Gëzim TUSHI/ Jeta moderne shqiptare, përtej konceptit ideologjik…

    429
    Sigal

    Të gjithë ne shqiptarët e kuptojmë se nga mënyra si kemi ndërtuar jetën në kohën e tanishme, tregon se gjërat, sendet dhe raportet e njeriut me to kanë ndryshuar, pothuaj radikalisht. Duket në mënyrë të sigurt që kjo tipologji jete e ka bërë të sigurt ekzistencën e realitetit të ri social, në të cilin jeton njeriu postideologjik e konsumistik, i cili çdo ditë vërteton se do të jetojë dhe të jetë pjesë e një shoqërie postmoderne që nuk ka më nevojë për orientim të ngurtë ideologjik. Në se themi se natyra e shoqërisë shqiptare tenton të bëhet postmoderne, kjo do të thotë se duhet kuptuar që praktikisht kemi hyrë në fazën e rëndësishme të zhvillimit kur shoqëria shqiptare nuk ka më nevojë për ideologji apo më sakt për “sisteme të njëtrajtshme” e uniforme mendimi. Në këto rrethana kur bashkëjetojmë, krijojmë marrëdhënie dhe bashkëjetesë sociale me njeriun që nuk ka nevojë për “bindje të shenjta” ideologjike, kjo do të thotë se është i tepërt dhe i padobishëm pretendimi konservator i kornizimit ideologjik të proceseve sociale, mënyrave individuale e utilitariste të jetuarit. Ideologjitë kanë qenë gjithnjë më shumë se ide jetësore për të ndërtuar bazat e vërteta të jetës, ide magjepsëse për të cilat është e sigurt se faza e postmodernitetit nuk ka më nevojë për to. Është koha kur dëshirat e njeriut, mënyra e organizimit të jetës shoqërore janë vendosur në lidhje dhe raporte të personalizuara, pa determinime fikse ideologjike apo korniza të mëdha të përmasave supersociale. Njerëzit e kohës sonë nuk janë më personalitete të varur nga idetë e mëdha e as të frymëzuar nga përkufizimet dhe paradigmat e vjetra ideologjike doktrinariste. Thelbi i ndryshimeve që kanë ndodhur në shoqërinë tonë dhe që duhen vlerësuar me kujdes, ka të bëjë me faktin se gjithnjë e më shumë po spikat natyra vetjake e ndërtimit të jetës, mënyra e personalizuar e sjelljes dhe ndërtimit të marrëdhënieve sociale të njeriut. Ato tipikisht janë të larmishme, përtej kornizave të ngurta ideologjike, mbi idetë e mëdha dhe konceptin gjigandesk të “strukturës sociale” apo përdorimit të zgjeruar të “kontekstit” shoqëror. Ideologjitë në përgjithësi pavarësisht nuancave të tyre, kanë të përbashkët gjithnjë praninë e tepëruar të konceptit të lidhjes së ngurtë të njeriut pas kufijve të kontekstit social. Madje shpesh disa prej tyre siç ka qenë marksizmi fjala vjen, këtë e kanë shpënë deri në trajtat e “fondamentalizmit social” mbi individin. Ideologjitë e kanë konceptuar njeriun jashtë shoqërisë si njeri abstrakt, qenie pa substancë sociale, agjent moralisht të izoluar, utopik, iluzionist. Ato dhe ideologët e tyre kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë shumë kritika kundër individualizmit, lirisë dhe liberalizmit, por duke qenë të verbuar nga optikat e errëta të ideologjive, kurrë nuk janë marrë me problemet praktike të jetës së njeriut të vërtetë apo problemet jetike të përditshmërisë njerëzore. Kanë parë vetëm aspektin social të lidhjeve dhe marrëdhënieve njerëzore, por kanë neglizhuar, mohuar apo nënfleftësuar aspektet e vërteta biologjike, psikologjike e personaliste të njeriut të vërtetë, të formuar jo nga ideologjia por nga mishi dhe gjaku njerëzor.Edhe sot në shoqërinë tonë po të vëresh me kujdes, ndeshet prania e përdorimit të deformuar me substrat akoma shumë të fortë ideologjik i koncepteve “kontekst social” apo shoqëri. Ne duhet të pranojmë se në shoqërinë tonë të së kaluarës esenca ideologjike e deformuar e raporteve të njeriut me veten, shoqërinë dhe moralin personal ka qenë një raport thellësisht i tjetërsuar. Në kohën e sotme nuk mund të mendohet, të pranohet që ideologjia të përdoret si pushtet për të tjetërsuar njeriun apo akoma më keq, që ky pushtet i tjetërsuar nga ideologjia të bëj të mundur “robërimin e njeriut” të lirë të shoqërisë shqiptare postmoderne. Në këto kushte shumë anomali, keqkuptime e zemërta të njerëzve me realitetin e sotëm moral apo fenoimenet etike e sociale kontroversale, e kanë bazën e tyre ekzistenciale pikërisht tek moskuptimin e ndryshimit të madh ideologjik që shfaqet qartë në realitetin e sotëm postmodern, në të cilin shoqëria shqiptare nuk ka as mundësi e as fuqi që të përcaktojë gjithçka të njeriut në jetën e vet personale. Sigurisht kjo kohë dhe shoqëria në të cilën ne jetojmë, ka problemet e saj etike, morale e sociale. Të cilat në shumë drejtime dhe aspekte janë tejet shqetësuese. Por megjithatë, të gjithë duhet të bindemi se kësaj kohe nuk i shkojnë “Ideologjitë e Mëdha”, sepse nuk janë fuqitë e ideologjisë që përcaktojnë gjithçka në jetën e njeriut. Pretendimi i ideologjisë marksiste për të zgjidhur në mënyrë definitive problemin e raporteve midis të “ligës morale” dhe të “keqes natyrale” të njeriut rezultoi një dështim i turpshëm historik e moral, i pashembullt përballë kompleksiteteve evidente të jetës njerëzore. Ishte kjo ideologji që dha si pasojë në shoqërinë shqiptare që i qëndroi besnike deri në verbëri “kalbjen e kohës” dhe shkatërrimin e njeriut të vërtetë. Pikërisht dhe kryesisht duke imponuar në shoqërinë tonë dogmat e hipokrizisë morale e sociale.

