Gëzim  TUSHI/  Për etikën globale dhe qytetarin e globalizuar…

    439
    Sigal

    Ne shqiptarët kemi filluar të parashikojmë dhe të përgatitemi për të përballuar zgjerimin e lirisë personale dhe efektet çliruese planetare që do të rrjedhin nga zgjerimi i përmasave të globalizmit integral të jetës në të ardhmen- shprehet Gëzim Tushi për Gazetën Telegraf . Duke shpresuar që nuk do të ketë aksidente retrograde planetare dhe me besimin se shekulli i 21 do jetë në të gjitha gjasat shekulli i globalizimit dhe ndërtimit të dimensionit të globalizimit të jetë njerëzore”, kjo është premise bazë që të shtyn të mendosh se kjo kohë e gjatë do jetë vendimtare edhe për përcaktimin e shumë zhvillimeve me natyrë humane, sociale e morale në nivel global. Sociologët e globalizmit dhe qytetarët optimist, përfshirë dhe autorin e këtyre radhëve, besojnë se kjo epokë që po vjen dhe që do ketë në bazën e vet globalizimin integral të jetës njerëzore, me siguri që do të shoqërohet me një kartë të re të ndërtimit të marrëdhënieve në bazë të solidaritetit social, humanizmit individual dhe përmirësimit të dukshëm të tipareve të moralitetit universal.

    Ndërkaq, krahas optimistëve që presin zhvillimeve në sensin pozitiv në zhvillimet planetare, nuk mungojnë edhe skeptikët të cilët e shikojnë jetën të bazuar mbi tendencën e globalizmit si kaos social dhe dështim moral. Ata kanë ngritur alarmin dhe kanë përhapur frikën se globalizmi dhe ndërtimi i jetës sociale në përmasa të hapura planetare do të bëhet një realitet social që nuk do mund të ketë mundësi të “kontrollojë moralisht” individin e globalizuar. Në debatet që zhvillohen sot janë ballë për ballë dy koncepte të kundërta për efektet sociale dhe pasojat morale universal të globalizmit. Nga njëra anë është vizioni etik humanist mbi mundësinë e rindërtimit në dimension planetar të jetës njerëzore dhe nga ana tjetër është perceptimi skeptik e disfatist, që bazohet në idenë e pamundësitë së rregullimit moral të jetës njerëzore në globalizëm.

    Sigurisht nuk është e lehtë të japësh konkluzione të instancës së fundit për këtë debat apo të bësh Orakullin e Delfit dhe të parashikosh me ekzaktësi se cilat do jenë zhvillimet humane, sociale dhe etike në globalizmin integral. Por besoj se është më e udhës të orientohesh nga gjykimi me sens mase i optimistëve të cilët me të drejtë mendojnë, se globalizmi është shans i ri dhe ndoshta edhe i fundit për t’i dhënë njerëzimit dimension human, dhe ai me gjasë do t’i ketë të gjitha mundësitë që të krijojë kushtet e zhvillimit ekonomik, politik, social e kulturor që të shërbejnë si “bazë universal” dhe kusht i përgjithshëm që të ndihmojë humanisht dhe etikisht procesin e krijimit të Njeriut të Plotë Global, me fytyrë të ngjashme njerëzore dhe sjellje etike të humanizuar.

    Sepse në ecet sipas parametrave të projektuara për mundësinë e ndërtimit të Shoqërinë Globale, atëherë është e sigurt se rezultati human dhe etik do të jetë kalimi nga kushtet e kufizuara të Shoqërisë Nacionaliste e tipareve shumë dalluese të sjelljes së Njeriut Kombëtar, në historinë e re të Epokës së Globalizuar të bazuar në Shoqërinë Humaniste të njerëzve me ngjashmëri etike dhe sjellje morale njerëzore të përafërta.

    Kjo do të thotë se do shtohen shanset për të ecur drejt njerëzve që do të kenë formim human të qëndrueshëm, dhe për pasojë edhe do të shfaqen si qenie humane e morale me dimension universal. Natyrisht nuk është e lehtë të besohet se mënyrat e jetës, veçoritë e saj dhe kodet morale kombëtare do të marrin fund, apo që do eliminohen tërësisht nga veprimi universal i Etikës Morale Globale. Zhvillimet e deritashme tregojnë pa asnjë mëdyshje se procesi i globalizmit, me siguri që do jetë i lidhur, i vazhduar dhe në raporte dhënëse e marrëse. Në një farë mënyre besimi humanist se zhvillimet botërore dhe sjelljet njerëzore mund të orientohen nga efektet e veprimit universal të një lloj Etike Humaniste Globale, nuk mund të na çojë në besimin e ekzagjeruar se ai do të jetë mohim tërësor i moraleve të përveçme njerëzore që kanë qenë me vlerë ekzistenciale për shoqëritë e ndryshme.

