Gëzim Boçari: Arsyet përse çështja e pronave po e mban Shqipërinë larg BE-së, politikanët të gjithë të “njollosur”

    441
    Sigal

    Intervista/Flet kryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Gëzim Boçari

    Çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave në Shqipëri ka mbetur pa u zgjidhur, po ashtu kjo çështje ka sjellë edhe një sërë problemesh. Në lidhje me këto probleme dhe me mangësitë që ka ligji 7501, ka folur në një intervistë për “Telegraf” kryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Gëzim Boçari. Sipas tij në këto 22 vjet janë hartuar ligje me karakter elektoral dhe grabitës pasi prej 1991 e deri sot  ka munguar vullneti politik për ta kthyer pronën tek i zoti.

     -Zoti Boçari, aktualisht çfarë po ndodh me ligjin 7501, cilat janë pasojat dhe mangësitë e tij që po i penalizojnë akoma pronarët?

    -Pasojat negative të ligjit 7501 janë të shumta. Me tërësinë e frymës së tij ai ligj e ka devijuar rrjedhën e demokracisë në drejtimin më të keq të mundshëm. Thuhet se djalli dhe djallëzia fshihet në detaje. Në rastin e Parlamentit Shqiptar, djalli u maskua me përdorimin  e termit “Ish-pronar” për të zëvendësuar termin “pronar”, ose “pronar i ligjshëm i shpronësuar nga diktatura”. Djallëzi të tjera u fshehën në parcializimin e procesit të kthimit të pronës, në hartimin e ligjeve të veçanta  sipas zërave kadastrale si për trojet, për tokat e kooperativës bujqësore, për pyjet , livadhet etj dhe në procedurën e kthimit të pronës me të cilën pronarit i kërkohet të paraqis dokumentet e pronësisë, harta dhe shumë shkresa të tjera, kur kthimi i pronës duhet të jetë detyrim i shtetit dhe Shteti i disponon të gjitha dokumentet e shtetëzimit, disponon dokumentet e AQSH, të kadastrës si dhe Institutin Ushtarak të Hartave, etj. Kështu Qeveria nëse dëshiron e ka shumë të  thjeshtë të dallojë cilat janë prona të mirëfillta të shtetit dhe cilat janë prona të konfiskuara nga diktatura.

     -Sipas jush ky ligj ka sjellë vetëm gjëra negative për pronarët?

    -Jo i gjithë ligji 7501 është i keq, por djallëzia është e  shprehur në nenin 8 të tij dhe është transmetuar në të gjithë legjislacionin për pronën. Ky nen  e trajton pronën e grabitur nga sistemi komunist si pronë në dispozicion të komisionit që emërohet prej qeveritarëve dhe politikanëve. Sipas raportimit zyrtar të Shoqatës Mbarëkombëtare të Pajtimit të Gjakrave, duke u bazuar nga mbledhja e të dhënave në terren, për shkak të këtij ligji prej vitit 1991 deri në 2011 ka pasur mbi 6000 viktima, por për këtë denoncim politikanët tanë dhe ambasadorët e BE-së dhe OSBE-së  kanë heshtur. Me përjashtime të pakta, deputetët e pas vitit 1991 e deri sot, me veprimet e gabuara dhe me mosveprimet për të mbrojtur të drejtën themelore të pronës së trashëguar, kanë shkelur betimin se “do respektojnë Kushtetutën, do mbrojnë interesat kombëtare…” Ata kush me shumë e kush më pak janë të njollosur, pavarësisht se tani në prag të fushatës ja hedhin fajin palës kundërshtare. Ligji 7501, për pjesën ku pronarët nuk kanë marrë pronën e tyre të trashëguar, është një nga burimet e pasurimit të pandershëm të klaneve mbështetës të politikanëve, një nga burimet e korrupsionit vertikal, është shkak kryesor i shkatërrimit të vlerave pozitive të popullit dhe i shumë të këqijave që kanë pllakosur mbi popullin pas vitit 1991. Neni 8 i ligjit 7501 por dhe nene të tjera në 15 ligjet e tjera janë në themel të anarkisë së pronës dhe e mbajnë Shqipërinë të distancuar nga afrimi në BE. Grykësinë e politikanëve grabitqarë e ka deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë Kryeministri Sali Berisha, deputetët F. Mediu, P. Majko etj, por ajo që u deklarua në sallën e Kuvendit nuk ka pasur asnjë veprim të mëtejshëm pozitiv për iniciativa lidhur me zbatimin e nenit 181 të Kushtetutës. Abuzimi me pronat është shumë i dukshëm në zonat turistike dhe arrin kulmin me ish-NB në zonat turistike që nuk i janë kthyer pronarëve. Me këto pasuri  kanë abuzuar kryetarët e Komisioneve të Pronave, kryetarët e AKKP, pushtetarët lokalë dhe ata të qendrës. Për këtë shkak, shumë shtetas edhe pas 22 vjetësh vazhdojnë të jenë të zhveshur nga prona e trashëguar sepse pronat e tyre në emër të ligjit, i kanë përvetësuar pushtetarët.