    Ideologjia që shkatërroi për gjysëm shekulli njeriun dhe shoqërinë tone, në emër të një dogme të përbindshme ishte pjesa më mistifikuese e superstrukturës gjigande të mbjelljes së hipokrizive sociale e morale në këtë vend. Gjithnjë mbi kurrizin e njeriut të vërtetë. Sepse edhe shkencat shoqërore dhe gjithçka tjetër në kushtet e ideologjizimit të gjithçkaje në Shqipëri, u bënë vetëm shërbëtore të thjeshta të ideologjisë që përçudnoi formimin e njeriut të vërtetë, që solli në jetë modele asketike e forma të deformuara të shoqërisë dhe njeriut.

    Ky është problem që shpesh na mban zvarrë, na ngatërron këmbët në “vallen” e sotme të postmodernitetit. Akoma ka njerëz që pa e ditur se janë në pistën e marksizmit dhe ideve të ideologjisë së vjetër, që mendojnë sipas parimeve të rrezikshme, të turpshme të asaj ideologjie që na bëri moto të jetës së deformuar “parimin ideologjik universal”, sipas të cilit “nuk qënka vetëdija e njeriut ajo që përcakton qenien e tij” por është “qenia sociale e njeriut ajo që determinon vetëdijen e tij”. Një ideologji e bazuar në vlerësimin banal të rolit dhe faktorëve materialë.

    A ka njeri që mund ta besojë këtë ide postulative, me të cilën shkatërruam për gjysëm shekulli shoqërinë dhe betonizuam hipokrizinë e njeriut social të zmadhuar përtej psikologjisë dhe biologjisë së vërtetë të njeriut si qenie individuale ?