    Përkundrazi Etika Globale nuk mund të jetë veçse një sumare e përbashkët e unifikimit universal të vlerave më të mira humane e morale të sjelljes dhe Etikave të Përveçme.

    Për të gjitha këto arsye të marra së bashku, duhet besuar se problemet e etikës, moralit dhe sjelljes sociale në të ardhmen do të kenë peshë të veçantë dhe do jenë nga problemet më të mëdha dhe më shqetësuese, me të cilat do të përballet rindërtimi i dimensionit moral të globalizmit. Kjo mund të jetë një nga sfidat më të mëdha dhe më të ndërlikuara. Qoftë si koncept etik por dhe si funksionalitet moral në botën e globalizuar, e cila është përballë efektit kontradiktor të zhvillimeve liberale, individualiste e personaliste të kohës dhe natyrës së sjelljes diverse, ultraindividualiste të shfaqura që tani si tipare esenciale të personalitetit të  “Qytetarit Global”.

    Padyshim bota e globalizuar do të jetë botë tjetër dhe etikisht qytetari global do të jetë i ndryshëm nga qytetari me fundament të sforcuar kulturor ideologjik dhe kufijtë e ngushtë etnicist. Nuk duhet neglizhuar e vërteta njerëzore universale dhe fakti që bota e globalizuar mund të jetë me e lehtë në realizmin e shumë objektivave dhe treguesve me natyrë politike, ekonomike dhe kulturore, por kur është fjala për aspektin humanist dhe etik të saj, është e vështirë të besohet se mund të arrihet që të ndërtohet një botë me dimension moralisht të përbashkët.

    Natyrisht askush nuk mendon se globalizmi nuk është kontroversal në pasojat e veta sociale.

    Sepse nga njëra anë shton shanset dhe mundësitë për më shumë lidhje sociale midis njerëzve planetarisht dhe nga ana tjetër mund të thellojë më tej natyrën atomistike të njeriut dhe parapëlqimet relativiste morale të tij. Jo vetëm kaq, por globalizmi në mënyrë të natyrshme do të sjellë ridimensionime të traditave dhe paradigmave morale tradicionale nacionaliste. Gjasat tregojnë se këto ndryshime të etikës, moralit dhe sjelljes së qytetarit global nuk do jenë aspak armiqësore ndaj kërkesës së përbashkët për një lloj “globaliteti moral” si paradigmë e re e rindërtimit të mënyrës universale të sjelljes së qytetarit në këtë planet të mondializuar.

    Sidoqoftë globalizmi ka problemet e veta humane e morale. Në këto kushte duke qenë optimist për ndikimet humane e etike të zhvillimeve globale, duhen parashikuar edhe efektet e tij në zhvillimet sociale e morale. Sepse në kushtet e globalizmit është e mundur dhe mund të ndodhë, që individi i cili në një botë të globalizuar dhe pa shumë “rrënjë të forta nacionale” dhe duke jetuar në një botë me jetë dhe territor të lëvizshëm, është në shumë aspekte duke e krahasuar jetën nacionale me atë globale ekzistencialisht i pasigurt.

    Besoj se në mënyrën globale të të jetuarit njeriu është i detyruar që për t’u përshtatur me ndryshimet globale do t’i duhet të ketë një “paketë përshtatëse” të përbërë nga më shumë se një identitet personal. Për pasojë në mënyrën e të jetuarit global mund të ndodhë që duke mos qenë i aftë të përshtatet me ndryshimet, të bëhet individ moralisht i paaftë që të jetojë dhe të jetë banor moral i universit social, me të cilin duhet të përshtatet në mënyrë që të mund të jetojë si qeniet e tjera njerëzore.

    Kjo nuk do të thotë se globalizmi është rrafshues në raport me parimet e dikurshme të etikës së trashëguar historikisht nga shoqëritë tradicionale, moderne lokale apo kombëtare. Por nga ana tjetër është evidente të besojmë, se globalizmi në fushën e etikës dhe moralit tradicional do sjellë ndryshime. Ndoshta edhe “shkatërrime paradigmash të vjetra” dhe do të hapë probleme të reja etiko-morale me natyrë ekzistenciale. Statusi i etikës dhe vlera e moralit në shoqëritë tradicionale me bazë etnike e territor shtetëror të mbyllur, ka qenë më i qartë. Në një farë mënyre globalizmi do të sjellë ndryshimin e këtij statusi të vjetër të etikave të mbyllura kombëtare. Kur flasim për “statusin e etikës” në shoqëritë e mbyllura apo në epokën e globalizmit, doemos që e kemi fjalën për faktin se cilët do jenë “kufijtë” e rinj etikë, që do mund t’i vendosen “qytetarit global” që do jetojë moralisht ndryshe në këtë botë të globalizuar.