    Mos respektimi i të drejtës së pronës është strumbullari që prej 22 vjetësh politika antipronar po shkatërron themelet e Shqipërisë dhe po kultivon antivlerat. Nëse kryetari i mazhorancës dhe ai i opozitës nuk angazhohen sinqerisht që të kthehet prona tek i zoti,  nuk realizohet  demokraci e modeleve perëndimore, demokracia sabotohet dhe kjo strategji e kthen Shqipërinë në shprehje gjeografike. Legjislacioni aktual për pjesën që bie ndesh me nenin 181 të kushtetutës i ngjan ligjeve me të cilat një shekull më parë Serbia kolonizoi Kosovën. Me këto ligje Kuvendi i Shqipërisë pronarët autoktone po i bën refugjate në atdheun e tyre dhe shqiptarët lejohen të pushtojnë pronat e njeri-tjetrit. Në të mirë të ardhmërisë së vendit, kjo duhet të ndalet sa më parë.

     -A mendoni se ka ardhur koha për t’u amenduar ligji 7501?

    -Në këto 22 vjetëve janë hartuar ligje me karakter elektoral dhe grabitës pasi prej 1991 e deri sot  ka munguar vullneti politik për ta kthyer pronën tek i zoti. Korrigjimi i gabimeve është plotësisht i mundshëm por nuk ka vullnet politik të drejtuesve të politikës nga  të dy krahët. Zgjidhja duke amenduar ligjin 7501 dhe të 16 ligjet e deritanishme është e koklavitur. Zgjidhja që ka sugjeruar shoqata “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” nëpërmjet projektligjit që kanë përgatitur përputhet me kërkesat e Progres Raportit të KE-së të datës 10.10.2012 ku kërkohet të luftohet korrupsioni në sektorin e pronës, kërkohet përfundim i regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme që të krijojë tituj pronësie të qartë; kërkohet heqje e pengesave ligjore për lehtësimin e regjistrimit duke i dhënë pronarëve tituj pronësie të qartë dhe të padiskutueshëm. Këto kritere i plotëson më së miri projektligji i përgatitur nga shoqata e pronarëve, zbatimi i të cilit është i thjeshtë, nuk ka pa faturë financiare dhe korrigjon gabimet e derisotme PD-PS në përputhje me kërkesat e KE dhe detyrimet kushtetuese.

     -A duhet të fillojë puna për heqjen nga hipoteka e atyre pronave që janë regjistruar në mënyrë abuzive?

    -PO dhe duhet të bëhet nga Shteti . Nëse kjo nuk bëhet, shteti ligjor është vetëm në letër ndërsa shteti i së drejtës është në imagjinatë.  Sa më shpejt të bëhet kjo, aq më mirë është për të mirën e përgjithshme.

    -Kritikat që bëni për gabimet që janë bërë me ligjin në adresë të kujt i bëni?

    -Kritikat janë për qeverinë, por po ashtu duhet ti dëgjoje edhe lideri i opozitës.

    -Këto që ju keni thënë më sipër, a janë thënë herë tjetër?

    – Po këto janë thënë, por të interesuarit mund ti gjejnë tek faqja e shoqatës në adresën: defendingproperty.com.

     -Bllokimi i pranimit të çështjeve në Gjykatën e Strasburgut, sa i ka penalizuar pronarët për të kërkuar të drejtën e tyre?

    – Jo vendimi i Strasburgut  nuk i ka penalizuar pronarët. Strasburgu është drita jeshile për pronarët, ata duhet të kenë besim se koha punon për zbatimin e ligjit dhe për të drejtën.

     -Para disa muajsh doli harta për kompensimin e pronarëve, e cila pati shumë kontestime për shkak të çmimeve, ju si mendoni në lidhje me çmimet e vendosura?

    -Strategjia dhe Plani i veprimit të Qeverisë i sugjeruar nga specialistet e Bankës Botërore  është e gabuar në parim dhe e pa realizueshme në praktikë.

    Qeveria po i mban akoma peng pronarët

    -Në prag zgjedhjesh parlamentare tema e pronës është trajtuar vetëm për qëllime të fushatës elektorale. Po ashtu politikanët dhe pushtetarët në këto 22 vjet kanë përvetësuar prona që nuk ju takojnë dhe atyre nuk i pëlqen që të zbatohet neni 181 i Kushtetutës dhe të  kthehet prona tek i zoti, pasi kështu ata duhet të njohin pronar atë që është pronari origjinal. Për këtë shkak ata nxjerrin në plan të parë kompensimin. Mungesa e shtetit ligjor shprehet me faktin se nga Përmbarimi nuk ekzekutohen prej vitesh edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe papërgjegjshmëria  e Avokati i Shtetit arrin deri aty sa në kundërshtim me realitetin raporton në Strasburg se vendimi është ekzekutuar.