    Në fund të fundit koha postmoderne ndryeshe nga ajo ideologjike i ka mësuar njerëzit tanë që përfundimisht në vend që të mbivlerësojnë dogmat e krijuara për qëllime diabolike supoersociale apo që skllavërojnë shpirtërisht njeriun, atrofizojnë energjitë dhe zhdukin individualitetin e tij, janë të bindur se është më e mirë shoqëria në të cilën njerëzit “mendojnë duke jetuar”, pa postulate të ngurta e paragjykime të mëdha ideologjike strategjike. Në vend të ideologjive të shenjta, të fosilizuara nga koha që më shumë na kanë penguar të kuptojmë të vërtetat e vërteta të jetës së vërtetë njerëzore, ne kemi nevojë për ide që rezonojnë me kohën dhe janë jehonë e vërtetë e proceseve të jetës postmoderne.

    Në këto kushte, shpjegimet me bazë ideologjike të fenomeneve të postmodernitetit është e vështirë t’i bësh, në se nuk do të bëhesh qesharak përballë shoqërisë dhe njeriut të vërtetë të postmodernitetit. Kjo “strehë e fundit” e të pavërtetës, tashmë nuk mund t’i rezistojë pushtimit nga njeriu i vërtetë konsumerist dhe racional. Në këto kushte është fare evidente, se përdorimi i çdo lloj ideologjie për të gjetur korniza supersocale të jetës, është veprim paradoksalisht i pamundur. Format e jetës postmoderne dhe krizat e natyrshme të modernitetit në shoqërinë tonë, nuk mund të inkuadrohen në paradigma ideologjike, as mund të shpjegohen me paragjykimet e vendosura mekanikisht.

    Koha e sotme nuk ka stabilitet ideologjik sepse është kohë me sisteme vlerash relative, të paqëndrueshme dhe të përshtatshme për njeriun joideologjik, jo me moral dogmatik. Kjo kohë i ka stabilitetet e veta herë të lëvizshme dhe në se i shikon me optikat e ngurta ideologjike ato të duken paradoksale. Në këtë kontekst është e vërtetë që njerëzit e kohën sonë kanë më pak stabilitet social, humanizëm, ndjesi solidare, socialitet dhe sociabilitet, të cilat padyshim që kanë sjellë krizat e natyrshme ekzistenciale të postmodernitetit.

    Është gjithashtu e vërtetë që kjo kohë në shoqërinë tonë ka sjellë shumë zhgënjime, nuanca pesimiste, neurotizëm social, frikë e pasiguri të shtuara. Padyshim, janë shumë njerëz që mendojnë ideologjikisht për pasojat e postmodernitetit, nga që nisen nga situatat dhe zhgënjimet personale. Por kjo nuk mund të përdoret si argument për të thirrur në ndihmë ideologjitë e fosilizuara, ca më pak zgjidhjet utopiste e barazitariste. Njerërzit nuk kanë nevojë për ide që i mësojnë keq, por për ide që të ndihmojnë të kuptosh të vërtetat e jetës, duke bërë përpjekjet e duhura që t’i përgjigjesh ritmeve dhe kuptimeve të vërteta të saj. Shoqëria postmoderne, liberale dhe individualiste shqiptare është bërë e tillë, që siguron natyrshëm dhe pa praninë e ideologjive të mëdha interaksionin social dhe personal midis njerëzve. Natyrisht pa nevojën e vjetër ideologjike të socializimit me dhunë apo imponim të gjithçkaje.

    Këto forma të vjetra të socializimit kanë marrë fund. Në përgjithësi shpjegimet supersociale të fenomeneve të kohës sonë janë të bezdishme teorikisht, të mërzitshme nga ana sociale. Megjithatë edhe qëndrimet ekstreme antisociale dhe pozicionet ideologjike supersociale sot kudo në botë janë në krizë. Zgjidhjet e sotme për raportet e individit me veten dhe shoqërinë, duke mos qenë ideologjike medoemos në të njëjtën kohë nuk mund të jenë krejtësisht antisociale. Karakteri individual i njeriut të kohës sonë nuk mund të jetë pa kufi. Ca më pak në limitet e humbjes krejt të mbresës humane si qenie sociale. Sepse askush nuk mund të jetojë i vetmuar, jashtë vendit dhe strukturave të përbashkëta të jetës sociale. Sado individualist të bëhet njeriu, ai mbetet të jetë edhe mbartës i strukturave të jetës sociale…