    Unë besoj se rregullat etike në botën e globalizuar nuk do jenë të lehta për t’u vendosur, pranuar, njohur dhe zbatuar nga Qytetari i Globalizuar dhe me natyrë të sigurt ultraindividualiste. Kjo qasje historike ndaj etikës dhe statusit të moralit në epokën e globalizmit nuk është punë që mund të parashikohet lehtë. Unë jam i bindur dhe me siguri që globalizmi do të jetë një realitet i ri social e human që do të zgjerojë mundësitë e thellimit të subjektivitetit të individit dhe diversifikimit të sjelljes morale subjektive të njeriut.

    Problemet etike në globalizëm do jenë të lidhura, të diktuara nga nevoja dhe mundësia e zgjerimit global të lirisë individuale. Sidomos në se ajo do pranohet në trajtën e ndikimit të globalizmit në shkëputjen nga disa përcaktueshmëri të vjetra natyrore të njeriut apo kufijtë e vjetër social dhe historik të shoqërisë së kaluar. Nuk besoj se mund të shkohet në globalizëm me idenë arkaike, se njeriu duke u bërë Qytetar Global ka rrezik që moralisht të jetë “asgjë” dhe për pasojë nuk do ketë as natyrë e as mision moral të përcaktuar në jetën me dimension global. Këto teori antietike, që shpesh herë qarkullojnë në emër të keqkuptimit esencial të natyrës së njeriut globalisht postmodern apo të qytetarit “padimension etik”, përbëjnë kërcënim etik për nevojën dhe mundësitë e qëndrueshmërisë relative të Moralit Global, i cili i përfytyruar në këtë formë do jetë tërësisht i pafuqishëm që të “frenojë” idenë eksentrike të lirisë pa kufi si tipar i Njeriut Global.

    Në këto kushte është e nevojshme që në Shoqërinë Globale e cila patjetër që do jetë shoqëri postmoderne dhe pa kontroll të fortë moral të individit, megjithatë etikisht do të ketë një “kufi të natyrshëm” të ndërtimit të sjelljes morale të qytetarit global, e cila universalisht do gjendet në ekuacionin etik që do jetë bazamenti për të kombinuar kufirin midis “pavarësisë morale” dhe aftësisë së njeriut për të kontrolluar në mënyrë të natyrshme “vetëkufizimin etik” personal. Pra në se globalizmi e nxit pavarësinë dhe veçanësinë njerëzore të qytetarit global, atëherë është e nevojshme që identiteti moral i qytetarit të globalizuar, të ketë qëllime personale jo vetëm etike, por që ato të jenë brenda disa kufijve social. Kjo do të thotë që ai duhet të dijë të vetwpërmbajë sjelljen morale dhe veprimet e veta etike. Sepse ka problem që po shfaqen tani dhe që të flasin për mundësinë e krizës etike edhe në Shoqërinë e Globalizuar.

    Kjo lidhet me faktin se shoqëria globale me sa duket, do mbivlerësojë apriori dhe më shumë qytetarin që zbaton ligjin, që ka aftësi e talent, për të qenë i zoti e konkurencial. Me siguri që forca, bukuria, pasuria do mbivlerësohen në këtë epokë. Por  të gjitha këto cilësi e talente nuk kanë lidhje me vlerësimin moral të qytetarit global, i cili pse mund të jetë inteligjent, i fortë, i bukur, i pasur, etj, megjithatë moralisht ato mund t’i vërë në shërbim të së keqes, krimit, degradimit moral. Por këto janë sfidat e së ardhmes dhe riorientimit etik, ndërtimit të strukturave të sjelljes morale të njerëzve në botën e globalizuar.

    Ato do ndikojnë në shumë ridimensionime të aspekteve të sjelljes më të lirë morale të individit dhe do ndihmojnë zbutjen e kontrollit etik të tij. Parimet morale dhe kodet etike të epokës së globalizmit janë “çelësa” për të çelur dhe jo për të kyçur moralisht jetën e njeriut. Ato janë “çelësat etikë” të së ardhmes dhe do ndihmojnë njerëzit të dalin nga “burgu” i kontrollit moral” të së kaluarës. E sigurt është që morali i Njeriut të Epokës së Globalizmit do të jetë jashtë kornizave ideologjike, gënjeshtrave etike utopike të deformuara për Natyrën e Njeriut…