhe të nesërme të moshimit. Sepse është e sigurt, që shtimi i të moshuarve dhe ndryshimet në strukturën familjare e bëjnë urgjente nevojën për parashikimet e së ardhmes, për të krijuar disa forma të përkujdesit informal, që tek ne akoma nuk janë të qarta dhe të aplikuara. Natyrisht duke e vlerësuar këtë tendencë negative për zgjidhje rezidencialiste, është e udhës të zgjerojmë nivelin aktual të shërbimeve sociale ditore komunitare për të moshuarit, duke synuar që ato të jenë sa më afër ose në shtëpinë e tyre. Kjo është detyrë prioritare e pushtetit vendor për sot dhe akoma më shumë për të ardhmen. Kjo do të thotë, që duhet të nxiten më shumë të gjithë aktorët, faktorët, mundësitë që ofruesit e shërbimeve publike, private dhe joqeveritare të vlerësojnë nevojat në rritje për të moshuarit dhe natyrisht të respektojnë dhe t’ i përgjigjen kësaj nevoje me shërbime në familje. Praktikisht është bërë shumë shqetësuese që në Shqipëri në mënyrë paradoksale, kërkojnë ndihmë sociale rezidenciale shumë të moshuar që nuk janë në kushte emergjence, që kanë shtëpinë e tyre por janë me nevoja të vogla për shërbim. Nuk është normale, që i moshuari që ka familje apo shtëpinë e vet, thjesht për disa nevoja të vogla që mund të zgjidhen me shërbime komunitare mobile, të humbasë shansin e sigurimit të këtyre ndërhyrjeve që janë me kosto të ulët, të ofruara në shtëpinë, të cilat mund të parandalojnë shtimin e nevojave të tjera. Deri tani përkujdesja për të moshuarit është ofruar në institucione sociale, (rezidenciale ose jo) që janë ofruar nga institucionet private dhe publike. Duhet pranuar që janë të paktë njerëzit e moshuar në nevojë, të cilët kanë mundësi të përdorin shërbimet rezidenciale. Prandaj është e udhës t’ i trajtojmë ndryshe nevojat e tyre, të largojmë besimin e tepruar në zgjidhjet rezidencale. Kjo do të thotë, që duhet bërë ndryshim strategjik në sistemin e shërbimeve për të moshuarit në nevojë, duke u afruar me shërbime në shtëpi, duke u baraslarguar nga zgjidhjet rezidencialiste. Jo thjesht pse është sistemi klasik i shërbimit,  por sepse është forma që na detyron të “gabojmë”. Ne kemi nevojë t’ u sigurojmë të moshuarve shërbime shtëpiake me kosto të ulët, me nivel më të përshtatshëm në shtëpinë e tyre. Kjo, besoj unë, është sfida që duhet dhe që ndihmon në zgjidhjen e duhur të problemit.

    Të moshuarit dhe përgjegjësitë e pushtetit lokal

    Nuk them se shërbimi rezidencial për të moshuarit nuk është formë e vlefshme shërbimi. Por, nevojat e vlerësuara nuk janë aq për shërbime rezidenciale se sa për ndërhyrje të nivelit të ulët, si forma të ofrimit të shërbimeve parandaluese, që u lejojnë të moshuarve të rrinë në shtëpitë e tyre, duke ndihmuar të përmbushin nevojat. Është me rëndësi nevoja e promovimit nga pushteti lokal i përkrahjes sociale parandaluese për të moshuarit në shtëpi. Sepse situata e të moshuarve në terren po ndryshon dhe kërkesat për trajtim rezidencial po shtohen. Në të vërtetë,. kjo situatë duhet të ndikojë dhe duhet të sjellë rritjen e nevojave për përkujdesje sociale komunitare. Në logjikën e vlerësimit të nevojave dhe ofrimit të shërbimeve sociale, ka një “ligj të pashkruar”. Ajo, që të duket se kursehet për momentin, do të shpenzohet në kosto më të larta shërbimesh për një numër më të madh të moshuar më vonë.  Prandaj, ajo që kërkohet të ndryshojë është së pari koncepti i pushtetit vendor për kujdesin e detyruar të moshuarve të komunitetit. Por, kjo nuk mund të realizohet nëse bashkë me ndryshimin e konceptit për shërbimin në familje, të vijë edhe forcimi i financimit lokal (Bashkia, Qarku, Komuna) të shërbimeve, për të moshuarit në nivel vendor. Ndaj nëse tendenca  rezidencialiste, do mbështetet dhe mbivlerësohet, atëherë ajo do të vendosë në pikëpyetje zgjerimin e shërbimit për të moshuarit në familje. Bashkë me të edhe gatishmërinë e ofruesve lokalë të shërbimeve sociale për të investuar në të gjithë format dhe alternativat e shërbimit në këtë sektor. Për momentin, ka një stepje dhe prirje graduale të ofrimit të shërbimeve në shtëpi, por nga ana tjetër ka presion në rritje ndaj autoriteteve lokale, që për të moshuarit në nevojë të ngrenë shërbime bazuar në modelin e  përkrahjes sociale të lëvizshme në shtëpi. Kjo duhet nxituar sepse jemi të vonuar kur përballemi me vlerësimin e sasisë dhe intensitetit në rritje të nevojave të moshuarve tanë…